E hëna, dita kur New York City fillon të rikthehet në normalitet

Pas saktësisht 100 ditëve në karantinë, New York City fillon këtë javë rihapjen e disa bizneseve duke shpresuar se nuk do të ketë një valë të dytë infektimesh nga koronavirusi.
Më shumë se 200,000 banorë u infektuan dhe rreth 22,000 njujorkezë humbën jetën nga sëmundja që filloi të përhapej në Ëuhan të Kinës dhe që njihet me emrin COVID-19.
Numri mund të ketë qenë shumë më i madh se shumica e gjerë e të infektuarve nuk tregojnë simptoma si dhe për shumë javë testimi i plotë ishte gati i pamundur.
Në ditët e fundit, protesta masive i kanë bërë që të duken qesharake masat shtrënguese të bashkisë dhe të shtetit, që kanë mbyllur edhe parqet e lodrave për fëmijë si dhe të qenve.
Sot, më pak se 100 vetë në ditë shtrohen në spital nga sëmundja dhe vdekjet kanë rënë jashtëakonisht.
Rreth 400,000 njerëz pritet të kthehen në vendet e tyre të punës, duke vënë në sprovë përgatitjet e sistemit të shëndetësisë për të mbajtur nën kontroll dhe ndjekur çdo të infektuar të ri dhe njerëzit me të cilët ka qenë në kontakt.
Faza e parë do të përfshije ndërtimtarinë, fabrikat e prodhimit masiv, dyqane. Çdo biznes ka marrë masa përkatëse, të higjenës dhe mbrojtjes personale para rihapjes.
Rihapja mezi pritet për aryse të ekonomisë. Gati një million vende pune kanë humbur dhe shumë biznese mund të jenë mbyllur përgjithmonë. Pronarët e dyqaneve mezi presin të fillojnë nga puna, po disa prej tyre nuk do të mund të shfrytëzojnë ditët e para. Shkatërrimet dhe vjedhjet e dhunshme që kanë shoqëruar protestat kanë sjellë dëme të rënda dhe kanë dekurajuar kthimin në normalizim.
Beteja me virusin nuk ka mbaruar në qytet. Ende numri i të infektuarve rritet me 500 vetë në ditë. Ky numër mund të rritet nga pjesëmarrja në protestat e fundit.
Në një pjesë të madhe të shtetit, rajonet kanë hyrë tashmë në fazën e dytë, që përfshin edhe biznese që kanë më shumë kontakte personale si zyrat, floktoret, etj. New York City ishte më mbrapa në plotësimin e shtatë kushteve që kishte vendosur guvernatori dhe vetëm këtë javë po u bashkohet rajoneve të tjera.
Për një kohë të gjatë, Qyteti u bë epiqendra e mbarë botës për infeksione dhe vdekje nga virusi. Deri në 800 vetë në ditë po vdisnin në periudhën më të rëndë. Rikthimi në normalitet mbetet një mister. Mijëra vetë kanë protestuar duke shpërfillur frikën, po pjesa më e madhe e qytetarëve kanë respektuar izolimin në shtëpi dhe mbetet për t’u parë sesa prej tyre do të rrezikojnë për të përfituar nga hapja për të dalë nëpër qytet e më e rëndësishmja për t’u kthyer në punë e për të rifilluar blerjet në dyqane. Deri sa të përmbushen kushtet për rifillimin e turizmit, qyteti do të lëngojë rëndë ekonomikisht. Kjo e hënë po vjen me shumë shpresa po edhe me shumë pikëpyetje. (Ruben Avxhiu)

Comment

*