Dy qytete të lidhura

Kristin Vukoviç, BBC Travel

Përktheu: Dr. Azeta Kola

22 Prill 2020

Si Venecia, ashtu edhe Dubrovniku (dikur Ragusa) ka qenë gjithnjë një qytet i rrahur prej udhëtarëve nga e gjithë bota; sot, të dy këto qytete janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s. Gjatë kohërave mesjetare, Venecia dhe Ragusa ishin porte të fuqishme tregtare me histori të ndërthurura: Ragusa njohu pushtetin feudal venedikas nga 1205 deri në 1358, por prapë ruajti pjesën më të madhe të pavarësisë së saj. Në vitin 1420, kur Dalmacia (një rajon bregdetar që kufizohet me Detin Adriatik, tani më së shumti në Kroacinë e sotme) u shit në Venecia, Dubrovniku mbeti një qytet i lirë në gjithçka përveç emrit.

Gjiri i Venecias, hartë e kohës së Mesjetës.

Që nga kohërat e lashta, shoqëritë janë përpjekur të ndajnë njerëzit me sëmundje nga ata që mbeteshin të pa ndikuar, me referenca për izolimin e tyre që datojnë nga Testamenti i Vjetër. Ndërsa Covid-19 përhapet me shpejtësi në të gjithë globin, ne jemi të këshilluar që të “vetë-izolohemi” (Eng. self-quarantine) nëse kohët e fundit jemi kthyer nga një pjesë e botës ku virusi po përhapet me shpejtësi, ose nëse me vetëdije kemi rënë në kontakt me një person të infektuar. Për të kuptuar rëndësinë e vetë-karantinimit gjatë kësaj pandemie moderne, është e dobishme të kthehemi në historinë e vetë fjalës “karantinë,” e cila e gjen origjinën e saj në Evropën mesjetare.
Fjala “karantinë” (Eng. quarantine) ka rrënjë italiane: në përpjekje për të mbrojtur qytetet bregdetare nga Vdekja e Zezë (Eng. Plague) që shkatërronte Evropën e Shekullit XIV, anijeve që vinin në Venecia nga portet e infektuara u kërkohej të uleshin në spirancë për 40 ditë (quaranta giorni) para se të zbrisnin, një praktikë që përfundimisht u bë e njohur si karantinë – rrjedh nga ‘quarantino,’ fjala italiane për një periudhë 40-ditore. Në vitin 1374, në Venecia u lëshua një shpallje që thoshte se të gjithë anijet dhe pasagjerët duhej të vendoseshin në ishullin e afërt të San Lazzaro, derisa këshilli i posaçëm i shëndetit t’u jepte atyre leje për të hyrë në qytet. “Kjo çoi në diskriminimin e anijeve dhe udhëtarëve nga vende të caktuara, si dhe veprime të tjera pa vend që po ndodhnin rregullisht në Venecia,” shkruan bashkëautori Ante Miloćević, Ph.D., në “Lazaretto në Dubrovnik: Fillimi i Rregullores së Karantinave në Evropë.”
Përgjatë Detit Adriatik në Raguzë (Dubrovniku i sotëm, Kroaci), megjithatë, Këshilli i Madh i qytetit miratoi një ligj te ri në 1377 për të parandaluar përhapjen e pandemisë që kërkonte që të gjitha anijet në hyrje dhe karvanët tregtarë që vinin nga zonat e infektuara t’iu nënshtroheshin 30 ditë izolimi. Legjislacioni, “Ata që vijnë nga zonat e infektuara nga murtaja nuk do të hyjnë në Ragusa ose rrethin e saj” (“Veniens de locis pestiferis non intret Ragusium vel Districtum,”) përcaktonte se kushdo që vjen nga vendet e prekura duhet të kalojë një muaj në qytetin e afërt të Cavtat ose ishullin Mrkan me qëllim dezinfektimin përpara se të hynte në qytetin me mure mesjetare. “Prandaj, Dubrovniku zbatoi një metodë që ishte jo vetëm e drejtë, por edhe shumë e mençur dhe e suksesshme, e cila mbizotëroi në të gjithë botën,” shkruan Milošević.

