Emisari i Trumpit: Pa Kosovën s’mund të ketë mini-Shengen

Berlin, 14 nëntor 2019 – Ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, i dërguar i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten se e mirëpret nismën për “Shengenin ballkanik”, duke theksuar se kjo nismë mund të jetë e suksesshme nëse përfshihen të gjithë në rajon, përfshirë edhe Kosovën.

“Ne mirëpresim nismën për ‘mini-Shengenin’ e Ballkanit Perëndimor, si një mënyrë për të filluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës. Administrata Trump është e përqendruar për të ndihmuar gjithë rajonin të krijojë mundësi ekonomike dhe punë për të rinjtë”, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Berlin,

Një nismë e përbashkët e udhëheqësve të tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për një Shengen Balkanik, nxiti reagime dhe përplasje në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

Të dielën që lamë pas, në Ohër u mbajt takimi i radhës që pasoi atë të 10 tetorit që u mbajt në Novi Sad dhe aty ishin ftuar edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*