Elegji për poetin e mësuesin dëshmor

Prof. Sami Repishti

Me rastin e 30 vjetorit të varjes në litar:

 

Sami Repishti

…..nji vajtim për herojn që nuk jeton ma, për ate që dha shembullin e jetën, e meritoi përjetësimin e emnit Havzi Nela! Dëshmori Havzi Nela ka qenë i fundit disident i ekzekutuem në të gjithë Europën lindore komuniste….. Pushoftë në paqë!
Në shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të krahinës heroike të Lumës. lindi nji foshnje. Çdo foshnje ka nji emën. Emni i foshnjes ishte Havzi Nela.
Vogëlushi Havzi u rrit në gjiun e nji familje thellësisht tradicionale shqiptare, dhe u ushqye me brumin që nanat tona shqiptare i dhanë rinisë sonë për shekuj: dashuninë e pa kufi për liri!
Havziu u rrit, dhe bani nji emën: Havzi Nela, poet e mësues; dy veprimtari të privilegjueme që naltësojnë: njena, me frymën e sensitivitetit të shkrimtarit që don jetën dhe i këndon asaj e natyrës që e ushqen; dhe tjetra, me dritën që ndizet aty ku mbretnon terri, aty ku nga kaosi pa formë i errësinës, krijohet nji kosmos, nji botë e ndritun dhe e organizueme mirë.
Ka qenë dhe mbetet ende andrra e çdo burri dhe e çdo gruaje me u plakë tue lanë nji emën të mirë. Emni i mirë: gjithmonë merita ma e madhe. Ashtu edhe për Havziun e ri që nuk shijoi vitet e pleqnisë së rehatëshme në gjiun e familjes që aq shumë deshti…nuk i shijoi sepse druni i pagdhenun në torturë, plumbi i zjarrët dhe litari i vrazhdë në grykën e të riut Havzi nuk e lejuen: e lodhën, e kërcënuen me ekzekutim, e përfunduen me aktin e tyne kriminel: me litarin në qafën e burrit revolucionar të Lumës heroike…. gjatë viteve të Shqipërisë së martirizueme!
Havzi Nela la jo vetëm emën të mirë; ai e tejkaloi ate. Ai la nji shembull heroizmi të rrallë, nji model të rezistencës kundër së keqes absolute që mundoi ate dhe bashkatdhetarët e tij, me nji akt suprem, koshient dhe të qartë. Jeta e tij mundi vdekjen, tue mos i lejue vetes nji vdekje që përfundon në botën e gjumit të përherëshëm….në harresë!
Havzi Nela jo! Ai nuk i lejoi vdekjes me thanë fjalën e fundit. Ai u ngrit në naltësitë e epërta të herojve të mëdhej, figurave që tue përbuzë vdekjen hyjnë në legjendë, në nji botë ma të madhe se ajo e zakonshmja, e thjeshta, dhe vdeksorja, në nji botë ku vdekja nuk ka vend. Në nji moment suprem të revoltës, ai fitoi lirinë e vertetë, lirinë që farkëton me duert e veta fatin e vet. Liria e vertetë e mbinjerëzores!
Në botën që e shpërfilli u perjetësue emni i viktimës së vullnetshme me u sakrifikue në altarin e idealit…në kërkim e në gjetje të botës ideale që pranon vetëm ata që e kerkojnë me zjarrin që i konsumon: herojtë dhe heroinat që me revoltimin e tyne na mbushin me krenari për qenien tonë pjesëtarë të së vetmes racë njerëzore.
Për të tjerët, për turmat, mbetet vetëm admirimi i aktit heroik.
Vdekja e heroit Havzi Nela, vrulli i tij revolucionar, na kujton shprehjen e poetit rus Yevtushenko që shkroi:
”Dikush çdo herë duhet të jetë udhëheqës i nji breznie. Dikush duhet të lindë për këte mision. Përse jo njeni nga ju, nga ju të rinjtë?”
Përse jo nji i ri si Havzi Nela, pyes unë! Ai, i riu që pati guximin me shkrue në burgun e Qafë Barit, me 10 gusht 1983, këto fjalë monumentale:
” Shtylla qendrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qendron Enver Hoxha!”
Në Republikën komuniste çeke ekzekutimi i fundit u ba në vitet e para të 1950’s; në Shqipëri, në vitin 1988, u var në litar nji i ri, poet e mësues, sepse i këndoj lirisë….