“Izolimi dhe disiplina janë dy gjërat e rëndësishme”

Rruga kryesore në Dubrovnik (ish-Raguza)

Bashkëautore Ana Bakija-Konsuo, MD-PhD, shtoi se Dubrovnik ishte porti i parë mesdhetar që sekuestroi njerëz, kafshë dhe mallra që vinin nga zonat e infektuara nëpërmjet detit ose tokës, duke i mbajtur ato të ndara nga popullata e shëndetshme, ndërsa Venecia ndaloi të gjitha anijet dhe tregtinë, duke ndalur jetën në qytet. Republika Ragusiane vendosi dënime dhe gjoba shumë të rrepta për shkelësit që nuk respektuan ligjin e karantinës 30-ditore (trentine, pasi termi ishte shkruar në një dokument të gjetur në Arkivin e Dubrovnikut, datë 27 korrik 1377). Në fillim, karantina ishte 30 ditë, por përfundimisht u zgjat në 40 ditë si në Venecia.
Askush nuk e di saktësisht pse periudha e izolimit u ndryshua nga 30 në 40 ditë: disa sugjerojnë se 30 ditë u konsideruan të pamjaftueshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, pasi periudha e saktë e inkubacionit ishte e panjohur; të tjerë besojnë se karantina 40-ditore ishte e lidhur me respektimin e krishterë të Kreshmës; dhe akoma të tjerë besojnë se 40 ditët bazohen në ngjarje biblike si përmbytja e madhe, qëndrimi i Moisiut në malin Sinai, ose qëndrimi i Jezusit në shkretëtirë. Venecia e bëri zyrtare 40 ditët në 1448, kur Senati Venecian i shtoi 10 ditë rregullit 30-ditor të karantinës për anijet që hynin në portin e saj.
Në Lazaretto në Dubrovnik, Bakija-Konsuo shkruan se administrata e Dubrovnikut mbërriti në idenë e karantinës si rezultat i përvojës së saj duke izoluar viktimat e leprozisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Gjatë historisë së tij, Dubrovniku u shkatërrua nga sëmundje të shumta, me leprozën dhe murtajën që paraqisnin kërcënimin më të madh për shëndetin publik. “Shkenca historike padyshim ka dëshmuar përparësinë e Dubrovnikut ‘në shpikjen’ e karantinës,” tha Bakija-Konsuo. “Izolimi, si koncept, ishte zbatuar edhe para vitit 1377, siç përmended në Statutin e Qytetit të Dubrovnikut, i cili u shkrua në 1272 dhe ku përmendet për herë të parë izolimi i pacientëve me lebër. Ky Statut është ndër disa nga dokumentet më të vjetra ligjore të shkruara kroate.”
Bakija-Konsuo shtoi se sipas Biblës, Llazari që vuante nga leproza u shpall shenjt mbrojtës i lepërve, dhe strehimi për ta u quajt “lazarettos,” emëruar sipas emrit të tij. Pasi Ragusa ngriti spitalin e parë të përkohshëm të murtajës në Evropë në ishullin Mljet, objektet e karantinës në të gjithë Evropën përfundimisht u bënë të njohura si “lazarettos.”

Dubrovniku sot.

