Edhe NISMA kërkon hetim parlamentar për deportimin e gylenistëve

Prishtinë, 30 mars 2018 – Kryesia e Nismës Socialdemokrate ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, veçanërisht për dëbimin e gjashtë shtetasve turq në Republikën e Turqisë.

Kryesia e Nismës ka vlerësuar se me këtë veprim janë shkelur të drejtat e njeriut dhe janë cenuar rëndë themelet e demokracisë së vendit.

“Nisma vlerëson se Kosova, si një shtet i pavarur dhe demokratik, duhet ta zbatojë Kushtetutën e vendit dhe t’i respektojë obligimet që dalin nga e drejta dhe konventat ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e lëshuar pas mbledhjes.

“Me veprimet e djeshme nuk është respektuar hierarkia dhe as fryma të cilën synojmë ta ndërtojmë. Nisma e përgëzon qëndrimin e deputetëve të pozitës dhe opozitës përkitazi me këtë çështje’, thuhet më tutje në kumtesë.

Kryesia e Nismës u është bashkuar tri grupeve parlamentare shqiptare në opozitë, të cilat kërkojnë hetim parlamentar lidhur me rastin.

“Jemi të vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktojë ky veprim. Transparenca e plotë dhe përgjegjësia e të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë veprim është minimumi i asaj që duhet të bëhet urgjentisht. Në funksion të kësaj, Nisma kërkon hetim parlamentar për këtë çështje”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes së Kryesisë së Nismës Socialdemokrate. (r.m.)

Comment

*