Dy raporte mbi kërkesën e Prokurorisë për arrestim, heqje lirie, kontroll banese të Tahirit

Shumica socialiste nuk pranon arrestimin e pafaktuar dhe paprovuar siç tha, por lejon masa shtrënguese të heqjes së lirisë, ndalim të daljes jashtë shtetit, detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore, ndalim dhe detyrim për qëndrim në një vend të caktuar. Opozitarët mbështesin arrestim, heqje lirie dhe kontroll personal dhe të banesës së deputetit Tahiri.

Me dy raporte në Kuvend, mazhoranca dhe opozita, nuk kanë asnjë pikë të përbashkët në çështjen “Tahiri”.

Në seancën e të mërkurës, deputetët socialistë do të votojnë kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm.

Mazhoranca do të votojë të mërkurën vetëm për kontrollin personal dhe të banesës së Saimir Tahirit, si dhe për ndalimin për daljen e tij jashtë shtetit.

Ne 23 faqe raport, Partia Socialiste ka argumentuar me detaje përse, sipas saj, dy akuzat e Prokurorisë për trafik narkotikësh dhe korrupsion pasiv, nuk bazohen në prova.

“Prokuroria nuk solli asnjë fakt apo indicie që nga përgjimet e personave të arrestuar apo në hetim, Saimir Tahiri të ketë komunikuar qoftë edhe një herë të vetme”, thuhet në raportin e Partisë Socialiste.

Mazhoranca thotë se Prokuroria kërkon ta arrestojë Saimir Tahirin pa kryer veprime hetimore, për të cilat nuk duhet autorizimi i Parlamentit dhe se as provat sekrete nuk tregojnë përfshirjen e tij.

Këto argumente i kanë çuar socialistët të dalin me përfundimin se arrestimi i Saimir Tahirit është politik.

“Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik”.

Por opozita ka një këndvështrim krejt tjetër. Në raportin e saj prej 17 faqesh, i firmosur nga anëtarët e Partisë Demokratike dhe LSI-së, opozita argumenton përse provat e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit janë të mjaftueshme.

Në raportin e saj thuhet se “për sa kohë Saimir Tahiri ka qenë ministër i Brendshëm, policia nuk ka kryer asnjë veprim pengues apo zbulues për aktivitetin kriminal të Habilajve, edhe pse ministri është informuar nga Shërbimi Sekret”.

Sipas opozitës, emri i Tahirit nuk përmendet vetëm një herë, por disa herë në një shtrirje kohore prej 3 vjetësh, gjatë të cilit grupi kriminal lidhet me Saimir Tahirin nëpërmjet automjetit të shitur prej tij.

“Të dhënat hetimore tregojnë se Saimir Tahiri e ka përdorur automjetin, pasi e ka shitur atë. Është e qartë se ky automjet ka shërbyer si mjet mbrojtës për grupin kriminal në kryerjen e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas provave, makina është blerë me qëllim lehtësimin e trafikut të drogës dhe armëve, pasi ishte në emër të Ministrit të Brendshëm”.

Opozita e konsideron mbrojtjen e Tahirit si goditje ndaj reformës në drejtësi dhe një hap për integrimin europian.

Deputetët e saj shprehin shqetësimin se me Saimir Tahirin të lirë, Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, nën mbikëqyrjen e të cilëve janë provat, mund t’i dëmtojnë ato dhe të bëjnë të heshtin dëshmitarët.

Raporti i opozitës përfundon me fjalinë se “Kuvendi nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo e mbështetësve direkt të tij.
Një fjali që në rrethanat aktuale duket si një paralajmërim për një qëndrim eventual të opozitës ndaj Parlamentit.

Braktisja e tij nisi që të hënën me komisionet parlamentare dhe u konfirmua të martën, kur demokratët u larguan nga komisioni i ligjeve për shkak të çështjes “Tahiri”.

Top Channel

Comment

*