Dy filma kosovarë në Festivalin e Selanikut

Prishtinë, 19 tetor 2018 – Kosova do të përfaqësohet me dy filma në edicionin e 59-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, që do të mbahet nga 1 deri më 11 nëntor: “Nëntor i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina dhe “Gardhi” i regjisores Lendita Zeqiraj.

Që të dy filmat do të jenë pjesë e Seksionit “Balkan Survey”, i kuruar nga Dimitris Kerkinos.

“Balkan Survey” ka shfaqur shembujt më të mirë të prodhimeve filmike nga rajoni i Ballkanit. Regjisorë të mirënjohur dhe debutantë trajtojnë një sërë temash sfiduese në thelbin e edicionit të sivjetshëm të 15 filmave të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër.

“Balkan Survey” përfshin edhe programin “Before the Wave Breaks”, me 8 filma ikonikë të regjisorëve paraardhës të kinemasë së re rumune.

Festivali i Selanikut është njëri ndër festivalet më të vjetra dhe të rëndësishme të filmit në Ballkan.

Pjesë e programit të edicioneve të kaluara kanë qenë filmat kosovarë: “Tri dritare dhe një varje”, “Home Sweet Home” “Si qeni n’rrush”, etj. (r.m.)

Comment

*