Emigranti Hoze

Albana M Lifschin

U mësova të ha drekën në restorantin meksikan “Vestito blanco”. S’është veçse tre minuta nga vendi im i punës. Më pëlqen se ka çmime të arsyeshme dhe në sfond gjithnjë një muzikë çlodhëse. Ka shumë pasion e dashuri për jetën në këngët spanjole. Ndihem e familjarizuar me të folurën spanjisht dhe ndjej afeksion për të.
Kjo filloi 10 vite të shkuara kur jepja mësim në një shkollë emigrantësh nën drejtimin e një kishe katolike. Javët e para studentët ishin të drojtur derisa sa e panë që unë, mësuesja e tyre, isha e interesuar të mësoja spanjisht. Në fakt këtë e bëja më shumë për t’i çliruar nga ajo mpirje që shihja në qëndrimin e tyre. Ja ky pastruesi i tavolinave në këtë restorant, që ecën me sy poshtë e pret derisa unë te mbaroj së ngrëni, më kujton njërin nga ish studentët e mi, Hozenë. Hozeja ishte trupshkurtër, si shumica e meksikanëve, flokëzi, me sy të ndritshëm. Fërkonte duart sa herë i përgjigjej saktë ndonjë ushtrimi gramatikor që shkruaja në tabelë. Nuk e kishte të lehtë shqiptimin e anglishtes, as ai e as studentët e tjerë meksikanë. Mbanin një fjalor të vogël “Problemas al hablar ingles” që e kishin prurë që nga vendi i tyre me frazat më të nevojshme, midis të cilave, më ranë e sy fjalët “polic”, “më falni”, “ hyrje-dalje”, “rrezik”, “më ndihmoni ju lutem”, “burg”, “nuk di anglisht”. U thashë të blenin një fjalor anglisht -spanjisht, që kushtonte vetëm një dollar, por të nesërmen pashë që asnjeri prej tyre s’e kishte blerë. Atëhere ua bleva vetë. Shpërndava 15 të tillë në klasë. Shumica e tyre nuk punonin fare, jetonin me ndihmat e kishës, ose punonin pa dokumenta, pra këputeshin në punë për një pagë nën nivelin e varfërisë zyrtare.Përpiqeshin të më tregonin për familjet e tyre në Meksikë. Shumica ishin fshatarë të varfër. Në qytet, -më thoshin,- ka pasanikë dhe amerikanë. Kisha dëgjuar për pensionistë amerikanë, shtresë e mesme që kishin shkuar të jetonin në Meksikë. Kishin blerë shtëpira e kishin pajtuar kuzhinierë e pastrues, e thekeshin në diellin meksikan. I kisha parë disa herë të jepnin intervista në CNN.
Studentët i merrte malli për vendin e tyre. Hozeja, bënte si bënte dhe gjente kurajon të kthehej “për pushime” në fshatin e tij.

-Duhet të shkoj mësuese, se atyre u duhen “money”, më tha një ditë. Unë punoj këtu e dollarët ua dërgoj atyre. E gjithë familja ime është atje.
– Po si të del të presësh biletën e avionit? Vajzat meksikane u kthyen nga Hoze dhe pastaj vështruan nga unë dhe vunë buzën në gaz. Hoze qeshi. Kishte një të qeshur që i mbushte jo vetëm sytë, por edhe faqet.

-Hë? Ç’farë ka? pyeta unë duke vështruar nga vajzat që zunë të ngacmonin Hozen. Në fakt asnjëherë s’isha e sigurtë nese ishin vajza apo gra, sepse sillnin çdo mëngjez fëmijët me karroca në shkollë e pastaj mësoja që ishin të pamartuara.

– Mësuese, jo aeroplan, mësuese. No passport, teacher, no,-tha Rosio, me flokët e mbledhura lart,-policia…
E kuptova që kisha bërë një pyetje pa vend. Kisha harruar një moment që ata ishin pa dokumenta e as që bëhej fjalë për të fluturuar me avion.

– Po tani qeveria amerikane ka ngritur një mur të lartë. A e kapërcen dot?

