“Ëndërrimtarët” kanë ende status – Gjykata Supreme bllokon anulimin e programit DACA

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi që vendimi i DHS-së për t’i dhënë fund programit DACA (Deferred Action of Childhood Arrivals ) ka qenë arbitrar dhe kapriçioz.

Në shtator të vitit 2017 administrata e presidentit Trump shfuqizoi programin DACA (një program në ndihmë të emigrantëve të rinj në moshë pa dokumenta). Kundër këtij shfuqizimi u ngritën disa padi. Më 18 qershor, 2020, Gjykata Supreme bllokoi përpjekjen e qeverisë për t’i dhënë fund programit DACA. Gjykata Supreme në vendimin e saj tha që Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) nuk arriti ta mendonte siç duhet nëse do të vazhdonte vetëm me pjesën e programit DACA që kishte të bënte me shtyrjen e dëbimit të “ëndërrimtarëve” nga SHBA-ja si dhe faktin që DHS-ja nuk foli për pasojat që anulimi i programit DACA nga kjo agjenci do të kishte mbi “ëndërrimtarët” dhe familjet e tyre. Por ajo që është më e rëndësishmja, kryetari i Gjykatës Supreme, Roberts tha që agjencija nuk kishte arritur të shpjegonte arsyet për ndërmarrjen e këtij veprimi dhe ia riktheu çështjen DHS-së “për rishikim nga e para”.

Ndikimi i Vendimit të Gjykatës Supreme mbi Aplikimet për DACA

USCIS-i duhet të vazhdojë të shqyrtojë kategoritë e mëposhtme të kërkesave për DACA:

  • Personat që kanë aktualisht statusin e DACA-s: Këta persona mund të bëjnë kërkesë për rinovimin e statusit të DACA-s.
  • Personat të cilëvë u ka skaduar statusi i DACA-s jo më shumë se një vit më parë: Këta persona mund të dërgojnë kërkesë për rinovimin e statusit të DACA-s.
  • Personave që u ka skaduar statusi i DACA-s më shumë se një vit më parë: Këta persona të cilëve u ka skaduar statusi i DACA-s më shumë se një vit më parë nuk mund të bëjnë kërkesë për ripërtëritje të statusit, POR mund të bëjnë kërkesë për marrje nga e para të statusit të DACA-s.
  • Personave me status të shfuqizuar të DACA-s: Personat me status të shfuqizuar të DACA-s nuk mund të bëjnë kërkesë për ripërtëritje të statusit, POR mund të bëjnë kërkesë për marrje nga e para të statusit të DACA-s.

Në mënyrë që të respektohet vendimi i Gjykatës, USCIS-i duhet të nxjerrë udhëzuesin përkatës lidhur me mënyrën se si do të shqyrtohen aplikimet e mëposhtme të mbetura pezull për shkak të vendimeve të mëparshme gjyqësore:

  • Personat të cilëve nuk u është dhënë më parë statusi i DACA-s: Vendimi i Gjykatës supreme i datës 18 qershor, 2020 i kërkon DHS-së që të vazhdojë ta mbajë në fuqi programin DACA përveç dhe deri kur DHS-ja të ndjekë një proçedurë të saktë për shfuqizimin e këtij programi. Si rrjedhim, USCIS-i duhet të nxjerrë menjëherë udhëzuesin lidhur me mënyrën se si do të kryhet proçesi i shqyrtimit të aplikimeve të reja dhe fillestare për statusin e DACA-s.
  • Kërkesat për Advance Parole (leje udhëtimi) : Vendimi i Gjykatës Supreme i datës 18 qershor, 2020 i kërkon DHS-së që të vazhdojë ta mbajë në fuqi programin DACA përveç dhe deri kur DHS-ja të ndjekë një proçedurë të saktë për shfuqizimin e këtij programi. Duke qenë se marrja e advance parole në kuadrin e DACA-s ishte pjesë e programit DACA të vitit 2012, USCIS-i duhet të nxjerrë menjëherë udhëzimet përkatëse lidhur me proçesin e shqyrtimit të aplikimeve për advance parole nga personat që kanë statusin e DACA-s.

Bëni kujdes nëse paraqisni një aplikim të ri (për herë të parë) për DACA përpara se të dalë udhëzuesi. Egziston mundësia që administrata të nxjerrë një memorandum të ri që i jep fund DACA-s përpara se aplikantit t’i lëshohet vendimi; dhe nëse nuk ka udhëzime, gjasat janë që zyrtarët e USCIS-it t’i hedhin poshtë aplikimet e reja, fillestare ose t’i pranojnë dhe të mos i aprovojnë; USCIS po kalon një periudhë plot vonesa në shqyrtimin e çështjeve si dhe defiçite të buxhetit të cilat do të sjellin vonesa të mëtejshme në dhënien e vendimeve. Duke qenë se ende nuk ka qartësi lidhur me planet e DHS-it si dhe duke patur parasysh situatën e udhëtimeve për shkak të pandemisë së COVID 19-ës, personat me status të DACA-s mbase nuk është mirë të bëjnë kërkesë për advance parole derisa DHS-i të nxjerrë udhëzimet përkatëse.

DHS vazhdon të ketë pushtet ligjor mbi programin DACA si dhe fatin e atyre që kanë këtë status. Tani për tani, DHS-i duhet të vazhdojë programin dhe shqyrtimin e aplikimeve për DACA, por mbetet të shohim se si do të veprojë për të respektuar vendimin e Gjykatës. Vendimi i Gjykatës Supreme e lë hapur mundësinë që DHS-i të bëjë një përpjekje tjetër për të nxjerrë një rregullore të re për shfuqizimin e DACA-s e cila të ndreqë të metat e rregullores së mëparshme. Dalja e udhëzuesit të lartpërmendur mund të jetë e shpejtë ose mund të shtyhet për një moment të mëvonshëm në të ardhmen, siç mund të jenë zgjedhjet presidenciale të Nëntorit. Përgjegjësia përfundimtare për dhënien e një ndihme të qëndrueshme “ëndërrimtarëve”,  nuk është në duart e ekzekutivit, por të Kongresit. Shumica dërrmuese e amerikanëve (tetë nga dhjetë prej tyre) nga mbarë spektri politik dëshirojnë që “ëndërrimtarët” të qëndrojnë në SHBA.

Comment

*