Enver Hoxha ka një inat

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

Në 23 maj 1965, ai bëri një vizitë disaditore në zonën e Korçës dhe të Kolonjës. Ajo zuri shumë vend në shtypin e vetëm zyrtar, por kjo nuk qe ndonjë risi dhe nuk iu ra në sy lexuesve. Kishte mjaft kohë, të paktën që nga prishja me sovjetikët, që lëvizjet e veçanërisht fjalimet e tij, përcilleshin tek shqiptarët me ritëm mjaft ngulmues.

Në 1965, Hoxha e kishte fituar përplasjen e rrezikshme me grupin e Nikita Hrushovit dhe vetë qendrën e lëvizjes komuniste botërore, Moskën. Ishte dëshmuar vërtetë si një sfidant i madh, ato kohë edhe i përkëdhelur nga gazeta e zyra të Perëndimit.

Mes këtyre të fundit për disa muaj qe përhapur iluzioni se kryekomunisti shqiptar do të përsëriste gjestin e Josip Broz Titos, kur ky u prish me Stalinin dhe Bashkimin Sovjetik, duke i mbështetur shpatullat tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët e saj evropianë.

Por i forti i Tiranës nuk veproi si Tito. Ai kreu një manovër tjetër: u kthye nga Kina Popullore, vendi tjetër i madh komunist në botë. Qe një lëvizje e përsosur për të amshuar pushtetin e tij.

Ndërkohë ndarja me Moskën i pati dhënë edhe një fat, madje fshehtas të tjerëve, ai këtë e kishte zgjedhur vetë. Grupi i Hrushovit vepronte në arenën ndërkombëtare me taktikën e zbutjes së marrëdhënieve me anglo- amerikanët, kurse brenda vendit atë të moderimit të luftës së klasave. Duke qenë se në Shqipëri nevojat e

pushtetit të tij personal lypnin veprimin e kundërt, shtrëngimin e shtypjes politike të mospajtuesve me të, duke i shpallur sovjetikët si revizionistë, Enver Hoxha gjeti një ekuilibër të ri qëndrimi mes superfuqive globale. Por edhe protagonizëm global, çfarë qe një nga ambiciet e tij. Për të Ballkani ishte tepër i vogël.

Ajo që e kishte bërë ëndrrën e vjetër të tij për famë botërore të guxonte për t’u shndërruar në një objektiv të cilin duhej ta arrinte me çdo kusht, ishte çfarë pati deklaruar për të presidenti francez Sharl De Gol.

Qenë fjalë aq shumë lavdëruese, sa të hutojnë edhe tani: “Askush më tepër se Enver Hoxha nuk e meriton thënien: Lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon atë”.

Kur më 16 nëntor 1960 mbajti në sallën “Gjeorgjevskaja” të Kremlinit, para delegacioneve të 81 partive komuniste të të gjithë botës, fjalën e tij rebeluese kundër Nikita Hrushovit dhe mbështetësve të tij, i gjëmonin në vesh këto fjalë grishëse.

Në 23 maj 1965, ndërsa Hoxha po bënte vizitën e tij disaditore në zonën e Korçës dhe të Kolonjës, nuk e bezdisnin “klasat e përmbysura”, sepse i pati vënë poshtë me kohë. Më të rrezikshëm dhe kanosës qenë të vetët.

Sidoqoftë, duke mos pasur probleme me të gjallët e klasës së vjetër armike me të, Enver Hoxha kishte me të vdekurit. Ata nuk i kishte në dorë t’i fuste në burg, t’i pushkatonte apo në rastet më fatlume t’i detyronte të deklaronin të kundërtën e asaj që ndjenin dhe mendonin.

Ata qenë eter, ajër që të rrëshqiste nga duart. Ishin histori.

Por edhe këtu, në pjesën e shkruar, kryekomunisti shqiptar mund të ndërhynte, duke i mbushur tekstet e librave të shkollave dhe ato që shiteshin në treg, me

interpretimin e tij. Ndërkohë nuk ekzistonin vetëm shkronjat e librave dhe të gazetave, të cilat i rradhisje si të doje. Jetonte edhe kujtesa e njerëzve. Ruheshin atje të gjitha të dhënat dhe opinionet që nuk mund të pajtoheshin me të vetat.

