Epopeja e Prekazit në Ditarin e QIK-ut

Prishtinë, 7 mas 2018 – Qendra për Informim e Kosovës (QIK), e cila ishte burimi kryesor dhe më i besueshëm i informacioneve nga Kosova, ishte pikë kryesore e referencës për Betejën e Prekazit.

QIK-u raportonte pothuaj çdo orë për sulmet e egra të forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe ndaj Familjes Jashari në Prekaz të Ulët dhe për rezistencën heroike të burrave, grave, pleqve dhe fëmijëve të kësaj familjeje.

QIK-u, ndonëse Lagja Jashari dhe gjithë fshati mbaheshin nën rrethim të hekurt të forcave serbe, siguronte dhe shpërndante informacione të dorës së parë për zhvillimet dramatike të 5, 6 e 7 marsit në Prekazin e Adem Jasharit, burrit që u bë simbol i heroizmit dhe flijimit për liri.

Më 5 mars, qysh në orën 7 e 30 minuta, QIK-u e dha i pari lajmin për lëvizjet dhe pozicionimet e forcave të ushtrisë e policisë serbe rreth Prekazit dhe zonës përreth, kurse një orë më vonë, në orën 8 e 30 minuta, raportoi për fillimin e sulmeve me armë të rënda, përfshirë edhe topat e ushtrisë që i kishte ardhur në ndihmë njësive të policisë.

Tri ditët në vijim, QIK-u ishte pikë kryesore e referencës për zhvillimet dramatike në Prekaz e rrethinë, si edhe për atmosferën e luftës që e kishte përfshirë zonën përreth komunës së Skënderajt dhe mbarë Kosovën.

Agjencitë botërore të lajmeve, qendrat televizive dhe radiostacionet ndërkombëtare raportonin për zhvillimet në Prekaz duke iu referuar informacioneve çdo-orëshe të QIK-ut, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Qendrat më prestigjioze televizive i transmetonin direkt e pa ndërhyrje lajmet e QIK-ut, duke qenë se tashmë ishte provuar se ato ishin lajme sakta të burimeve të besueshme të kësaj agjencie.

Duke qenë se komunikimi me familjen Jashari dhe me familjet tjera brenda rrethimit të hekurt të forcave serbe ishte i pamundur, tabloja e dramës që po zhvillohej në Prekaz krijohej nga burimet e informacionit në rrethin e jashtëm të rrethimit.

Shefi i QIK-ut, Enver Maloku, ishte në kontakt të vazhdueshëm me aktivistë të LDK-së, e cila kishte shtrirje në çdo fshat e në çdo lagje, me aktivistë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me korrespondentët e bashkëpunëtorët e medieve lokale, me aktivistë të organizatave humanitare dhe me shumë qytetarë të vetëdijshëm për fuqinë e lajmit të shpejtë e të saktë.

Enver Maloku ishte ndër gazetarët e parë që arritën në Prekaz dhe prej andej solli në Prishtinë e pastaj shpërndau në botë rrëfime dhe pamje rrënqethëse të dramës që kishte ndodhur më 5, 6 e 7 mars. Fotografitë e tij u publikuan nga agjencitë dhe mediet më të mëdha botërore dhe u shpërndanë në qendrat kryesore të vendosjes dhe në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Më poshtë po sjell një përmbledhje të lajmeve të publikuara në informatorët e QIK-ut prej 5 marsit, kur kishin filluar përgatitjet e forcave serbe për sulm në Prekaz, e deri më 11 mars, kur ishte bërë varrimi i burrave, grave, pleqve dhe fëmijëve të rënë në betejën e lavdishme të Prekazit.

Në këtë përmbledhje, të cilën po e quaj “Ditari i Epopesë së Prekazit” janë përfshirë edhe lajmet që në mënyrë të tërthortë kompletojnë tablonë e ngjarjes dhe zhvillimeve dhe gjendjes në rrethinë.

Këtij “Ditari…” po ia bashkangjes vetëm një nga fotografitë e shumta të trupave të pajetë të anëtarëve të familjes Jashari që rezistuan heroikisht dhe u flijuan për liri. Fotografitë tjera nuk po i publikoj, për hir të respektit ndaj imazhit dhe aktit të tyre heroik.

 

(Ramadan Muçolli)

 

 

 Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 A

Prishtinë, 5 mars 1998

Edicioni i parë (ora 7:30)

 

URGJENT!

 

GJENDJE DRAMATIKE NË LLAUSHË E NË PREKAZ

 Forcat serbe ua kanë mësyrë fshatrave

Forca të mëdha serbe po bëhen gati për të sulmuar fshatrat Prekaz dhe Llaushë të Skënderajt.
Një dëshmitar i besueshëm në Llaushë i tha QIK-ut se forcat serbe, në formacione ofanzive këmbësorie po i afrohen fshatit të tij nga tri anë të malit. Depërtimi ka filluar në orën pesë të mëngjesit.
Burimet e LDK-së njoftojnë për një gjendje të njëjtë edhe në fshatin Prekaz i Ulët.
Ndërkohë nga Mitrovica e Gllogoci njoftohet se forca të mëdha serbe po shkojnë në drejtim të Skënderajt.
 
Një burim i LDK-së në Gllogoc i tha QIK-ut në orën 6,30 min se drejt Skënderajt ishin nisur disa autoblinda me picgauerë dhe xhipa.
Në orën 7 po ky burim tha se në Gllogoc kishin arritur tre autobus me policë dhe disa kamionë.
Në orën 7, 20 një burim nga Skënderaj tha se forca të mëdha serbe me tanke e me autobus po arrijnë vazhdimisht për rreth fshatit Llaushë.
Një burim nga Prekazi tha në orën 7:25 se në moment po dëgjoheshin krisma armësh.
Burimet e LDK-së në Skënderaj thonë se pas masakrave të forcave serbe në Likoshan e Qirez, fshatarët e LLaushës e të Prekazit do të vetorganizohen në mbrojtje të familjeve dhe të shtëpive të veta.
Dega e LDK-së në Skënderaj dhe qytetarët e Drenicës u drejtojnë apel dramatik faktorëve ndërkombëtarë që të ndërhyrjnë urgjentisiht për të evituar një masakër të re të forcave serbe.

Ora:7,30.

 

***

 Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 B

Prishtinë, 5 mars 1998

Edicioni i dytë (ora 8:30)

 

URGJENT!

 

Në Prekaz shtihet me topa, në Llaushë u plagos me armë zjarri Miftar Rrecaj

 Prishtinë, 5 mars (QIK) 
Gjendja në Prekaz: në lagjen e Jasharajve e të Lushtakëve, është dramatike. Burimet e LDK-së i thanë përmes telefonit QIK-ut se forcat serbe po shtijnë kundër këtyre dy lagjeve edhe me topa.
Në këto momente duket se sulmi serb është koncentruar në Prekaz, ndërsa forcat serbe për rreth Llaushës duket se kanë funksion të ndarjes së këtyre dy fshtarave.
 
Një burim nga Llausha tha se në këtë fshat është plagosur Miftar Rreci.
Prekazi ka qenë objekt i sulmeve të shpeshta serbe. Më 22 janar të ëktij viti, gjatë një sulmi ndaj familjes Jasharaj, ishin plagosur dy vajza.

 

Në Shipol të Mitrovicës nuk lejohet qarkullimi i njerëzve

 Prishtinë, 5 mars (QIK)

Një burim nga Shipoli që gjendet në rrugën Mitrovicë – Skënderaj i tha QIK-ut me telefon se forcat e mëdha të policisë serbe që janë vendosur afër shkollës fillore “Riza Grajçevci” nuk po lejojnë kurrëfarë qarkullimi të shqiptarëve.
Një dëshmitar nga Shipoli i tha QIK-ut me telefon se policia nuk e kishte lejuar atë të shkonte në Mitrovicë.
Dëshmitari tha se në këtë vendbanim po dëgjohej jehona e të shtënave me armë nga Skënderaj.
 
Nga Mitrovica ka njoftime se në drejtim të Skënderajt po shkojnë herë pas herësh forca të reja serbe.

 Ora:8:30.

 

***

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 C

Prishtinë, 5 mars 1998

Edicioni i tretë (ora 9:15)

 

URGJENT!

 

Nga Fabrika e Municionit në Skënderaj po shtihet me topa mbi Prekaz

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Mbi lagjet Jasharaj e Lushtaku në Prekaz forcat serbe po shtinë me dy topa të rëndë që janë vendosur qysh mbrëmë në oborrin e Fabrikës së Municionit të Gjuetisë në Skënderaj.
Një burim i LDK-së nga LLausha, një fshat i afërt me Skënderajn, i tha QIK-ut në orën 9,00 se Prekazi i është nënshtruar një zjarri të fuqishëm e të pandërprerë të forcave serbe.
Për fuqinë e këtij sulmi flet fakti se të shtënat po dëgjohen edhe në Shipol të Mitrovicës.
Dega e LDK-së në Skënderaj dhe qytetarët e kësaj ane i bëjnë apel dramatik bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë urgjentisht për të shpëtuar nga masakrimi popullsine Prekazit e të Drenicës.
Drejtuesit e LDK-së prej mëngjesit kanë informuar vazhdimisht diplomatët e SHBA-ve dhe të vendeve evropiane në Beograd, Zyrën Amerikane në Prishtinë dhe zyrat e shoqatave humanitare ndërkombëtare në Prishtinë.

Ora:9:15.

 

 ***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 D

Prishtinë, 5 mars 1998

Edicioni i katërt (ora 10:00)

 

Prekazi vazhdon të gjuhet me topa

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Qytetarë nga Skënderaj po telefonojnë vazhdimisht në QIK me lajme alarmante për gjendjen në Prekaz. 
Thuhet se forcat serbe po shtijnë vazhdimisht me topa drejt shtëpive të lagjeve Jasharaj dhe Lushtaku. Flitet për shtëpi të rrënuara e të djegura.
Dëshmitarë nga Skënderaj thonë se Prekazi është në flakë e në tym.
Ndërkohë nga Klina njoftohet se forca të mëdha serbe, të stacionuara më parë në këtë komunë, kanë lëvizur drejt Skënderajt.

 

Snajperistë serbë rreth Presidencës dhe QIK-ut

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Në kulmin e ndërtesës së policisë, në krahun e majtë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, përkatësisht Presidencës së Republikës së Kosovës si edhe të ndërtesës së QIK-ut, prej mëngjesit sot po qëndrojnë snajperistë serbë.
Është indikativ fakti se snajperistët sot po e demonstrojnë me dëshirë praninë e tyre.
Prej protestës së qytetarëve të Prishtinës, më 2 mars, prania e policisë serbe rreth ndërtesave të QIK-ut e të Presidencës ka qenë e dukshme dhe agresive.

Ora:10,00.

 

 ***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1988 E

Prishtinë, e enjte, 5 mars 1998

Edicioni i pestë (ora 10:30)

 

Sulm masiv serb në një zonë të gjerë të Drenicës

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Njoftimet nga Skënderaj, Mitrovica, Vushtrria e Klina bëjnë me dije se forcat serbe kanë sulmuar sot nga mëngjesi një pjesë të madhe të Drenicës. Pak më parë u njoftua se janë sulmuar edhe fshatrat Vojnikë e Açarevë.
Nga Mitrovica bëhet me dije se në një shtetrrethim të ashpër po mbahen fshatrat Tërnavc, Prekaz, Klinë e Epërme, Klinë e Ulët, Polac, Kryshefc, LLaushë, Dubofc, Lubovec, Galicë, Beqiq e Krasaliq.
Në mesin e popullsisë mbretëron panikë.
Një burim nga Mitrovica tha se tashmë në Shipol kanë arritur disa traktorë me gra e me fëmijë.
Një burim nga Vushtria tha se gra e fëmijë po lëvizin nga Mikushnica, Dubofci, Galica e Beqiqi në drejtim të Vushtrrisë.

Ora:10,30.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1988 F

Prishtinë, e enjte, 5 mars 1998

Edicioni i gjashtë (ora 11:50)

 

Konferencë për shtyp: Sulm i madh serb në Drenicë

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Këshilltari për informim i Kryetarit Rugova, Xhemajl Mustafa, mbajti sot një konferencë shtypi lidhur me situatën dramatike, pas sulmit serb në disa fshatra të Drenicës.

Në konferencë ishin të pranishëm një numër i madh i gazetarëve të vendit dhe të huaj.
Z. Mustafa njoftoi në fillim gazetarët se sot herët në mëngjes, që nga ora 5.00, forca të mëdha serbe sulmuan me armatime të rënda fshatrat Prekaz dhe Llaushë të Skënderajt.
Njoftimet nga këto fshatra bëjnë me dije se gjendja atje është dramatike, se shtëpi të tëra po digjen, si pasojë e sulmit të forcave serbe. Bëhet me dije se shtëpitë e familjeve Jasharaj, të cilat qenë sulmuar më 22 janar, sot janë në flakë dhe dyshohet se mbi anëtarët e kësaj familje është bërë masakër, tha në vazhdim ai.
Me këtë rast po theksojmë se sulmi i sotëm në këto fshatra të Skënderajt dëshmon për një brutalitet të paparë të regjimit të Beogradit. Pas masakrit që bënë forcat serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Drenicës, regjimit të Beogradit iu tërhoq vërejtja nga administrata amerikane dhe nga Unioni Evropian që të mos e eskalojë gjendjen në Kosovë. Përkundër kësaj, regjimi i Beogradit dhe forcat e tij sot ndërmorën një sulm përmasash të gjëra dhe të egra mbi fshatrat Prekaz dhe Llaushë, tha z. Mustafa, duke shtuar se sjelljet arrogante dhe mospërfillëse të regjimit të Beogradit e bëjnë të domosdoshëm intervenimin urgjent të SHBA-ve, të UE-së, të Kombeve të Bashkuara dhe sidomos të Këshillit të Sigurimit për të detyruar Beogradin që urgjentisht të ndërprejë masakrën mbi popullin e pambrojtur në këto fshatra të Skënderajt.

Këtë terror regjimi i Beogradit po e përdor në funksion të detyrimit të popullit të Kosovës që të pranojë me çdo kusht sundimin e Serbisë. Por, siç e dini, populli i Kosovës është përcaktuar për luftë paqësore për pavarësi.
Me këtë rast kërkojmë edhe nga partitë politike në Kosovë dhe nga format e tjera të organizimit që të mobilizohen me qëllim të përballimit të kësaj gjendje tepër të rëndë. Ne do të përpiqemi që të jemi në funksion tuaj dhe të informimit të shpejtë e të drejtë të opinionit ndërkombëtar dhe kërkojmë ndihmën tuaj me qëllim që të evitohet një masakër e përgjithshme në Kosovë, tha në fund këshilltari për informim i Kryetarit Rugova, z. Xhemajl Mustafa.
Në vazhdim, përgjegjësi i QIK-ut, Enver Maloku, duke iu drejtuar gazetarëve, tha se njoftimet nga Skënderaj, Mitrovica, Vushtrria e Klina bëjnë me dije se forcat serbe kanë sulmuar sot nga mëngjesi një pjesë të madhe të Drenicës.
 
Pak më parë, tha ai, u njoftua se janë sulmuar edhe fshatrat Vojnikë e Açarevë.
Nga Mitrovica bëhet me dije se në një shtetrrethim të ashpër po mbahen fshatrat Tërnavc, Prekaz, Klinë e Epërme, Klinë e Ulët, Polac, Kryshefc, Llaushë, Dubofc, Lubovec, Galicë, Beqiq e Krasaliq.
Në mesin e popullsisë mbretëron panikë. Një burim nga Mitrovica tha se tashmë në Shipol kanë arritur disa traktorë me gra e me fëmijë, ndërsa një burim nga Vushtria tha se gra e fëmijë po lëvizin nga Mikushnica, Dubofci, Galica e Beqiqi në drejtim të Vushtrrisë
 
Në Prekaz janë djegur shtëpitë e Shaban Jasharajt dhe Beqir Lushtakut.
Ndërkohë, forca të reja të ushtrisë dhe të policisë vijnë nga drejtimi i Leposaviqit, nga Serbia në Kosovë, tha në fund Maloku.
Ndërsa, Z. Mustafa shtoi se gjendja në Kosovë po bëhet dramatike. Ai kërkoi edhe njëherë nga gazetarët që të jenë në funksion të evitimit të një masakre të përgjithshme në Kosovë.
Ai gjithashtu njoftoi se që nga orët e mëngjesit për sulmin serb në Drenicë janë njoftuar të gjitha përfaqësitë diplomatike të vendeve të huaja, ndërsa nënkryetari i LDK-së, dr. Fehmi Agani ka udhëtuar në Beograd për t’u takuar me ministrin e jashtëm të Britanisë së Madhe, z. Kuk.
 
– Besojmë se edhe ky takim do të jetë në funksion të shtendosjes së situatës, përkatësisht evitimit të një gjendjeje edhe më të rëndë në Kosovë, përfundoi z. Mustafa.

 

Popullsia e Drenicës lëviz drejt Vushtrrisë

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Për shkak të sulneve serbe në disa fshatra të Skënderajt, sidomos në Prekaz, Vojnikë e Açarevë, një pjesë e popullsisë së Drenicës, gra e fëmijë, janë larguar nga vatrat e tyre dhe po lëvizin drejt Vushtrrisë.
Një burim i LDK-së në Vushtrri i tha QIK_ut në orën 11:30 se me autobous, traktorë dhe në këmbë tashmë ka arritur një numër grash e fëmijësh në Vushtrri dhe në fshtrat Dolak, Shtiparicë, Novolan, Bërnik, Pantinë, Mihaliq e Dërvar.
Gratë dhe fëmijët që kanë aritur në këo fshtra kanë thënë se janë larguar nga Galica, Dubofci, Mikushnica, Luboveci e fshatra të tjera të Skënderajt.
Nga Dega e LDK-së në Vushtrri mësohet se në fshatrat me popullsi serbe në Gojbulë, Miraçë e Bukosh janë mobilizuar serbët dhe janë shpërndarë armë.
Një burim i LDK-së në këtë komunë tha se tash po dëgjohen më rrallë të shtënat me armë nga Skënderaj, ndërsa situatën në Vushtrri ai e përshkroi si të qetë.

 

Kontakte të vështirësuara me fshatrat e Skënderajn

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Në orën e fundit kontaktet e QIK-ut me Skënderajt, Gllogocin e Mitrovicën janë vështirësuar shumë.

(Ora: 11:15)

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1988 G

Prishtinë, e enjte, 5 mars 1998

Edicioni i shtatë (ora 13:00)

 

Pas gjuajtjeve nga larg, forcat serbe po u afrohen këmbë fshatrave të sulmuara

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Dega e LDK-së në Mitrovicë, e cila ka kontaktuar me burimet të LDK-së në 12:45 me Skënderajn, njofton se pas të shtënave me topa, forcat serbe po hyjnë në fshatrat Prekaz, Vojnikë, Açarevë e Llaushë.
Njoftimet nga Skënderaj flasin për shumë të plagosur. Disa të plagosur gjenden tash në Mitrovicë.
 
Forcat serbe kanë rrënuar mes tjerash dy shtëpi në Prekaz: shtëpinë e Shaban Jasharit dhe të Beqir Lushtakut.
Ndërkohë prej Klinës në drejtim të Skënderajt kanë shkuar shumë policë me disa autobus me regjistrim të Nishit e të Leskocit.
Nga Mitrovica njoftohet se ushtarët janë pozicionuar rreth rrethojës së kazermës ushtarake në këtë qytet, ndërsa tytat e topave janë kthyer drejt fshatrave Zasellë dhe Kçiç i Madh.
Dega e LDK-së në Mitrovicë thotë se në këtë qytet vërehen lëvizje të mëdha serbësh të panjohur.

Ora:13,00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 H

Prishtinë, 5 mars 1998

 

Anëtarët e Kryesisë së LDK-së u nisën për në Vushtrri, Mitrovicë e Skënderaj

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Dr. Rexhep Gjergji dhe Basri Musmurarti, anëtarë të Kryesisë së LDK-së u nisën për në Vushtrri, Mitrovicë dhe Skënderaj, me qëllim që të diskutojnë për situatën më të re në këto komuna.
Ata do t’u bëjnë thirrje popullsisë që të mos largohet nga vartat e veta.

 

Situata në Drenicë e pandryshuar

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Në bazë të njoftimeve që arrijnë nga anë e burime të ndryshme, mirret vesh se sulmi serb po vazhdon kundër disa fshatrave të Drenicës, si në Prekaz, Llaushë, Vojnikë, Açarevë, Turiçevc, e tjerë.
Nga këto fshatra si edhe fshatrat tjera, një pjesë e popullsisë po largohet nga shtëpitë e veta.

 

Të larguarit nga vatrat e tyre po lëvizin në drejtim të Mitrovicës dhe të Gllogocit

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Për shkak të sulmeve masive serbe në Drenicë, gra e fëmijë kanë filluar të largohen nga mëngjesi prej shtëpive të tyre në drejtim të Mitrovicës, Vushtrrisë, Lipjanit e Gllogocit.
Dega e LDK-së në Mitrovicë njoftoi se në Shipol, në Vaganicë e në lagjen te Ura e Gjakut kanë arritur shumë familje nga Drenica.
Në Shipol është vendosur familja 34- anëtarëshe Haliti nga Galica.
Nga Domaneku mirret vesh se në atë fshat kanë arritur banorë të fshatrave Drenicës. Në Domanek dëgjohen të shtënat nga Jashanica.
Nga Pograxha njoftohet se sulmet serbe janë zgjeruar në fshatin Turiçevc.

 

Gjendje e rëndë në Klinë

Prishtinë, 4 mars (QIK)
Dega e LDK-së në Klinë njofton se në këtë komunë gjendja sot është shumë e tensionuar. Për shkak të pranisë së madhe të forcave serbe nëpër rrugë, ka fare pak kalimtarë dhe lëvizje njerëzish nëpër rrugë.
Njoftohet se në Klinë është arrestuar gazetari i “Kohës Ditore” Maxhun Ismajli.
Është arrestuar edhe Marijan Përlaska, i cili është liruar më vonë.

