E vërteta e pamoshë e letërsisë së Albana Lifschin

Eli Kanina

“O Zot
Ç’shaka bëre me ne
Kur moshës i dhe vite
Dhe zemrën pa moshë e le.”

Ishte fuqia e këtyre vargjeve nga poezia “Shakaja e Zotit”, që ma kishte sjellë së pari autoren Albana Lifschin nga USA, për të vazhduar më pas virtualisht me magjinë e penës së saj të veçantë.
Formimi akademik dhe karakteri i fortë, fëmijëria, shkollimi e pozicionet e punës, mardhëniet familjare, shoqërore e zyrtare, dhe gjithë eksperiencat e jetës së saj shërbejnë si një pasqyrë që reflektohet në gjithë letërsinë që Albana na servir në librat e saj. Stili gazetaresk në ato që shkruan, gjuha e saktë e thjeshtë me fjalët e duhura, por edhe syri detajues për të përcjellë atë që nuk duket por vlen, i japin penës së Albanës magji e mençuri në librat e saj.
Jetesa në USA dhe martesa me amerikanin Polli, i kanë dhënë penës së Albanës edhe rolin misionar të përcjelljes nëpërmjet sfidave sfilitëse të fillimit, të mendësisë dhe trajtimit ndryshe të prioriteteve , sprovave të përditshme , rutinës amerikane dhe surprizave të çuditshme, gafave dhe bllofeve, ankthit të pranimit e përpjekjes për tu përshtatur dhe gjithë situatat që nxjerrin në pah gamën e pafund të diferencave mes kulturave por edhe bukurinë e bashkëjetesës së tyre.
Prejardhja e saj nga Mëlyshajt, një derë e fisme apo më saktë nga një fis i nderuar që mbart histori dhe dramë për mënyrën e trajtimit nga regjimi por edhe nga kultura e mençuria e njerëzve me karakter të fortë që e kanë përfaqësuar, është një burim tjetër frymëzimi i pashtershëm për penën e Albanës. Ajo jo vetëm i rrëfen si një amanet nga nëna e saj Maria, një të vërtetë të plotë dhe të jetuar, pa asnjë zbukurim, por edhe dëshmon me detaje, argumenta dhe fakte, përtej Mëlyshajve, përtej Mirditës edhe fatin e historinë e Shqipërisë në regjimin e kaluar.
Zhgënjimi im për mirë, në takimin me Albanën, ishte një grup i tërë miqsh e mikeshash që e rrethuan me kujtimet e bukura për të dhe përjetimet për librat e saj. Sinqeriteti dhe lirshmëria në rrëfim ishte filli që na mbante lidhur, tipare edhe të mikes sonë që na bëri bashkë të mërkurës në Tiranë tek Bar Kafe Libri.
Aty u bë edhe promovimi i librit të saj “Bota me një sy”, ku fjala e hapjes u bë nga kurshëriri i saj botues e shkrimtar, miku im Mark Simoni. Larg protokolleve dhe rutinave, bashkëbisedimi dhe diskutimi nxorri në pah edhe shumë detaje interesante, që e pasurojnë historinë e Mëlyshajve por shtojnë edhe interesin për librin. Interesante ishin shpjegimet e Albanës si autore për titullin e gjetur, për mesazhin e nënës, për mënyrën e shkruarjes si në jerm, si një fat i paracaktuar i saj por edhe si një detyrim si mbesë e Pal Mëlyshit. Letërsia kësaj here mbart misionin e historisë që duhet rrëfyer ashtu si ka ndodhur. Dhe Albana merr përgjegjësinë që i duhet, për të qenë e besueshme në të vërtetën që pasqyron edhe me foto, ashtu siç e porosit nëna, për të qenë më e besueshme.
Ajo që nuk më zhgënjeu ishte Albana, e njëjta si në miqësinë virtuale, si në libra, pa asnjë gjë mangut apo ndryshe. Madje me magjinë e të folurës së përzemërt sikur njiheshim prej 100 vitesh, ma përforcoi edhe më, të vërtetën që ajo përfaqësonte dhe përcillte me vërtetësi.
Albana ështe e vërtetë po aq sa ato që shkruan.
Si ai fëmija që pyet nënën nëse ka më garuzhde me supë( duke nënkuptuar pëlqimin), i kërkoj Albanës të tregojë për projektet e librat e ardhshëm. Nxitoj të shmang keqkuptimin, se nuk janë pak librat që ka shkruar, por bukuria e tyre premton vazhdimin, dhe ne lexuesit dashamirës presim të tjerë.
Nuk është e rastësishme kjo që kërkoj, sepse e di që ardhja dhe pushimet në Shqipëri, nuk do të mbeten një harrim për penën e Albanës. Pse jo edhe dëshiroj një premtim prej saj për rikthimin e ritakimin tonë për një libër tjetër. Sepse Shqipëria është një burim ku mund të pish e të dehesh nga të gjitha llojet e emocionene, por është edhe një motiv që patriote dhe intelektuale si Albana mëndjehapur të ngjyejnë penën e tyre dhe të shkruajnë ashtu siç ne duam, ashti siç duhet dhe na duhet më tepër!
Mirësearrdhsh në Shqipëri dhe mirë u takofshim përsëri mikja ime e pamoshë Albana Lifchin!

 

(Në fotografinë lart, autorja e shkrimi dhe shkrimtarja Albana Lifschin, djathtas).

Comment

*