Edhe Wesley Clark në festimet e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës

Prishtinë, 12 qershor 2019 – Ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark, do të marrë pjesë në festimet e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Clark do të marrë pjesë në manifestimin qendror që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Ish-komandanti i Forcave të NATO-s në Evropë, i cili komandoi operacionet ajrore kundër objektivave ushtarake e policore të Serbisë do të pritet në takime të veçanta nga Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Wesley Clark është ndër personalitetet më të respektuara nga qytetarët e Kosovës, si: Bill Clinton, ish-president i SHBA-së, Madeleine Albright, ish-sekretare e shtetit amerikan, Tony Blair, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, dhe shumë figura të tjera amerikane e evropiane që e mbështetën popullin e Kosovës në rrugën e tij për liri e pavarësi. (r.m.)

Comment

*