Dhe shokët e miqtë e Havzi Nelës që mbijetuen terrorin e kuq nuk dënuen me vdekje as edhe nji të vetëm kriminel komunist, as Aranit Çelën, as Rrapo Minën, as Zylyftar Ramizin që kanë pohue me gojën e tyne se kanë dënue me vdekje dhe torturue me qindëra kundërshtarë të komunizmit.Bota e re që andërronte Havziu ishte e betueme mos me përsëritë të kaluemen terroriste! Nuk u denue as gjykatësi kryesor, Fehmi Avdiu, që firmoi varjen e deshmorit, as kolegu Fatmira Laskaj që bashkëfirmoi….!
Gjate viteve të “pranverës arabe”, nji rebel libian kundwr diktatorit Khaddafi
shprehej: “Unë e due vdekjen e Khaddafit. Dhe jo vetëm nji herë, por me vdekë çdo minut, çdo orë, çdo ditë. Sepse për 42 vjet të gjata ai na vrau të gjithëve çdo minut dhe çdo orë!” Rebeli shqiptar, rebeli libian, dy guximtarë, mallkojnë diktatorin në emën të atyne që kanë humbë zanin…nga frika!
Me heshtjen e madhe para krimeve komuniste, shumica nuk pati guxim me deklarue se komunizmi në praktikë, manifestimi ma anti-njerëzor në historinë e njerëzimit, nuk ashtë mënyra e jetëve tona. Kjo mungesë guximi na nënvleftëson si qytetarë të lirë të vendit tonë. Nënvleftësimi këputë shkurt shpirtin tonë të inisiativës; na pushojmë së qenuni ma gjatë njerëz të lirë. Këtu qendron përfundimi që shumë shqiptarë nuk kanë pasë guximin me refuzue qendrimin diktatorial, refuzimin e “diktaturës së proletariatit”.
Heshtja nën komunizëm na bani të gjithëve bashkëfajtorë. Skllavëria komuniste me frikën e saj korruptoi thellësisht qytetarin si individ dhe shqiptarët si shoqëni. Romakët e vjetër kishin shprehjen:”Qui tacit, consentire!”Kush heshtë, aprovon!
Degradim moral i plotë!, Si spjegohet që ditën e ekzekutimit të Havzi Nelës, rojet e kuqe talleshin me trupin e tij në litar, që era lëkundte sa këtej sa andej, sytë e tij të hapun sikur na shihte të gjithëve, tregon nji deshmitar, goja me buzët e gjakosuna sikur donte të fliste, gjoksin e hapun nga këmisha e shkyeme….ata e ngjitshin e zbritshin litarin për ….defrim; dhe nji opangë malësore që kishte ra në shesh, tashti përdorej si top futbolli nga ekzekutuesët….për sport; ndërkaq nga shikuesët nuk doli nji guximtar me protestue këte trajtim kaq barbar!
Mbetën vetëm herojtë e rezistencës anti-komuniste, – dy herë heroj sepse refuzuen hakmarrjen! – dhe dëshmorët që nuk kanë za me na ngushëllue, neve “viktimët”, që jemi na sot!. Nga bota ku banojnë, na inkurajojnë përsëri me farkëtue nji jetë autentike edhe për ata që vuejnë nga pesha e fajit të kryem.
