Eksporti i Shqipërisë në Kosovë sivjet u rrit për 25 milionë euro

Tiranë, 3 qershor 2019 – Në kuadër të Forumit Ekonomik Mbarëshqiptar është thënë se në vitin 2019 eksporti i produkteve të Shqipërisë në Kosovë kap vlerën e 64 milionë eurove. Eksporti i produkteve të Shqipërisë është rritur për 25 milionë euro, krahasuar me vitin paraprak, ndërsa vlkera e eksporteve të Kosovës në Shqipëri arriti 18 milionë euro ose  vetëm për 1 milion euro më shumë se në itin 2018.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, bashku me Odën Ekonomike të Kosovës, në kuadër të Forumit Ekonomik Mbarëshqiptar, kanë kërkuar që të hiqen barrierat tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve dhe Koordinator i Forumit Mbarë – Shqiptar, tha që prodhuesit vendor e konsiderojnë tregun e Shqipërisë si vazhdimësi të tregut vendor. Por sipas Panxhës prodhuesit kosovarë përgjatë viteve janë duke hasur në pengesa të shumta gjatë tregtimit të produkteve të tyre.

“Sipas një raporti nga BE, Shqipëria del e dyta, pas Serbisë për barrierat tregtare, ku e treta është Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. E ku duhet cekur që një prej marrëveshjeve të shumta që janë nënshkruar në mes të qeverisë Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është marrëveshja për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare”, deklaroi Panxha.

Ai edhe një herë përmendi barrierat tarifore dhe jo-tarifore që prodhuesit kosovar po hasin gjatë eksportit në tregun e Shqipërisë, si rasti i akcizës së birrës, pastaj procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, pagesa në rrugën e kombit, mos-marrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare e shumë pengesa tjera që dëmtojnë konkurrueshmerinë e produkteve të Kosovës në Shqipëri.

Ndërsa, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike tha që këto barriera janë duke i përcjellë marrëdhëniet tregtare në mes të këtyre vendeve tash e një dekadë, si barrierat tarifore dhe jo tarifore, por përveç tyre është edhe cenimi i investimeve.

“Tregu i Shqipërisë është fokus kryesor i kompanive tona, si për tregti-eksport ashtu edhe për investime. Prandaj, tregtia me Shqipërinë duhet të sqarohet në bazë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, sepse barrierat e tilla padyshim nuk kanë as shpjegim teorik, as ligjor e as logjik në terma të ekonomisë”, shpjegoi ai.

Ata në fund thanë që do të bëjnë ç’është e mundur që prodhuesit e Kosovës të depërtojnë në tregun e Shqipërisë, qoftë edhe nëse duhet bërë presion institucioneve të Shqipërisë me bllokimin e pikave doganore me maune në pikën e sezonit të verës.

(Kallxo.com)

Comment

*