Enver Maloku, zëri bumbullues i lirisë shqiptare

Sabri HAMITI

Miq të dashur,

Jemi mbledhur për ta kujtuar jetën e veprën e një protagonisti të jetës politike e kulturore të Kosovës, Enver Malokut, në njëzetvjetorin e fundit tragjik e të dhembshëm të jetës së tij.

Enver Maloku ka lindur më 1954. Maturën e ka marrë në Llap, kurse diplomën e diturisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Për njëzet vite ka qenë një nga publicistët më të njohur të Kosovës. Në vitet tetëdhjetë në Televizionin e Prishtinës, në vitet nëntëdhjetë në Qendrën për Informim të Kosovës. Nga publicisti i njohur kritik i kulturës ka kapërcyer te gazetari i rezistencës dhe i luftës, duke kaluar nëpër etapat e kësaj rezistence: nga revolti te kryengritja e te ballafaqimi, i përfshirë në frymën e popullit të vet e të vendit të vet përballë furtunës shkatërrimtare të Serbisë.

Është thënë që “Enver Maloku u bë shkrimtari kryesor politik në Kosovë”; duke dëshmuar me shkrim për rezistencën aktive dhe vetëmbrojtëse të shqiptarëve, “duke shkruar me paravështrim, për të forcuar vizionin dhe besimin e fitores të luftës për liri”. Kështu e latoi stilin e vet, qartësinë e shprehjes dhe peshën e fjalës në veprim. Lajmi i tij qe ndodhia, urtia e tij qe qëndrimi e qëllimi i ngjyer me pasionin e lirisë, që farkohet në dramën kolektive për kalim nga mbijetesa në jetesë. Për një decenie u bë kronikani më i besueshëm i jetës në Kosovë në vitet e stuhishme të saj. Edhe libri i tij që mbledh artikujt e botuar te gazeta “Informatori” mban titullin “Gjuha e stuhisë”. Aty në formë të komentit të ditës krijoi një formë gazetarie si kunorë të rendit të të dhënave që pëlcasin.

Enver Maloku u bë zë autentik i artikulimit publik të filozofisë politike të Ibrahim Rugovës. Ishte i admiruar, por edhe i kundërshtuar jo pak nga kundërshtarët e kësaj filozofie. Një jetë e ekselentit të rrezikuar. Kur je zëri bumbullues i lirisë shqiptare në ballafaqim me kundërshtarët asgjësues, je vetvetiu amëza e rrezikut. Ky qe e ky është modeli dhe rasti i publicistit Enver Maloku.

Kur e vranë Enver Malokun, në Breg të Diellit, në Prishtinë, më 11 janar 1999, në prag të derës, para gruas e fëmijëve, unë vetë isha i shtrirë në Dardani, duke mbijetuar atentatin. Atëherë nga zemra më doli fjala “u zu dielli në Breg të Diellit, në Prishtinë”. Sepse po vritej njeriu që të vritej fjala e mendimi. Mendimi që shqipton të vërtetën me çdo kusht, duke provuar helmin e të vërtetës: për qëndresën shqiptare, për ëndrrën e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, me tingëllimën e dinjitetshme përpara botës, duke ruajtur dimensionet njerëzore e politike të këtij vendi. Dhe krimi ndodhi.

Kush e bëri krimin?

Edhe pas njëzet vitesh shqiptohet përgjigjja e shtjerrur “persona të panjohur”. Thuhet që krimi nuk vjetërohet, mirëpo, nëse nuk gjykohet mund të rinohet, sepse krimineli nuk ka mëshirë, por ka urrejtje për viktimën e vet.

Krimi nuk mund të hetohet e as të gjykohet nëse nuk funksionon drejtësia e pavarur, edhe më pak kur institucionet janë më pak përfaqësuese më tepër rrjeta, të zëna në rrjetën e “politikës së merimangës”, e cila nuk e mbron individin, por e likuidon individualitetin. Sa mund të ndihmojë këtu modeli i shkrimit kritik të sojit të Enver Malokut, nëse një herë është dënuar me vdekje e herën tjetër është mundur nga gazetaria e paguar e propagandistike?

Përralla për lirinë e shprehjes e të mendimit u kthye në liri të shpifjes, të gënjeshtrës e të lajmit të rremë. Gjuha agresive deri në urrejtje u bë model i likuidimit në rrafshin e komunikimit real e virtual, për të prodhuar dy botëra që nuk njohin njëra-tjetrën, duke u përjashtuar: propaganda e botës virtuale përballë jetës reale njerëzore.

Çka thotë realja?

Në Sheshin Nëna Tereze në Prishtinë, të afrohet burri në moshë me plis e me shall e të pëshpërit në vesh: “Kur po rraheni?” E në Kuvend, kur përmbahet “gjuha e muskujve” shpërthejnë “muskujt e gjuhës”, në trajtë të egërsuar, me shprehje të trasha që rrjetojnë urrejtjen publike, si laritje për ithtarët e pretenduar.

Në Fushë Kosovë, pas valës së premtimeve, në zjarrminë paraelektorale të pretendentëve për pushtet, çohet në këmbë një i ri me moshë për ta shqiptuar pyetjen fatale: “Kallëxoni kur po hiqen vizat, për me humbë prej këtuhit” dhe anketat dëshmojnë që gjysma e të rinjve sot duan ta lëshojnë Kosovën.

Në një rrugicë të Prishtinës të pikë përpara djaloshi duke u hakërryer: “Të bëjmë një selfie, ose nuk e jap votën”. Në anën tjetër, bëhet teori për lirinë e demokracinë e votës dhe nivelin e përfaqësimit.

Kjo është realja që duket se e ka vrarë shpresën. Por jo. Jo vetëm se shpresa vdes e fundit, por se domosdoja është ndryshimi, është veprimi, që ekziston përherë si punë e si përpjekje që e mira duhet ta mundë të keqen. Shpresa është e gjallë sa të jetë njeriu që njeh realen, që njeh veten e ka vizion për shoqërinë, duke prodhuar edhe misionarin e flijuar, që bëhet shembull, siç u bë Enver Maloku duke paguar tagrën e së vërtetës. Prandaj kujtohet Enver Maloku në njëzetvjetor. Kujtimi i tij është i përjetshëm. I përjetshëm edhe për vlerën e shkrimtarisë së tij për brezat që vijnë.

Libri i Enver Malokut “Gjuha e stuhisë” dhe libri i kolegut e mikut të tij Xhemail Mustafa, “Një lutje për Prishtinën”, janë dy vlera të letërsisë dokumentare shqipe, për Prishtinën politike e Prishtinën qytetare, në dramën e Kosovës në fundin e shekullit njëzet. Këtë kapërcyell kohor Enver Maloku e shenjon në shkrimin e tij parathënës, tashmë aksiomatik, “Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999”.

Prishtinë,

11 janar 2019

 

(Fjalë e mbajtur në Akademinë Përkujtimore për Enver Malokun, në ditën e 20 vjetorit të vrasjes së tij) 

Comment

*