“Fajtorët”. Gjykim i ashpër! Në konditat tona të ndryshme me dhanë gjykime për sjelljet e të tjerëve, individuale e shoqënore, që në momentet e vështira të jetës nen diktaturë janë përkulë, ose janë thye, me gjykue me parimet e “absolutes” nuk ashtë nji gjest serioz. Poeti anglez Coleridge na ka falë shprehjen “Motiveless malignity”. (Ligësi pa motiv). Ka qenë “ligësia” e pakufishme e komunizmit që ka krijue këte gjendje të padëshirueshme….!
Si rrjedhim, sot përjetojmë degjenerimin e “udhëheqjes shtetnore e civile”, të shkaktueme nga shtypja dhe nënshtrimi i diktaturës, të pa aftë me rigjenerue me punë e me arsim –si mjetet e domosdoshme që sjellin përparimin dhe aftësinë tonë me shkrue historinë tonë me duert tona! Na duem nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të bashkueme dhe europiane, dhe duem ta ndërtojmë me duert tona…dhe nuk kemi sukses!
Fetarët kanë të drejtë me thanë: “ata që duen jetën shumë, e humbin atë”. Njikohësisht, vetë feja u formue me spjegue vdekjen, nji përpjekje me i dhanë nji kuptim “shkatërrimit të pareparueshëm” të jetës. Heroizmi e refuzon këte spjegim; ai e përballon dhe krijon pavdekshmëninë….aspekti heroik i njeriut, e vetmja krijesë që e din se do të vdesë …!
Shteti totalitar si ai i rregjimit komunist në vendin tonë kërkoi me shfrytëzue
plotësisht për vete çdo ekzistencë individuale nën maskën e “marshit të historisë”. Flitet për të “vërtetën” të justifikueshme nga “Historia””. Në përpjekjen e tij me i dhanë botës së lëvizëshme dhe të pasigurtë, “ngurrtësinë” dhe vërtetësinë e “fatit” të caktuem nga “Historia”,- tue zevendsue nji “histori” që formon njerëzit me njerëzit që shkruejnë historinë, shteti totalitar arrin në përfundimin që “justifikon” profecitë e “etënve” të sistemit, dhe krimet që e karakterizojnë. Me kërkesen që indvididi të heq dorë nga liria personale dhe se do të gjej atë vetëm në “shtet”, tek “arsyeja e shtetit” (la raisons d’état), e çfardo forme qoftë, krijon nji gjendje ku “Shteti” ka gjithmonë “arsye”. Nga kjo pozitë rrëshqitet në paligjëshmëni. Terrori vjen nji orë ma vonë!
Rregjimi komunist në Shqipëri, ashtu si në Egjiptin antik, u shëndrrue në nji fatalitet absolut. “I vetmi qendrim kundrejt nji bote jo të lirë ashtë me jetue nji jetë aq të lirë sa që vetë ekzistenca e juej ashtë nji akt rebelimi” plotëson Albert Camus. Rebelimi i Havzi Nelës ka qenë vetë ekzistenca e tij, përpjekja e tij me jetue i lirë në nji botë jo të lirë; akti heroik “në botën e asgjaje” ka qenë i vetmi mjet me ia arrijtë qellimit, pavarësisht nga çmimi i randë që paguhet me jetën– por që njikohësisht e shpëton jetën e tij nga “e zakonshmja” qe ai nuk pranonte!

