Ekspertiza për vdekjen e Astrit Deharit dërgohet në Zvicër javën e ardhshme

Prishtinë, 17 maj 2018 – Rasti i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, do të dërgohet për superekspertizë në Lozanë të Zvicrës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në seancën e sot të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kjo lëndë do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, javën e ardhshme.

Ministri Tahiri ka thënë se vonesat kanë ndodhur si pasojë e lëndës voluminoze, me që kanë qenë rreth 3 mijë faqe për përkthim.

“Unë ju informoj që këtë javë ka përfunduar përkthimi i lëndës komplet. Ka qenë lëndë voluminoze me një material rreth 3 mijë faqe. Jam informuar nga prokuroria e shtetit që javën që do të vijë nga e hëna e tutje lënda do të dërgohet përmes atasheut policor të ambasadës së Zvicrës që është në Republikën e Kosovës drejtë institutit në fjalë. Pra, Ministria e Drejtësisë nuk është ndërlidhëse në këtë rast, por është prokurori i rastit përmes Prokurorisë së Shtetit”, ka thënë ai.

Ministri Tahiri ka folur për këtë çështje duke iu përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, i cili ka pyetur se në cilën fazë gjendet procesi i dërgimit të lëndës në Zvicër.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej i baraburgosur si i dyshuar për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në gusht të vitit 2016.

Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari ka vendosur që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. (r.m.)

Comment

*