Edhe Gjermania është kundër ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi

Prishtinë, 9 gusht 2018 – Gjermania është ndër shtetet më të fuqishme në botë që e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë. Ajo kundërshton të gjitha opsionet që prekin vijën e kufirit – ndarjen e Kosovës, siç pretendon Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  apo “korrigjimin” e kufirit, siç propagandon Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka kujtuar se ky qëndrim është shprehur disa herë nga ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth, dhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

“Ministri i shtetit, Michael Roth, sikurse edhe Ambasadori Heldt, në intervista të ndryshme, e kanë bërë të qartë pozicionin zyrtar lidhur me dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Me këtë, qëndrimi i Qeverisë Federale të Gjermanisë është i njohur,” thuhet në një deklaratë të kësaj ambasade.

Roth dhe Heldt, në intervistat për mediat e Kosovës, kanë thënë se ndarja e Kosovës dhe lëvizjet e kufijve janë shumë të rrezikshme dhe mund të shpien në destabilizimin e gjithë rajonit të Ballkanit.

Ambasada britanike në Prishtinë ka shprehur qëndrimin zyrtar të Londrës, kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. (r.m.)

Comment

*