E mira është pakicë

Astrit Lulushi

Nga mosrespektimi i ndjenjës lind mënyra cinike e jetesës – arsye pse disa më shpejt zemërohen sesa kënaqen. Dhe kjo nuk është pasojë gjeografike, as ndikimi i klimës, siç përpiqen ta justifikojnë, por shihet si efekt i shkeljes, shtypjes, mohimit, dhunimit e mosrespektimit të ndjenjave për shumë kohë, ndaj çdo moshe, çdo ditë, pa ndërprerje, e kthyer në traditë, që vazhdon edhe sot.

Është privilegj mbretëror për të bërë mirë dhe për të folur keq, këshillonte Sokrati, si të thoshte se, nëse nuk je gjendje të bësh mirë, të paktën mos bëj keq. Ndërsa hekuri gërryet nga ndryshku, kështu edhe ziliqarët konsumohen nga pasioni i tyre. Por edhe një qeveri mbulohet nga dështime, kur nuk është në gjendje të dallojë njeriun e mirë nga i keqi. Është e çuditshme që ne ndajmë grurin nga byku dhe miellin nga krundet, por lejojmë a zgjedhim pikërisht njerëzit e këqinj të zënë poste shtetërore e në parlament. Kjo është njësoj si të vësh bast për gomarët në vend të kuajve në garën mes tyre.

Nuk është sëmundja, por mjeku – dora e keqe e qeverisë që mund ta hedhë një popull të tërë në dëshpërim dhe eufori, duke prekur thellë cilësinë e jetës së tyre. Një nga avantazhet e filozofisë është se njeriu është në gjendje të zhvillojë biseda me veten.

Kur Diogeni iu lut dikujt për një pallto të re, përgjigjia që mori ishte – Mbulohu mirë me atë që ke. Të çrrënjosësh atë që ke mësuar gabim është më e vështirë sesa të mësosh diçka të re. Prandaj pak vetë vërtetë heqin dorë nga ajo që dikur kanë mësuar shtrembër, duke mbetur pjesë e të keqes. Eshtë më mirë të jesh me një grusht njerëzish të mirë duke luftuar kundër të këqijave se me ushtrinë e njerëzve të këqinj që luftojnë kundër një grupi njerëzish të mirë. Kur shumë njerëz iu lavdërojnë, pyet veten – çfarë gabimi kam bërë? Le të jetojnë bijtë e armiqve në luks. Ju bëni aleatë njerëz që janë të guximshëm dhe të drejtë, me ‘ta është virtyti – armë që nuk mund të merret.

Comment

*