Ekonomi: Rritet numri i turistëve dhe i investitorëve kosovarë në Shqipëri

Prishtinë, 24 korrik 2017 – Ministrja e Zhvillimit Ekonomik Turizmit Tregtisë e Sipërmarrjes (MZHETTS), Milva Ekonomi, në një intervistë për “Koha Ditore”, ka thënë se sezoni i sivjetshëm veror e gjen Shqipërinë me një turizëm më cilësor, me më shumë investime dhe më të pastër.

Sipas saj, në vitin 2016 turistët kosovarë përbënin 45% të vizitorëve të huaj nga 37% që vlerësohej në vitin 2014, ndërsa në vitin 2017 kjo shifër pritet të jetë edhe më e lartë.

Ministrja Ekonomi ka theksuar se stoku i investimeve me Kosovën në tremujorin e parë 2017 ka shënuar rritje prej 24 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa fluksi i investimeve nga negativ, – 4 milionë euro në tremujorin e parë 2016 ka treguar rritje në rreth 2 milionë euro në tremujorin e parë 2017, duke shprehur qartë zgjimin e interesit të investitorëve kosovarë për të investuar në Shqipëri.

Praninë e madhe të pushuesve nga Kosova, ministrja e Turizmit e lidh me faktin se flasim të njëjtën gjuhë dhe tërheqja e kahershme që kanë qytetarët e Kosovës për qytetet dhe brigjet shqiptare.

Por, ajo ka numëruar edhe faktorë të tjerë që shqiptarët e Kosovës, por jo vetëm, e preferojnë Shqipërinë, e kryesori është se çmimet në Shqipëri vazhdojnë të jenë më të lira, krahasuar me vendet fqinje.

Ministrja Ekonomi ka folur edhe për shkëmbimet tregtare dhe për çështje të tjera në raport me Kosovën. (r.m.)

Comment

*