 

 Në Prishtinë gjendje e tensionuar

Prishtinë, 4 mars (QIK)
Gjendja në Prishtinë sot është shumë e tensionuar. Dyqanet janë mbyllur. Në rrugë ka fare pak njerëz. Në fytyrat e tyre hetohet një gjendje e frikës.

Nëpër rrugë ka lëvizje policësh.

 

Të larguarit nga vatrat e veta arritën në Magurë të Lipjanit

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Gra e fëmijë të larguar nga vatrat e veta për shkak të sulmeve serbe në disa fshatra të Drenicës kanë arritur deri në Magurë të Lipjanit.

 

Në Mitrovicë arriti Nikollas Hill

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Dega e LDK-së në Mitrovucë njofton se në këtë qytet arriti pas mesditës Nikollas Hill, Sekretar i Parë i Ambasadës së SHBA-ve në Beograd.
Z. Hill ka shkuar për t’u njoftuar me gjendjen më të re në rajonin e Drenicës.
Në Mitrovicë ka arritur edhe një delegacion i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

 

Policia dhe ushtria serbe kanë rrethuar disa fshatra të Vushtrrisë

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Burimet nga Vushtrria njoftojnë se policia dhe ushtria serbe kanë rrethuar fshatrat Dubofc, Lubavec, Galicë, Beçiq, Krajiq, prej nga gra e fëmijë me traktorë dhe këmbë po shkojnë në drejtim të Vushtrrisë. Po ashtu bëhet e ditur se në Prekaz të Poshtëm ushtria dogji shtëpinë e Beqir Lushtakut, njofton KMDLNJ i Mitrovicës.
Më 5 mars, rreth orës 6, 8 autobusë dhe 5 xhipa të mbushur me policë erdhën nga drejtimi i Prishtinës në Mitrovicë, kurse në orën 9,50 në mes të fshatit Dobërrllukë dhe Smrekonicë të Vushtrrisë janë vërejtur 6 autobusë dhe 7 xhipa të mbushur me policë.
Në fashtin Frashër ku janë të vendosura depot ushtarake në orën 9 kanë hyrë tre kamionë të markës “Dajc” dhe supozohet se aty të jenë mbushur me armatim (municion) dhe kanë shkuar nga Klina e Poshtme në drejtim të Prekazit.

 

“Human Rights Watch” kërkon hetime për masakrën e Drenicës

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Organizata humanitare amerikane “Human Rights Ëatch” ka lëshuar një raport të gjërë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe për dhunën serbe ndaj shqiptarëve. Në raport kërkohet nga bashkësia ndërkomëtare që të bëjë hetime të menjëhershme lidhur me veprimet e jashtligjshme të forcave serbe në Drenicë. Kjo organizatë ka informacione se disa shqiptarë janë vrarë pasi janë arrestuar. “Thuhet se 12 persona janë ekzekutuar pa gjyq. Kjo është shkelja më flagrante e normave ndërkombëtare, prandaj kërkohen hetime të menjëhershme për këto veprime dhe që të gjithë ata që i kanë kryer këto akte të vihen para përgjegjësisë”, thuhet ndër të tjera në raport.

 

 ***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 I

Prishtinë, 5 mars 1998 (Ora: 16,00)

 

Apel i kryetarit Rugova dërguar Klintonit, Blerit, Shirakut dhe Kolit të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova sot kërkoi ndërprerjen urgjente të operacioneve të policisë dhe të ushtrisë serbe në Skënderaj, Gllogoc, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri dhe në pjesë tjera të Kosovës, ku po pëson popullsia civile.

Me një apel të transmetuar sot, kryetari Rugova thërret bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa preventivë në Kosovë dhe që të bëjë trysni edhe më të madhe mbi Beogradin me qëllim të ndërprerjes urgjente të aksioneve policore dhe ushtarake në disa fshatra të Drenicës.

Kryetari Rugova sot u bëri apel presidentit Klinton, kryeministrit britanik Bler, presidentit Shirak dhe kancelarit Kol që të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit për ndaljen e aksioneve të policisë dhe të ushtrisë serbe.

Sot kryetari Rugova kërkoi një prezencë ndërkombëtare të të gjitha formave në Kosovë për mbrojtjen e popullit të Kosovës, i cili është përcaktuar që vullnetin e vet për pavarësi ta realizojë me mjete paqësore.

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova kërkoi nga populli në Kosovë që të mos u nënshtrohet provokimeve dhe dezinformatave serbe që kanë për qëllim të fusin frikë dhe panik. Me qëllim të përballimit të kësaj gjendje, kryetari Rugova kërkoi nga partitë politike në Kosovë dhe nëpër komuna që të mobilizohen. Sidomos është e domosdoshme që forcat politike në komunat fqinje me Drenicën të përgatiten që ta ndihmojnë popullatën e saj dhe që ta përcjellin gjendjen e rëndë në atë rajon.

Në apelin e tij kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, siguron popullin e Drenicës dhe të Kosovës se është në kontakt me qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe se ato po shqyrtojnë mundësinë për hapa preventivë në Kosovë me qëllim të ndërprerjes së aksioneve policore dhe ushtarake serbe.

Kryetari Rugova kërkoi nga mjetet e informimit që ta përcjellin gjendjen në mënyrë objektive dhe që të jenë në funksion të njoftimit me përmasat e aksioneve policore dhe ushtarake serbe në Drenicë.

 

Dr. R. Gjergji e B. Musmurati po qëndrojnë në Vushtrri

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Dr. Rexhep Gjergji dhe Basri Musmurati, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, arritën në Vushtrri dhe po përcjellin situatën bashkë me Kryesinë e Degës së LDK-së.

Në një bisedë telefonike, dr. Rexhep Gjergji i tha QIK-ut se në komunën e Vushtrrisë kanë arritur një numër familjesh nga disa fshatra të Drenicës. Z. Gjergji tha se shumica e familjeve të larguara janë nga fshatrat që nuk kanë qenë objekt i sulmeve të forcave serbe, që do të thotë se në mesin e popullsisë ka panikë.

Ai tha se Kryesia e Degës së LDK-së në Vushtrri është në gjendje mobile dhe po i pret e vendos të larguarit nga shtëpitë e tyre.

 Z. Gjergji u bëri thirrje njerëzve që të qëndrojnë në shtëpitë e veta.

Ai tha se informimi nga Skënderaj është shumë i vështirësuar. Njerëzit po qëndrojnë nëpër bodrume të shtëpive të tyre për shkak të rrezikut.

Disa njoftime të pakonfirmuara nga Prekazi thonë se në atë fshat janë djegur disa shtëpi të lagjes Jashari dhe Lushtaku.

Prania e forcave serbe, ushtrisë dhe policisë, në Skënderaj dhe në disa fshtara të kësaj komune është shumë e madhe.

Orëve të fundit mirret vesh se sulmet po bëhen me topa të vegjël dhe minahdhës. Nga mortajat thuhet se digjen menjëherë shtëpitë.

Banorët e Drenicës vazhdojnë t’u bëjnë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë për të ndërprerë këtë sulm të forcave serbe.

 

Në Prishtinë pasdite u mbyllën dyqanet

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Në orët e pasdites, në Prishtinë u mbyllën shumica e dyqaneve të shqiptarëve.

Në lagjen Kodra e trimave, ku pronarë të dyqaneve janë kryesisht shqiptarët, janë mbyllur të gjitha dyqanet, në rrugë ka fare pak njerëz, ndërsa në rrugë ka parakalim të forcave policore serbe, që janë në gjendje gatishmërie.

 

Agjencia Rojter raportoi për sulmin e sotëm serb në Drenicë

 Prishtinë, 5 mars (QIK)

Agjencia “Rojter” njofton sot për ngjarjet e sotme në Skënderaj. Në një njoftim me titull “Shqiptarët pohojnë se fshatrat e Kosovës po sulmohen nga serbët”, “Rojter” citon QIK-un rreth zhvillimeve më të reja në Skënderaj.

Sulmi serb është përqëndruar kundër familjeve Jasharaj dhe Lushtaku ndërsa thuhet për sulme të tjera serbe në disa fshatra rreth Mitrovicës.

“Rojter” po ashtu citon burimet e policisë serbe në Prishtinë të kenë thënë se dy policë serbë janë plagosur sot në mëngjes në një pritë afër Skënderajt dhe se policia po i ndjek sulmuesit.

Në njoftim flitet edhe për ngjarjet e fundjavës së fundit në Kosovë dhe përkujtohet se Milosheviqi ka koncentruar forca të mëdha policore në Kosovë, të pajisura me pajisje ushtarake përfshirë edhe helikopterë rusë të tipit “HIND” për të shtypur paknaqësinë e shqiptarëve që nga viti 1989 kur Kosovës i është hequr statusi autonom.

“Rojter” duke iu referuar burimeve serbe, thotë se gjatë fundjavës së shkuar sikurse edhe sot, policia ndjek pjesëtarët e UÇK-së.

Ora:16,00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 J

Prishtinë, 5 mars 1988 (Ora 17,30)

 

Vazhdon sulmi në Prekaz, Vojnikë e Açarevë

Prishtinë, 5 mars (QIK) 
Një telefonatë e orës 16.45 nga Llausha bënte të ditur se ky fshat po mbahet i rrethuar nga forca të mëdha. 
Në Llaushë është ndërprerë rryma, ndërsa lidhjet telefonike janë shumë të vështira. 
Ky burim i LDK-së nga Llausha tha se edhe më tej vazhdon sulmi serb kundër fshatit Prekazit. Ky burim tha se të shtëna po dëgjoheshin edhe më tutje nga drejtimi i fshatrave Açarevë e Vojnikë. 
Njoftohet se në Skënderaj janë grumbulluar forca policore.

 

Kumtesë e KI të LDK-së: Serbia po zhvillon luftë speciale propoganduese

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Regjimi serb, krahas terrorit dhe gjenocidit që këto ditë po ushtron mbi popullatën e pambrojtur shqiptare në Drenicë dhe në disa pjesë tjera të Kosovës po zhvillon edhe një luftë speciale propaganduse e cila ka për qëllim krijimin e psikozës së frikës dhe të panikut. E gjithë kjo bëhet me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës nga etnikumi shqiptar, konstaton Komisioni për Informim i Kryesisë së LDK-së në një komunikatë të veçantë për opinion. Në vijim të kësaj komunikate theksohet se në rrethana kur Kosova nuk e ka qendrën e vetë radio-televizive të cilën pas suspendimit të dhunshëm të mëvetësisë së Kosovë e okupoi regjimi serb terreni për lansimin e dezinformatave nga makineria e propagandës zyrtare serbe në dëm të popullit shqiptar është tejet i përshtatshëm. 
Prandaj informimi për tensionimin më të ri të situatës në Kosovë duhet të mbështetet në komisionet e informimit të LDK- së dhe të partive të tjera si dhe në informacionet e QIK-ut. Nisur nga situata e rëndë në Kosovë Komisioni për Informim i Kryesisë së LDK-së apelon te qytetarët që të jenë të vetëdisiplinuar dhe të mos i nënshtrohen dezinformatave të makinerisë së propagandës serbe ngase pasojat e saj mund të jenë po aq negative sa edhe terrori ushtarako-policor serb. 
Ne do të mbesemi në Kosovë dhe do të realizojmë lirinë tonë dhe nuk do të realizohen skenarët e regjimit serb për spastrimin e Kosovës nga shqiptarët. Vetëdisiplina dhe qetësia e popullit shqiptarë do të jenë armë që do ta mundin këtë propagandë. Shqiptarët janë komb i organizuar të cilët mendojnë politikisht dhe shtetësisht dhe si të tillë duhet të veprojmë, thuhet në kumtesën e KI të Kryesisë së LDK-së.

 

Korrespondenti i “Rilindjes” arriti paradite deri në Prekaz të Poshtëm

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Korrespondneti i “Rilindjes” – “Bujkut” në Vushtrri arriti paradite të depërtojë deri në afërsi të fshatit Prekaz i Epërm. Po sjellim më poshtë shkrimin e tij. 
Menjëherë pas terrorit të paparë të forcave okupuese serbe në Drenicë, me ç’rast u vranë 25 shqiptarë të pafajshëm të Qirezit dhe të Likoshanit, gjurmët e terrorit të okupatorit serb sot në orët e para të mëngjesit mbetën të pashlyera edhe në Prekaz të Poshtëm. 
Prekazi i Poshtëm sot u dogj e pati edhe shtëpi të rrënuara si pasojë e sulmit të forcave serbe okupuese nga kalibër të armatimit të rëndë. Arritëm të depërtojmë deri në Prekaz të Epërm, prej ku si në shuplakë të dorës shohim nga larg flakë e tym, dëgjojmë të shtëna nga armë të të gjitha llojeve dhe një rreth të përforcuar të policisë serbe. 
Në Prekaz të Epërm, në lagjen e Brahajve, që nuk është larg nga Prekazi i Poshtëm, as një kilometër, takojmë Haxhi Bejtën, kryetar i nëndegës së LDK-së, i cili për “Rilindjen”-“Bujkun” deklaron: “Prekazi i Poshtëm sot rreth orës 6 të mëngjesit u sulmua me armë nga më të rëndat. Në fillim nga fabrika e municionit në Skënderaj e më vonë edhe nga pozicionet tjera. U sulmua me minahedhës dhe armë të rënda në fillim lagjja e familjeve Jashari, Dushkaj e ato të Lushtakëve, kurse më vonë depërtojnë forcat e këmbësorisë”. Deri në orën 14, nuk dihet për numrin e të vrarëve dhe të të lënduarve, por duke pasur parasysh të shtënat që ne dëgjuam, fitohet përshtypja se forcave paramilitare serbe, ato ushtarake dhe policore hasën në rezistencë të fortë nga banorët e Prekazit të Poshtëm. 
Bashkim Ismajli, të cilin e takuam në Prekaz të Epërm na tha se ka në dijeni të jenë përqendruar 6 tankse në orët e para të mëngjesit në Tërnoc, prej të cilave 4 sish depërtuan në Skënderaj, prej ku edhën në Prekaz të Poshtëm. Gjatë kësaj kohe, derisa ishim duke biseduar për gjendjen në Prekaz të Poshtëm, vërejtëm se në këtë fshat depërtuan 3 autoblinda, një “Nivë” dhe “Pizgauer” hynë në shtëpinë e Shaban (Murat) Jasharit. Oda dhe kulla e tij është qëlluar me armë të rënda, nga të cilat është rrënuar. Janë qëlluar edhe shtëpitë e vëllezërve Ragipit e Maliqit, të cilat janë rrënuar. Të shtënat nuk pushojnë. Këto të fundit, si na thonë këtu, drohet se janë nga Llausha. Dita e sotme është tmerruese në Prekaz të Poshtëm, kurse nata e sontme nuk dihet si do të kalojë, sikur nuk dihen edhe e ardhmja e këtyre fshatrave të cilat po i nënshtrohen një terorri të paparë serb. 
Gjatë tërë kohës, sa ishin në udhëtim për të tubuar sa më shumë informacione për gazetën tonë, në shoqëri ishin edhe dy arsimtarët e shkollës fillore të Dubovcit, Miftar Halili dhe Ismet Mehmeti. Këta na rrëfejnë për aksionet e evakuimit të grave dhe të fëmijëve nga këto anë dhe për ndihmën e ofruar fshatrave të tjera. Tek “Varret e Shalës”, në Mikushnicë, prej ku shihet Prekazi, por jo edhe pjesa e sulmuar, Elez Musliu tregon se të shtënat janë dëgjuar që në orët e para të mëngjesit, kur filluam edhe evakuimin e familjeve. Evakuim pati edhe në fshatrat Galicë, Mikushnicë, Lubovec, Dubovc, etj. Amvisja Ajete Shabani ka marrë udhë për t’u strehuar tek të afërmit e vet, kurse kolona e shumë banorëve të kësaj ane drejtohet për në fshatrat më pak të rrezikuara, në qytete më të afërta në Vushtri dhe Mitrovicë. Malet e afërta janë të mbushura me banorë të fshatrave të sulmuara dhe të rrezikuara nga forcat serbe, kryesisht me gra e fëmijë. Banorët e këtyre fshatrave nuk përjashtojnë mundësinë e përhapjes së luftës edhe në fshatrat tjera, dhe jo rastësisht janë larguar të paaftët, kurse ata që mbrojnë pragun e shtëpisë mbesin nën qatitë e tyre.

 

“Human Rights Watch” kërkon hetime për masakrën e Drenicës

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Organizata humanitare amerikane “Human Rights Ëatch” ka lëshuar një raport të gjërë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe për dhunën serbe ndaj shqiptarëve. Në raport kërkohet nga bashkësia ndërkomëtare që të bëjë hetime të menjëhershme lidhur me veprimet e jashtligjshme të forcave serbe në Drenicë. Kjo organizatë ka informacione se disa shqiptarë janë vrarë pasi janë arrestuar. “Thuhet se 12 persona janë ekzekutuar pa gjyq. Kjo është shkelja më flagrante e normave ndërkombëtare, prandaj kërkohen hetime të menjëhershme për këto veprime dhe që të gjithë ata që i kanë kryer këto akte të vihen para përgjegjësisë”, thuhet ndër të tjera në raport. 

Ora:17:30.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 K

Prishtinë , 5 mars 1988 (Ora 19,30)

 

Shtrëngohet rrethimi i fshatit Llaushë

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Një burim nga Llusha i tha gazetës “Bujku” në orën 18:30 se forcat serbe e kishin shtrënguar rrethimin e këtij fshati nga drejtimi i Klinës, i Skënderajt dhe i Pejës. 
Prej orës 18,30 lidhjet me Llaushën janë shkëputur. Sipas një bisede të mëhershme me telefon mirrej vesh se në fshat nuk kishte rrymë elektrike. Janë shkëputur edhe lidhjet telefonike me Skënderajn. 
Një informacion nga Mitrovica bënte me dije se rreth orës 18.30 nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt ishin nisur 12 pizgauera me policë. Ky fakt linte të kuptohej se sulmi serb mbi fshatrat e Drenicës po vazhdonte.

Ora:19,30.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1988 L

Prishtinë, 5 mars 1998 (Ora:21,00)

 

Në Skënderaj e rrethinë kanë pushuar të shtënat

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Një banor i Skënderajt, afër Prekazit, i tha QIK-ut se në orën 19,00 pothuaj kishin pushuar krejtësisht të shtënat me armë. Ky burim tha se tankset ishin tërhequr nga Prekazi dhe ishin futur në oborrin e Fabrikës së Municionit të Gjuetisë, që gjendet krejt afër Prekazit. Një dëshmitar tha se vetëm ai kishte parë qindra policë që po futeshin në 8 autobus për t’u larguar nga vendi prej nga kishin sulmuar gjithë ditën. 
Një burim i LDK-së në Skënderaj tha se të shtënat kishin pushuar në mbrëmje edhe në Llaushë. Më parë kishte njoftime se në orët e mbrëmjes kishte filluar një sulm masiv kundër këtij fshati. 
Burimet e LDK-së në Skënderaj e në rrethinë nuk kanë mundur të mbledhin njoftime për pasojat e sulmit të sotëm të forcave serbe. 
Pos vendeve ku janë kryer sulmet, forcat serbe kanë mbajtur nën kontrollin më të rreptë të mundshëm edhe gjithë rrethinën, kështu që mungojnë tërësisht informacionet për atë që ka ndodhur. 
Në orën 20:30 një burim nga Llausha konfirmoi se në atë fshat nuk kishte të shtëna. Mirëpo banorët e tij presin në ankth që mund të ndodhë.

 

Dr. Rexhep Gjergji: Lagja Jasharaj digjet flakë nga artileria serbe

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Anëtarët e Kryesisë së LDK-së dr. Rexhep Gjergji dhe Basri Musmurati qëndruan afër Prekazit, në trekëndshin Mikushnicë – Prekaz i Epërm – Prekaz i Poshtëm dhe nga afër u informuan dhe vëzhguan zhvillimin e ngjarjeve në Prekazin e Poshtëm. 
Nga kjo pikë e lartë vëreheshin si në shuplakë të dorës lagjja e Jasharajve në Prekaz të Poshtëm, e cila ka qenë objektiv i parë i sulmit të forcave policore e ushtarake serbe sot herët në mëngjes, tha z. Gjergji. 
Ai tha se për një orë bashk me Basri Musmuratin dhe me disa aktivistë të Degës së LDK-së në Vushtrri përcollën pjesë të një aksioni i tmerrshëm i forcave serbe kundër shtëpive të lagjes Jasharaj në Prekaz. 
Z. Gjergji tha se së paku dhjetë shtëpi në lagjen Jasharaj ishin djegë deri në themel. Disa të tjera po digjeshin flakë, ndërsa në shtëpi të tjera shtihej ende me armë artilerike nga topat, tankset e ushtrisë dhe nga autoblindat. Derisa ne vëzhguam atë aksion, disa herë u shti me armë të rënda në drejtim të shtëpive. Predhat shkaktonin një zjarr të fuqishëm nëpër shtëpi, tha z. Gjergji. 
Ai nuk mundi të saktësonte pasojat e sulmit të sotëm. Sipas disa dëshmitarëve, forcat serbe kishin lejuar largimin e fëmijëve nga fshati, por fëmijët e familjes Jasharaj që ishte sulmuar e para, druhet se nuk kishin arritur të largoheshin. Dëshmitarët kanë thënë se pas bombardimit nga largësia, në oborr të familjes Jasharaj kishin hyrë disa autoblinda të policisë. Z. Gjergji tha se nga kjo pikë, rreth 1,5 larg në vijë ajrore, dukej se shtëpitë e kësaj familjeje ishin djegë tërësisht. 
Nëpër terrin e mbrëmjes që po binte mbi Mikushnicë, dhjetëra familje me gra, pleq e me fëmijë po udhëtonin në drejtim të panjohur, ndërsa shtëpitë e Prekazit digjeshin flakë, tha z. Gjergji.