*****
Sundimit absolut të udhëheqjes që përpiqet me përjetësue me aktet e shtypjes dhe shnjerëzimit të grupit komunist anti-jetë, u dalin sot përballë, me hezitim ndoshta, por me besim në fitoren e fundit, klasa e re në formim e sipër e të rinjëve që me punë e arsim avancojnë, dalë nga dalë, në shkallët e hypjes në pushtet. Sundimtarët që përballojnë këte klasë të re, pjellën e padëshirueshme të strategjisë së tyne, të pa aftë me e ndalë, të etshëm me e pengue, të sigurtë se ajo ashtë varr-rrëmihse e sistemit që e rriti pa e përkdhelë, e rendit shoqënor që e ushqeu pa e dashunue, dhe që e kercënon tashti me e perpi si nana-monstër e tragjedisë antike, dridhen nga frika që shkakton nji popull i zemruem!
Shqipëria, vendi ku bien dëshmorët dhe ngrihen herojtë, ashtë atdheu i Hafzi Nelës. Sot na vajtojmë këte dëshmor, dhe festojmë nderin e madh që heroizmi i tij i solli atdheut shqiptar. Sot, të gjithë ne ndjehemi kryenaltë -me përjashtim të kriminelëve komunistë.
Hafzi Nela, heroi i lirisë për të gjithë, dëshmor i demokracisë për katër miljonë shqiptarë skllavë modernë të komunizmit në Shqipëri, i masakruem me litar në grykë, ngrihet nalt madhështor, bir i Lumës heroike që dha jetën për pasionin e tij të lirisë me dritë hyjnore, vetëm dy vjet ma vonë, në 1990, e frymëzoi rininë studenteske shqiptare me u ngritë me guxim, me i thanë “Jo!” diktaturës së kuqe, me përmbysë tiranin e kuq dhe legjonet gjakatare të Satanit komunist, me rrëzue përtokë, pa ceremoni, tue e tërheq rrëshqanë satrapin aziatik që i zuni frymën nji kombi mbar. U shemb tirania enveriste nga grushtet e nji populli që lindi të rinj e të reja guximtare si lumjani Havzi Nela.
Havzi Nela, o vëlla i vuejtjeve të përbashkëta! Unë, viktimë e tri diktaturave në Shqipëri, gjunjëzohem me pervujtëni. Sot, e gjithë Shqipëria të falënderon, dhe historia e këtij vendi që na quejmë “Atdhe” të ka perqafue përjetësisht, dhe të ka vendosë në piedestalin e Pantheonit Kombëtar Shqiptar.
I përjetëshëm qoftë kujtimi yt, o bir besnik i Lumës së shumëvuejtun e heroike! Pushofsh në paqë!

