Elegji për Lumin e ri

Arian Krasniqi

Për shkrimtaren amerikane, Sylvia Plath, vdekja është një art, dhe për të famshmin Franc Kafka kuptimi i jetës është kur ajo mbaron. Ndërsa, për regjisorin tonë të papërsëritshëm, Bekim Lumi, teatri është një lojë, të cilën, ashtu sikurse jetën, duhet luajtur bukur deri në fund.

Vdekja e Bekim Lumit (1966-2018), nuk është fundi i lojës me jetën dhe teatrin e tij.Vdekja fizike e Lumit është përjetësia dhe shenjtëria e tij artistike.

– Çka është teatri për ty?

– Lojë e bukur.

– E jeta?

– Lojë e vështirë.

Pra, për Lumin, kuptimi përmbajtësor i lojës në jetë dhe lojës në teatër është i njëjtë. Ndryshon vetëm forma. Lumi jetën e pranoi si teatër dhe teatrin si jetë. Deri në frymën e tij të fundit qe lojtar i perfeksionuar i jetës dhe artist i pakrahasueshëm i teatrit të kohës sonë.

Loja e Lumit, si në jetë ashtu edhe në teatër, ishte e veçantë, e pandikuar nga askush, dhe plotësisht origjinale. Lumi nuk qe kopje e askujt, as në jetë as në teatër. Jetës ia fali energjinë, impulsivitetin, kokëfortësinë, bindjen e pathyeshme, guximin, besnikërinë, miqësinë, dashurinë, respektin, përkushtimin, dhe gjithçka tjetër që e bënte atë të dallohej nga të tjerët. Teatrit tonë ia fali dijen, kreativitetin, invencionin, estetikën dhe lojën e bukur filigraneske skenike.

Para dy dekadash, Lumi, nga Gjermania mori rrugën për në Kosovën e sapoçliruar duke ecur si “Kësulëkuqja në botën e minave” (2000), dhe na u shfaq me “Mësimin” (2002), e parë dhe të paparë në teatrin tonë. Me syzet me dioptri estetike e kërkoi “Galanin” (2003) nëpër çmendinë e kohës, dhe me “qiften e gjyshit” goditi në shenjë të vlerave teatrore. Na bëri të qeshë me zemër dhe na gostiti bukur e me shije të atmosferës aristokrate të gërshetuar me tradicionalen, në natën e “Arushanit dhe Fejesës” (2005). Iu doli zot tetë grave në “Shtëpinë e Bernarda Albës” (2006), aty ku pushteti i ndjenës së dashurisë mposht dhunën fizikë e psikologjike.

Lumi vazhdoi rrugëtimin e tij me mrekullinë artistike të “Çiftit Martin” (2008) duke na dhuruar një spektakël teatror me vetëm dy aktorë e shumë pak faqe tekst. Edhe këtu, shkëlqimi i lojës në teatër e mveshën Lumin tonë me kostumin e përjetësisë artitike.

Tevona, jeta dhe puna institucionale u bënë këmishë e ngushtë për Lumin. Ai, përmes Teatrit Laborator “Loja”, në Muzeun Etnologjik, vendosi të vesh “Këmishën e gjakut” (2010), dhe si asnjëherë tjetër na e solli Shekspirin kanunor dhe Lekën si Shekspir. Ai na bindi se godinat dhe hapësirat më të mëdha nuk e bëjnë një shfaqje teatrore më të mirë. Sipas tij, teatri i vërtetë duhet të ndodh në lojën e aktorëve, në fizikun, vokalin dhe emocionin e tyre të vërtetë.

Tutje, Lumi, në krijimtarinë e tij, ndoqi rrjedhën e jetës dhe frymën urbane. Në një hapësirë të braktisur në zemër të Prishtinës, mes makinerisë së pluhurosur, të dalur funksioni e mode, bëri bashkë “Dilerat” (2013), me të cilët lojëtarë teatri në mënyrë të fragmentarizuar e konkretizoi kundërshtimin e filozofisë për një marrëdhënie të moçme sa vet jeta njerëzore në tokë, atë të shitësit dhe blerësit. Lumi idealist kundër dilerëve materialistë.

Me tingujt e muzikës e bëri heshtjen të flasë në “John Cage’s Hamlet” (2015), aty ku tingujt e fjala e paktë ngjizen e bëhen tërësi organike e pandarë e shfaqjes. Këtu, katarsisi dramatik mbulohet me atë estetik. Pra, Lumi mes tingujsh të bukur e fjalë të zgjedhura, na e ngjalli ndjenjën e frikës e mëshirës, për të bëmat e liga të kohës sonë.

Iu rikthye shtratit në shtëpinë e vjetër, si fëmija te nëna. Me “Nana dhe fëmija” (2015), e shenjoi dashurinë për Nanën braktisëse, për fijen e pakëputur që e mban gjallë përgjithmonë këtë dashuri.

Lumi dramën tonë e përjetoi përmes dramës botërore. Ai i dëgjoi mesimet e Joneskos, doli për gjah me Mrozhekun, u bë dëshmitar në fejesën e Çehovit, që mysafir në shtëpinë e Mrozhekut. Shekspirit, me ndihmën e Lekës, ia bëri gjyqin e gjakut. Me Coltezin përjetoi butësinë dhe thellësinë e fushave të pambukut. Me nënën e Jon Fosse-së foli për herë të parë shqip. Qe dëshmitar i takimit të John Cage dhe Shekspirit.

“Arturoi Ui” (2018) e Bertol Brehtit ishte ëndrra dhe testamenti i fundit artistik i Lumit. Bashkë me sëmundjen luftoi kundër gangsterëve politikë të kohës sonë.

Para dy dekadash, hyri në skenën e teatrit me një karrige të vetme, dhe tash doli nga ajo skenë, me arkivolin e tij të bardhë, bashkë me viktimat e Arturo Ui-së. U bë pjesë e shfaqjes së tij të fundit. Ashtu iu bë regjia e dekës së tij!

Lumi-regjisor me ide të reja!

Lumi me teatër të ri!

Lumi – mik me shpirt të ri!

Lumi-profesor i ri!

Lumi vdiq i ri.

Lumi mbetet i pandalshëm!

I lumi ai për veten e Tij!

 

(Marrë nga Koha Ditore)

Comment

*