 

Policia serbe pranon se i vrau sot sëpaku 20 shqiptarë

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Ministria serbe e punëve të brendshme lëshoi sonte një komunikatë, në të cilën thuhet se në fshatin Prekaz i Ulët afër Skënderajt, policia serbe vrau sot 20 shqiptarë, të cilët në komunkatë cilësohen si “terroristë të përbetuar”. 
Në komunikatë thuhet se nga radhët e policisë janë vrarë dy e janë plagosur lehtë katër policë. 
Në këtë komunikatë nuk njoftohen emrat e shqiptarëve të vrarë, as emrat e policëve. I vetmi emër që përmendet në kumtesë është emri i Adem Jasharit, për të cilin thuhet se “u ka prirë bandave terroriste” dhe i cili pandehet si përgjegjës për vrasjen e “patriotëve” serbë e shqiptarë! Por nuk thotë asgjë nëse ai është gjallë a i vdekur. 
Në kumtesë thuhet se policia po vazhdon me ndjekjen dhe kapjen e “terroristëve” të tjerë.

 

R. Gjergji e B. Musmurati qëndruan në Vushtrri

Prishtinë, 5 mars (QIK)
Anëtarët e Kryesisë së LDK-së dr. Rexhep Gjergji dhe Basri Musmurati qëndruan sot pasdreke në Vushtrri. Ata biseduan me udhëheqjen e Degës së LDK-së. 
Nga drejtuesit lokalë të LDK-së u kërkua që të jenë të mobilizuar për të përballuar këtë gjendje të rëndë. Veçanërisht është kërkuar që të jenë të angazhuar për pranimin dhe strehimin e njerëzve që po largohen nga shtëpitë e tyre nga disa fshatra të Drenicës.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1989-A

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

Edicioni i parë (Ora 8:00)

 

Rifillon sulmi në Prekaz, të shtëna edhe në Rakinicë e në Açarevë

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Në fshatrat e Drenicës që kishin qenë objekt i ekspeditës terroristike të forcave serbe, edhe gjatë natës pati krisma të herë pas hershme. Kurse në mëngjes sot rifilloi një sulm kundër fshatit Prekaz. Njoftimet nga fshatrat përreth thonë se forcat serbe po qëllojnë shtëpitë në lagjen Jasharaj, të cilat kishin mbetur pa u rrënuar gjatë sulmit të djeshëm. Një burim nga Llausha tha në mëngjes se dy autobus me policë i janë afruar fshatit Prekaz. Nga Mitrovica njoftohet se në drejtim të Skënderajt kanë shkuar sot forca serbe. Edhe nga Gllogoci ka njoftime se në drejtim të Skënderajt kanë shkuar dy autobusë me policë dhe dy autoblinda.
Të shtëna dëgjohen edhe nga Rakinica e Açareva.
Njoftimet nga Mitrovica e Vushtrria flasin për qindra familje të larguara nga fshatrat e Skënderajt dhe Vushtrrisë që janë afër caqeve të sulmeve serbe. Disa familje të larguara nga shtëpitë e veta kanë arritur edhe në Lipjan, Shtimje e në Gllogoc.

 

Nga Prekazi asnjë lajm

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Burimet e policisë serbe njoftuan mbrëmë për 20 shqiptarë të vrarë në Prekaz gjatë ekspeditës së djeshme terroristike. Nga burimet shqiptare nuk ka ende lajme për pasojat e terrorit të djeshëm serb. Për shkak të pranisë së madhe të forcave serbe, lëvizja e njerëzve ka qenë gati e pamundur.
Dr. Rexhep Gjergji dhe Basri Musmurati, anëtarë të Kryesisë së LDK-së qëndruan mbrëmë në një pikë prej ku mund të shiheshin zhvillimet në Prekaz. Z. Gjergji i tha QIK-ut se në mbrëmje disa shtëpi të lagjes Jashari po digjeshin flakë nga zjarri i shkaktuar prej predhave të forcave serbe.

(Ora: 8,00)

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1989 B

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

Edicioni i dytë (ora 9:50)

 

Po shtrëngohet rrethimi i Llaushës

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Forca të mëdha serbe po e shtrëngojnë sot rrethimin e fshatit Llaushë. Një burim i LDK-së nga ky fshat i tha QIK-ut në orën 9,00 se forcat serbe po përparojnë nga anë të ndryshme drejt fshatit.
Në Llaushë kanë mbetur gra e fëmijë, prandaj pasojat e masakrës serbe mund të jenë të tmerrshme, tha ai.

 

Numri i të vrarëve disafish më i madh

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Së paku 50 shqiptarë janë vrarë gjatë ekspeditës terroriste serbe kundër Prekazit.
Druhet se gjatë kësaj ekspedite kanë pësuar anëtarët e familjes së Shaban Jasharit, duke përfshirë edhe fëmijët.
Dëshmitarët thanë mbrëmë se kjo shtëpi ishte djegë deri në themel.
Familja e Shaban Jasharit është sulmuar edhe më 22 janar, kur janë plagosur dy vajza të kësaj familjeje.

(Ora: 9:50).

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1989-C

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

Edicioni i tretë (ora 10:30)

 

Filloi sulmi masiv kundër Llaushës

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Një burim i LDK-së nga fshati LLaushë i tha QIK-ut me telefon se në orën 10:20 filloi një sulm masiv i forcave serbe kundër këtij fshati.
Kundër fshatit po shtihet me armë të rënda nga pozicione të ndryshme, si nga Prekazi, Klina e Ulët, e tjerë.
Në orën tetë i njëjti burim i pat thënë QIK-ut se në këtë fshat ka kryesisht gra e fëmijë, pasi burrat ishin larguar gjatë natës.

(Ora 10:30).

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1989 D

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

 

Qendrat e njohura televizive botërore për aksionet e forcave policore e ushtarake serbe në Kosovë

Prishtinë, 5 mars (QIK)

Qendrat e njohura televizive ngjarjeve tragjike në Kosovë ku nga forcat policore e ushtarake serbe pati shumë të vrarë e të plagosur në fshatrat e Skënderajt, i kushtuan vëmendje të posaçme me emisione speciale.

Në emisionet e rrjetit të njohur televiziv CNN, reporteri special që po qëndron në Kosovë konstatonte një shkallë të lartë të dhunës policore në fshatrat e Drenicës ku janë angazhuar mijëra forca të policisë, ku janë vënë në përdorim armët artilerike, makina të rënda ushtarake e bombardime me helikopterë. Sipas këtyre informatave, veçmas në dy fshatra shqiptare në zonën 40 kilometra nga Prishtina është vënë në përdorim artileria e rëndë. Në këto informata theksohej se operacioni në shkallë të gjerë ka nisur herët në mëngjesin e djeshëm duke pasuar kështu dhunën e përgjakshme të fundjavës së kaluar të cilën CCN e cilëson si gjakderdhje më të rëndë.

Ndërkohë që në terren situata është përtej mase e tendosur janë shtuar përpjekjet në planin diplomatik ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas CNN-it Evropa duhet ta detyrojë Beogradin të njohë të drejtat e mohuara të shqiptarëve prej kur regjimi serb kishte suspenduar me dhunë autonominë e tyre.

Sekretarja amerikane Medlin Ollbrajt para takimit të Londrës shprehu shqetësimin e Uashingtonit për situatën në Kosovë. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë Millosheviqit, tha ajo, se zhillimet në Kosovë janë parakusht për të hequr “murin e jashtëm” të sanksioneve ndërkombëtare kundër vendit të tij dhe se përdorimi i forcës për zgjidhjen e krizës vetëm sa do ta thellojë edhe më izolimin e regjimit të tij.

Ndërkohë në edicionin e pasditës, CNN njoftonte se trupat qeveritare të armatosura jugosllave kanë sulmuar 12 fshatra kosovare duke masakruar banorët dhe duke i vënë zjarrin shtëpive.

Policia serbe ka konfirmuar se po kontrollon çdo shtëpi për armë gjë që ka çuar në përplasjen e patrullave të policisë.

Po kështu një informacion i rrjetit televiziv “Euro-Njuz” bënte të ditur se gjatë natës flaka ka përfshirë Prekazin dhe fshatrat përreth dhe se shumë banorë janë larguar prej shtëpive të tyre në drejtim të veriut. Në këto informacione të këtij rrjeti televiziv theksohej se Ministria e Brendshme jugosllave ka konfirmuar fillimin e operacionit të policisë në Drenicë. Millosheviqi, konstaton “Euro-Njuzi” nuk po heq dorë nga represioni në Kosovë megjithë thirrjet e reja të komunitetit ndërkombëtar e sforcimeve diplomatike për evitimin e një rishpërthimi në Ballkan, thuhej në fund të kësaj përmbledhjeje për ngjarjet e hidhura në Kosovë të transmetuara në Televizionin Shqiptar.

 

Ushtria as nuk e konfirmon as nuk e demanton pjesëmarrjen e saj në sulmet në Drenicë

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Kryeshefi i shërbimit të ushtrisë jugosllave për informim, koloneli Milivoje Novkoviq dje nuk mundi të konfirmojë infomatën se ushtria po merr pjesë në aksionet e policisë në fshatrat e Drenicës, njofton agjencia “Beta”.

“Këtë nuk mund ta konfirmoj. Nuk kam informacione të tilla”, i tha Novkoviq kësaj agjencie.

Agjencitë e jashtme dje kanë njoftuar se helikopterët ushtarakë kanë marrë pjesë në aksionet e policisë në rajonin e Drenicës.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr. 1989 E

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

 

Vazhdojnë sulmet në disa lagje të Prekazit

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Një dëshmitar nga Vushtrria, që kishte arritur t’i afrohej Prekazit, si edhe burimet e LDK-së në Llaushë të Skënderajt dhe në Mitrovicë bëjnë të ditur se në disa lagje të fshatit Prekaz i Ulët po vazhdojnë ende sulmet e forcave serbe.

Thuhet se në lagjen e Brahovit po digjen katër shtëpi nga zjarri i shkaktuar prej predhave. Një shtëpi thuhet se është rrënuar deri në themel.

 

Llausha mbahet në rrethim

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Një burim i LDK-së nga Llausha i tha përmes telefonit QIK-ut se fshati po mbahet në një rrethim të rreptë të forcave serbe që po përparojnë ngadal drejt fshatit.

Ky burim tha se herë pas herësh forcat serbe shtijnë me armë.

Brenda në fshat gjendja është shumë e rëndë. Aty kanë mbetur gra, fëmijë e pleq që nuk kanë mundur të largohen për shkak të rrugëve që mbahen prej dy ditësh të mbyllura nga forcat serbe.

Nga Llausha mirret vesh se sot vdiq Miftar Rreci, i cili u plagos dje afër shtëpisë së tij nga të shtënat e forcave serbe.

 

Në Mitrovicë kanë arritur rreth 1000 të larguar nga Drenica

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Komisioni për Informim i LDK-së në Mitrovicë njofton se në këtë komunë, sidomos në vendet Ura e Gjakut, Braboniq, Vaganicë dhe në vetë Mitrovicën janë vendosur rreth 1000 persona, të larguar nga fshatrat e Drenicës.

 

Mbi 450 veta, të ikur nga Drenica, janë vendosur në fshatrat e Fushë Kosovës

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Dje, nga orët e mesidtës në komunën e Fushë Kosovës filluan të arrijnë familjet nga fshatrat përreth fshatarve të sulmuara në Drenicë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Sipas një njoftimi të NDKMLNJ në Fushë Kosovë, në Miradi e Ulët të kësaj komune janë vendosur 120 veta të ikur nga fshatrat e Drenicës, në Sllatinë të Madhe – 81 anëtarë, në Bardh të Madh – 60 gra e fëmijë, në Grabovc të Epërm – 80 gra e fëmijë, në Fushë-Kosovë – 58, në Miradi të Epërme – 5 familje, në Pomozotin – 20 gra e fëmijë etj.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1989 F

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

Edicioni i gjashtë (ora 13:30)

 

Forcat serbe kërcënohen me masakër ndaj familjeve të lagjes Lushtaku e Kadriaj

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Në një bisedë telefonike prej Prishtinës me motrën e tij afër Prekazit të Ulët, Zenë Lushtaku nga Prekazi mirret vesh se forcat serbe kanë hyrë në lagjen Lushtaku me 70 shtëpi dhe në lagjen Kadriaj 50. Druhet se forcat serbe po terrorizojnë popullsinë që nuk ka mundur të largohet nga ky fshat.
Z. Zena i tha QIK-ut se familja e tij ka 30 anëtarë.
Ai druan se forcat serbe do të masakrojnë anëtarët e familjes së tij dhe të familjeve të tjera, njësoj si në Likoshan të Drenicës më 28 shkurt e 1 mars kur u vranë dhe u masakruan 24 shqiptarë në shtëpitë e tyre.
Dëshmitarja afër Prekazit tha me telefon se në këto lagjhe kanë hyrë forcat serbe me autoblinda, tankse e mjete të tjera.
Në një lajm të mëhershëm thuhej se në këtë fshat, në lagjen Brahovit po digjeshin katër shtëpi.

Ora:13,30.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1989 G

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

Edicioni i gjashtë (ora 15:00)

 

Re tymi nga fshati Prekaz

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Një burim i LDK-së që pati mundësinë të kontaktonte me një dëshmitar afër Prekazit tha se nga lagjet e Jasharajve, Kadriajve dhe Lushtakëve po dalin shtullunga tymi. Dëshmitari tha se krismat janë të fuqishme dhe të parreshtura.

Para dy orësh një burim tjetër që mund ta shihte fshatin më nga afër kishte njoftuar se forcat serbe kishin hyrë në lagjen e Kadriajve dhe të Lushtakëve.

Ndërsa në një pjesë të lagjes së Jasharjve forcat serbe kishin hyrë qysh dje.

Nga Skënderaj bëhet me dije se krismat po dëgjohen edhe në fshatin Llaushë.

 

Në fshatrat e Lipjanit janë vendosur mbi 250 të ikur nga Drenica

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Në fshatrat Shalë, Krojmir e Pjetërshticë të Lipjanit dje arritën shumë banorë të Drenicës, që ikën nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmit serb. Na Shalë janë vendosur rreth 150 veta, kryeysisht gra dhe fëmijë, të ardhur nga fshatrat Krajkovë, Vukovc, Koroticë, Komoran, Baicë e Elshanit, Tërstenik, Zabel, si dhe nga vetë qyteti i Gllogocit.

Numër përafërisisht i njëjtë i të ikurve janë të vendosur edhe në Krojmir e Pjetërshticë.

KI i Degës së LDK-së në Lipjan thekson se arsye e ikjes së tyre më shumë ishte paniku, ngase ata nuk ndodheshin në rrezik të drejtpërdrejtë.

Pas vendosjes së kontaktit me kryefamiljarët e mbetur atje, vërehet një shtendosje dhe një tendencë e kthimit të sërishëm prej nga kanë ardhur, thuhet në njoftim.

Ora:15,00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1989 H

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

Edicioni i tetë (ora 17:00)

 

Vazhdon sulmi serb në fshatrat e Drenicës

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Një burim i LDK-së në Mitrovicë, që kishte kontaktuar rreh orës 15.30 me telefon me Llaushën, tha se forcat serbe, të barrikaduara rreth fshatit, po vazhdojnë të shtijnë mbi fshatin Llaushë dhe çdo moment pritet që ato të hyjnë në fshat. I njëjti burim tha se në Llaushë ka të vrarë dhe të plagosur.
Njoftohet gjithashtu se forcat serbe kanë sulmuar sot Açarevën e sidomos Vojnikun.

 

Vazhdon sulmi në Prekaz, fshatrat përreth të boshatisura

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Një djalosh 21 vjeçar nga fshati Oshlan kishte mbërritur sot rreth orës 12 të depërtonte deri në Prekaz të Ulët në vendin e quajtur “Vorret e Brahovit”.
Sipas një deklarate të tij, që e përcjell KI i Degës së LDK-së në Vushtrri, ai kishte parë duke u djegur katër shtëpi, njëra prej të cilave ishte e rrënuar në tërësi.
Sipas tij, rreth mesditës të shtënat artilerike ishin më të pakta, ndërsa ai kishte parë katër autoblinda dhe një top, të vendosura afër njëra tjetrës.
Fshatrat Prekaz i Epërm, Mikushnicë, Lubovec dhe Galicë, nëpër të cilat ai ka kaluar, pothuaj janë të boshatisura krejtësisht nga banorët.

 

Shumë të ikur nga Drenica janë vendosur në fshatrat e Vushtrrisë

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Shumica e banorëve të fshatrave të Drenicës që kanë ikur nga terrori serb janë vendosur në komunën e Vushtrrisë.
Burimet e LDK-së në këtë komunë, duke cituar dëshmitarë thonë se në fshatin Oshlan të Vushtrrisë janë rreth 700 veta të ikur nga Drenica, në mesin e të cilëve ka edhe disa të plagosur.

 

Lëvizje të kolonave ushatarako-policore në drejtim të Mitrovicës

Prishtinë, 6 mars (QIK)
Mbrëmë në orët e vona qytetarët kanë parë duke kaluar magjistrales Prishtinë-Mitrovicë 20 autobusa me regjistrim të Beogradit dhe një kolonë me autoblinda, që kanë shkuar në drejtim të Mitrovicës.

(Ora: 17,00)

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1989 I

Prishtinë, e premte, 6 mars 1998

Edicioni i nëntë (ora 19:00)

 

Vazhdon sulmi në Prekaz, të shtëna me snajper në Llaushë

 Prishtinë, 6 mars (QIK)

Një njoftim i orës 18 nga Llausha njoftonte se ky fshat po vazhdon të mbahet i rrethuar nga forcat serbe.

Në drejtim të banorëve të këtij fshati po shtihet herë pas here me snajper. Është shtirë në drejtim të tre qytetarëve por për fat ata nuk janë qëlluar. Ka herë pos here edhe të shtëna nga pushkët automatike, ndërsa kulmi i një shtëpie në afërsi të xhamisë është qëlluar disa herë.

Nga fshati janë evakuuar një pjesë e banorëve, por nuk kanë arritur të largohen shumë nga shtëpitë për shkak të rrethimit të fortë të fshatit.

Ndërkohë, varrimi i Miftar Rrecit, i cili vdiq sot pasi u plagos dje nga forcat serbe, në këtë gjendje rrethimi të fshatit, nuk ka mundësi të bëhet.

I një burim tha se nga drejtimi i Prekazit ende dëgjohen detonacione dhe të shtëna.

Mësohet se në Skënderaj forcat serbe kanë qëlluar mbi dy rome dhe dy fëmijë të tyre, prej të cilëve vetëm një ka shpëtuar.

 

Dëshmi e Riad Jasharit që arriti t’i ikte vrasjes

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Riad Jashari (17) nga Prekazi, që ka arritur të dalë nga rrethimi dhe është strehuar momentalisht në fshatin Oshlan i ka shpjeguar një gazetari të huaj rrjedhën e ndërhyrjes së forcave serbe.

Ai ka deklaruar se në momentin e ndërhyrjes së forcave të maskuara serbe, në shtëpinë ku ndodhej ai ishin 30 anëtarë të familjes, të cilët forcat serbe i kanë detyruar të dalin një nga një nga shtëpia. Forcat serbe kanë vrarë në vend dy nga tre burrat sa ndodheshin gjithsej në shtëpi, ndërsa njëri prej tyre ka mbetur aty i plagosur.

Djaloshi, që kishte dalë nga shtëpia i maskuar me rroba femrash, ishte vërejtur nga forcat serbe dhe ishte qëlluar e ishte plagosur, por megjithatë kishte arritur të shpëtojë.

 

Policë serbë në malet e fshatrave Broboniq e Lushtë

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Që nga orët e para të ditës së djeshme, në Broboniq e Lushtë, fshatra të komunës së Mitrovicës në kufi me Skënderajn, janë vendosur policë serbë.

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë thekson se policia ende qëndron në malet e këtyre fshatrave.

 

Policia nga shtëpitë e shqiptarëve shtin kundër banorëve që lëvizin në oborret e tyre

Prishtinë, 6 mars (QIK)

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë, duke cituar anëtarë të KMDLNJ-së që arritën sot të depërtojnë deri në afërsi të Prekazit, njoftoi se disa minuta para orës 11 policia filloi sulmin kundër lagjes Jasharaj dhe lagjeve në afërsi të saj.

Njoftimi thekson se duke pasur parasysh sulmet e bëra nga forcat policore dhe ushtarake numri i të vrarëve dhe të plagosurve mund të jetë i madh.

Po ky burim njofton se sot rreth orës 8,15 në Lushtë të Mitrovicës policia shtiu me automatik në drejtim të Ismet H.Hasanit (38).

Po sot, rreth orës 10,20 nga postblloku i policisë në Klinë të Epërme një polic shtiu me snajper katër herë në drejtim të Aziz B.Bajraktarit (43), i cili ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij.

Në këtë fshat policët u vendosën në shtëpinë e Ahmet B.Bajraktarit (47). Policët shtinë me armë në drejtim të shtëpive shqiptare ku vërejnë njerëz duke lëvizur.

Policia është vendosur edhe në shtëpitë e Ismet Bekteshit, Fekë Kadriut e Ismet Osmanit në Klinë të Poshtme si dhe në Fabrikën e Tjegullave në Skënderaj.

 

Policia plagosi Raif Bajramin dhe shtiu drejt dy vajzave të tij

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Dje rreth orës 10,30, forcat serbe plagosën me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij Raif B. Bajramin nga Klina e Poshtme e Skënderajt, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia shtiu edhe në drejtim të vajzave të tij Safetes (20) e Havës (16) por për fat nuk i qëlloi.