– E di, e di,- tha Hoze, duke tundur kokën,- po nuk shkoj andej nga muri dhe ai bëri një shenjë me gishtrinj mbi tavolinë sikur po ecte këmba doras. Klasa qeshi sërish.

Hoze bëhesh njësh me tokën duke u fshehur nga rojet e kufirit. Duket ai qe mësuar e s’shihte rrezik nga kjo.

-Mësuese, kam libër mësuese, libër- tha Hoze duke bashkuar dy duar në gjoks, si për të më thënë që qe një libër i dashur për të.

Hoze më solli një broshurë me rreth 35 faqe, shkruar në gjuhën e tyre që i mësonte si ” të hynin ilegalisht në Amerikë”.

-Hi-hi –hi! Qeshte Hoze mbi të.

-Kush e ka shkruar këtë libër? Rosio qeshi duke vënë të dy duart përpara gojës si të qe fëmijë kopështi. Nuk dinte të më spjegonte as ajo e as studentët e tjerë. Vetëm kuptova që atyre u pëlqente ai libërth. Gjatë pushimit midis orëve u ngjita lart tek Sister Nensi, drejtoresha e shkollës. Ajo e përpiu me sy broshurën.

–Këto udhëzime janë shkruar nga qeveria meksikane për ata të mjerë që lenë vendin e tyre për të ardhur këtu tek ne. Në fakt ,– psherëtiu ajo, këto që shoh unë janë si këshillat e një nëne të mirë…Më qartë do të mësoja kuptimin e broshurës kur pashë në ekranin e televizorit ambasadorin meksikan të spjegonte qëllimin e saj para disa kongresmenëve amerikanë të revoltuar që qeveria meksikane po ua kalonte ujët nën rrogoz. Sipas ambasadorit, nuk ishte aspak e vërtetë që ajo i inkurajonte qytetarët e saj të emigronin, por nëse u mbushej mendja të emigronin në Amerikë, atëhere qeveria ndjente përgjegjsinë për t’i këshilluar ata për rreziqet që i prisnin. M’u kujtuan fjalët e murgeshës Nensi, e cila më pat thënë që ato ishin këshilla të një nëne. Broshura vërtet i mësonte emigrantët si të hynin ilegalisht në territorin amerikan duke u dhënë porosi të veçanta. Nëse i dilnin nga shkretëtira e Arizonës të merrnin ujë me bollëk me vete, që të mos dehidratoheshin rrugës. Në të kundërt, nëse do të kalonin kufirin përmes lumit Rio Grande, të mos visheshin trashë, sepse mund të rrezikoheshin të mbyteshin pasi rrobat e lagura do t’u peshonin duke ua bërë edhe më të vështirë notimin në lumë. Pas mbërritjes në tokën amerikane, u këshillonte mëma qeveri, të bënin kujdes të mos mplekseshin me turma amerikanësh, të mos shkonin nëpër bare ku mund të ndodhnin incidente pasi “policia amerikane është shumë e shpejtë dhe e beftë, dhe ata, meksikanët ilegalë, do të ishin të parët që do të arrestoheshin nga policia…”

Mu kujtua presidenti Foks, me mustaqet spic, që i kërkonte qeverisë amerikane t’i trajtonte mirë emigrantët meksikanë e madje t’i legalizonte, sepse ata i ndihmonin ekonomisë amerikane duke bërë punët që qytetarët e lindur këtu nuk i kanë për qejf t’i bëjnë! E fjalët e presidentit meksikan nuk shkonin kot. Madje dy ushtarë amerikanë u arrestuan sepse kishin shtënë kundër emigrantëve që po hynin ilegalisht në kufirin amerikan. Në fakt askush s’qe plagosur. Por, po sikur…?Mendimet m’i ndërpreu lajmi që në kufirin greko-shqiptar qe vrarë një emigrant shqiptar, por mjerisht askush s’kishte për të mbajtur përgjegjësi për humbjen e një qënie njerëzore që kishte dashur t’i ikte mjerimit…

Albana Lifschin, 2007
Tregimi eshte përfshirë në librin “Ura mbi oqean”, botuar në 2007

Comment

*