Enver Hoxhaj do të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër

Prishtinë, 23 dhjetor 2020 – Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, do të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër të vendit në zgjedhjet e jashtëzakonshme, raporton Gazeta Express.

Sipas burimeve të gazetës, vendimi që Hoxhaj të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër është marrë në mbledhjen e kryesisë së partisë.

Në listën e ngushtë të kandidatëve të PDK-së për kryeministër ka qenë edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza. Por, sipas burimeve Brenda PDK-së, ai ka thënë se nuk ka ambicie për këtë pozitë.

Enver Hoxhaj ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë e Ramush Haradinajt dhe ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Isa Mustafës.

Të martën, nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se PDK do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mbahen pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e vlerësoi jokushtetues votimin për Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Këto zgjedhje pritet të mbahen në fund të janarit ose në në fillim të shkurtit.

(r.m.)

Comment

*