 

Në Vojtesh u gjuajtën me snajper dy qytetarë, njëri mbeti i shtrirë

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Sot rreth orës 10, në Vojtesh policia shtiu me snajper në drejtim të Fatmir R.Bajraktarit dhe një plaku me emrin Ilaz, nga Prekazi.

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se pas të shtënave, plaku mbeti i shtrirë ndërsa Fatmiri ia doli të ikë.

 

Rreth 2000 të larguar në Vushtrri

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Dega e LDK-së në Vushtrri njoftoi sot pasdreke se rreth 2000 shqiptarë që janë larguar nga disa fshatra të Drenicës kanë arritur në Vushtrri dhe janë vendosur nëpër familjet e  Oshlanit dhe të qytetit.

Një numër i madh i të larguarve nga shtëpitë e veta është vendosur edhe në Mitrovicë.

Duke e parë largimin nga shtëpitë si pasojë të panikut dhe si rrezik të filimit të spatsrimeve etnike, po shtohen zëra që njerëzit jo vetëm të qëndrojnë në shtëpitë e veta dhe që ata që janë larguar dje dhe sot të fillojnë të kthehen në vatrat e tyre. 

 

Xh. Mustafa: Prekazi po digjet flakë

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Gjatë gjithë ditës kanë vazhduar aksionet policore që filluan dje në mëngjes kundër fshatrave të Drenicës, veçmas kundër Prekazit, tha në një konferencë për gazetarë në orën 18:00 Xhemail Mustafa, Këshilltar për informim i Kryetarit të Republikës së Kosovës. Ai tha se njoftimet më të fundit thonë se ky fshat po digjet në flakë dhe se disa lagje të tij tashmë janë rrënuar.

Edhe, njoftimet më të reja bëjnë me dije se forcat serbe po sulmojnë edhe Llaushën, Vojnikun e Açarevën, të cilat po ashtu tash 24 orë vazhdojnë të jenë në qendër të aksionit të forcave serbe. 

Ai tha se si pasojë e këtij terrori me dhjetëra shqiptarë janë vrarë dhe janë plagosur, ndërsa familje të tëra, veçmas gra e fëmijë, kanë braktisur shtëpitë e tyre për t’u strehuar në fshatrat e komunave përreth, si në Vushtrri, Mitrovicë, Fushë-Kosovë e gjetiu.

Në vazhdim Xhemail Mustafa tha se disa funksionarë të lartë të LDK-së i kanë vizituar mbrëmë vonë disa nga këto familje. Ata theksojnë se gjendja e tyre është tepër e rëndë, si pasojë e tmerreve që kanë përjetuar gjatë ditëve të fundit. Këto familje kanë nevojë për ndihmë në të gjitha aspektet. Prandaj, është i domosdoshëm një që të krijohet një koridor humanitar në këtë rajon të Kosovës.

Z. Mustafa tha se nëpërmjet terrorit të tashëm shtetëror në Kosovë regjimi i Beogradit dëshiron të dëbojë sa më shumë shqiptarë nga Kosova dhe që pjesën e mbetur ta nënshtrojë politikisht dhe ta detyrojë që të heqë dorë nga vullneti për pavarësinë e Kosovës.

Në vazhdim, dr. Rexhep Gjergji, anëtar i Kryesisë së LDK-së e përshkroi qëndrimin e tij dhe në Basri Musmuratit në Vushtrri dhe afër Prekazit të Ulët.

 

LDK: Mos i braktisni shtëpitë

Prishtinë, 6 mars (QIK)

Forcat serbe kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme masakrimin e popullsisë së disa fshatrave të Drenicës dhe se në gjendje veçanërisht të rëndë janë të plagosurit e shumtë dhe të evakuuarit nga zonat e sulmuara, thuhet në komunikatën e Kryesisë së LDK-së.

Ajo i bën thirrje popullatës në Krahinën e Drenicës që të mos i braktisë në panik shtëpitë, kurse evakuimi i domosdoshëm i familjeve të bëhet në mënyrë të organizuar.

I sugjerohet Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit që në bashkëpunim me organet kompetente të arsimit dhe në propozim të tyre, në komuna, ndërprerje të përkohshme të mësimit të ketë vetëm atje ku rrethanat e kërkojnë një gjë të tillë.

Kryesia e LDK-së fton të gjithë ata që duan të ndihmojnë popullsinë e goditur në Drenicë që mjetet financiare t’i derdhin me dedikim për ndihmë, në Fodin e Republikës jashtë dhe në Këshillat e financimit brenda, kurse ndihmat në ushqim, veshmbathje e medikamente, në institucionet humanitare të Kosovës.

Në komunikatë bëhet thirrje që popullata të mos mbetet pa artikuj elementarë të konsumit të përditshëm, kurse tregtarët ftohen që dyqanet të mbahen të hapura dhe çmimet të mos ngriten në këto çaste të rënda.

Ora:19,00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1990 A

Prishtinë, e shtunë, 7 mars 1998

Edicioni i parë (ora 12:00)

 

Pas sulmit të armatosur, vazhdon aksioni i pacifikimit të Drenicës

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Gjendja në Drenicë, sidomos në fshatrat Prekaz i Ulët e në LLaushë të Skënderajt është shumë e rëndë. Rajoni po mbahet në gjendje të shtetrrethimit të plotë. Nuk lejohet hyrja e njerëzve, as e veprimtarëve politikë, as a atyre humanitarë, as hyrja e mjekëve, as shkuarja e gazetarëve shqiptarë e të huaj. Me një fjalë aksioni terrorist serb vazhdon, sot në një formë të re. Pra është gënjeshtër e kulluar deklarata e policisë serbe se aksionii forcave serbe ka përfunduar.

Burimet nga një fshat afër Prekazit dhe nga LLausha i thanë QIK-ut në mëngjes se nga mbrëmja dhe sot nuk kishte sulme të armatosura. Mirëpo banorët kanë mbetur të ngujuar dhe pa ushqime. Të plagosurit janë pa kurrëfarë ndihme. Ka shumë kufoma nëpër dhoma, oborre, rrugë e ara. Në Llaushë, ku pas plagosjes së pardjeshme vdiq Miftar Rreci, i cili vdiq dje, kufoma ka mbetur e pavarrosur. Mund të paramendohet se çfarë situate është në Prekaz. 

Qëndrimi i regjimit serb është i tmerrshëm. As pas bombardimeve dy ditëshe nuk ka lejuar kurrëfarë ndihme për njerëzit e plagosur, për gratë, për pleqt, fëmijët.

QIK-ut i tha mbrëmë një burim se punëtorët e spitalit të Skënderajt kanë mbetur të ngujuar, pa guxuar të dalin qe disa ditë.

Ndërkohë forcat serbe po veprojnë me të gjitha mënyrat në favor të spastrimit etnik, të largimit të njerëzve nga vatrat e tyre. Rreth 5000 shqiptarë: gra, fëmijë e pleq janë vendosur në fshatrat e Mitrovicës e të Vushtrrisë.

Gjatë natës dhe sot ka pasur lëvizje të forcave serbe, në funksion të ripërtritjes. Nga Mitrovica në Skënderaj në orën 7:30 kanë shkuar 6 xhipa dhe një veturë “Niva” me targë të Kragujevcit e të Kralevës nga Serbia. Në këto automjete shkuan dhjetëra serbë me mjekërra dhe flokë të gjata. Ndërsa në orën 9:30 nga Skënderaj për në Mitrovicë shkuan tre autobus me policë. Pra ka ndërrim ose ripërtritje të forcave. Nga Prishtina për në Mitrovicë ka fluturuar shpesh një helikopterr, ndërsa gjatë ditës së djeshme mbi Drenicë kanë qenë të shpeshta fluturimet e aeroplanëve.

Do të thotë nuk janë të sakta njoftimet e regjimit serb që e shpalli të përfunduar sulmin terrorsitik kundër fshatit Prekaz. Lajmi i rrejshëm dhe ndërprerja e përkoshme e sulmeve me armë të rënda mund të jenë në funksion të mashtrimit të opinionit ndërkombëtar pas reagimit të tij të fuqishëm. Mirëpo, duhet të shpresohet se bashkësia ndërkombëtare është mësuar me gënjeshtrat e regjimit serb dhe të kryetarit të tashëm të Jugosllavisë së vetëshpallur Sllobodan Millosheviq.

Policia serbe sot e mban nën kontroll të rreptë jo vetëm Drenicën, por edhe komunat rreth saj. Në Vushtrri, për shembull, sot janë ndaluar një ekip i gazetarëve të huaj.

 

Në Mitrovicë mbi 2000 të ikur nga Drenica

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton për gjithsej 2.086 të ikur nga fshatrat e Drenicës, që janë vendosur në këtë qytet dhe në fshatrat e kësaj komune.

Në lagjen Tavnik janë vendosur 53 familje me 360 anëtarë, në kagjen “Ura e gjakut 36 familje me 252 anëtarë, në lagjen “Ibri” 3 familje me 22 anëtarë, ndërsa në lagjen “Qendra” 8 familje me 48 anëtarë.

Ndrësa, në fshatin Zhabar janë vendosur 61 familje me 231 anëtarë, në Shipol 31 familje me 301 anëtarë, në Vaganicë 39 familje me 329 anëtarë, në Bare 16 familje me 55 anëtarë, në Kçiçi të Madh 12 familje me 83 anëtarë, në Pirç 37 familje me 318 anëtarë, në Verrnicë 24 familje me 143 anëtarë, dhe në Broboniq 50 familje me 304 anëtarë.

Në njoftim theksohet se numri i të ikurve nga Drenica, që janë vendosur në komunën e Mitrovicës është më i madh.

Ora:12,00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1990 B

Prishtinë, e shtunë, 7 mars 1998

Edicioni i dytë (ora 13:30)

 

Skënderaj kërkon mbrojtje e ndihmë

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Një burim i LDK-së në fshatin Llaushë i tha QIK-ut në orën 12:30 se nga ky fshat janë vrarë: Miftar Rrecaj, Sadik Kaçkini (46) dhe një grua me dy fëmijët e saj, Gazmend Gashin (15) dhe Shukrije Gashin (13).

Miftar Rrecaj u varros mbrëmë nëpër terr për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë që po shtijnë në secilin njeri që lëviz. Edhe gjatë ceremonialit të varrimit, një snajperist serb kishte shtënë kundër pjesëmarësve.

Ky burim tha se deri më tash janë gjuajtur me snajper gjashtë persona nga Llausha.

Nga Skënderaj mirret vesh se 18 anëtarë të familjes Jasharaj që ishin mbajtur në arrest në oborrin e Fabrikës së Municionit në Skënderaj janë liruar sot. Në mesin e tyre ka persona me moshë prej 2 muaj deri në 76 vjet. Të gjithë ata janë vendosur në Skënderaj.

Në Skënderaj druajnë se numri i të vrarëve në Prekaz dhe në Skënderaj është më i madh se 50, sa ishte pohuar dje nga burimet e LDK-së në Skënderaj. Numri i të plagosurve mund të jetë edhe më i madh.

Gjendja në Skënderaj është shumë e rëndë dhe e rrezikshme. Nga Prekazi janë dëgjuar sot të shtëna në mëngjes. Ndërsa në fshatrat Açarevë dhe Vojnikë ka pasur një shpërthim në orën 8:30.

Në vetë qytezën e Skënderajt sot nuk ka kurrfarë lëvizjesh, me përjashtim të lëvizjes së policëve të shumtë.

LDK në Skënderaj dhe organizimet e saj në Llaushë i bëjnë thirrje dramatike opinionit ndërkombëtar që të ndërmarrë çdo gjë që është e nevojshme për të ndërprerë këtë sulm terrostik të forcave serbe, që ka për qëllim final spastrimin etnik të rajonit dhe pastaj edhe të Kosovës.

Mënyra e përgatitjes së sulmit, metodat e përdorura gjatë sulmit dhe qëllimet e tij janë të ngjashme me taktikat e përdorura në Bosnjë, të cilat i njeh mirë bota dhe për të cilat sot gjykohen në Hagë akterët e tyre.

Dega e LDK-së në Skënderaj u bën thirrje shoqatave humanitare nga Kosova e mjekëve shqiptarë si edhe shoqatave humanitare ndërkombëtare që të depërtojnë deri në Drenicë dhe në fshatrat e sulmuara për të shpëtuar të plagosurit e për të varrosur të vrarët.

Kjo degë u bën thirrje gazetarëve që të depërtojnë në rajon për ta parë mizoritë e forcave serbe.

Dega e LDK-së u bën thirrje qytetarëve të Drenicës që përkundër ekspeditave terroristike e masakruese serbe, të mos lëshojnë vatrat e tyre shekullore, pasi në këtë mënyrë njerëzit e ndihmojnë realizimin e planit serb të spastrimit entik të Drenicës dhe të serbizimit të saj.

 

Dihet identiteti i së paku 25 të vrarëve në Prekaz e në Llaushë

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Nga burimet e QIK-ut në Vushtrri, Skënderaj, Llaushë, Mitrovicë dhe nga burimet e “Bujkut” deri më tash dihet se janë vrarë këta persona: Nazmi Jashari (27), Qazim Jashari, mësues së bashku me djalin e tij, Zukë Jashari 67-vjeç, Sherif Jashari 46 vjeç, Shaban Jashari, 76-vjeç, Habib Jashari, Faik Jashari, Ali Jashari dhe një person me prejardhje nga Luboveci, që ka shtëpinë në fshatin Prekaz, Zenë Jasharit i është vrarë gruaja (43) dhe djali Abdullahu, janë vrarë dy kushërirë të tij, është vrarë Halit Jashari me të shoqen, janë vrarë dy djem të Zymber Jasharit dhe disa fqinjë të tij, ka vdekur nga shoku Hamide Jashari (70) që të gjithë nga Prekazi.

Në Llaushë janë vrarë Miftar Rrecaj, Sadik Kaçkini (46) dhe një grua me dy fëmijët e saj: Gazmend Gashin (15) dhe Shukrije Gashin (13).

 

U liruan tre të arrestuar nga familja Jashari

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Dje, rreth orës 9, policia dhe ushtria serbe në lagjen Jasharaj në Prekaz të Poshtëm arrestoi një numër të banorëve. Pasi ua mbylli sytë, ata i dërgoi në objektin e Fabrikës së Municionit në Skënderaj.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, duke u mbështetur në burimet e veta në Skënderaj, njofton se ndër të arrestuarit ishin edhe Naser Aziz Jashari (36), profesor i gjeografisë, Bekim Bahtir Jashari (26), së bashku me gjyshen, dy gratë e axhallarëve dhe 14 fëmijë, si dhe Maliq Ragip Jashari së bashku me të renë dhe tre fëmijë.

Në momentin kur policia arrestoi anëtarët e familjes së Maliq Jasharit nga tmerri dhe terrori psikik vdiq bashkëshortja e tij Hamide Jashari (70). Trupi i saj mbeti në shtëpi.

Policia pasi ua mbuloi kokën me batanije Naserit, Bekimit e Maliqit i ndau nga anëtarët e tjerë të familjeve dhe i dërgoi në stacionin e policisë në Skënderaj.

Në hyrje të këtij stacioni rrinin gati policë me thika në duar, por ata nuk i përdorën thikat, pasi njëri nga policët që i kishte arrestuar tre Jasharajt u tha se te këta nuk kishin gjetur armë. Këta të tre ishin mbajtur në stacionin e policisë në Mitrovicë dhe ishin keqtrajtuar brutalisht. Që të tretë janë liruar sot.

 

Shtëpia e shëndetit në Skënderaj jashtë funksionit

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Shtëpia e Shëndetit në Skënderaj është plotësisht jashtë funksionimit të saj dhe se në të, siç ka deklaruar mjeku kujdestar këtu, sot dy ditë nuk ka pasur asnjë pacient, ndërsa vturat e ndihmës së shpejtë janë urdhëruar që të mos nxirren jashtë, njofton “Bujku”.

Ora:13:30.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1990 C

Prishtinë, e shtunë, 7 mars 1998

Edicioni i tretë (ora 15:00)

 

U arrestuan Këshilltari i Kryetarit Rugova dhe dy anëtarë të Kryesisë së LDK-së

Prishtinë, janar (QIK)

Prof. Dr. Alush Gashi, Këshilltar për shëndetësi dhe çështje humanitare i Kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe dr. Rexhep Gjergji e Basri Musmurati, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, u arrestuan sot nga policia serbe në Vushtri, bashkë me vozitësin Lulzim Makolli.

Këshilltari Gashi dhe drejtuesit e LDK-së ishin nisur për në Mitrovicë e Skënderaj me qëllim që të njoftoheshin me gjendjen më të re në këtë pjesë të Kosovës pas aksioneve terroristike të forcave serbe në disa fshatra të Drenicës deh largimit të disa mijëra shqiptarëve nga vatrat e tyre.

Ora:15,00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1990 D

Prishtinë, e shtunë, 7 mars 1998

Edicioni i katërt (ora 18:00)

 

Lëvizje të forcave serbe në Skënderaj e rrethinë

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Një burim nga Llausha njoftoi përmes telefonit rreth orës 17 se në këtë fshat gjendja është diç më e qetë dhe se gjatë pasdites nuk janë dëgjuar të shtëna.

Ai tha se të shtëna janë dëgjuar gjatë paradites nga drejtimi i Prekazit, si dhe Turiçecit e Vojnikut, ku janë plagosur dy veta, babë e djalë.

Po sipas këtij burimi sot vërehet një prezencë diç më e vogël e forcave serbe në Skënderaj, por vërehen edhe shkuarje-ardhjet e policisë në drejtim të Mitrovicës e Gllogocit.

 

Konferencë shtypi: Prekazi e Llausha mbahen të rrethuara – sulmohen shtëpitë e Jasharajve

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Këshilltari për Informim i Kryetarit Rugova, Z. Xhemajl Mustafa, foli para gazetarëve për gjendjen më të re në rajonin e Drenicës, fshatrat që janë nën rrethimin e terrorin serb.

Regjimi serb dhe forcat e tij policore e ushtarake ushtruan terror mbi rajonin e Drenicës, veçmas në fshatrat Prekaz i Ulët e Llaushë dhe gjendja atje vazhdon të jetë e rëndë, tha ai, duke shtuar se, në përpjekje për t’i mbuluar gjurmët e krimit, forcat serbe vazhdojnë ta mbajnë të rrethuar rëndë Prekazin, Llaushën, por edhe disa fshatra të tjera të këtij rajoni.

Si pasojë e veprimeve të forcave serbe, mund të thuhet se, sipas njoftimeve të deritashme, në këto fshatra u vranë, u masakruan dhe u plagosën me dhjetëra qytetarë të pambrojtur, tha ai.

Pasi përmendi se nga fshati Llaushë u vra një grua me dy fëmijë, z. Mustafa tha se kjo tregon se forcat serbe bënë masakrimin e popullsisë së pambrojtur.

Ai tha se, sipas dëshmitarëve, forcat serbe qëllonin nga largësia shtëpitë me artileri me orë të tëra dhe kjo ndodhi veçmas me lagjen Jashari, e cila u likuidua pothuaj tërësisht.

Si pasojë në këtë rajon është krijuar një gjendje tepër e rëndë, ndërsa fshatra të tëra të Drenicës janë boshatisur e popullsia është vendosur në fshatrat e komunave përreth, sidomos në Vushtrri, Mitrovicë dhe Fushë-Kosovë.

Dihet për rreth 3400 që lëshuan shtëpitë e tyre dhe u strehuan në këto komuna. Gjendja e tyre është mjaft e rëndë. Ata kanë përjetuar tmerret e forcave serbe dhe u duhet ndihma materiale dhe jo vetëm materiale, tha z. Mustafa.

Kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare që të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit që të ndërpresë mendjëherë aksionet dhe që të zhbllokojë vendbanimet të cilat po i mbanë nën kontroll.

Po ashtu, kërkojmë urgjentisht hapjen e një korridori humanitar për ta ndihmuar popullsinë e zonës së sulmuar. Një korridor i tillë humanitar nën mbikëqyrjen përkatëse ndërkombëtare është i domosdoshëm për të ndihmuar popullsinë e larguar nga shtëpitë e tyre, shtoi ai.

Theksojmë edhe me këtë rast se regjimi serb deshi që krimin mbi popullsinë e pambrojtur të Drenicës pa dëshmitarë, tha në vazhdim Z. Mustafa dhe falenderoi të gjithë gazetarët që janë me ne, me popullin e Drenicës e të Kosovës në këto ditë të vështira.

Ai falëderoi gjithashtu institucionet që po solidarizohen me popullin e Kosovës në këtë gjendje të vështirë dhe kërkoi edhe njëherë trysni mbi Beogradin që të ndërpresë terrorin mbi këto fshatra e mbi Kosovën dhe të sigurojë një prani të gjithanshme ndërkombëtare në Kosovë.

Enver Maloku, shef i QIK-ut pasi përmendi emrat e 25 të vrarëve në Prekaz dhe në Llaushë, tha se të gjithë ata janë vrarë në familjet e në shtëpitë e veta. Në mesin e të vrarëve ka gra, fëmijë e pleq. Është marrëzi të thuhet se ata ishin terroristë, pasi terroristët nuk mshehen e nuk luftojnë nëpër shtëpitë e veta as nuk rrezikojnë fëmijët e vet, tha Enver Maloku.

Para gazetarëve folën edhe Basri Musmurati e dr. Rexhep Gjergji, anëtarë të Kryesisë së LDK-së dhe dr. Alush Gashi, këshilltar për shëndetësi i Kryetarit Rugova, të cilët sapo ishin kthyer nga rajoni i Drenicës dhe në kthyer ishin ndaluar në Vushtrri e ishin mbajtur në polici rreth 45 minuta.

Ata kishin depërtuar deri në fshatin Prekaz i Epërm, vetëm pak metra nga rrethimi i fortë në të cilin mbahet Prekaz i Ulët.

