Eksportuesit: Ekonomia shqiptare – në prag të krizës së thellë

Tiranë, 29 prill 2018 – Shvlerësimi i euros do të sjellë dëme të mëdha në ekonominë shqiptare. Nëse nuk merren masa, ekonomia shqiptare do të futet në krizën ekonomike më të thellë pas asaj të vitit 2010.

Kështu vlerësoi Presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi.

“Ndoshta ekonomia shqiptare do të futet në krizën ekonomike më të thellë pas asaj të vitit 2010. Unë mendoj që të gjitha mediat duhet të sensibilizojnë në mënyrë që qeveria të fillojë të reagojë. Deri tani nuk ka pasur asnjë lloj reagimi, as nga qeveria dhe as nga Banka e Shqipërisë, për çfarë po ndodh nga qeveria shqiptare”, tha Zusi për televizionin Ora News.

Ai veçoi 6 raste të sektorëve të ndryshëm që kanë shkuar në humbjr për shkak të rënies së euros.

“Nga sketori i materialeve të ndërtimit pritshmëria është që brenda një muaj 7-8 fabrikat kryesore të prodhimeve të materialeve të ndërtimit të mbyllen fare. Pra, 3.5 milion euro eksporte në vit nga ky sektor të shkojë në zero. Nga sektori i fruta-perimeve, vetëm një operator raportoi 300 milion lekë më pak në ekonomi. Në sektorin e fasonëve, një eksportues raportoi 5-9 mijë euro më pak në muaj të ardhura, të cilat po përballohen nga vetë bizneset, por në fund do të reflektohen me mungesë të investimeve, sepse çmimet nuk pranon njeri t’i rrisë. Në sektorin e qumështit nuk raportohet ende rënie e çmimeve, por raportohet një rritje e ndjeshme e operatorëve të huaj në treg, e cila më vonë do të shoqërohet me shtytje nga tregu të prodhimi vendas. Një mbarështues i kafshëve të gjalla raportoi se në dy muajt e fundit, për shkak të rënies së euros dhe importit me çmime të ulura, i ka rënë me 30 për qind shitja dhe gjendet në vështirësi serioze. Ndërsa hotelet raportojnë pamundësi totale për ta reflektuar në rritjen e çmimit rënien e euros, për shkak se kontratat në turizëm janë të shumta, por nuk mund ta reflektojnë këtë rënie të euros dhe do shkojë totalisht në humbjen e tyre”, u shpreh ai.

Zusi parshikoi që efektet e para të krizës të ndjehen në vjeshtë, por do të kulmojnë në pranverë.

“Nëse do vazhdojë kjo situtë, në vjeshtë ne do të ndjejmë efektet e para të krizës dhe në pranverën e vitit të ardhshëm asnjëri nuk do ta kundërshtojë krizën”, u shpreh ai. (r.m.)

Comment

*