Dy rreshta në kujtim të Atë Anton Harapit

 (5 Janar 1888 – pushkatuar me14 Shkurt 1946)

 

Nga Anton Çefa

 

Atë Anton Harapi për strukturën morale të popullit tonë

Asnjë prej studiuesve që janë marrë me studimin e dokeve morale të popullit tonë, në përgjithësi, ose të Kanunit të Lekë Dukagjinit, në veçanti, duke filluar me Gjeçovin, Palajn, Valentinin, Cordignanon, Koliqin, Konicën, etj., nuk kanë bërë ndonjë përpjekje për klasifikimin e tyre në gjirin e një sistemi, përveç P. Anton Harapit.

Simbas këtij studiuesi, karakteri moral i popullit tonë dallohet nga dy grupe virtytesh: nga virtytet shoqërore dhe nga virtytet vetjake. Në të parat, ai përfshin besën, ndoren, mikun, bukën (mikpritjen).  Në virtytet vetjake, ai përmbledh cilësi që lidhën me burrninë, të tila si forcën, qindresën, drejtësinë vetjake, urtinë që përjashton egërsinë, inteligjencën, matuninë, etj. Mbi këtë truall moral, sipas Harapit, shqiptari ndërton parimin themelor të jetës, dhe vlerës së saj dhe që është: besa, feja e burrnija. (Në hapësirën kuptimore të termit besë, ai përfshin të gjitha virtytet shoqërore që përmendëm më lart).

“Besa e burrnija, shkruan ai, përbajn karakterin moral të popullit tonë; per to shqyptari flijon pasunin, familjen dhe vetjen der në shkallën heroike e per to ‘e ban dekën si me le” 1).  Këtyre virtyteve, ai i shton besimin në Zotin. Për t’u vënë në dukje këtu është fakti që ndër virtytet që përmendëm më lart, Harapi nuk ka cilësuar nderin, që është një nga përbërësit themelorë të strukturës morale të popullit tonë.

“Ideja ‘burrni’ e jona, dan se mban diç ma tepër se ideja . . . e grekvet dhe se ideja virus e rromakvet. E njimend, prej nji burri në veshtrim të plotë na kerkojm madhnin shpirtnore, pse burri do të jetë bujar, zemërgjanë e i madh nder të tana pikpamjet; në nji burrë duem të shohim kjartsin e mendes, pse burri din shka ban e shka flet, as . . . kurr nuk ngutet, prej urtije e jo prej tutet.” 2).

“Burrnija nenkupton zotnimin e vetit, pse burri qi asht burrë e ka vetin në dorë, as s’merret me doshkado; burrnin e mbajm të panjollë porsi vetje, si edhe të stolisun me të gjitha vetit, qi lyp ndera e fisit e e familjes, pse burrit nuk i kuqet ftyra, aj e ka synin (ndergjegjen) kokerr (të pafrigshem). Tue kenë se burrnija xen fill e pshtetet në besë, e besa së mbrami në droje (frikë) të Zotit, të tanë fuqija morale, karakteri e qindresa e nji burrit themelohen në bazë objektive, reale e të njimendtë e shkon baraz me natyrë të nierit aq sa nji të zhburrnuemit nuk i vjen ma era nieri. Qe se si me iden ‘burrni’ na i shprehim të gjitha virtytet vetjake e shoqnore jo vetem në dispozicion e n’aftsi, por në veprim e në zbatim a si i thonë in facto esse.” 3).

1). Anton Harapi, “Kulla e Babelit”, Përgatitur nga dr. Aurel Plasari, “Phoenix & Shtëpia e librit”, v. 1999, f. 19-20.

2). Po aty, f. 31.

3). Idem.

 

*   *   *

 

Fjalë martiri : citime nga At Anton Harapi

 

“Çdo ndërtese i vehen themelet në dhe. Edhe në vorr, prandej, në hijshim, duhet të jemi gurët e themelit të njaj binaje, të cilën e quejmë Shqipni.”

*

“Luftimet qi shqiptarët banë për indipendencen e Shqipnis, tregojnë kjartë se shqiptarit, po iu tëfaq kjartë idejari i jëtës kombtare, nuk e kursen gjan as veten për ket punë; prandej i ka të shëndoshta dispozicionet e duhuna për jetën kombtare, por ka nevojë për mësim e edukatë.”

*

“Në shpirtin e shqiptarit asht nji fuqi morale me krijue fatosa.”

*

“Në shpirtin e shqiptarit ka ma randësi mbushmendja e këshilli se sa dajaku e friga.”

*

“Tipi i dishruem i shqiptarit të qytetnuem asht ai qi, pa e bjerrë aspak karakteristikën e vet, del vetje e mbarueme me dije, kulturë e rritje.”

*

“Me veprën e përvujtë të virtyteve shqiptare, do t’a ngrehim madhnin e kombit tonë”

*

“Sot po, gjuha qi flasim, gjaku qi shqiptar na rrjedh ndër dej, zakonet e doket  qi na lanë të parët, e, posë të gjithave, gjaku i babave e i vëllazënve tanë, qi nuk ia danë kurr luftën mizorit, lypin prej nesh mos ta trathtojmë zemrën tonë, por ta flasim nji fjalë, ta bajmë nji punë…”

*

Apologjia e Harapit në gjyq:

“Në qe se me u ndigjue ligjëve hyjnore e Atdheut, me edukue rininë e popullin kah idealet e nalta të së Vertëtës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull e me luftue për Fe e Atme asht punë e dobët e trathti, atëbotë jo veç unë, por mbarë Françeskajët e Shqipnis jemi të dejë për dekë.”

         

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Comment

*