Bakija-Konsuo tha se pas legjislacionit të izolimit të Raguzës në vitin 1377, karantina u zbatua së pari në Cavtat, një qytet i vogël i vendosur në jug-lindje të Dubrovnikut, dhe në ishujt e afërt (Supetar, Mrkan dhe Bobara). “Fillimisht, akomodimi në karantinë ishte i dobët, i improvizuar, në kasolle, tenda dhe ndonjëherë në ajër të hapur. Përfitimi i kasolleve ishte se ato mund të digjeshin lehtësisht si masë desinfektimi,” tha ajo. Në vitin 1397, u mor një vendim për krijimin e një karantine në Manastirin Benediktin në ishullin Mljet. Lazaretto në Danče u ndërtua në 1430, dhe më pas, një lazaretto më e madhe dhe më moderne u ndërtua në ishullin e Lokrum.
Më 12 shkurt 1590, Senati i Dubrovnikut dekretoi se lazaretto e fundit ishte të ndërtohej në Ploče, e cila ishte hyrja lindore e Qytetit të Vjetër. Ndërtimi i kompleksit lazaretto përfundoi rreth vitit 1647; në 1724, Senati e shpalli atë si një pjesë integrale të fortifikimeve të qytetit.
“Lazaretto e ruajti funksionin e tij origjinal shumë kohë pas rënies së Republikës së Dubrovnikut, por ne nuk e dimë vitin kur u shfuqizua si një institucion i kujdesit shëndetësor; sipas të dhënave arkivore nga Arkivi Kombëtar në Dubrovnik, ishte rreth vitit 1872,” tha Bakija-Konsuo. “Kjo ndërtesë mbresëlënëse prej guri përfaqëson jo vetëm një kompleks unik arkitekturor, por edhe një institucion që përshkruan më së miri trashëgiminë e pasur mjekësore të Dubrovnikut të vjetër.”
Lazarettos e Dubrovnikut, sot një atraksion turistik që organizon ngjarje kulturore si koncerte dhe vallëzime tradicionale folklorike Linđo (Lindjo), janë një kujtesë e largpamësisë së qytetit në luftën kundër sëmundjeve infektive shekuj më parë.
Ivan Vuković Vuka, një udhëzues turistik i historisë në Dubrovnik i cili ka lindur dhe është rritur në qytet, kujton se si shkonte në Lazarettos për klube dhe koncerte të hapura në netët e nxehta të verës, vetëm për të ndjerë një fllad. Lazarettos (lokalisht i quajtur “Lazaret” ose “Lazareti”) ndodhen afërsisht 300 metra jashtë mureve të gurtë të qytetit të vjetër. “Brenda mureve të qytetit çdo lloj sëmundje mund të përhapet me lehtësi, kështu që objektet Lazareti janë zona shumë të gjera dhe të bollshme të ndara në 10 ndërtesa shumëkatëshe, kështu që gjithmonë ka ajër të mjaftueshëm,” tha ai, duke përmendur pamjet marramendëse nga Port i Vjetër i Qytetit.
Kompleksi Lazaretto përbëhet nga 10 lazarettos, pesë oborret dhe dy vendrojet. Sipas “Lazaretto në Dubrovnik,” bashkëautor Vesna Miović, PhD, të gjithë udhëtarët që kishin ardhur nga zona të dyshimta (të infektuara) ishin vendosur sipër portikëve, në dyshemenë me një strukturë çati dhe dritare të mbyllura, dhe në shtëpitë në pllajën Lazaretto (gjithashtu e quajtur “lazaretto e sipërme”). Udhëtarët e karantizuar mund të shëtisnin lirshëm nëpër pllajë dhe madje kishin pak tarraca ku mund të merrnin frymë në ajrin e pastër, por ata ishin të ndaluar të përziheshin me ata që tashmë ishin çliruar nga karantina ose me këdo që jetonte jashtë kompleksit Lazaretto.
Me qytetin aktualisht nën karantinë për shkak të Covid-19, turizmi – gjaku i jetës së ekonomisë Kroate dhe një nga rrjedhat kryesore të të ardhurave të Dubrovnikut – është ndalur. Të gjitha anijet e lundrimit janë pezulluar deri në qershor, dhe më 19 Mars 2020, Kroacia zbatoi një ndalim të përkohshëm të tranzitit përmes vendkalimeve kufitare për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit. “Tani për tani, të gjithë kufijtë janë të mbyllur – në Kroaci nuk mund të bësh as transport në mes qyteteve,” tha Vuković Vuka. American Airlines anulloi fluturimet e tij të pandërprera nga Filadelfia në Dubrovnik për të gjithë vitin 2020, një rrugë e re e nisur vetëm vitin e kaluar dhe fluturimi i parë i drejtpërdrejtë që lidh Shtetet e Bashkuara dhe Kroacinë në 28 vjet; transportuesit e tjerë Evropianë dhe ndërkombëtarë kanë pezulluar fluturimet deri në qershor.
“Edhe gjatë luftës së viteve ’90, Dubrovniku nuk ishte kaq bosh,” tha Vuković Vuka. “Ju mund të dëgjoni heshtjen dhe madje edhe tingullin e vogël të jehonës sipër kalldrëmit.” Pas mbiturizmit, tha ai, tani ka nënturizëm.” Dalmatët, ashtu si fqinjët e tyre të Mesdheut, jane qënie sociale të cilëve u pëlqen të bashkëbisedojnë dhe të kalojnë kohën në kafene duke pirë kafe. “Covid i çmend Kroatët, pasi ne na pëlqen të puthemi me njëri-tjetrin si Italianët dhe Spanjollët,” tha Vuković Vuka. “Ne bëjmë shaka duke thënë se kjo është në të vërtetë rehabilitimi ynë i bar kafesë.”
Ndryshe nga ligji i dikurshëm i karantinës i Dubrovnikut, sot, njerëzit kanë mundësinë e vetë-karantinës në komoditetin e shtëpive të tyre; megjithatë, “[problemi] i njerëzve në Dubrovnik është se ata gjithashtu jetojnë në bashkësi të mëdha me prindërit dhe gjyshërit e tyre, kështu që ata duhet të kujdesen që të mos infektohen për shkak të [brezit] të vjetër,” tha Vuković Vuka.
Përveç kësaj, pak ka ndryshuar në 600 vitet e fundit në lidhje me protokollet e karantinës, të cilat Dubrovniku i ka zbatuar shumë herë ndër shekuj dhe të cilat shërbejnë si kujtesë në këto kohë të tanishme: “Izolimi dhe disiplina janë dy nga gjërat më të rëndësishme,” tha ai.

Comment

*