E kam edhe unë një opinion

Enkel Demi

Po kremtohet 20-vjetori i emisionit “Opinion” i Blendi Fevziut. Duke e patur të pamundur të jem fizikisht, për një arsye krejt personale, thashë po i them dy fjalë kështu, meqë në Shqipëri nuk para ngjan që zanatlinjtë të flasin për sho-shoqin, kuptohet prej smirës.

Emisioni në fjalë, pa dyshim është shumë i rëndësishëm, mos i vetmi në llojin e tij që ka ndikuar dhe ndikon në formimin e shikuesit. Me moshën që ka sot, “Opinion” ka shoqëruar një gjeneratë të tërë nga lindja deri sa janë bërë 20 vjeçarë, por pa dyshim ka rrugëtuar më së pari me prindërit apo gjyshërit e tyre. Pra, nëse punët në këtë vend nuk shkojnë mbroth edhe “Opinion” ka një farë përgjegjësie do të thoshte dikush. Ndoshta ka të drejtë deri diku, megjithëse unë mendoj se roli edukues i televizionit, veçanërisht në Shqipëri ka vdekur me kohë e me vakt.

Ndoshta ky emision, jo gjithmonë ia ka dalë të jetë më i ndjekuri, por në shumicën e herëve e ka fituar këtë betejë, prandaj është target për t’u sulmuar. Në fakt, konkurentët kanë bërë një gabim trashanik në raport me të. Janë munduar ta “vrasin” me të njëjtin format talk show, pra një moderator dhe katër pesë mysafirë që polemizojnë, apo akoma më mirë grinden. Kjo, thjesht i ka dhënë mundësinë të duket sikur “Opinion” është shpikësi i këtij formati dhe të tjerët janë plagjaturë. Natyrisht, Fevziu as pretendon, as do që ta konsiderosh “shpikës”, por tani për shqiptarizmën shihet veç në këtë mënyrë. “Plagjatura” ia ka rritur edhe më shumë rëndësinë e peshës dhe fjalës, pasi nëse duan t’ia marrin shikuesit, duhet ta kishin “sulmuar” ndryshe, me të tjera propozime televizive dhe pa dyshim me të tjera shpenzime shumë më të mëdha.

“Opinion” është programi që duam apo s’duam ngjit kryesisht falë krijuesit dhe drejtuesit. Merita është e gjitha e tij, sepse ndryshe nga gjithë të tjerët Blendi Fevziu ka kuptuar i pari misionin e vërtetë të televizionit modern. Nuk është as roli historik, as përjetësia, por përditshmëria. Pak a shumë si fasulet që shumica dërrmuese e shqiptarëve i përdorin për ditë hëne. Po të qe ndryshe, Fevziu nuk do të shkruante libra.

Televizioni është një pjatë konsumi, të cilën madje duhet ta servirësh as të nxehtë e as të ftohtë, por ashtu si e do publiku. Pra, nuk ka nevojë të rrëshkasësh në thellime të mëdha, por as me qenë shumë i përciptë. E thotë dhe vetë autori që për shembull emisioni për ekonominë nuk ka audiencë, por polemika apo sherri për ekonominë ka shumë do të shtoja unë.

Blendi Fevziu duhet pranuar që është i vetmi gazetar i mirënjohur që e kuptoi rolin komercial të televizionit para të tërëve, duke u dhënë njerëzve një histori 20 vjeçare që thurret si episode soap opera, por me personazhe të gjalla, të cilët janë kryeministra, politikanë, shkrimtarë, klerikë, mjekë, profesionistë të ndryshëm, vajza vetëm të bukura, mjeshtra kuzhine apo sportistë.

Ky emision që sot kremton 20 vjetorin jam i bindur që ka për të bërë edhe 25 vjetorin, 30 apo 40 vjetorin, sepse udhëhiqet nga një njeri shumë punëtor. Është i vetmi që edhe kur pushon dhe na përcjell foto nga vendet ekzotike, ka vetëm një qëllim; audiencën. I vetmi që di, qoftë edhe sot ku ka maratonën televizive 16 orë, se cilët janë të ftuarit në studiot e të tjerëve dhe si duhet të sillet që të fitojë. Sepse, Blendi Fevziu kërkon të fitojë çdo natë dhe pothuaj ia del, pasi ka një histori për të treguar, ku vetë është skenaristi, regjizori dhe personazhi kryesor me stilin e tij të të veshurit, butonat apo orën, kravatat ekstravagante, telefonin herë të kuq e herë të florinjtë. Njerëzit e ndjekin dhe do ta ndjekin, sepse televizioni që ai bën është popullor dhe ka aftësinë magjike të krijojë bisedën, polemikën, ndeshjen dhe mes tyre, atje në shtëpi, ku ata e ndjekin.

Ndaj, duke qenë krejt i ndërgjegjshëm që Blendi Fevziu në këtë lëmë është më i zoti se unë, i uroj festën dhe i them që në përvjetorin e radhës do të jem patjetër me të, ani se qysh tani jam si jashtë mode.

Comment

*