Basri Musmurati tha se lagjja e Jasharajve, që ka 29 shtëpi, pothuaj se është rrënuar për tokë.

Sipas një dëshmitari, që kishte kaluar dy net i fshehur në tavanin e shtëpisë së tij dhe që kishte arritur disi të dalë nga fshati, tha z. Musmurati, ishin djegur shtëpitë e Halit, Hamit, Qazim, Shaban e Kajtaz Jasharit.

Ky dëshmitar kishte thënë se policia i ka nxjerrë para tytave të armëve nënën e tij 64-vjeçare dhe gruan e tre fëmijët e tij, e pastaj kishte hyrë në shtëpi dhe e kishte kontrolluar atë.

Sot rreth orës 7.15 është qëlluar dhe është djegur shtëpia e Zenë Jasharit.

Musmurati tha se ata kishin parë me sytë e tyre, rreth orës 12.15, kur u qëllua dhe u përfshi nga zjarri shtëpia e Tahir Jasharit. Ai tha gjithashtu se po mbaheshin të rrethuara lagjet Nezaj, Brahaj e Dushkaj, ndërsa janë gjuajtur edhe lagje të Prekazit të Epërm.

Dr. Alush Gashi, pasi shpjegoi se ata kishin qenë rreth 200-300 metra larg vijës së zjarrit, tha se forcat serbe kanë vendosur naj fshatrave një rrethim të hekurt. Ai theksoi edhe organizimin e mirë të banorëve për t’i dhënë ndihmë njëri-tjetrit.

Dr. Rexhep Gjergji, që tha se ishte afruar edhe më afër vijës së zjarrit, tha se kishte parë tanke të ushtrisë rreth lagjes Jasharaj dhe Lushtaku, si dhe kishte parë policë e ushtarë.

Ai gjithashtu tha se forcat serbe kishin hapur llogore rreth shtëpive, ndërsa të vrarit kanë mbetur ende të shpërndarë. Të shtënat janë më të rralla, ndërsa shtëpitë e jasharajve ende digjen.

 

Dëshmi tronditëse të Mahie Kodrës

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Mahie Kodra, nga Prekazi i Ulët, nënë e pesë fëmijëve që arriti të ikë bashkë me ta nga fshati pas sulmit serb, mbajti një konferencë për gazetarë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës.

Ajo i rrëfeu në mënyrë tronditëse dëshmitë e përjetimet e veta para shumë gazetarëve të huaj.

Rrëfimin për ikjen e saj të vështirë nga Prekazi deri në Prishtinë, ajo e përfundoi me dhimbjen se në Prishtinë e kishte marrë vesh se i ishte vrarë burri.

 

Gënjeshtrat e eprorit të policisë serbe

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Lubinko Cvetiq, kolonel i policisë serbe dhe Velko Odaloviq dhanë sot një konferencë për gazetarë, në të cilën u përpoqën të justifikonin askionin terroristik të forcave serbe në Drenicë dhe masakrimin e disa familjeve shqiptare.

Në ngjarjet më të reja që ndodhën në fshatin Prekaz i Ulët të Skënderajt, “policia nuk ka hyrë në bazat terroriste. Jemi përpjekë që me të gjitha mjetet e tjera të pengojmë terroristët në kryerjen e aktiviteteve terroriste, por në këtë drejtim nuk kemi pasur rezultate”, tha ai dhe shtoi se “terrorizmi është në ekspansion, gjë që e konfirmojnë edhe ngjarjet më të reja në fshatin Likoshan dhe në Prekaz të Ulët”.

Duke komentuar aksionin e forcave serbe më 28 shkurt në fshatin Likoshan, ai tha se atë ditë u vranë 4 dhe u plagosën 2 policë.

“Pjesëtarët e MPB-së duke iu përgjigjur këtyre sulmeve vranë 16 terroristë dhe kapën 9 persona”, tha ai.

Ai shtoi se deri më tash janë identifikuar 13 veta: Muhamet (Isuf) Islami, Naser (Muhamet) Islami (1958, Basri Fazliu, Hamzë Ahmeti, Erhan Ahmeti, Driton Ahmeti, Lumni Ahmeti, Ahmet Ahmeti, Gani Ahmeti, Naim Ahmeti, Elmi Ahmeti, ndërsa për 3 persona të vrarë nuk është përcaktuar identiteti.

Ai tha se janë marrë në arrest 9 persona: Alush Neziri, Sheremet Neziri, Feriz Neziri, Bedri Kurmali, Nuredin Nura, Izet Nura, Bislim Nuraj, Xhevat Nuraj dhe Abedin Nura. Disa janë liruar kurse një numër i tyre te të cilët është gjetur sasi armësh dhe municioni e mjetesh shpërthyese, është caktuar paraburgimi.

Në vazhdim, koloneli i policisë serbe foli për aksionin serb në Prekaz. Ai tha se më 5 mars në mëngjes në rajonin e Skënderajt “nga ana e terroristëve është kryer një sulm nga prita kundër pjesëtarëve të policisë, të cilët gjendeshin në kryerjen e detyrave të rregullta”. Me atë rast 2 pjesëtarë të policisë u plagosën lehtë. “Pjesëtarët e MPB-së kthyen zjarrin dhe vazhduan të ndjekin terroristët, të cilët ikën në fshatin Prekaz i Ulët. Në atë fshat ndodhi një konflikt i pjesëtarëve të policisë me terroristët”. Sipas tij policia kishte njohuri se në Prekaz “gjendet edhe bërthama e bandave terroriste, të cilat i udhëheqte terroristi i njohur Adem Jashari”.

Eprori i policisë serbe tha se “në përleshje me terroristët dy policë u vranë, kurse 4 u plagosen lehtë. Atëherë u vranë rreth 20 terroristë. Me atë rast gjithashtu u gjet një arsenal armatimi i bombave të dorës dhe i mjeteve shpërthyese”.

Pos Adem Jasharit janë identifikuar edhe pesë persona tjerë: Nazmi Jashari (1967) Mitrovicë, Faik Jashari, Sinan Jashari, Ali Jashari dhe Qazim Jashari.

Eprori i policisë serbe tha se “aksioni në Prekaz të Ulët është duke vazhduar”.

Në vazhdim gazetarët shtruan shumë pyetje.

Eprori serb tha se gazetarëve nuk u është lejuar shkuarja në Drenicë për shkaqe sigurie.

Një gazetar pyeti se a ka qenë aksion i policisë i planifikuar që më parë, ndërsa ai u përgjigj se aksioni nuk ka qenë e planifikuar.

Një gazetar pyeti se a kanë marrë pjesë helikopterët e ushtrisë në aksionet e Drenicës dhe përse nuk u lejohet automjeteve të organizatave humanitare të shkojnë në Prekaz.

“MPB ka një numër helikopterësh që kryekëput shfrytëzohen për aktivitete humanitare. Në këtë aksion kanë marrë pjesë helikopterët në evakuimin e të plagosurve. Sa i përket ushtarëve të ushtrisë jugosllave, në këtë aksion pjesëtarët e UJ-së nuk kanë marë pjesë”, tha ai.

Duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, ai tha se “të gjithë terroristët nuk i kemi likuiduar”.

A është e saktë edhe më tutje shifra për 2 policë të vrarë dhe 20 shqiptarë?-ishte një pyetje tjetër.

“2 policë janë vrarë e 7 policë janë plagosur dhe janë likuiduar 26 terroristë”, tha ai.

A do të lejoni komisionin e ekspertëve ndërkombëtar për identifikimin e trupave të të vrarëve? – pyeti një gazetar tjetër.

“Këtë punë e bëjnë profesionistët e rregullt nga institucionet shëndetësore tona dhe nuk ka nevojë për ekspertë të huaj”, tha ai.

Anëtarë të familjes Jashari kanë qenë shumë të masakruar, pardon, familjes Ahmeti, disave u ishin nxjerrë sytë, organet e brendshme, si ka mundur të ndodhë kjo? – pyeti një gazetar.

“Edhe me këtë rast dua të theksoj se MPB-ja demanton në mënyrë energjike trillimet dhe gënjeshtrat në disa media të vendit dhe të huaja për torturimet e të arrestuarëve dhe të personave të marrë në arrest. Edhe me këtë rast po theksoj se policia serbe kurrë nuk është shërbyer dhe as që do të shërbehet me mjete të tilla”, tha ai.

 

Përforcime të postblloqeve të policisë në Skënderaj

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Gjatë ditës forcat serbe kishin forcuar gjendjen e shtetrrehtimit në Skënderaj. Ishin përforcuar tri postblloqet e policisë nga drejtimi i Gllogocit në Skënderaj: Në Llaushë të Fabrika e Tjegullave, në Kodër të Polacit te Lisat e Zanëve dhe te Morina.

Ora:18,00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1990 E

Prishtinë, e shtunë, 7 mars 1998

Edicioni i pestë (ora 20:00)

 

KMDLNJ publikoi një listë me emrat e 34 viktimave të terrorit serb në Drenicë

Prishtinë, 7 mars (QIK)
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë publikoi sot pasdite një listë të njerëzve të vrarë në tri ditët e fundit në Prekaz, Skënderaj dhe Llaushë.
Sipas kësaj liste, në Llaushë janë vrarë Sadik Kaqkini (46) e Miftar Rrecaj (43), ndërsa në Prekaz janë vrarë: Habib Jashari, Gruaja e Halit Jasharit, Faik Jashari, Hajzer Zymer Jashari (29), Murtez Zymer Jashari (16), Ali Jashari, Zukë Jashari (67), Vajza (12) e Zenë Jasharit, Sherif Jashari, Shaban Jashari (72), Qemajl Sherif Jashari, Qazim Jashari, Naim Zukë Jashari, Halit Jashari (60), Fehmi Muhamet Lushtaku, Gruaja (43) e Zenë Jasharit, Gruaja e Halit Jasharit, Valdet Zenë Jashari (13), Adile Jashari (gruaja e Ademit), Adem Shaban Jashari (42), Djali i Qazim Jasharit, Hamit Jashari (60), Gruaja (94) e Maliq Jasharit, Isak Feriz Halili (65), tre anëtarë të familjes së Sabit Jasharit, (nëna, vëllai dhe motra), si dhe një i vrarë i paidentifikuar, i shënuar me shenjën NN.
Hamide Jasharaj (70) nga Prekazi ka vdekur nga pasojat e shokut me rastin e arrestimit të familjes së saj.
Ndërsa, në Skënderaj janë vrarë: Një grua me mbiemrin Gashi me dy fëmijët e saj, Shukrije Gashi (12) dhe Gazmend Gashi (16).

 

Në komunën e Obiliqit 778 shqiptarë të larguar nga Drenica

Prishtinë, 7 mars (QIK)
Në Komunën e Obiliqit prej kur ka filluar aksioni i forcave policore e ushtarake serbe në Drenicë deri më sot në fshatrat Shipitullë, Grabovc i Epërm, Hade, Obiliq të Ri, Dardhishtë dhe në Sibovc janë vendosur 778 refugjatë të moshave e të gjinive të ndryshme të cilët u detyruan t’i lëshonin vatrat e tyre për shkak të terrorit serb, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Obiliq.
I njëjti burim bënë të ditur se një numër prej këtyre refugjatëve kanë arritur të këthen në vatrat e tyre.

 

Të ikur nga Drenica janë vendosur edhe në Prizren e në Pejë

Prishtinë, 7 mars (QIK)
Banorë të Drenicës, të ikur nga terrori serb në Drenicë, janë vendosur edhe në komunën e Prizrenit dhe të Pejës.
KI i Degës së LDK-së në Prizren njofton në shtëpinë e Ilaz Gashit janë vendosur Zylfie e Valentina Pecani nga fshati Koreticë, në shtëpinë e Muharrem Gashi familja e Mustafë Pecanit me Teutën, Violetën dhe Vjollca Pecanin, ndërsa në familjen e Hilmi Krasniqit është vendosur familja tetanëtarëshe e Rexhep Tafilajt nga Siçeva e Klinës.
Ndërsa në Pejë nga rajoni i Drenicës dje kanë shkuar 42 gra.

Ora: 20,00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1991 A

Prishtinë, e shtunë, 8 mars 1998

Edicioni i parë (ora 11:30)

 

Prekazi dhe Llausha mbahen ende të rrethuara

Prishtinë, 8 mars (QIK)

Forcat serbe po mbajnë nën rrethim të ashpër fshatrat Prekaz i Ulët dhe LLaushë në Skënderaj.

Në mbrëmjen e ditës së djeshme një numër i forcave serbe u largua nga Skënderaj në drejtim të Mitrovicës dhe të Klinës. Mirëpo sot nga Mitrovica shkuan qindëra policsë me tre autobus me regjistrim të Nishit, autoblinda dhe furgonë të policisë.

Burimet e QIK-ut në Skënderaj, Vushtrri e në Mitrovicë thonë se gjatë natës forcat serbe nuk i kanë sulmuar këto dy fshatra. Për shkak të rrethimit të plotë dhe snajperistëve që shtijnë në këdo që lëviz nga shtëpia, këto dy fshatra po jetojnë qe disa ditë në një bllokadë të plotë.

Gjendja është veçanërisht dramatike në Prekaz të Ulët. Në këtë fshat me shumë të vrarë e të plagosur, qe tri ditë nuk ka mundur të depërtojë asnjë mjek, asnjë veprimtar humanitar dhe asnjë gazetar.

Dëshmitarët që i janë afruar dje fshatit kanë thënë se në oborre, në livadhe e në ara ka shumë trupa të vrarë nga forcat serbe gjatë ekspeditës së masakrimit të popullsisë së Prekazit të Ulët.

Burimet e LDK-së në Skënderaj i thanë QIK-ut se në qytet nuk ka pothuaj asnjë lëvizje për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë dhe të rrezikut nga keqtrajtimi i forcave serbe.

Thuhet se gjendja me furniziminin e popullsisë me ujë të pijes dhe me ushqim ka nisur të bëhet dramatike, për shkak se ky qytet praktikisht po mbahet i rrethuar. Skënderajt nuk mund t’i afrohet askush rrugës Mitrovicë – Skënderaj, rrugës Gllogoc – Skënderaj dhe rrugës Skënderaj – Klinë.

Nga Mitrovica dhe Vushtrria bëhet me dije se edhe gjatë natës në këto dy qytete ka shkuar një numër i të larguarëve nga shtëpitë e veta në fshatrat e Drenicës.

Në Vushtrri tash numri i të larguarëve është 2715, kurse në Mitrovicë 3100.

 

Të arrestuar të shumtë në oborrin e Fabrikës së Municionit në Skënderaj

Prishtinë, 8 mars (QIK)

Druhet se në oborrin e Fabrikës së Municionit të Gjuetisë në Skënderaj, e cila administrohet nga serbët e instaluar, ka shumë të arrestuar shqiptarë, ne mesin e tyre gra, pleq e fëmijë. Dëshmitarët nuk përjashtojnë mundësinë që oborri i kësaj fabrike të jetë shndërruar në njëfarë kampi të keqtrajtimit të njerëzve, si kampet e ngjajshme serbe në Bosnjë.

Në oborrin e kësaj fabrike që kufizohet me fshatin Prekaz i Ulët janë mbajtur disa anëtarë të familjes Jashari nga Prekazi.

Oborri i fabrikës është i veshur me drunj, me qëllim të maskohet veprimtaria e vërtetë që zhvillohet në këtë hapësirë. Kohët e fundit prej oborrit të fabrikës, për ët cilën nuk dihet a prodhon dhe çka prodhon, janë përgatitur dhe ekzekutuar sulmet e forcave serbe kundër fshatrave të Drenicës.

Ora:11,30.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1991 B

Prishtinë, e shtunë, 8 mars 1998

Edicioni i dytë (ora 14:30)

 

Organizatat humanitare i janë afruar Prekazit

Prishtinë, 8 mars (QIK)
Në rrugë prej Skënderajt për në Prekaz sot në orën 13:00 janë vërejtur tre xhipa të organizatave humanitare ndërkombëtarë. Nuk dihet se a kanë hyrë në fshat.

 

7 të gjallë nga lista e të vrarëve e publikuar nga KMDLNJ

Prishtinë, 8 mara (QIK)
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, duke u mbështetur në burime të sigurta, njofton se në listën e të vrarëve në Skënderaj të KMDLNJ-së gjenden edhe disa emra të njerëzve që janë të gjallë.
Me një fjalë nuk është e vërtetë se janë vrarë Zukë Jashari, Qemal Sherif Jashari, Naim Zukë Jashari (i cili gjendet në Gjermani) dhe e shoqja e Halit Jasharit.
Po ashtu nuk është i saktë pohimi se janë vrarë tre anëtarë të familjes së Sabit Jasharit, pasi nëna dhe dhe motra e tij janë lajmëruar nga Gllogoci, mirëpo ende nuk dihet ende asgjë e saktë për të vëllain.

 

Nga Fabrika e Municionit u liruan 50 shqiptarë

Prishtinë, 8 mars (QIK)
Një burim i LDK-së nga Skënderaj i tha QIK-ut në orën 13,30 se nga oborri i Fabrikës së Municionit të Gjuetisë në Skënderaj sot në orën 13:00 u liruan 50 civilë.
Burimet e LDK-së në Skënderaj thonë se në këtë hapësirë janë marrë pengje, janë arrestuar dhe janë keqtrajtuar shumë shqiptarë.
Poashtu, nga oborri i kësaj fabrike që administrohet nga serbët e instaluar janë planifikuar dhe ekzekutuar shumica e sulmeve në Skënderaj dhe në Drenicë.

 

Në Prekaz jeta e fëmijëve mbrohet me sopata e me revole

Prishtinë, 8 mars (QIK)
Në një konferencë për gazetarë në Prishtinë, Mahie Kodra që arriti të largohej nga Prekazi me të pesë fëmijët e vet, ndërkohë që burri i ishte vrarë, iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të gazetarëve, sidomos të huaj.
Një gazetar pyeti se a po rezistojnë shqiptarët në Prekaz dhe me çfarë armësh.
Zonja Kodra tha se Prekazi i është ekspozuar një bombardimi të rrufeshëm nga larg dhe pastaj vrasjeve të fëmijëve, grave, pleqve e burave nga afër prej pjesëtarëve të njësive speciale serbe.
Ka një rezistencë spontane të shqiptarëve për të mbrojtur fëmijët, gratë, pleqt e jetën. Kjo rezistencë bëhet me sopata, tërfurç, shetër dhe me ndonjë revole e pushkë, tha ajo.

 

Pesë të vrarë në Llaushë nuk mund të varrosen për shkak të snajperistëve serbë

Prishtinë, 8 mars (QIK)
Një burim i LDK-së nga Llausha i tha QIK-ut se ky fshat po mbahet edhe sot në një rrethim të ashpër. Ai tha se pothuaj të gjitha pikat e fshatit dhe shtëpitë janë nën shënjestrën e snajperistëve serbë. Për këtë shkak kanë mbetur të pavarrosur Sadik Kaçkini dhe gruaja e Bajram Gashit me fëmijët e saj Gazmendin e Shukrijen dhe fëmijën e tretë që vdiq më vonë nga plagët. Të pestët janë vrarë më 5 mars.
Në këtë fshat gjendja shëndetësore e sociale është shumë e rëndë.
Dje dhe sot forcat serbe kanë bërë edhe inçizime të ndryshme të fshatit.

Ora:14,30.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1991 C

Prishtinë, e shtunë, 8 mars 1998

Edicioni i tretë (ora 16:00)

 

Një ekip i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq u pengua nga policia të hyjë në Drenicë

Prishtinë, 7 mars (QIK)
Komitetit Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes një komunikate thekson se ekipi i tij humanitar u pengua nga policia serbe gjatë ditës së djeshme të depërtojë në fshatrat e rrezikuara të Drenicës. Sot një ekip i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq përsëri do të tentojë të arrijë në Mitrovicë, Skënderaj dhe Prekaz.
Ky asociacion humanitar njofton se një ekip i tij do të bëjë vëzhgimin e situatës në drejtim të Maqedonisë.

(Ora: 16,00).

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1991 D

Prishtinë, e shtunë, 8 mars 1998

Edicioni i katërt (ora 17:15)

 

Sulme të reja të forcave serbe në Jashanicë, Açarevë e Brojë

Prishtinë, 8 mars (QIK)

Njoftohet se sot në orën 15,30 forcat serbe kanë ndërmarrë ekspedita terroristike në fshatrat Jashanicë, Açarevë dhe Brojë të komunës së Skënderajt.

Burimet e LDK-së nga Skënderaj dhe Mitrovica thonë se në këtë sulm po përdoren armë të kalibrave të mëdhenj dhe armë të lehta.

Një burim i LDK-së në Llaushë tha se krismat po dëgjohen edhe në këtë fshat, 15 km. larg Jashanicës.

Derisa po zgjasin këto sulme, nga Klina për në Skënderaj po lëvizin autoblinda, tankse dhe automjete të tjera të policisë e të ushtrisë serbe.

 

Prani e madhe e policisë në rrugën Komoran – Gllogoc

Prishtinë, 8 mars (QIK)

Sot prej orës 10:00 deri në orën 15,00 shumë policë serbë kishin qëndruar në distancë të vogël nga njëri tjetri në të dy anët e rrugës Korroticë e Ulët, Poklek i Ri dhe Zabel në rrugën Komoran Gllogoc.

Rreth orës 11,30 kësaj rruge kaloi në përcjellje të policisë një autobus me udhëtarë, për të cilët thuhet se ishin diplomatë të akredituar në Beograd.

Pas orës 15,00 autobusi u kthye nga Skënderaj, ndërsa policia u tërhoq nga rruga.

 

Snajperistët serbë shtinë në kryetarin e Nëndegës së LDK-së në Klinë të Epërme

Prishtinë, 8 mars (QIK)

Snajperistët serbë dje kanë shtënë me armë 5 herë në drejtim të kryetarit të Nëndegës së LDK-së në Klinë të Epërme Ismail Tahirajt. Kjo është një dëshmi se shqiptarët janë të rrezikuar në një rajon shumë më të gjerë se sa Skënderaj dhe Prekazi e Llausha, njoftohet nga redaksia e gazetës “Bujku”.

