Ekipi i Serbisë “Crvena Zvezda” nuk u lejua të hyjë në Kosovë

Prishtinë, 9 tetor 2019 – Policia e Kosovës nuk ka lejuar të hyjë në Kosovë për të zhvilluar ndeshje me një klun kosovar. Në vendkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë, policia e ka kthyer prapa autobusin me të cilët po udhëtonte ekipi i Serbisë.

Hyrja në Kosovë u është ndaluar edhe tifozëve të klubit beogradas që ishin nisur për në Kosovë.

Ekipi “Crvena Zvezda” ishte nisur drejt Zveçanit, në Kosovë,  për të zhvilluar një ndeshje  për Kupën e Serbisë me Klubin e Futbollit “Trepça” nga Mitrovica Veriore.

Drejtori i Klubit të Futbollit “Trepça” nga Mitrovica Veriore, Bojan Jakshiq, ka thënë se Policia e Kosovës kishte dhënë përgjigjje negative ndaj kërkesës për organizimin e takimit të këtij klubi me “Crvena Zvezdës”.

“Sot rreth orës 10, ka arritur përgjigja e Policisë së Kosovës në Zveçan, në bazë të kërkesës që e kemi dërguar me 7 tetor, lidhur me organizimin e takimit Crvena Zvezda – Trepça, që kërkesa refuzohet, në bazë të urdhrit të drejtorisë kryesore në Prishtinë”, tha Jakshiq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, e ka dënuar moslejimin e ndeshjes ndërmjet “Crvena Zvezdës” dhe “Trepçës“.

“Ky është edhe një shembull i përpjekjeve të Prishtinës që Serbinë, në çfarëdo mënyre, madje edhe simbolikisht, ta nxjerrë nga Kosova edhe pse kjo ndeshje ka pasur për qëllim promovimin e sportit dhe jo ndonjë porosi politike”, ka thënë Gjuriq.

Më herët, Federata e Futbollit të Kosovës ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të mos lejojë hyrjen në Kosovë të Klubit Futbollistik “Crvena Zvezda”.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, Eroll Salihu, ka thënë se zhvillimi i ndeshjeve të klubeve të Serbisë në territorin e Kosovës është provokim i pastër dhe shkelje e statutit të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).

(r.m.)

 

Comment

*