Edi Rama nis aksionin për “legalizimin” e portaleve

Tiranë, 10 tetor 2018 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar nisjen e një aksioni për të futur në shinat ligjore portalet në internet.

Në një postim në Twitter, Rama ka shkruar se “urbanizimi i xhunglës online nis nga legalizimi i portaleve”.

Ai pa thënë se “legalizimi” mund të bëhet në pak minuta, përmes regjistrimit online në Qqendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Rama i ka quajtur portalet “fantazma pa adresë e pa emër”.

“Nga diskutimi për Paketën Antishpifje del qartë se urbanizimi i xhunglës online nis nga legalizimi i portaleve. Legalizimi mund të bëhet në pak minuta, përmes regjistrimit online në QKB. Duke qenë se janë fantazma pa adresë e pa emër, uroj ta lexojnë këtë mesazh para ditës së hënë”, ka shkruar ai.

Dy vitet e fundit, Kryeministri Edi Rama ka vënë në shënjestër mediet dhe portalet që kanë mbajtur qëndrim kritik nga mënyrës së qeverisjes së tij. Ai ka drejtuar shpesh fyerje në adresë të gazetarëve dhe medieve, të cilat ai i ka quajtur “medie të kazanit”.

Ditë më parë, gazeta gjermane “Handelsblatt” shkruante se kryeministri shqiptar “nuk e ka përzemër t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, aq më keq nëse ai nuk i kontrollon vetë ato”.

Rama është kritikuar edhe për televizionin intern të tij ERT, i cili konsiderohet si medie e krijuar ekskluzivisht për të transmetuar versionin e tij të informacioneve nga kabineti qeveritar. (r.m.)

Comment

*