E VËRTETA NË SHOQËRINË E LIRË

Shefqet Meko

Dikush irritohet, dikush  thotë “Si ka mundësi”?!, por e vërteta në shoqërinë e lirë ka gjithmonë “dy sy” dhe një finale, fiton përsëri e vërteta

Nga Shefqet Meko, Minneapolis USA

Në një shoqëri që promovon lirinë dhe të drejtën e fjalës pa kufizim, e vërteta duket sikur bëhet “viktima” e parë. Dhe unë pajtohem me këtë. Për shumë mendje të hapura, për shumë liberalë dhe njerëz që thonë se ka vetëm “ një të vërtetë”   realiteti është zhgënjyes. E vërteta duhet të jetë një. “Vrasja” e kohës për të gjetur të vërtetën e pranueshme nga të gjithë  është e kotë. Por pyetja shtrohet: kush tregon të vërtetën? Kush e di të vërtetën?  Sa  ashiqare është ajo? “E vërteta është shpesh një armë  agresioni.Është e mundur të gënjesh, madje edhe të vrasësh me të vërtetën”, shkruan  austriaku Alfred  Adler.

Dita e 6-të e Janarit 2021 në Amerikë, për herë të parë në një rrafsh botëror i tregoi njerëzimit se ka “dy të vërteta”: një që besoj unë, dhe tjetra që beson ti.Por cila është realisht e vërteta?  Për herë të parë në historinë e vet, demokracia amerikane po sheh “ringun” mes të vërtetës dhe të kundërtës së saj. Për herë të parë politika amerikane po përpiqet të dënojë dy herë të njëjtin president, i cili guxoi të dilte kundër një “rutine politike” në Uashington DC.

 Për mendimin tim nuk ka dyshim se presidenti Tramp është një “demon” i konservatorizmit amerikan. Shërbimet e tij ndaj traditës konservatore amerikane janë një “piramidë egjyptiane” që nuk ka mundur ta arrijë të realizojë asnjë republikan i mëpërshëm. Kjo është merita historike e presidentit të 45-të të Amerikës. Një kampion i realizimeve republikane. Merita i takon Doland Tramp, që skurse ka thënë në “betejat elektorale” më 2016: “Unë i vetëm mund ta normalizoj Uashingtonin”. (“Alone I can fix”). Pa 6 Janarin 2021, ai do mbetej “ikonë republikane”.

Kurrë me parë opinioni amerikan dhe elitat politike nuk kanë debatuar kaq shumë rreth së vërtetës dhe gënjeshtrës si dy “binjake” që i krijon dhe mëkon njeriu  me mendjen dhe fantazinë e vet. Nëse e vërteta  është një dhe vetëm një, nuk mund të ketë ideologji, besim  apo parti që mund ta  verë në dyshim. Por cila është e vërteta? A ka nevojë e vërteta për votë dhe verdikt? Nuk mundet që të vërtetën ta “kërkojmë me vota”. E vërteta siç thonë “Zhytet por nuk mbytet”. Shoqëria amerikane për herë të patë në historinë e vet është e shokuar nga ajo që ndodhi më 6 Janar 2021. Askush nuk mund ta besonte, askush nuk mund ta imagjinonte. Nuk është herë e parë që mijra dhe mijra demonstrojnë në DC.Nga demonstrimet e M.L.King dhe shumë të tjera, kanë tronditur DC, por nuk kanë sulmuar kurrë  Kapitolin. Ky ka qënë dhe mbetej  “paprekshmëria” në rruzullin tokësor. Por, ja që më 6 janar  2021 ndodhi ajo që nuk imagjinohej: Sulmi mbi simbolin amerikan: ndërtesën e Kongrsit.Të githa faktet, provat, të vërtetat e dëshmuara nga biliona sy e veshë, fajësojnë një njeri, por procesi konstitucional amerkan është një  “cirk faktesh dhe perceptimesh”. Varet si e lexon kushtetutën, ose thënë më shqip “merr syte e mi e shikoje…”.