Klina e Epërme gjendet 10 km. larg Skënderajt.

 

Lëvizje të forcave serbe nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt

Prishtinë, 8 mars (QIK)

Sot rreth orës 6, dy autoblinda, tre autobusë dhe një furgon i policisë shkuan nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt.

Rreth orës 12,15, tre autobusë me regjistrim të Çaçakut dhe Krushevcit si dhe 2 autoblinda dhe një furgon shkuan nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt.

Ora: 17,15.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1991 E

Prishtinë, e shtunë, 8 mars 1998

Edicioni i pestë (ora 20:00)

 

Mbrëmje pa krisma në Skënderaj e rrethinë

Prishtinë, 8 mars (QIK)

Pas njoftimeve të pasdites së sotme për sulme të forcave serbe në drejtim të fshatrave në perëndim të Skënderajt, respektivisht drejt fshatrave Vojnikë, Kopiliq, Jashanicë, Açarevë e Brojë, mirret vesh se të shtënat u dëgjuan më shumë nga drejtimi i fshatrave Vojnikë e Kopiliq.

Një njoftim i orës 18 bënte të ditur se të shtënat kishin filluar të rralloheshin.

Një burim tjetër nga Llausha në orën 18.30 konfirmoi se nga drejtimi i fshatrave të lartpërmendura ishin dëgjuar të shtëna, por ato tani kishin pushuar.

Po ky burim tha se pas orës 18 vërehen lëvizje të shtuara të forcave serbe në drejtim të Mitrovicës. Ai tha se këto forca po dalin nga Qendra Shkollore në Ferizaj, por edhe nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë. Edhe pse nuk mundi të thoshte me saktësi të plotë, ai tha se mund të jetë se edhe rrethimi i Llaushës është pak më i lehtë.

Ora:20:00.

 

*** 

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1992 A

Prishtinë, e hënë, 9 mars 1998

Edicioni i parë (ora 10:00)

 

Trupat e të masakruarve nga forcat serbe në Prekaz janë vendosur në ambulancë në Skënderaj

Prishtinë, 9 janar (QIK)

Policia serbe barti mbrëmë pas orës 21:00 nga morgu i spitalit të Prishtinës trupat e shqiptarëve të vrarëve gjatë ekspeditës terroristike të forcave serbe në fshatin Prekaz i Ulët në Skënderaj gjatë datave 5 – 7 mars.

Trupat e të vrarëve janë vendosur në shtëpinë e shëndetit në Skënderaj. Deri më tash nuk është njoftuar numri i saktë i kufomave të vendosura në ambulancë. Flitet për 62 të vrarë.

Nga Skënderaj mirret vesh se policia ka kërkuar nga anëtarët e familjeve të disa të vrarëve që të mirren urgjentisht kufomat dhe që ato të varrosen menjëherë.

Në këtë mënyrë regjimi serb dëshiron të humbë gjurmët e krimit ndaj shqiptarëve të vrarë e të masakruar. Në mesin e tyre pos burrave ka edhe gra, fëmijë, e pleq e familje të tëra.

Anëtarët e familjeve kanë refuzuar t’i marrin e t’i varrosin të vrarët. Ata kërkojnë një obduksion nga ana e ekspertëve të autorizuar nga ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Policia serbe ka pohuar një herë se gjatë aksionit të saj në Prekaz dhe Skënderaj ishin vrarë 20 shqiptarë, të cilësuar nga ajo si terroristë, ndërsa më vonë ka pohuar se i ka vrarë 26 shqiptarë.

Për shkak të rrethimit të hekurt nga ana e forcave serbe, trupat e të vrarëve u lanë për disa ditë në oborre, në shtëpi, në ara e në livadhe. Ata u morën parmbrëmë, në një aksion të policisë serbe, për të pastruar terrenin para shkuarjes në Prekaz të Ulët të dy ekipeve të diplomatëve të huaj të akredituar në Beograd dhe të disa gazetarëve.

 

Në Llaushë pesë të pavarrosur për shkak të snajperistëve serbë që qëndrojnë rreth fshatit

Prishtinë, 9 mars (QIK)

Një burim i LDK-së në Llaushë i tha sot QIK-ut se fshati po mbahet i rethuar nën shënjestrën e snajperistëve serbë.

Ai tha se pesë kufoma kanë mbetur të pavarrosura në këtë fshat.

 

Istog: Policia nuk po lejon grumbullimini e qytetarëve

Prishtinë, 9 mars (QIK)

Që para orës 9, policia filloi ndjekjen dhe shpërndarjen e qytetarëve nga qendra e Istogut, ku është paraparë të mbahet një protestë kundër terrorit të regjimit serb në Kosovë.

Burime nga Isotgu bëjnë me dije se policia me vetura po i larrgon qytetarët nga rruga, ndërsa rreth orës 9.45 një polic shtiu me armë në ajër.

(Ora: 10,00)

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1992 D

Prishtinë, e hënë, 9 mars 1998

Edicioni i katërt (ora 14:45)

 

Në mesin e 52 të vrarëve në Prekaz e Llaushë janë 16 fëmijë, 13 gra e 7 pleq

Prishtinë, 9 mars (QIK)

Dega e LDK-së në Skënderaj njoftoi sot në orën 14:00 se policia serbe i dërgoi mbrëmë para stacionit të policisë në Skënderaj 46 trupa të vrarë gjatë masakrimit të popullsisë së Prekazit prej datës 5 deri më 7 mars.

Në njoftim thuhet se 45 të vrarë janë nga Prekazi, kurse një i vrarë është nga Dubovci dhe qëlloi mysafir në Prekaz.

Në mesin e të vrarëve janë 13 famijë, prej tyre 9 djem e 4 vajza, 12 gra dhe 7 pleq.

Thuhet se 3 kufoma janë të karbonizuara.

Deri më tash janë identifikuar rreth 30 kufoma. Identifikimi i disa kufomave është shumë i vështirë.

Thuhet se një përgjegjës i policisë serbe në Skënderaj ka pohuar se në morgun e spitalit në Prishtinë gjenden edhe dy të vrarë.

Dega e LDK-së druan se numri i të vrarëve është më i madh. Prekazi edhe sot po mbahet i rethuar.

Siç dihet në Llaushë janë vrarë 6 shqiptarë. Pesë prej tyre nuk janë varrosur ende për shkak të kërcënimeve të snajperistëve serbë që po e mbajnë të rrethuar fshatin.

Deri më tash dihet se numri i të masakruarëve dhe të vrarëve gjatë ekspeditës terroristike serbe në Skënderaj, përkatësisht në Prekaz dhe në Llaushë, është 52 shqiptarë të vrarë.

Nga Skënderaj ende nuk ka njoftim se kur do të bëhet varrimi. Familjet e të vrarëve, partitë politike shqiptare dhe asociacionet humanitare kërkojnë ekspertizë nga ekspertë ndërkombëtarë për këtë masakrim të popullsisë shqiptare, përkatësisht të familjeve shqiptare.

 

Ambasadori kanadez që vizitoi Prekazin deklaroi se atje kanë pësuar njerëzit e pafajshëm

Prishtinë, 8 mars (QIK)

Përfaqësuesit e 30 ambasadave të huaj në Beograd dje kanë vizituar rajonin e Drenicës dhe fshatin Prekazi i Ulët. Në mesin e diplomatëve të huaj nuk ishin përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit të cilët kishin refuzuar thirrjen e autoriteteve të Beogradit duke u preferuar atyre që t’u mundësohet hyrja në Drenicë organizatave ndërkombëtare dhe atyre shëndetësore e humanitare për t’i ndihmuar popullatës e veçmas të plagosurve të cilët kanë nevojë të domosdoshme për shërimin e plagëve nga predhat e ushtrisë e policisë serbe.

Ambasadori kanadez Rafael Zhirard pas kthimit të diplomatëve të huaj nga Drenica në Beograd u tha gazetarëve: “Shihet qartë se atje ka pasur konflikte të ashpra në të cilat kanë pësuar njerëzit e pafajshëm. Po ua tregoj gëzhojën e granatës

20 milimetërshe, që siç e dini nuk është armataim i lehtë e që atje u përdor kundër popullsisë civile që ishte në shënjestër”.

Ai shtoi se atje është duke vepruar policia paramilitare e cila po përdor minahedhësit, artilerinë dhe mjetet e blinduara dhe e cila është e gatshme që të veprojë kundër objekteve të fortifikuara. “Nuk e pamë asnjë civil atje. Ata ose janë në shtëpitë e tyre ose nuk ekzistojnë më”, i deklaroi “Zërit të Amerikës” ambasadori kanadez.

Agjencia e FoNet duke u mbështetur në deklaratat e diplomatëve të cilët dëshiruan të mbesin anonim se autoritetet e Beogradit i kanë ofruar ambasadorëve të vendeve anëtarë të Grupit të Kontaktit që ta vizitojnë rajonin e Drenicës, por ata kanë refuzuar me arsyetim se atje duhet të shkojnë ekspertët të cilët do të vlerësonin me saktësi se çfarë ka ndodhur në Drenicë e pastaj edhe përfaqësuesit e organizatave humanitare dhe gazetarët.

Ora:14,45.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1992 E

Prishtinë, e hënë, 9 mars 1998

Edicioni i pestë (ora 19:45)

 

Konferencë për gazetarë lidhur me gjendjen më të re në Kosovë

Prishtinë, 9 mars (QIK)

Xhemail Mustafa, Këshilltar për informim i Kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe Enver Maloku, përgjegjës i QIK-ut mbajtën sot në orën 18:00 një konferencë për gazetarë, në të cilën dhanë njoftime për situatën më të re në Kosovë.

Xhemail Mustafa komentoi në fillim përfundimet e mbledhjes për Kosovën të Grupit të Kontaktit në Londër.

Këshilltari për informim i Kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova tha se mbledhja e mbajtur në Londër dhe vendimet e saj shënojnë një moment të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të çështjes së Kosovës.

Z. Mustafa theksoi se veçmas i rëndësishëm është gjykimi i ashpër që i bëhet përdorimit të dhunës së policisë serbe në Kosovë dhe vlerësimi se përgjegjësia për këtë terror i takon Millosheviqit.

Ai e vlerësoi të rëndësishëm vendimin e Grupit të Kontaktit se Gjyqi i Hagës ka të drejtë ligjore që t’i hetojë vrasjet në Kosovë, të cilat zoti Robin Kuk i quan me të drejtë vrasje pa gjyq.

Institucionet përkatëse të Kosovës po e kompletojnë materialin për hartimin e padisë kundër përgjegjësëve për krimet në fshatrat e Drenicës, ku siç dihet vetëm në masakrën e forcave serbe në Prekaz të Poshtëm e në Llaushë u vranë 16 fëmijë.

Këshilltari për informim i Kryetarit Rugova shprehu dyshim se restriksionet për viza për zyrtarët serbë dhe paralajmërimi se mund të aplikohen edhe saknsione për kredi e për privatizim do ta detyrojnë regjimin e Beogradit që të heqë dorë nga politika e tij e aparthedit. Këto restriksione duhet të pasohen nga një embargo e fuqishme ekonomike kundër regjimit të Beogradit. 

Z. Mustafa theksoi edhe me këtë rast se populli i Kosovës pret përkrahjen dhe mbrojtjen ndërkombëtare përballë dhunës dhe terrorit të forcave serbe. Qytetarët e Kosovës shpresojnë se do të shpërblehet politika paqësore dhe sakrificat e tij të mëdha nën terrorin serb.

Përshëndesim angazhimin e Grupit të Kontaktit për vendosjen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili do të bëhet me ndërmjetësimin e një pale të tretë. Udhëheqja e Kosovës në dialogun eventual hyn me vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi.

Në vazhdim, shefi i QIK-ut i informoi gazetarët me njoftimet nga Skënderaj për numrin e viktimave të terrorit serb dhe për gjendjen në këtë komunë gjatë ditës së sotme.

Ai tha se nga numri i përgjithshëm i viktimave në Prekaz, 13 janë fëmijë, 12 gra dhe 7 pleq. Në Llaushë, në mesin e gjashtë të vrarëve, është një grua me tre fëmijët e saj. Kjo do të thotë se aksioni i masakrimit të popullsisë në Skënderaj ishte i koncentruar kundër fëmijëve, grave e pleqve.

Deri më tash nuk është njoftuar data e varrimit të viktimave, pasi anëtarët e familjeve të të vrarëve kanë kërkuar një ekspertizë nga ekspertë ndërkombëtarë.

Shefi i QIK-ut tha se gjendja në Prekaz dhe në Skënderaj përgjithësisht ka qenë edhe sot e rëndë dhe e rrezikshme. Nga Mitrovica në Skënderaj sot kanë shkuar disa autobusë me policë. Kurse vetëm në Mitrovicë sot janë parë qindra policë me së paku 14 autobusë me targa të Nishit e Pirotit nga Serbia.

Në vazhdim ai i njoftoi gazetarët edhe me përmasat e dhunës së policisë serbe kundër protestuesve paqësorë në disa komuna të Kosovës. Në bazë të të dhënave që kanë arritur në QIK, ai tha se janë rrahur disa dhjetëra protestues, ndërsa në Istog, policia ka shti me armë zjarri në drejtim të protestuesve dhe ka plagosur së paku tre shqiptarë.

 

Në Skënderaj ende nuk janë identifikuar njerëzit e vrarë

Prishtinë, 9 mars (QIK)

Sipas informatës së Degës në Skënderaj (ora 15,20) gjendja është tepër e rëndë. Qytetarët që banojnë në banesat shoqërore, por edhe të tjerët kanë mungesë bukën. Asnjë dyqan nuk punon, sikurse nuk punojnë as furrat e bukës, sepse snajperistët janë të gatshëm të shtiejnë mbi çdo njeri që lëviz. Ende nuk janë identifikuar njerëzit e vrarë, sepse shumica janë të djegur e të karbonizuar.

 

Nga Drenica në komunën e Obiliqit janë strehuar 931 persona

Prishtinë, 9 mars (QIK)

Në komunën e Obiliqit deri më sot nga Drenica janë strehuar 931 persona të cilët arritën të ikin nga masakra e forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe.

Në njoftimin e KI të Degës së LDK-së në Obiliq, theksohet se në fshatin Grabovc të Epërm janë strehuar 274, në Shipitullë – 235, në Hade – 270, në Sibovc 100, në Obiliq – 40 dhe në Mazgit të Epërm 12 persona.

Të strehuarit në komunën e Obiliqit janë kryesisht nga fshatrat: Qirez, Likoshan, Prekaz, Gllanasellë, Gllabarë, Korreticë e Ulët, Godanc, Çikatovë, Gllogoc etj.

Banorët e komunës së Obiliqit dhe të fshatrave përreth po tregojnë një solidaritet të madh duke i ndihmuar të strehuarit me gjëra ushqimore.

 

Sipas Kryqit të Kuq të Kosovës nga fshatrat e Drenicës kanë ikur rreth 10 mijë vetë

Prishtinë, 9 mars (QIK)

Edhe sot ka vazhduar ikja e banorëve nga zonat e sulmuara në Drenicë. Në Mitrovicë, Obiliq, Vushtrri, Fushë-Kosovë e Lipjan janë vendosur rreth 10 mijë veta. Por, në disa fshatra të Komunës së Gllogocit sot ka filluar edhe procesi i kthimit në shtëpitë e veta. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut sot u është drejtuar përfaqësive diplomatike në Beograd dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut me kërkesë që të formohet një komision ndërkombëtar, i cili do të konstatonte identitetin dhe do të bënte autopsinë e viktimave. Një kësi apeli iu drejtua edhe Grupit të Kontaktit, kurse prokurores së Tribunalit të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, zonjës Luiz Arbur iu dërgua një

kërkesë për dërgimin e një komisioni ekspertësh për konstatimin e të vërtetës dhe për ngritjen e padisë për krime lufte.

Ora:19,45.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1993 A

Prishtinë, e martë, 10 mars 1998

Edicioni i parë (ora 12:00)

 

Në Skënderaj u dërguan edhe trupat e dy të vrarëve

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Numri i të vrarëve në Skënderaj nga 47 sa ishte njoftuar dje, u shtua edhe për dy. Policia serbe dërgoi dje trupat e Shaban Jasharit dhe të djalit të tij Hamzë Jasharit.

Duke përfshirë edhe gjashtë viktimat në Llaushë, tash numri i të vrarëve që dihen është 55 të vrarë.

Disa ditë më parë në Qirez dhe në Likoshan ishin vrarë 25 shqiptarë.

Gjatë një jave në fshatrat e Drenicës (Skënderaj e Gllogoc) u vranë të paktën 80 shqiptarë civilë.

 

Një ekip i mjekëve nuk u lejua të shkonte në Skënderaj

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Një ekip ekspertësh i Fakultetit të Mjekësisë i përbërë nga mjek ligjorë dhe patologë, në përbërje dr. Hashim Maloku, dr. Jusuf Dedushaj, dr. Suzana Manxhuka – Kërliu, dr. Ramadan Sopi, dr. Fadil Batalli, dr. Lumturie Gashi e tjerë u nis sot për në Skënderaj për të shikuar trupat e të vrarëve gjatë ekspeditës së masakrimit të popullsisë së Prekazit të Ulët nga forcat serbe.

Edhepse ekipi kishte një leje gojore nga policia serbe, ai u ndal në Komoran nga policia dhe pasi u mbajt një gjysmë ore, u detyrua të kthehet mbrapsht në Prishtinë.

 

Familjet e të vrarëve nuk lejohen të shkojnë në Skënderaj

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Në fshatin Shipol të Mitrovicës gjenden shtatë familje, të cilat janë njoftuar për vrasjen e të afërmve të tyre në Prekaz. Në mesin e tyre është edhe një nënë, së cilës i është vrarë djali.

Një përfaqësues i Degës së LDK-së në Mitrovicë i tha QIK-ut se policia nuk po lejon shkuarjen e tyre në Skënderaj për të parë trupat e të afërmeve të vet as për të marrë pjesë në varrim.

Nga Mitrovica rruga për në Skënderaj edhe sot është e mbyllur. Po mbahen nën kontroll edhe rrugët periferike që shpiejnë përmes fshatrave në Skënderaj.

 

Llausha mbahet e rrethuar

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Një burim i LDK-së nga LLausha i tha QIK-ut se ky fshat po mbahet ende i rrethuar.

Për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë, nuk ka lëvizje nëpër fshat.

Nëse vazhdon kështu gjendja, fshatarët nuk do të mund të shkojnë në varrimin e viktimave të masakrës serbe në Prekaz të Ulët.

 

Drobnjak: “Aksioni policor në Drenicë ende vazhdon”

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Zëdhënësi për informim i administratës okupuese serbe në Kosovë Boshko Drobnjak tha dje se aksioni policor në rajonin e Drenicës po vazhdon ende.

“Në rajonin e Drenicës situata është nën kontroll të plotë. Tash për tash nuk ka të shtëna, por aksioni i policisë ende nuk ka përfunduar definitivisht, pasiqë atje ende ka terroristë. Ky është pastrim i terrenit në kërkim të terroristëve”, i deklaroi Drobnjak agjencisë “Beta”.

 

U shtri për mjekim në Mitrovicë vajza e plagosur 12-vjeçare

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Dje rreth orës 12 në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës u shtri për mjekim vajza e plagosur Shukrije Gashi (12) nga Skënderaj.

Policia serbe ia vrau asaj nënën, vëllaun dhe motrën.

 

Tre autobusë me gra dhe fëmijë erdhën dje nga Skënderaj në Mitrovicë

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Dje prej orës 16 deri në orën 16,45 nga Skënderaji në Mitrovicë erdhën 3 autobusë me gra e fëmijë.

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se gjatë rrugës ata ishin ndaluar në shumë punkte policore , ndërsa në punktin policir në Klinë të Epërme policia i nxorri të gjithë nga autobusët dhe i inçizoi me kamera.

Ora: 12:00.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1993 B

Prishtinë, e martë, 10 mars 1998

Edicioni i dytë (ora 14:50)

 

Në Brojë 110 veta mbahen të bllokuar nga policia në një shtëpi

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Një burim i LDK-së nga Runiku i Skënderajt ka bërë sot me dije se në Brojë mbahen të bllokuara nga policia disa familje shqiptare me 110 anëtarë. Ata aktualisht janë në shtëpinë e Osman Thaçit dhe policia i ka kërcënuar se nëse vetëm një largohet do t’i likuidojnë të gjithë.

Po ky burim, i cili në pamundësi komunikimi me qendrat tjera, njoftimin e përcolli përmes degës së LDK-së në Istog, tha se nga tanket dhe snajperët serbë vazhdojnë të mbahen të rrethuara fshatrat Brojë, Vojnik, Turiçec, Aqarevë e Kopiliq.

Ismajl Kastrati nga Broja po mbahet peng në polici dhe po detyrohet të kryej punë të ndryshme fizike.

Në Brojë ka shumë shtëpi të braktisura, ndërsa bagëtitë po ngordhin pasi banorët nuk guxojnë të lëvizin nga snajperët.

I njëjti burim thekson se në Turiçec nga predhat është dëmtuar shkolla e fshatit, ambulanca dhe disa shtëpi të lagjeve Kastrati, Duraku, Binaku, Lutani etj.

Janë rrahur nga policia Ferat, Selim, Cenë, Fazli, Ramë e Hazir Kastrati si dhe Fazli e Isë Lutani.

 

Nga Gjakova u nisën 57 arkivole për viktimat e terrorit shtetëror serb në Skënderaj

Prishtinë, 9 mars (QIK)

Sot rreth orës 12,30 nga Gjakova për në Skënderaj u nisën 57 arkivole për viktimat shqiptare të terrorit shtetëror serb që ranë në Prekaz dhe fshatrat tjera përreth komunës së Skënderajt.