Pikërisht me në vetëdije këtë betejë të re mjaft të vështirë, por prej të cilës nuk tutej, Enver Hoxha u paraqit para banorëve të fshatit kolonjar të Vodicës. Kishte ardhur aty për të përkujtuar 22-vjetorin e batalionit partizan “Hakmarrja”. Ja pse fjalën e tij e nisi me nderimin e kësaj ngjarjeje e disa herë theksoi se ato vise qenë shquar për traditat e tyre atdhetare. Madje ato kundër pushtimit turk, vuri në dukje ai, kishin bërë emër që në kohën e Zylyftar Podës.

Pastaj erdhi çasti kur Hoxha në mesazhin e tij zyrtar shqiptoi edhe këto fjalë: “Sa e sa patriotë, si Zalo Prodani, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Themistokli Germenji, Gani Butka, Muço Qulli, Sali Butka, Hasan Qinami e shumë e shumë të tjerë, kanë dalë nga kjo krahinë dhe kanë luftuar me pushkë e penë për lirinë e atdheut! Dhe atëherë kishin rëndësi pushka dhe pena, siç kishin rëndësi gjatë Luftës Nacionalçlirimtare pushka, pena dhe politika…..”

Menjëherë pas ngjashmërisë, dhe po aq diferencimit që i bëri dy periudhave çlirimtare të historisë së Shqipërisë, sigurisht me qëllimin që të spikaste si të dorës së parë luftën partizane të drejtuar nga PKSH dhe ai, e vetëm më pas, si të dytë, Rilindjen Kombëtare, Hoxha kushtroi: “Rini, kanë qenë kohë të vështira atëherë, armiqtë italianë, më vonë gjermanët, na kishin pllakosur vatrat”. Pastaj në kujtesën e gjeneratës së re E. Hoxha hodhi njëra pas tjetrës këtë frazë: “Me ta u bashkuan tradhtarët ballistë që në rrethin e Kolonjës kishin influencë, duke shfrytëzuar të kaluarën e tyre”.

Tani që e kishte bërë gati për ta përpunuar opinionin e të rinjve, Enver Hoxha nuk vonoi asnjë sekondë, por shqiptoi fort: “Një fjalë e urtë popullore thotë: “Trëndafili bën gjembin”. Familja e Butkës nxori trëndafila, nxori edhe gjemba. Njëri nga gjembat më të helmatisur të kësaj familjeje ishte Safeti”.

Pasi shpjegoi se të gjithë atyre që ishin lidhur me pushtuesit PKSH u kishte bërë thirrje të bashkoheshin me të e të mos e luftonin partinë (sepse ndryshe, sipas tij, do të shkatërroheshin), Hoxha shtoi me theks të veçantë e pothuaj profetik: “Dhe ashtu ndodhi”.

Tani për të kishte ardhur çasti i duhur të shpërthente tek akuza më e fortë e atij fjalimi. Shqiptoi fjalë për fjalë: “Qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u duk fare qartë se këta tradhtarë, që mbanin emrin shqiptar, nuk kishin baza në popull, prandaj u izoluan, u demaskuan. Populli u bashkua me partizanët, me Partinë, kurse ata u gjendën të vetmuar në mënyrë të tillë sa nuk u mbeti rrugë tjetër përveçse t’ia hiqnin vetes, sikundër bëri Safet Butka, bile në një vend ashtu siç e meritonte”.

Pasi e akuzoi si gjembin më të helmatisur të familjes, Enver Hoxha ripërhapi tek kolonjarët e pranishëm në miting fjalënajën e vjetër se Safet Butka qe vetëvrarë në nevojtore(!).

Dy ditë më pas, në 25 maj, Hoxha do të mbante një fjalim tjetër të gjatë me kuadrot e rrethit të Korçës, por për Butkajt nuk do të kishte asnjë nëntekst e jo më citime konkrete. Mesazhi i tij për këtë familje pati qenë vetëm në krahinën e Kolonjës. Aty, mendonte ai, qe territori i ndikimit të saj.

Comment

*