Ekspozitë e piktorit Sterjo Shkodrani

Nga Fuat Memelli

Prej 9 vjetësh piktori korçar Sterjo Shkodrani, jeton në Boston. Është në moshën e pensionit por nuk ri i qetë, vazhdon të pikturojë. Pasioni për pikturën, nuk e le të qetë. Motivet e pikturave të tij janë me temë nga Shqipëria si dhe nga atdheu i dytë, Amerika. Deri tani ka hapur 12 ekspozita. Shumica e tyre kanë qënë për komunitetin shqiptar por disa edhe për komunitetin amerikan. Ekspozitën e fundit e hapi në qendrën ruse të kujdesit për të moshuar, “Zapota”. Veç vizitorëve rusë, kishin ardhur edhe shqiptarë.

Motivi kryesor i kësaj eksozite ishte figura e kalit, këtij bashkeudhetari të njeriut, për të cilin thuhet se historia e popujve, ka kaluar në shpinën e kalit. Piktori falenderoi pjesëmarrësit si dhe qendrën e të moshuarve për kushtet që i krijuan. Më pas, si të ishte një specialist i kalit, theksoi:” Figura e kalit më ka tërhequr vazhdimisht, që nga fëminia e deri në ditët e sotme. Ai është një nga kafshët më fisnike dhe më të bukura që ka mbarëshuar njeriu. I ka shërbyer atij për punë të shumta si në transport, për punimin e tokës, etj. I ka shërbyër edhe në kohë lufte. Ashtu si kalorësi, edhe kali egërsohej në luftë kundër armikut. Kur luftëtari rrëzohej, ai kujdesej që mos e shkelte. Për kalin janë shkruar, poezi, tregime, janë bërë piktura e monumente. Edhe unë mendova që disa pikturave të mia t’ja kushtoj kësaj kafshe ”.

Pjesëmarrësit panë me inters punimet e paraqitura dhe bënë vlerësime për piktorin shqiptar. Kandidatja e shkencave mjekësore, Ganella Zlatovskaja, theksoi plot pasion: ”I vlerësoj shumë këto piktura, për konceptimin e tyre, për harmoninë e ngjyrave, duke na sjellë jo vetëm bukurinë por edhe anën jetësore të kalit, kësaj kafshe kaq fiisnike”. Një përshëndetje të veçantë bëri edhe përgjegjësja e veprimtarive në këtë qendër, Yekaterina Bolotovskaja. Pasi vlerësoi punimet e paraqitura, ajo theksoi:” Ne jemi shumë të kënaqur që herë pas here, në qendrën tonë zhvillohen veprimtari edhe të komuniteteve të tjerë, sic ishte edhe ky i sotmi nga piktori shqiptar. Kjo është veprimtaria e dytë që zhvillohet këtu nga shqiptarët. Rradhën e parë sëbashku me një grup shqiptarësh festuam ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Grupi këndoi edhe këngë të bukura shqiptare, shoqëruar me kitara”. Përkthimin nga shqipja në rusisht dhe anasjelltas, e bëri Aleko Dhima, njohës i mirë i rusishtes.

Sterjo Shkodrani ka në plan të hapë edhe ekspozita të tjera këtu në Boston. Krahas punimeve që bën në shtëpi, ai pret të trokasë pranvera dhe me kavaletin në sup, të dalë në natyrë, në gjirin e të cilës, peneli i tij rëshqet më lehtë.

Comment

*