Liria amerikane është një “paradoks” që po shkon drejt  2.5  shekujve: individi është i lirë. Qytetari amerikan nuk preket, nëse nuk kryen krim në  statusin e vet privat. Ky është një leksion i madh amerikan. Fjala e konservatorit që kryeson pakicën në Senat, Miç Mekanëll, ishte një “leksion kushtetues” amerikan. Shkurt dhe qartë, republikani që  qëndroi “sulmit trampian” tha se  ajo që ndodhi e gjitha ishte gabim, ishte “përgjegjësi e presidentit”, por kushtetuta nuk lejon  që senati të “dënojë e gjykojë një qytetar privat”. Guximi i udhëheqsit të pakicës në Senat, të bën të mendosh që vërtet  Amerika ka një “Fondacion lirie”  të kontrolluar nga Kushtetuta. Edhe pse senatorët votuan në shumicë që “gjyqi është kushtetues”  në fund të fundit, senatorët konservatorë zgjodhën të votojnë në shumicë  që sipas tyre “është detyrë kushtetuese”, pikërisht ajo detyrë që sipas Mckonnell “ish- presidenti nuk e bëri”.

Nuk ka një rast të dytë në politikën amerikane që “mishi të piqet, por helli mos digjet”. Kreu i pakicës republikane në senat, në fjalën e tij  i bëri gjyqin “vdekjeprurës” ish-presidentit amerikan. Ja tha në sy dhe publikisht të gjitha përgjëgjësitë, mëkatet, gënjeshtrat,frymëzimet ndaj dhunës, mosveprimin si detyrë kushtetuese, por sipas tij “kushtetuta nuk lejon të gjykosh qytetarin privat”. Ndërkohë prokura dhe akuza ndaj ish-presidentit u hodh në “ring”. Askush nuk mund ta mbrojë ish-presidentin ndaj çdo akuze që mund t’i bëhet, ndërkohë që ishte në detyrë zyrtare,nëse akuzohet në gjykatë, por Senati nuk është gjykatë. Senati është Senat dhe nuk merret siç thonë në shqip me “pula të ngordhura”. Donal J. Tramp prej 20 Janar 2021 është një qytetar privat amerikan.

Vendimi i sotëm i Sentatit Amerikan më shumë se “shpëtim” për  presidentin e 45-të amerikan, është një konfirmim kushtetues që individi i lirë mbetet i lirë derisa  e kap “laku” ligjor. Nuk ka fuqi senati të gjykojë dhe dënojë dikë që nuk është në “juridiksionin” e tij.

Për ne shqiptarët është vërtet “leksion kushtetues”. A ju kujtohen gjyqet tona popullore. A ju kujtohet se si e “pushkatoi” vetëm një njeri, në sallën e mbledhjeve plenumi i PPSh, Kadri Hazbiun? Asnjë provë nuk u shfaq, asnjë detaj për krimet dhe tradhëtitë e lakuara, por sepse tha “njëshi”, Kadri Hazbiu  duhet të dënohej. Dhe si viktimë e  ideologjisë që besonte, ai njeri i mjerë përballë kolegëve dhe shokëve të plenumit pohonte:”Në më arreston, partia ime më arreston”. Çfarë ironie e kohës që shkoi…

Ja pse ka shumë rëndësi që  çdo proces të shihet në dy kahe. Nëse në rastin që flasim ka një shumicë që mendon  se presidenti është fajtor, ka një këndvështrim tjetër që thotë se “Jo, ai nuk mund të gjykohet e penalizohet nga Senati”.Amerika po mëson nga vetvetja, ndaj edhe çdo mësim që duam të marrim prej saj, duhet ta gjykojmë në specifikat  e realiteiti politik. Sidoqoftë mesazhi më i madh që jep senati amerikan është i qartë: qytetari privat nuk është subjekt gjykimi nga  instancat ligjformuese, por kjo nuk garanton “imunutet” në përballje me ligjin në çdo nivel gjykate.”Liria nënkupton përgjegjësi.Kjo është arsyeja që shumë njerëz i ndruhen” ka thënë Bernard Shou!

Edhe pse në një vështrim të gjërë  habitesh dhe pyet veten se si është e mundur; në një plan real,në një gjykim të ftohtë dhe jopartizan, mesazhi i konservatorëve në Senatin Amerikan është i qartë: qytetari privat nuk preket. Liria e individit mbetet e shenjtë.Ndaj është e rëndëshishme e vërteta të shihet  nga “dy palë sy”. Në këtë plan sërish “çuditë amerikane” vazhdojnë…



13 Shkurt 2021

Comment

*