Edhe Kroacia është kundër idesë për shkëmbim territoresh

Prishtinë, 8 nëntor 2018 – Ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviq, ka bërë të ditur se vendi i saj nuk e përkrah idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kroacia nuk e mbështet idenë për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që nuk beson se një korrigjim i tillë do ta bënte rajonin më të qëndrueshëm”, ka deklaruar ambasadorja Kapitanoviq, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”.

Ajo ka theksuar se ndryshimi i kufijve, në vend të zgjidhjes së problemit, mund të shkaktojë probleme shtesë në rajon.

“Sa i përket korrigjimit të kufijve nga pikëpamja e dikujt që vjen nga një vend i cili përjetoi një të kaluar të vështirë, ne nuk mendojmë që kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme”, ka potencuar ajo.

Ambasadorja Kapitanoviq ka folur edhe për lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Schengen. Ajo ka treguar se procesi ka kaluar në fazën e konsultimeve mes shteteve anëtare, por nuk ka qenë qenë në gjendje të thotë nëse kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në BE në një të ardhme të afërt. (r.m.)

Comment

*