Ridgefield. CT. USA
28 nandor 2018

Sami Repishti, Ph.D.
ish i burgosun politik
në Shqipërinë komuniste (1946-56)
në Jugosllavinë komuniste (1959-60)
(Shkrim pjesë e librit mbi këte subjekt përgatitë nga Florin Zyberaj. Botimi në janar 2019)

One Response to “Elegji për poetin e mësuesin dëshmor”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    NJË REALITET I KALUAR NJERËZOR

    Unë, këtu veten e parë, mund ta marrim për cilido nga qindra e mija shqiptarë të Kosovës e viseve tjera etnike shqiptare të okupuara nga Sërbia apo ish-Jugosllavia, apo siç thuhet e shkruhet për këtë kategori në Kosovë, të burgosur politik, për bindje rrezistente konfrontuese,jo vetem kundër komunizmit, vëllazërim-bashkimit, bashkëjetesës dhe politikës jugosllave, por edhe okupimit barabar sllave me cilindo nga të përsekutuarit politik në Shqipërinë zyrtare. Në këtë dialog të pas mordshëm mund të, jenë atdhetarët shqiptar nga Kosova të ekzekutuar nga komunizmi sllav: Shaban Shala, Fazli Grajçevci, Rexhep Mala, Zija Shemsiu, Besnik Restelica, apo Rexhep Bislimi, me njërin nga të përsekutuarit politik në Shqipërinë londineze, Gjon Shllakun, Vinçens Prenushin, Mustafa Greblleshin Maks Velon, apo siç do të kuvendojmë këtu me Havzi Nelën, anti-komunist e demokrat, shkrimtar, atdhetar e arsimdashës nga Kollovozi i Kukësit, i cili për bindjet e tij politike, pasi vuajti katër vjet burg më 1988, sistemi komunist e ekzekutoi me varrje në mjedis të Kukësit dhe qëndroi ashtu i varrur tre ditë. Pas vdekjes së tij iu botua libri me poezi, “Pa nji ditë lumnie”, përgatitur nga miku dhe shoku i tij kuksian Petrit Palushi i cili përgatiti edhe botimin me ese e kritika letrare nga autorë të ndryshëm, kushtuar Havzi Nelës me titull “Fjala në litar”. Përkundër afërsisë fizike, shpirtërore, kombëtare, njerëzore dhe bindjeve të njëjta apo të afërta politike, për shkaqe të pengesave kundërthënëse të sistemeve politike, nuk patëm fatin jetësor të njihemi për të gjallë. Pandaj, Nelës i përkushtojmë këtë shkrim identifikues, njohës të pas mordshëm. Sepse me Nelën nuk u njohem gjatë jetës, veprimin të tij kundërshtues politik, angazhimin atdhetar dhe krijimtarinë së tij letrare. Edhe pse me veprime të ndara e për qëllime të njëjta, u kundërvuam sistemit monist në të njëjten kohë dhe me të njëjtat mjete e forma veprimi. Kjo ndarje mohuese e hekurt nuk lejoi kontakte fizike njohëse, e as si bashkmendimtar të bashkëveprojmë. Mes nesh ekzistonte një hapësirë e vogël fizike por e fort dhe e qëndrueshme në ndarjen tonë gjeopolitike. Nela andej Bjeshkëve të Nemura, ishte përballur dhe përpëlitej me sistemin që nuk i jepte përparsi morali njerëzor. Identitet njerëzor i Nelës, identiteti material e fetar, prakitisht zbatonte xhveshje ndjenjash njerëzore e varfëri matriale, por megjithatë, te ai ruante identitetin dhe krenarinë historike të traditës kombëtare. Kurse unë këndej nga komunizmi dhe morali i keq sllav, isha dy herë i robëruar. Në të parë, komunizmi dhe në të dytë sllavizmi, që nga ne shqiptarët kërkonte zhveshje nga ndjenja jo vetëm njerëzore e morale, por edhe mësyente shlyerjen e tipereve të lavdishme nga e kaluara e traditës sonë historike e kombëtare dhe zhdukjen biologjike të indentitetit tim kombëtar, të cilën nga Nela monizmi shqiptar këtë nuk e rrezikonte. Ne dy, nëse merremi për simbolikë kontrasti, nuk e kishim këtë fat të barabart, përkundër afërsisë gjenetike vëllëzërore-kombëtare e fizike, sepse forca e pa moralshme dhe antinjerëzore e dhunës komuniste skajshmërisht na kishte ndarë. Madje, aq ashpër ishim “popull i ndaluar”, sa pjesa kombëtare e anës sime të ndaluar, ndër shumë vite dallohej për libralizëm, sa ne qytetarët e saj, mund të lëviznim kudo e kahdo, në cilindo shtet të planetës së njerëzve të gjallë, por nuk mund të shkelnim me këmbë e të shihnim me sy Shqipërinë, apo qytetin tonë të verilindjes Kukësin e Nelës. Kjo ndarje ishte ndaluar me mallkim, sepse aty mund të takoheshim, të njiheshim e të bisedonim për bashkveprim unë dhe Nela. Mu