Emërohet presidenti i ri i KF “Shkëndija”

Tetovë, 25 korrik 2017 – Pronari i KF “Shkëndija”, Lazim Destani, e ka zyrtarizuar të martën bordin mbikëqyrës dhe presidentin e ri të klubit, raporton Zëri.info..

Ashtu siç ka paralajmëruar në përfundim të stinorit të kaluar,  Destani bëri hapin e radhës në drejtim të konsolidimit të pozitave udhëheqëse në klub.

Pas emërimit të Qatip Osmanit në pozitën e shefit të stafit teknik, ai e ka emëruar bordin mbikëqyrës dhe presidentin e ri të klubit.

Z. Destani e ka zyrtarizuar Visar Bexhetin si president të ri të “Shkëndijës”, i cili tashmë e ka nisur punën në këtë detyrë.

Ndërkohë ka përfunduar formimi i bordit mbikëqyrës gjashtë-anëtarësh, i cili do të udhëhiqet nga vetë Destani.

Emrat e anëtarëve të bordit do të bëhen publik së shpejti, ndërsa bëhet fjalë për ekspertë me përvojë të pasur ndërkombëtare në fushën e futbollit.

Me këto ndryshime, Destani beson se i ka konsoliduar pozitat udhëheqëse në drejtim të funksionimit të mirëfilltë të klubit dhe realizimit të objektivave. Ai, bashkë me bordin mbikëqyrës, do të mbikëryrë punën e klubit drejt sukseseve të reja. (r.m.)

Comment

*