Epilogu i të fuqishmit dhe ne, ndjekësit

Artemisa Bushi

Shumëkujt mund t’i duket e çuditshme krahasimi i hartës shoqërore me një “gatim të pashijshëm”. Të shikosh deri në brendësi të “zorrëve” të shoqërisë sonë. Nga grumbulli i mendjemadhësive arrogante, harbutërive dhe skandaleve të çdo lloji, aq të shumta dhe të tilla sa të krijojnë një imazh të patjetërsueshëm. Të dëgjosh “gromësirën e hatashme”, ndërsa “mëlçia njerëzore” mundohet të filtrojë helmet.
Nuk pyetet më se ç’do të ndodhë e ku do të përfundojmë. Janë pyetje pa përgjigje. Ndërsa tjetërsimi, nga njëra anë i qëndron puq veshjes së kësaj shoqërie, nga ana tjetër degjeneron në një parodi apo në një spërdredhje qesharake – NJË KAZAN, KU FAKTET JANË TË PASHMANGSHME.
Vetëm kur tejkalohen kufijtë, reagimi njerëzor kthehet në një “gargarë për të gjithë” – edhe pse skandali është i paracaktuar të zhdramatizohet shumë shpejt.
Parodia nuk ka më nevojë të krijohet, shkaktohet vetëvetiu. Edhe pse, më qesharakja është se kjo parodi (ulur këmbëkryq me ngjarjet që ditë pas dite shumfishohen) të duket si gjendja më serioze në kuptimin e më njerëzores. Sa paradoksale!
Duket sikur njeriu është paralizuar brenda një “plëndësi të palarë”.
“Me fjalën duhet të bësh durim”, ia kujtoj shpesh vetes këtë. Duket sikur je kapur pas tentakulave të asaj pjese që do të dëshironte të të bënte të thërrisje, të ngrije zërin nga ajo që po ndodh, por pa ia arritur kurrë. E në fakt, sërish bëhesh pjesë e asaj parodie, ku ke aq dëshirë që aktori të veprojë ashtu si do ti, për t’i pohuar vetes se jemi bashkërendës të kësaj shoqërie, me të cilën jemi mësuar aq shumë…
Por, më kot. Ti s’hesht edhe pse je i humbur në mjedisin ku jetojmë. Dhe gënjen veten se fjala, gjithësesi, ende ka fuqi.
Çfarë rrëmuje, ku çdokush e shpie ujin në mullirin e tij. I fuqishmi harbut që përvetëson, i ndershmi i grabitur. E përfytyroj të gjorin krenar, i padjallëzuar, i çiltër në dukje, por i pajisur me një vetëdijësim të rrallë, që i lejon ta shohë jetën me qartësi.
Dhe mandej epilogu i të fuqishmit arrogant.
E lexojmë sesi e mbërthen mirë realitetin, e shkërmoq, pastaj e bën brumë dhe gatuan me të ngjarje të ilustruara apo të sajuara. Kërkon dhe premton të shnërrojë gërmadhën e rrahur nga të gjitha erërat në kullën e fildishtë. Dhe jo pak nga ne e ndjekim, sepse çdokush nga ne dëshiron që bota të shkojë drejt më SË MIRËS.
Edhe pse, askush nuk do ta marrë vesh kurrë se çfarë do të na sjellë kjo “MË E MIRË…”

Comment

*