Këto arkivole u nisën nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, si dhe pjesëmarrjen e disa anëtarëve të Kryesisë së LDK-së në Prishtinë dhe në Gjakovë.

Shumë qytetarë të Gjakovës që në atë moment u gjenden në rrugë, duke i parë arkivolet që ngarkoheshin për bartje e që ishin të madhësive të ndryshme, por edhe për 13 për fëmijë, u shkrehën në vaj dhe përfaqësuesve të kryesisë së Gjakovës iu dhanë mesazhin t’u shprehin ngushëllime familjeve te viktimave dhe tërë Drenicës dhe se Gjakova ashtu si dje që u tregua në protestën e organizuar, ku merrnin pjesë mbi 100.000 veta do t’i qëndrojë krahë popullit vëlla të kësaj ane për çfarëdo nevoje dhe në çdo çast, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.

 

Delegacioni i BI të Kosovës nuk u lejua të shkonte në Prekaz

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Një delegacion i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk u lejua të shkojë në Prekaz për të marrë pjesë në varrimin e viktimave të terrorit serb.

Rreth orës 10, ky delegacion u ndalua në postbllokun policor në Nadakoc të Vushtrrisë dhe u detyrua të kthehet prapa.

 

600 të ikur nga Drenica janë vendosur në Istog

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Në një njoftim të KI të Degës së LDK-së në Istog thuhet se në këtë komunë janë vendosur rreth 600 banorë të ikur nga fshatrat e rrezikuara nga terrori serb në Drenicë.

 Ora: 14,50.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1993 C

Prishtinë, e martë, 10 mars 1998

Edicioni i tretë (ora 16:30)

 

Llausha përpara krimit të paralajmëruar

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Në shënjestër të krimit serb, që nga 28 shkurti, është vënë edhe Llausha e Drenicës. Aty, pas masakrës së Qirezit dhe të Likoshanit, nisi një shtetrrethim, i cili u mbyll me qark të hekurt që nga 5 marsi. Sot është dita e gjashtë qëkur mbi Llaushë shtrëngohet rrethi dhe qëllohet nga pozicionet e ngrehura llogore të policisë dhe të ushtrisë serbe. Në Llaushë janë banorët e saj, janë fëmijët, vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat. Ata përballohen me mundësinë e përsëritjes së Prekazit, të një masakre që po trondit shqiptarët dhe botën. Llausha, është një gjasë e ndërgjegjes së këtij qytetërimi, bashkë me dhjetëra fshatra të Drenicës, të cilat sot e duan frymën e jetës së lirë mbi të gjitha, e duan dinjitetin dhe mosnënshtrimin.

Pa lejuar një hyrje medikamentesh dhe mjekësh, ushqimesh dhe njerëzish, pa lejuar daljen nga ajo, Llausha sot paraqet qarkun e një bote që është vënë përpara krimit të paralajmëurar, të terrorit shtetëror, i cili nuk do dhe nuk di më çfarë do të thotë fryma dhe shpirti i njeriut. Që di të urrejë aq sa e ka barbarinë dhe mizorinë pjesë të indit.

Rreth 400 familje të lagjeve Gecaj, Rrecaj, Babaj, Vojvoda, Zejnullahu, Bimbashi, Bekteshi, Zyhranaj, Haziraj dhe Mehmetramaj, të kyçura nëpër vatrat e veta, thërrasin botën që të lirohet laku rreth fytit të tyre. Gjashtë veta të vrarë brenda katër ditësh në Llaushë, prej tyre dy fëmijë me gjithë nënën, janë viktima të mëdha që thërrasin ata që duan të parandalojnë vrasjen e qytetarëve të pafajshëm. Banorët e saj duan të mbesin në Llaushë, në këtë lokalitet, ku etërit e tyre prore kishin vatrat. Tushila, po në këtë lokalitet, vërteton se Llausha kishte një të kaluar të njohur, si një kryeqendër dardane. Llausha, sot rrah në zemrat e të gjithëve. Në Llaushë nuk duhet lejuar përsëritja e masakrës serbe. Aty ka vetëm fëmijë, vajza, djem, gra dhe burra që kanë lindur në këtë fshat, por nuk duhet të vdesin nga predhat dhe plumbat e krimit, njofton “Bujku”.

 

Shpaloset tmerri që ndodhi në Prekaz

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Në një reportazh nga disa fshatra të Drenicës me titull “Shpalohet tmerri”, të botuar në numrin e sotëm të gazetës “Bujku” sillen dëshmi të njerëzve që kanë përjetuar masakrën e forcave policore e ushtarake serbe në Prekaz të Ulët. Po japim një pjesë të këtij reportazhi.

“E reja Syleme Jashari e përshkroi ngjarjen e atij mëngjesi të ditës së enjte, kur forca të mëdha policore e ushtarake, nga një largësi nisën të hedhin granata drejt shtëpive të tyre. Të gjendur në atë breshër, mundësia e vetme për t’i ruajtur kokat ishte zbritja në katin e parë dhe futja e fëmijëve nën shkallët e ndërtesës.

– Ishim të gjithë së bashku, vazhdon ajo, kurse vëllau Halili doli të shikonte se ç’po ndodhte. Brenda ishim tridhjetë vetë, prej moshës një deri në gjashtëdhjetëvjeçar. Ne më kot pritëm të kthehej Halili, por ai nuk u kthye. Në atë moment të vetmen lidhje e kishim me LDK-në, të cilët në një moment na thanë ‘Vetëm Zoti mund t’ju ndihmojë’, pastaj humbën edhe këto lidhje. Kur ranë granatat mbi ndërtesë, atëherë askush s’ka menduar se do të dalë i gjallë. Granata rrënoi gjysmën e shkallëve, ndërkaq nën shkallë i kishim fëmijët. Në këtë moment nga dritarja e banjës hodhën lotësjellës dhe ne tani e kishim shumë vështirë të shihnim që të dilnim jashtë. E pamë se edhe me ne do të ndodhë njësoj si në Likoshan, u bindëm se vinin të na masakronin. Sana jashtë digjej, shtëpia me të gjitha të tjerat në oborr u bombarduan dhe, ashtu duke i mbajtur fëmijët, dolëm në oborr ku pritnin kordone policësh. Në kordonin e parë na urdhëruan të shkonim te kordoni i dytë i policëve, të cilët i kishin fytyrat të ngjyrosura me të zezë. Ata bënë gati automatikët të na pushkatonin. Ne vazhduam të largohemi nga oborri, – thotë e tmerruara Sylemja – kurse Nazmiun njëzeteshtatëvjeçar, i cili po e mbante nënën e sëmurë për krahu, e rrëmbyen dy policë, të cilët aty për aty, në prani të nënës, e shtrinë përtokë dhe nga afërsia ia lëshuan rafalet mbi trup. Pasi që e pushkatuan Nazmiun ne na thanë se pas meshkujve do të na pushkatojnë që të gjithëve dhe ne ikëm arave… kurse policët vraponin t’i zinin fëmijët meshkuj për t’i vrarë, siç bërtitnin ata. Me këtë rast u plagos një tetëmbëdhjetëvjeçar. Tani hasëm në rrethin e tretë të policisë, të cilët Zukën, tetëdhjetëvjeçar, filluan ta godasin me kundakë automatikësh. Afër një prrocke, – vazhdon të rrëfejë motra, – policët e plagosën rëndë vëllanë tim, Beqirin. Ne provuam t’i ndihmojmë, por ai na lutej që të iknim e ta linim dhe thërriste t’ia ruanim fëmijët… Në atë rrëmujë u plagosën edhe dy vajza me nënën e vet, vritet djali i axhës tim, Qazimi dhe djali i vëllait, Faiku. Gjatë ikjes pashë edhe një plak të vrarë, një tjetër të plagosur…”

Këto shënime, në të vërtetë, paraqesin vetëm një dromcë nga gjithë ajo tragjedi e terrorit serb mbi popullatën e pambrojtur. Vetëm në Shipol, siç thanë, ka edhe shumë familje të tjera, gra e fëmijë që s’dinë ende për meshkujt, pos për ata që vetë i kanë parë të vdekur para dyerve të shtëpive, nëpër oborre, nëpër rrugë dhe në ara”, përfundon reportazhi i “Bujkut”.

 

Mjekët shqiptarë u penguan për herë të dytë për të shkuar në Prekaz

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Ekipi i ekspertëve shëndetësorë të Fakultetit të Mjekësisë u pengua sot dy herë me radhë për të shkuar në Prekaz.

Në ekip ishin ekspertë eminentë të mjekësisë ligjore, patologë dhe personelë tjerë të profileve të nevojshme për identifikimin e kufomava të masakruara nga policia dhe ushtria serbe ne Prekaz.

Ndonëse ata ishin kthyer njëherë në punktin policor në Komoran, organet serbe kishin premtuar se do t’u mundësonin të shkonin në Prekaz. Por, në punktin e Komoranit ata u kthyen prapa për herë të dytë.

 

Klerikëve katolikë nuk iu lejua pjesëmarrja në varrim

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Dr. Don Shan Zefi, kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, Dr. Don Prekë Lazri, famullitar i katedralës së Prizrenit dhe Don Nosh Gjolaj, famullitar i Prishtinës, u pengua sot të shkonin në Skënderaj për të marrë pjesë në varrimi ne viktimave të masakrës së forcave të armatosura të Serbisë në Prekazin e Poshtëm. Policia i ndali ata në Komoran dhe iu kërcënua këtyre me rrahje.

 Ora: 16,30.

 

***

 

 Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1993 D

Prishtinë, e martë, 10 mars 1998

Edicioni i katërt (ora 18:00)

 

Pamje të llahtarshme të masakrës në Drenicë

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Në hyrje të Skënderajt, në një servis të materialit ndërtimor “Servisi i Lahut” gjenden trupat e masakruar të 53 shqiptarëve gjatë ekspeditës terroristike të forcave serbe në Prekaz të Ulët dhe Skënderaj përgjithësisht.

Pamja e kufomave të paluara ngjitas njëra-tjetrës, në dy radhë tmerrësisht të gjatë, është e llahtarshme. Afër njëri tjetrit janë trupat e anëtarëve të familjeve të tëra. Nga një familje janë masakruar ose vrarë edhe 19 anëtarë, nga një tjetër pesë.

Pamja e trupave të vrarë është dëshmi për aksionin terroristik me qëllim të masakrimit të popullsisë. Dy trupa janë të goditur nga granatat, njëri në gjoks, tjetri në fyt. Trupi i Shaban Jasharit është masakruar me thikë. Në trup ka një xhep të hapur me thikë, njëra dorë i është këputur, ndërsa sytë i janë nxjerrë. Një të riu i është çarë koka përgjysmë.

Shihet se njerëzit janë vrarë me armë të rënda. Disave u është marrë shpirti dalëngadala me torturë. Adem Jashari, kundër të cilit thotë policia se e ka organizuar aksionin, ka vetëm një vrimë plumbi në fyt.

Të llahtarshme duken pamjet e trupave të fëmijëve të vrarë.

Zenë Jasharit, një 48 vjeçari, i janë vrarë Blerimi 5-vjeçar, Bujari 12-vjeçar, Abdullahu 15-vjeçar dhe gruaja Bahtie 43-vjeçare, e cila ishte shtatzënë. Gruaja me tre fënmijët e tij kishin shkuar për t’u strehuar te axha Haliti. Mirëpo, pikërisht ajo shtëpi kishte filluar të bombardohej. Nga bombardimet ishin vrarë në vend gruaja dhe djali Avdullahu. Ndërsa, dy fëmijët e vegjël policia i kishte marrë me vete dhe i kishte dërguar në oborrin e Fabrikës së Municionit.

– Mendoja se janë gjallë, por u tmerrova kur i pash trupat e tyre të vrarë që i solli policia! – thotë ai.

Trupat e dy fëmijëve kanë plot shenja të goditjeve me mjete të forta. Blerimi ka shenja në anën e djathtë të kokës, ndërsa Bujari është qëlluar edhe me një plumb në tamth në anën e majtë.

– Qe dy ditë e dy net qëndroj këtu. Nuk mund të ndahem nga trupat e vrarë të fëmijëve të mi!- thotë Zena.

Tronditës ishte momenti i identifikimit të të vrarëve gjatë ditës së sotme. Shumë anëtarë të familjeve, për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë, nuk e kanë bërë ende identifikimin e të vrarëve.

Abaz Jashari, 22-vjeçar, nuk mund ta përballonte sot tmerrin kur i pa trupat e babait e gjyshes së vrarë për të cilët shpresonte se ishin gjallë. Dhembja e tij ishte edhe më e madhe nga frika se mund t’i jetë vrarë edhe i vëllai i tij në moshë të re, trupin e të cilit e kërkonte.

Në këtë morg të improvizuar, aktivistët e LDK-së dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut përpiqeshin të kryenin identifikimin e të vrarëve. Deri më tash ata kanë arritur të identifikojnë 37 të vrarë. Katër kufoma vështirë se do të mund të identifikohen, pasi janë të karbonizuara. Identifikimi bëhet vështirë edhe për shkak se banorët e Prekazit të Ulët mbahen ende në një rrethim të fortë.

Të gjithë janë të sigurtë se numri i shqiptarëve të vrarë është më i madh se ky që njihet deri më tash. Askush deri më tash nuk e ka kontrolluar terenin e Prekazit të Ulët as shtëpitë që janë sulmuar.

Për të humbur gjurmët e krimit, policia ka bërë presion gjatë gjithë ditës ndaj aktivistëve të LDK-së dhe anëtarëve të familjeve me qëllim që të kryhet brenda ditës varrimi i të vrarëve. Përgjegjësit e policisë serbe në Skënderaj janë kërcënuar disa herë gjatë ditës se do t’i varrosin vetë të vrarët, nëse këtë nuk e bëjnë familjet e tyre.

Varrimi do të jetë i vështirë edhe për shkak të numrit të pakët të njerëzve që do të përgatisnin ceremoninë e varrimit. Nga disa familje nuk ka mbetur askush në Prekaz ose në Skënderaj, pasi, ose janë vrarë, ose janë larguar në vende të tjera.

Në Skënderaj gjatë ditës së sotme kanë qëndruar përfaqësues të disa organizatave humanitare ndërkombëtare dhe ekipe televizive të disa qendrave të njohura në botë. Mirëpo, policia serbe nuk ia lejoi hyrjen në Skënderaj as sot një delegacioni të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të Hënës së Kuqe.

Skënderajn sot e vizitoi një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përbërje Anton Noka, nënkryetar, mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm, dr. Rexhep Gjergji, Basri Musmurati, Abdyl Ramaj, Ramë Buja, anëtarë të Kryesisë, dr. Edi Shukriu, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, Naim Jerliu, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së dhe Enver Maloku, përgjegjës i Qendrës për Informim të Kosovës.

Delegacioni nuk mundi të bisedonte me udhëheqjen e Degës së LDK-së, pasi shumica prej tyre janë të bllokuar në Llaushë, ose në fshatrat tjera.

Aktivistët e Degës së LDK-së në Skënderaj që mundën të bisedonin me këtë delegacion thanë se gjendja në Skënderaj është dramatike në të gjitha planet. Në planin e sigurisë fizike, janë të kërcënuar të gjithë banorët e Drenicës. Forcat serbe në gjendje të gatishmërisë më të lartë kërcënojnë praktikisht secilin. Në kodrat për rreth Skënderajt shiheshin snajperistët serbë, të cilët mbajnë në rrethim të plotë qe disa ditë fshatrat dhe vetë qytezën e Skënderajt.

Gjendja dramatike është edhe në shëndetësi dhe në ushqime. Nga frika ose mungesa e mallrave, në Skënderaj pothuaj nuk rri hapur asnjë shitore. Si në qytet, ashtu edhe në fshatrat e Drenicës përskaj udhës Komoran – Gllogoc – Skënderaj sundojnë pamje të tmerrit që vazhdon. Këto pamje japin pamjen e një jete të shkretëruar. Gjatë shkuarjes dhe kthimit në rrugën që përshkon disa fshatra të Drenicës nuk shihet njeri të lëvizë as tym në oxhaqet e shtëpive. Në Komaran, për një orë, nuk u pa qoftë një njeri në rrugë, ose në shtëpitë për rreth.

Aktivisti i LDK-së Rifat Bejta i tha QIK-ut se nga të vrarët, janë identifikuar deri më tash këta persona:

  1. Qazim Jashari
  2. Nazmi Zukë Jashari
  3. Sinan Ramadan Jashari
  4. Zarife Bahtir Jashari
  5. Zaha Jashari
  6. Kushtrim Adem Jashari
  7. Ali Ramdan Jashari
  8. Osman Shaban Geci
  9. Faik Tahir Jashari
  10. Adem Shaban Jashari
  11. Beqir Bajram Jashari
  12. Sherif Brahim Jashari
  13. Hajrez Zymer Jashari
  14. Halit Imer Jashari
  15. Halil Bajram Jashari
  16. Bahtie Muharrem Jashari
  17. Isak Feriz Halili
  18. Feride Ramadan Jashari
  19. Besim Hamzë Jashari
  20. Blerim Zenë Jashari
  21. Bujar Zenë Jashari
  22. Abdullah Zenë Jashari
  23. Elhame Jashari
  24. Murtez Zymer Jashari
  25. Fatime Gashi
  26. Makfirete Gashi
  27. Gazmend Gashi
  28. Sadik Miran Kaçkini
  29. Miftar Rreci
  30. Hamzë Shaban Jashari
  31. Shaban Jashari
  32. Qerim Hamzë Jashari
  33. Blerim Hamzë Jashari
  34. Igball Rifat Jashari
  35. Fatushe Hamzë Jashari
  36. Elfete Hamzë Jashari
  37. Adile Jashari

 

 

 

Policia pengoi shkuarjen e gazetarëve në Skënderaj e Prekaz

 

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Sot prej orëve të hershme të mëngjesit postblloku i policisë te ujësjellësi në Shipol u përforcua nga shumë policë dhe andej nuk mundën të kalojnë gazetarë, anëtarë të familjeve të cilat kanë të vrarë, delegacione të shoqatave humanitare, asociacione politike dhe jo politike si dhe qytetarë të cilët kishin dëshirë të merrnin pjesë në varrim. Gjithashtu ishte e bllokuar nga policia edhe rruga që shpie për në Drenicë, përmes fshatrave: Vaganicë, Verrnicë dhe Lubavec, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Në në orën 11 policia ktheu nga punkti i Klinës Hamide Latifin gazetare e “Rilindjes”, ndërsa në orën 10:25 në punktin e Shipolit policia ktheu një xhip me gazetarë gjermanë, ndërsa në orën 10,40 policia ktheu nga rruga një “Llandrover” me gazetarë hungarezë, sllovenë dhe maqedonë. Po ashtu në orën 13:00 në të njëjtin punkt policia ktheu 2 gazetarë nga Spanja dhe një nga Austria.

 

Lëvizje të policisë në drejtimin Skënderaj-Mitrovicë

Prishtinë, 10 mars (QIK)

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton sot për lëvizje të forcave policore serbe nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt dhe anasjelltas.

Kështu, siç njoftojnë burimet e LDK-së nga Mitrovica, në orën 12 nga Mitrovica për në Skënderaj shkuan 1 xhip, 1 kamion dhe një kombi, të mbushur me policë. Në orën 12,55 dy vetura “101”, një landrover i armatës me municion dhe ushtarë si dhe dy kamionë me thasë të mbushur me rërë, nga Mitrovica shkuan në drejtim të Skënderajt.

Në orën 9, një traktor me 20 udhëtarë që vite nga Skënderaj u ndalua nga policia në Shipol, ku u zbritën udhëtarët dhe u keqtrajtoi. Në orën 10.30 policia ndali një veturë, në Shipol në të cilën ishin përveç vozitësit me emrin Bekim edhe Esat (Mujë) Ujkani (39), Ymer (Mursel) Ujkani (41) dhe dy bashkudhëtarë të tyre. Pasi i nxorën nga vetura i detyruan të mbështeten për rrethojën e ujësjellësit, por në atë moment kaloi një xhip me gazetarë të huaj dhe policia i liroi.

Në orën 10, në Shipol policia ndali Halil (Hasan) Muratin (45) i cili ngiste veturën e vet në të cilën ishin edhe bashkëshortja e tij Remizje (Isuf) Murati (43) dhe djemtë Luani (22) dhe Fitimi (14) si dhe Ismet (Mustafë) Sejdiu (48). Pas legjitimimit, policia nuk i lejoi të vazhdonin rrugën.

 (Ora: 18,00)

 

***

  

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1993 E

Prishtinë, e martë, 10 mars 1998

Edicioni i pestë (ora 19:45)

 

Konferencë për gazetarë e drejtuesve të LDK-së pas vizitës në Skënderaj

Prishtinë, 10 mars (QIK)

Anëtarët e delegacionit të LDK-së që vizitoi sot Skënderajn, mbajtën në mbrëmje një konferencë për gazetarë në Prishtinë.

Basri Musmurati tha se ky delegacion kishte për qëllim që të informohej rreth identifikimit të kufomave të terrorit të forcave serbe dhe rreth varrosjes së tyre. Ai shtoi se varrosja e tyre nuk u bë për shkak se një pjesë e madhe e kufomave nuk është identifikuar dhe se nuk ka njerëz të mjaftueshëm për hapjen e varreve.

Musmurati tha se kryeshefi i policisë kishte urdhëruar që varrinmi të bëhej mënjëherë dhe ishte kërcënuar se në të kundërtën policia do ta bënte vetë varrimin e tyre dhe shtoi se po ky kryeshef u kishte thënë dje qytetarëve të Skënderajt se mund të dilnin pa pengesa nga shtëpitë e tyre, por në Skënderaj megjithatë u vranë dy qytetarë.

