Dy vëllezër dhe dy babë e bir mes 5 të vdekurve në aksidentin e Sarandës

Viktima tjetër Taip Madani ka qenë valltar i Grupit të Konispolit për këngën dhe vallen e Çamërisë

Denion Ndrenika

Policia në Sarandë njoftoi emrat e 5 personave që humbën jetën në aksidentin e ndodhur rreth orës 16:30 në vendin që njihet si “Ura e Bogazit”.

Viktimat u bënë të njohur se ishin vëllezërit Fejzo Sulo 65 vjeç dhe Krenar Sulo 45 vjeç, Taip Madani 67 vjeç dhe babë e bir Petro Neçi (ose Peçi) 65 vjeç dhe Kristaq Neçi 38 vjeç.

Fejzo dhe Krenar Sulo si dhe Taip Madani ishte duke u kthyer nga një ceremoni mortore e zhvilluar në Konispol.

Taip Madani ka qenë valltar i Grupit të Konispolit për këngën dhe vallen e Çamërisë.

Drejtori i Spitalit të Sarandës pasi konfirmoi nnumrin e viktimave, tha se dyshonte që një tjetër person të ishte plagosur dhe transportuar në Greqi.

Kristaq Neçi dhe Krenar Sulo ndërruan jetë në spitalin e Sarandës.

Policia tha se makinat e përplasura ishin tip “Renault” me targat “AA875BG” dhe një tjetër e tipit “Alfa Romeo” me targat “AA493IE”.

“Automjeti “Renault” me targa “AA 875 BG” që udhëtonte me drejtim Konispol-Sarandë dhe tjetri “Alfa Romeo” me targa “AA 493 IE” me drejtim Sarandë-Konispol janë përplasur mes tyre. Kanë humbur jetën 3 personat që ndodheshin në automjetin tip Renault dhe 2 personat që udhëtonin me mjetin Alfa Romeo”-njoftoi policia.

Ndërsa dyshohet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga lagështira të rrugë, policia thotë se po heton për të zbardhur të gjithë rrethanat.

Ngushëlli i parë erdhi menjëherë nga deputeti çam i Qarkut të Vlorës i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri:

“Vdekjen e ish-valltarit Taip Madani është një humbje e madhe për komunitetin çam. Valltari Taip Madani është legjenda e valles çame. Ngushëllime familjeve të viktimave në aksident”

Ura që njihet ndryshe edhe si “Boga”, lidh fshatin Livadhja me Konispolin në duke kaluar në Qafë-Botë, në jug të Shqipërisë.

Pas aksidentit të Kukësit me 6 të vdekur në orën zyrtare sipas policisë 06:45, një fëmije nga shpërthimi i granatës, gjetjes së kufomës së një 30-vjeçari në dajt të Tiranës, me viktimat e pasdites në Sarandë, vetëm këtë të shtunë të 8 shkurtit në Shqipëri kanë humbur jetën 13 persona.

Comment

*