për këtë Havzi Nela është vetëm njëri nga protagonistet, sikur se edhe nelët e pjesës këndej Drinit, në Kosovë dhe troje tjera të gllabëruara etike shqiptare jashtë shtetit historik. Për këtë protagonisti i këtij shkrimi Havzi Nela, për këtë qëllim dhe ideal ai ishte përcaktura të sakrifikohet që nga rinia, sepse vetëm duke sakrifikuar deri në rrezikim mund të thyheshin muret e forta të ndarjes e mendimi ndryshe. Vetëm me këtë formë sakrificës rrezistente hapej horizonti i lëvizjes së lirë të ideve dhe mendimit ndryshe, i cili për kohën e rrethanat e zhvillimit ishte gjak i domosdoshëm për thyerjen e ndalimeve të hekurta për hyrjet dhe ecje përpara në zhvillimet e proceseve të nevojshme demokratike. Ishte thellim analitikë në përplasje me vlerën e traditës jetësore pozitive nga e kaluara jonë kombëtare.
    Havzi Nela për këtë sakrificë, si edhe gjithë veprimtarët atdhetar, i kishte qëmtua themelet që në edukatën familjare, ai ishte përcaktuar që në formë koncentrike ta zgjerojë këtë përkushtim, të hapërojë në shkollimin fillore në vendin e lindjes dhe ta thellojë atë në vazhdim të pjekurisë në shkollimin e mesëm në Kukës e për ta vendosur ecjen e Tij në binarë të realitetit jetësor në mësimet universitare në Shkodër e Tiranë. Havziu disponon me veçorinë e moralit të fort kombëtar të përkushtimit kundërshtues dhe rrezikimit, ai nxjerr forcën nga thellësia e shpirtit të madh, që ka burimin në ndjenjë e morali atdhetar, njerëzor e artistik në krijimtarinë e vet letrare. Këtë formë shprehjeje prej stralli Nela e zgjodhi, sepse përmes krijimtarisë letrare me shpejt, më lehtë dhe më efektshëm shtrihet zëri, flaka dhe ushtima që merr udhë deri te veshi i ndjeshëm i lexuesve. Nela guximshëm e me këmbëngultësi dhe në vazhdimësi çdo kund e në çdo kohë, mjedise e nivel, punoi për të thyer formën e nxjerrjes së heroit letrar kombëtar e njërëzor, për dallim nga heroit socialist, dalur nga rradhët e masat, nga njeriu i vogël i dalur nga klasa punëtore, siç veprohej e rekomandohej deri në kodifikim. Ai nisi dhe veproi nga këndi tjetër, nga këndi i njerëzve të arsyeshëm, dhe arriti që atë ta nxjerr të natyrshëm e logjik, të dalur nga veprimet normale nga rrafshi i ngjarjeve dhe njerëzve e të vendosur në rrafshin e mesazhit kohor. Njëmendësia e mohuar prej Nelës dhe njëmendësia ime, dallonin nga forma dhe kuptimi, dallonin nga përmbajtja dhe ndërtimi, edhe pse të dyja ishin njëmendësi moniste. Njëmendsia e Nelës kishte ndërtim bashkëkombëtar me Nelën, por dallonte nga Nela për huqjet kombëtare të qëllimit, ajo për Nelën ishte shëndrrua në univers të njeriut pa qenie njerëzore, praktikisht ishte formësuar në njëmendësi të njeriut të çveshur nga kënaqësia materiale e shpirtërore dhe ishte shëndrruar në një qenie inerte univerzale pa ndjenjë e moral të vlerës njërëzore. Ndërsa njëmendësia ime kishte ndërtim dallues nga tërësia ime kombëtare. Ajo ishte njëmendësi moniste, por edhe e ndërtuar keq nga stërkeqija e prishur dhe ashpërsia e urrejtjes ndaj përkatësisë sime kombëtare, e sert kundër vlerave të mija pozitive historike njerëzore e kombëtare, ndaj të cilave tregohej e pa përmbajtur, e ashpër me kodin e zyrtarizuar ligjor të sistemit diskriminues. Ky sistem ishte ndërtuar mbi bazën tradicionale negative të moralit të keq së pari antishqiptar e madje edhe antinjerëzor.
    Ky ishte tregimi i ndarjeve të njerëzve të një gjuhë, të një kombi, të një vendi e të një qëllimi në hapësira të ngushta etnike. Ky ishte ndalimi i denueshëm me kode drakonike i mendimit dhe ideve të njerëzve nga njëmdësia komuniste. Në këtë tregim, Nela dhe unë, u morëm vetëm njëri nga shembujt e pa numërt të rasteve, ngjarjeve dhe kohërave të njëmendësisë së përenduar të pakuptimësisë së panatyrshëm për njeriun normal që sot jeton e vepron në proceset e demokratizimit bashkohor, kur siguria e lëvizjes dhe liria e qarkullimit të mendimit, mallërave dhe ideve është tipar dallues i vlerave dhe lirive njerëzore në gjitha sistemet demokratike të kohës.

Comment

*