Ai tha se gjendja në Skënderaj dhe në fshatrat e kësaj komune është shumë e rëndë dhe informoi se policia serbe kishte penguar një delegacion të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që të shkonte në Skënderaj.

Mr. Fatmir Sejdiu u bëri thirrje të gjithë aktivistëve të LDK-së dhe popullatës së Drenicës që të ndihmojnë varrimin e viktimave. Gjithashtu, ai ftoi organizatat humanitare dhe të gjitha asociacionet ndërkombëtare që të shpëtojnë banorët e Drenicës nga një tmerr që mbretëron atje. Edhe Dr. Edi Shukriu ftoi të gjitha asociacionet ndërkombëtare që të ndihmojnë popullatën e rrezikuar në Drenicë dhe rrëfeu momente shumë prekëse nga vizita në Skënderaj. Momente të tilla tregoi edhe Mr. Abdyl Ramaj.

Enver Maloku foli për problemet e identifikimit të kufomave, tri prej të cilave janë të karbonizuara. Ai tha se për këtë shkak deri tani janë identifikuar vetëm 37 kufoma, duke përfshirë edhe ato të fshatit Llaushë.

Dr. Rexhep Gjergji tha se 70 përqind të viktimave janë gra dhe fëmijë. Më parë janë gjuajtur me granata nga largësia, pastaj nga afërsia janë masakruar gra dhe fëmijë. Një pjesë janë marrë peng dhe janë masakruar në fabrikën e municionit. Kjo tregon se sulmi serb është bërë kundër familjeve të pambrojtura dhe jo në ndjekje të kurrfarë terroristëve. Kush bën paralelizma mes terrorit serb dhe shqiptarëve në Drenicë është bashkëpërgjegjës për masakrën që u bë atje, tha Dr. Rexhep Gjergji.

Ramë Buja theksoi se masat e Grupit të Kontaktit janë tepër të lehta si përgjigje terrorit serb. Nevojitet reagim me forcë ndërkombëtare për të mos u përsëritur Bosnja në Kosovë. Në të vërtetë Bosnja po përsëritet këtu, tha ai.

Në këtë konferencë u treguan fotografitë e viktimave të masakruara të viktimave të forcave serbe.

 (Ora 19.45)

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1994 A

Prishtinë, e mërkurë, 11 mars 1998

Edicioni i parë (ora 12:00)

 

Nën kërcënimin e policisë dhe me eskavator u varrosën veçantë viktimat e masakrës serbe në Prekaz

 Prishtinë, 11 mars (QIK)

Policia serbe detyroi me dhunë dje pasdreke varrimin e trupave të masakruar nga forcat serbe në Prekaz të Ulët më 5 -7 mars.

Trupat e të 49 të vrarëve dje gjendeshin në një depo të materialit ndërtimor në hyrje të Skënderajt kah drejtimi i Gllogocit.

Anëtarët e familjeve të të vrarëve e të masakruarve që kishin bërë identifikimin e të afërmve të vet refuzuan dje varrimin duke kërkuar një ekspertizë të autorizuar ndërkombëtare për mënyrën e vrasjeve dhe të masakrimit.

Nga trupat e të vrarëve, shumica fëmijë, gra e pleq, shihej se ishin përdorur armë të rënda dhe se njerëzit ishin qëlluar edhe me granata. Disa trupa ishin masakruar, duke përfshirë edhe nxjerrjen e syve. Ndërsa një fëmijë ishte qëlluar me një plumb.

Të afërmit dhe Këshilli i varrimit i thanë dje një delegacioni të LDK-së se nuk mund të bëhej varrimi përderisa ende nuk ishin identifikuar rreth 17 të vrarë e të masakruar dhe për shkak se shumë të afërm të të vrarëve nuk ishin tashmë në Skënderaj, por në vende të tjera të Kosovës. Po ashtu nuk mund të bëhej varrimi në një situatë kur e gjithë Drenica mbahet në gjendjen e shtetrrethimit më të ashpër.

Në përpjekje për të mbuluar gjurmët e krimit, policia serbe dha dje disa herë ultimatume kërcënuese se do të varroste vetë të vrarët, nëse këtë nuk do ta bënin të afërmit e të vrarëve.

Në mbrëmje, policia serbe i detyroi me dhunë njerëzit pak para orës 17,00 që të bartnin arkivolet me trupat e të vrarëve për në Prekaz të Ulët.

Një dëshmitar nga Skënderaj i tha Degës së LDK-së në Vushtrri se varrimi zgjati deri në orën 18:00.

Në varrim kanë marrë pjesë disa qytetarë, të cilët policia i kishte marrë me dhunë në rrugë në cilësinë e dëshmitarëve dhe pak veprimtarë të LDK-së e të KMDLNj-së në Skënderaj si edhe disa anëtarë të familjeve të viktimave. Varrimi u bë nën kërcënimin e policëve e civilëve të armatosur serbë. Në afërsi ishte edhe autoblinda dhe një kamion.

Viktimat u varrosën në varret e hapura më herët, por pa ndjekur asfarë rendi, madje edhe sipas numrave të identifikimit, vetëm duke i futur në varre, gjithnjë nën kërcënimin e policëve e civilëve serbë të armatosur.

Shumica e varreve janë mbuluar mbrëmë me dhe me eskavator, ndërsa të hapura mbetën rreth 10 varre.

Gjatë tërë kohës forcat serbe kanë qëndruar në gjendje gatishmërie, duke kërcënuar të pranishmit se do të shtijnë nëse dikush lëviz.

Një burim nga Skënderaj ka njoftuar sot se policia serbe ka thënë sot se mund të bëhet mbulimi i varreve të tjera, por ka lejuar që këtë ta bëjnë vetëm 60 veta, të cilëve, siç thanë ata, policia do t’ua garantojë sigurinë.

 

Numri i shqiptarëve të vendosur në Mitrovicë ka arritur 3400

 Prishtinë, 11 mars (QIK)

Nga Mitrovica njoftohet se rruga Mitrovicë – Skënderaj po mbahet e mbyllur nga ana e policisë speciale serbe. Numri i shqiptarëve që kanë arritur në këtë komunë nga fshatrat e Skënderajt është 3400.

Ato janë vendosur nëpër familjet shqiptare.

Deri më tash në Mitrovicë kanë qëndruar drejtues të lDK-së që mirren me çështjen e refugjatëve, mirëpo në këtë komunë nuk ka arritur kurrëfarë ndihme. Me një fjalë, familjet e larguara nga Drenica po mbijetojnë kryesisht duke iu falënderuar familjeve shqiptare.

Nga Mitrovica mirret vesh se në këtë komunë nuk ka arritur asnjë ndihmë e asociacioneve ndërkombëtare.

 

Gjendje e rëndë edhe në Vushtrri

 Prishtinë, 11 mars (QIK)

Në Vushtrri janë vendosur deri më tash 4300 të larguar nga fshatrat e Skënderajt.

Ibush Jonuzi, nënkryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë tha se vetëm Shoqata Humanitare Bëmirëse “Nëna Tereze” ka dhënë disa ndihma.

Komunën e Vushtrrisë e ka vizituar një delegacion nga Prishtina, i kryesuar nga Skënder Kastrati, mirëpo deri më tash në këtë komunë nuk ka pasur ndihmë të organizuar për njerëzit e larguar nga shtëpitë e veta.

 (Ora 12.00)

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1994 B

Prishtinë, e mërkurë, 11 mars 1998

Edicioni i dytë (ora 14:45)

 

Vazhdon varrimi i të masakruarve në Prekaz

Prishtinë, 11 mars (QIK)

Siç dihet dje pasdreke policia serbe i detyroi me dhunë anëtarët e familjeve dhe bashkfshatarët e Prekazit të Ulët që të varrosnin të masakruarit më 5-7 mars nga forcat serbe.

Të vrarët u varrosën mbrëmë në varre që ishin hapur më parë, mirëpo disa varre mbetën të pambuluara me dhe për shkak të natës.

Disa gazetarë të huaj që arritën te depërtonin deri në Prekaz të Ulët thanë se anëtarët e familjeve dhe bashkafshatarët po i kthenin sot kufomat mbarë dhe po vazhdonin t’i mbulonin arkivolet me dhe.

 

Dyshohet se dy të vrarë nga Prekazi mbahen ende në morgun e Prishtinës

Prishtinë, 11 mars (QIK)

Në bazë të disa dëshmitarëve, dyshohet se në morgun e spitalit në Prishtinë gjenden edhe trupat e dy të vrarëve të paidentifkuar gjatë ekspeditës terroristike të forcave serbe në Prekaz të Ulët.

Thuhet se të vrarët kanë të veshura farmerka.

 

Halil Geci: Ne në Llaushë do të vdesim para dyerve të shtëpive, por jo si terroristë

Prishtinë, 11 mars (QIK)

Halil Geci, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, në një deklaratë që i dha sot me telefon QIK-ut e përshkroi situatën në fshatin Llaushë si tepër alarmante. Ai tha se bjeshkët rreth fshatit LLaushë janë rrethuar me mitralozë të rëndë dhe snajpetistë. Nuk ka ditë që nuk dikush nuk gjuhet nga breshëritë e snajperistëve dhe mitralozëve.

Z. Geci tha se shtëpitë e boshatisura i gjasojnë Bosnjës së shkretë. Nuk dëgjohen as zëra njerëzish as lojëra fëmijësh. Dita i gjason natës së errët. Nuk dëgjohet asgjë me shpirt që lëvizë. Dëgjohen vetëm ulurima qenësh e fishkëllima plumbash, krisma sporadike të snajperistëve që marrin jetëra njerëzish.

Deri më tash janë vrarë gjashtë veta: Miftar Rreci, Sadik Kaçkini familja e Bajram Ali Gashit: nëna më dy vajza dhe me djalë. Të gjithë këta janë vrarë në oborret e shtëpive të tyre, ndërsa në Prekaz, derisa ishte mysafir, është vrarë Osman Geci. Është zhdukur pa gjurmë Sabit Geci, i cili sipas informatave të familjes ishte nisur një orë para se të fillonte tragjedia në Çirez.

Z. Geci tha se varrimi i Miftar Rrecit është bërë natën, dy ditë pas vrasjes për shkak të pamundësisë së gropimit të varrit nga breshëritë e mitralozëve.

I ndjeri Miftar vdiq dy ditë pas plagosjes së lehtë, në mungesë të ndihmës mjekësore.

Në kufi me lagjen Rrecaj dhe Skënderaj qe tri ditë shihen trupat e dy personave të vrarë. Për shkak të pamundësisë së lëvizjes, nuk është bërë identifikimi i tyre.

Çka i thonë kësaj pos masakër mbi njerëz të pafajshëm, mbi gra, fëmijë, pleq e njerëz duarthatë? – pyet me trishtim Halil Geci! Ai thekson se numri i të vrarëve është sigurisht më i madh se numri që dihet deri më tash. Traumat psikike të fëmijëve s’mund të përshkruhen në këtë fshat që ka mbi 4500 banorë. Më se 20 fëmijë janë në trauma psikike dhe atyre u duhet ndihma mjekësore. Trauma kanë pësuar edhe njerëz të moshës së rritur. Një grua, që ka vetëm një nip pesëvjeçar, ndërsa djalin e ka në Gjermani, ka pësuar traumë psikike tmerruese. Një ditë ajo ka dalë malit me nipin në grykë me frikë se do t’ia vrasin të vetmin nip.

Ja pra, kjo është halla terroriste e shkruar te Millosheviqi si UÇK! Le të urdhërojë kushdo nga komuniteti ndërkombëtar që t’i vërtetojë gjërat! – thekson Halil Geci.

Ai shton se edhe sot në Llaushë janë dëgjuar krisma armësh gjatë tërë natës. Fshati mbahet ende në rreth të mëse 200 snajpetristëve. Ndihmat janë të bllokuara nga të gjitha anët. Ka mungesë të madhe të artikujve ushqimorë, mungesë të madhe të ndihmave mjekësore dhe ilaçeve. Fshati është gjithmonë pa rrymë. Halil Geci falënderon në emër të qytetarëve të Llaushës të gjithë atë kanë ndihmuar dhe që po ndihmojnë me ushqime familjet e lodhura nga ky tmerr.

Nga Llausha e rrethuar ai falënderoi edhe SHBA-të dhe BE-në, si edhe Shqipërinë për interesimin dhe kujdesin e tyre ndaj Drenicës gjatë këtyre ditëve. Ai falënderoi të gjithë shqiptarët gjithkah janë.

Në emër të banorëve të Llaushës ai përshëndeti politikën paqësore të Madhit President Rugova, siç u shpreh ai.

Ne do të vdesim para dyerve të shtëpive, jo si terroristë, por si shqiptarë dhe me gjithë dinjitetin që e kemi do t’i mbrojmë vatrat tona, tha ai në fund të kësaj deklarate për QIK-un.

 

Lëvizje të policisë në drejtim të Skënderajt

Prishtinë, 11 mars (QIK)

Nga ora 9,30 deri në orën 11 nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt shkuan tre autobusë, dy autoblinda, dy kamionë dhe katër vetura të tjera të policisë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

 

Policia gjuan me snajperë qytetarët

Prishtinë, 11 mars (QIK)

Dje prej orës 11 deri në orën 14 në të dy anët e rrugës Mitrovicë – Skënderaj, nga Shipoli deri në Vojtesh, ishin stacionuar grupe policësh. Para stacionit të autobusëve në Braboniq policia shtiu katër herë me snajper në drejtim të një personi të paidentifikuar, ndërsa rreth orës 14 me snajper u shti edhe kundër Qazim e Jetish Azemit nga ky fshat, njofto Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po dje, me snajper u shti në Zepë, Sadat dhe Bedri Baliun nga Kopriva. Njoftohet se policët e vendosur në këtë rrugë pinë raki dhe këndojnë këngë çetnike.

Ndërsa, mbrëmë rreth orës 18 dy vetura të mbushura me policë shkuan në shtëpinë e Halil A. Avdiut (70) në lagjen Tavnik të Mitrovicës, të cilin e arrestuan së bashku djalin e tij Abitin (25). Më parë policia kishte arrestuar dhe kishte liruar të afërmit e tyre Halit, Azem, Musli, Ajet dhe Hajër Ukën, me të cilët policia kishte shkuar në lagjen Avdijaj të Broboniqit, në shtëpinë e Halitit, në të cilën momentalisht nuk rrin askush dhe ku, sipas policëve, kishin gjetur një sasi të madhe armësh. Halili dhe Abiti nuk janë liruar.

Po ky komision njofton se më 5 mars, rreth orës 6 të mëngjesit, mbi 20 policë shkuan në shtëpinë e Ukshin Bajram Xonit (44) në Polac. Policia keqtrajtoi Ukshinin dhe vëllanë e tij Avduin e pastaj i arrestoi. Ata i dërguan njëherë në stacionin e policisë në Skënderaj e pastaj në Mitrovicë, ku i mbajtën dy ditë dhe i keqtrajtuan rëndë fizikisht.

 

Qeveria serbe lavdëron policinë e vet për masakrat dhe fton “pakicën shqiptare” për dialog në kuadër të Serbisë

Prishtinë, 11 mars (QIK)

Në një mbledhje të djeshme të qeverisë serbe në Beograd, përfaqësuesit e policisë serbe kishin paraqitur një raport për terrorin dhe masakrën që kishin kryer në fshatrat e Drenicës. Qeveria serbe aksionet e policisë serbe në Drenicë i kishte vlerësuar si masa “mbrojtëse” dhe në “funksion” të luftës kundër “terrorizmit” shqiptar.

Në komunikatën e lëshuar nga kjo mbledhje, të cilën e boton vetëm shtypi qeveritar serb, thuhet se qeveria serbe i fton pjesëtarët e “pakicës shqiptare” që të distancohen nga terrorizmi dhe t’i bashkohen dënimit unik ndërkombëtar kundër kësaj të keqeje.

Më tutje qeveria serbe thekson se edhe diplomatët dhe gazetarët e huaj qenkan “bindur” se aksioni qenka udhëhequr kundër “terrorizmit” dhe pasi tash nuk paskan çka të fshehin, i ftojnë ekspertët e huaj të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të vizitojnë Kosovën dhe në bashkëpunim me Kryqin e kuq serb të binden edhe vetë për aksionet “mborjtëse” të policisë serbe.

Nëpërmjet kësaj komunikate qeveria serbe pohon se “të gjitha çështjet e Kosovës duhet të zgjidhen në kuadër të Serbisë me mjete politike dhe në bazë të standardeve ndërkombvëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave”.

Në fund të kësaj komunikate qeveria serbe fton përfaqësuesit përgjegjës të “pakicës kombëtare shqiptare” në një dialog të hapur për zgjidhjen e të gjitha “çështjeve të hapuara”, sepse kjo është e vetmja rrugë për avancimin e proceseve politike me qëllim të zgjidhjes së çështjeve jetësore të qytetarëve në këtë “krahinë tonën”.

 Ora:14,45

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1994 C

Prishtinë, e mërkurë, 11 mars 1998

Edicioni i tretë (Ora 18:30)

 

Të shtëna sporadike në Turiçec – dy foshnje vdiqën nga acari

Prishtinë, 11 mars (QIK)

KI i Degës së LDK-së në Klinë njofton, duke u thirrur në burime të tij, se sot në Turiqec të Skënderajt u dëgjuan të shtëna sporadike armësh.

Po ky burim njofton se në këtë fshat po mbahen peng 100 gra e fëmijë të ikur nga Broja, ndërsa nga të ftohtit, duke ikur maleve vdiqën dy foshnje, vajza e Fatmir Hoxhës dhe vajza e Ramë Sejdiajt.

Nga Klina njoftohet gjithashtu se sot rreth orës 9,30 policia solli në Shtëpinë e Shëndetit në Klinë 4 femra nga Broja e Skënderajt, Selë Hajdinin, e plagosur me armë zjarri në këmbë dhe me shenja plagësh të vogla në trup, Ajete Hotin, e plagosur në krahëror si dhe dy vajza, Zyrafete Kastratin e Nexhmije Hajdarin të cilat kanë pësuar tronditje të rënda nga dhuna e ushtruar kundër tyre.

Atyre iu dha ndihma e parë në Klinë, pastaj u dërguan në spitalin e Pejës.

 

U krye varrimi në Prekaz

Prishtinë, 11 mars (QIK)

Në Prekaz, sot, deri në orët e pasdites, u rregulluan e u mbuluan varrezat e viktimave të terrorit serb.

Një burim i LDK-së nga kjo qytezë i tha QIK-ut se disa qindra njerëz, që mundën të arrijnë deri te vendvarrimi, nxorrën kufomat e hedhura mbrëmë përngut nën kërcënimin e forcave serbe dhe i varrosën ata sipas rregullave dhe ua rregulluan varret.

Po ky burim tha se mbi 15 kufoma nuk kishin mundur të identifikoheshin dhe shpjegoi se e gjithë puna u bë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të policisë serbe, e cila pengoi nga shumë drejtime ardhjen e fshatarëve.

Ai tha se nga Skënderaji janë larguar një numër i konsiderueshëm i banorëve. Në qytezë gjendja vazhdon të jetë e rëndë edhe sa i përket furnizimit me artikuj ushqimorë dhe medikamente. Në Skënderaj sot u hapën dy-tri dyqane, por shumica e pronarëve larguan mallin nga dyqanet, për ta mbrojtur atë nga vjedhjet e natës.

Ndërkohë, Prekazi, Llausha dhe disa fshatra të tjera të Drenicës vazhdojnë të mbahen në rrethim të hekurt të forcave serbe.

Një burim i LDK-së nga Llausha tha se ka njoftime për shtim të forcave serbe në afërsi të Turiçecit, në hapësirën mes këtij fshati e Llaushës.

Duke folur për pasojat e jetës nën rrethim të plotë policor, me mungesë ushqimi e ilaçesh, ai tha se Adem Rrecaj, një 75- vjeçar nga ky fshat, që ishte i sëmurë edhe më parë, vdiq ngase nuk pati mundësi askush t’i ofrojë ndihmë mjekësore.

 Ora:18:30.

 

***

 

Qendra për Informim e Kosovës

Informatori ditor nr.1994 D

Prishtinë, e mërkurë, 11 mars 1998

Edicioni i katërt (ora 19:30)

 

Policia ka plaçkitur fshatin Kopiliq të Skënderajt

Prishtinë, 11 mars (QIK)

Dje në vendin e quajtur Morinë të komunës së Skënderajt, ku janë stacionuar forca të mëdha policore, u ndalën, u legjitimuan dhe u bastisën të gjithë qytetarët që ishin nisur për të marrë pjesë në varrimin e viktimave në Prekaz. Shumë prej tyre edhe u keqtrajtuan fizikisht.

Ndërsa sot, që nga mëngjesi, ka pasur lëvizje të forcave policore serbe në drejtime të ndryshme.

Në orën 8,30 një autoblindë, 3 pizgauerë, 1 veturë terreni “Niva” dhe 1 veturë me targa civile kanë shkuar në drejtim të Skënderajt.

Në ora 9, një autoblindë dhe 4 vetura me 1 kamion, në të cilin ishte vendosur ngarkuesi, shkuan prej Komoranit në drejtim të Skënderajt.

Në mesditë, 1 tanks erdhi nga qendra e Gllogocit deri afër lokaleve të NKMDLNJ dhe prap u kthye nga erdhi, ndërsa në orën 13:00 landroveri erdhi nga drejtimi i Skënderajt dhe shkoi në drejtim të Komoranit.

Sot veprimtarë nga Gllogoci ishin në fshatin Kopiliq të Skënderajt ku u informuan se forca të mëdha policore kishin plaçkitur çdo gjë të vlefshme (si ari, të holla etj.) dhe kishin thyer e demoluar shumëçka.

Veprimtarët e LDK-së kishin vërejtur se vendi ku janë varrosur të vrarët është i rrethuar nga forcat policore.

 Ora:19:30

 

***

 

Comment

*