Erdhën si pushtues, nuk meritojnë varreza zyrtare

Ruben Avxhiu

Për një vend që ankohet vazhdimisht sesi është viktimë e vendeve më të mëdha, Greqia është vërtet me dy fytyra, nëse merr në shqyrtim marrëdhëniet e saj me Shqipërinë.
I vetmi vend i Bashkimit Europian që ende nuk njeh pakicat etnike, një kusht skualifikues për të gjithë vendet kandidate pas luftrave në ish-Jugosllavi, Greqia nuk do të ishte bërë kurrë anëtare e BE-së nëse nuk do të kishte përfituar nga rrethanat e Luftës së Ftohtë.
Tani është brenda në bllok dhe e përdor anëtarësinë e saj për t’iu imponuar vendeve më të vogla për të realizuar synimet ambicioze nacionaliste të një epoke që i paraprin BE-së dhe NATO-s.
Në rastin më të fundit konkret, qeveria e Greqisë ka detyruar atë të Shqipërisë që ushtarët grekë që u vranë në tokën shqiptare gjatë Luftës Italo-Greke t’i kenë varrezat e tyre në vendin tonë. Madje duke shpërfillur pronat private e publike të nënshtetsave shqiptarë aty ku do të ngrihen varrezat ushtarake. Aty ku çdo vit, politikanë grekë do të vijnë për pelegrinazh si shkojnë serbët në Ditën e Vidovdanit.
Nuk e di se si e bën qeveria greke që ta bindë gjithnjë atë shqiptare, pavarësisht se cila parti është në fuqi për këto varreza pa lëshuar as minimumin lidhur me tragjedinë çame. Llogjika e thjeshtë e do që Greqia mund ta bllokojë Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, po kjo është një perspektivë e largët tashmë. Më e mundshme është që t’ia bllokojë ndoshta disa ndihma e grante që Shqipëria merr nga BE.
Vështirë se Shqipëria propozon të tregëtojë me –fjala vjen – votën e Greqisë në UNESCO për Kosovën, apo edhe njohjen e saj. Vështirë se Shqipëria kërkon ndihmën greke për të përfituar nga ndonjë palë e tretë.
Duke njohur politikanët shqiptarë, të duket më lehtë të besosh se përfitime personale apo të natyrës politike e partiake janë më të mundshme sesa negocijimi i përgjithshëm në tregun e interesave shtetërore.
Mbase politikanët e diplomatët shqiptarë vuajnë edhe nga mosnjohja e historisë me qendrime që kur janë patriotike janë thjesht përsëritje shabllonesh boshe se sa të rrënjosura në fakte e argumente. As nuk ka shumë transparencë në këto negociata ndërshtetërore. Ministria e Jashtme nuk ka një proces debatimi të hapur të argumenteve duke përfshirë institucionet e studimeve ndërkombëtare që janë ngritur edhe në Shqipëri. Flitet për specialistë të FBI-së që do të vijnë në Tiranë, po jo për ekspertë ndërkombëtarë që janë angazhuar edhe më parë në çështje shqiptare që mund të prodhojnë argumente të ligjit ndërkombëtarë që mund t’i shërbenin Shqipërisë.
Në çështjet lidhur me Greqinë, kjo e fundit paturpësisht ende përsërit justifikimet dhe narrativën e demaskuar të bashkëpunimit çam me gjermanët dhe sigurisht atë të Shqipërisë si aleate të Italisë fashiste në sulmin ndaj Greqisë në L2B. Ata që kryen spastrimin etnik të Çamërisë ishin bashkëpunëtorë të nazizmit, siç është provuar tashmë. Historia e njeh mirë sjelljen e Zervës dhe kolaboracionistëve të tjerë grekë. Edhe sikur çamët të kishin qenë nazistë, çfarë faji do të kishin gratë e fëmijët që nuk kishin asnjë përgjegjësi politike për disa krerë të komuniteteve të tyre? Përkundrazi, historia e ka provuar mirë mobilizimin e çamëve në luftë kundër pushtuesit nazist, si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri.
Greqia u sulmua nga Italia, po jo nga Shqipëria, e cila ishte vetë e pushtuar. Fakti se trojet shqiptar u përdorën nga Italia fashiste si pretekst për sulm, apo që disa nacionalistë shqiptarë duartrokitën dhe morrën pjesë në sulm, nuk fajëson Shqipërinë. Greqia e përdori këtë argument qysh 70 vjet më parë për ta lënë Shqipërinë shkretuar nga lufta pa dëmshpërblimet që i takonin për pushtimin shumëvjeçar.
Është e vërtetë se Greqia u sulmua nga Italia fashiste, po kjo nuk e bën Greqinë e atëhershme një vend antifashist. Greqia drejtohej nga një qeveri po aq fashiste. Asgjë nuk e dallon praktikisht vizionin e Musolinit nga ai i qeverisë greke të kohës, përveçse në dëshirën italiane për të imituar ekspansionin nazist.
Më e rëndësishmja për çështjen në fjalë, ushtarët grekë nuk hynë në Shqipëri si çlirimtarë, po si pushtues. Ndryshe nga forcat aleate amerikane, britanike e sovietike, ushtarët grekë nuk sollën çlirim të vendit, por imponuar zhvendosje kufiri. Ata imponuan dhrahminë greke në treg, nuk ngritën flamurin shqiptar por atë grek kur hoqën simbolet e Italisë, arrestuan dhe vranë patriotët shqiptarë jo se kishin bashkëpunuar me Italinë, por se nuk pranonin se kjo tokë tani do të quhej Greqi.
Ushtarët që u vranë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin pothuajse të gjithë të rinj të mobilizuar me ligj. Shumica e të vrarëve nuk kanë faj. Është njerëzore që të varrosen aty ku familjet mund t’i vizitojnë, apo zyrtarët lokalë për t’i nderuar. Trajtimi njerëzor i të vrarëve është pjesë e normalizimit të mardhënieve mes vendeve që dikur ishin në luftë e tani jetojnë në paqe e harmoni.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria edhe nën komunizëm lejoi që Italia dhe Gjermania të merrnin eshtrat e ushtarëve të tyre që erdhën si pushtues. Çdo vend i botës i merr në atdhe të vrarët e tij. Është minimum që mund të bëjë për ta. Ata nuk vendosën politikat e kohës. Ishin pushtues, po ishin edhe viktima. Atëhëre pse nuk i mer edhe Greqia në atdhe eshtrat e tyre si çdo vend tjetër normal?
Përgjigjia është e thjeshtë: në mendjen e politikanëve grekë, ata të vrarë janë në Greqi. Janë vrarë në tokë greke dhe nuk kanë pse të lëvizen mbrapsh andej nga erdhën. Varrezat që do të ngrihen do të përdoren si sinorë për të përcaktuar kufijtë natyralë të kombit grek. Edhe pas vdekjes po i përdorin si pushtues.
Greqia nuk duhet lejuar që këtë të vërtetë ta përqeshë si paranojë nacionaliste shqiptare. Është Greqia dhe jo Shqipëria ajo që debaton me një vend tjetër fqinj personazhe e simbole të 2,500 vite më parë, ndaj nuk ka pse habitet që jemi të ndjeshëm për një ngjarje të 70 viteve të shkuara.
Nuk mund të ketë dy standarde në politikën e jashtme. Greqia ose duhet ta mbyllë të shkuarën e të sillet si një vend normal, ose le të hapim qitapet e të flasim për të drejtat gjuhësore të një milionë arvanitasve, dëmshpërblimet financiare dhe pronësore të Çamërisë, dëmshpërblimet për pushtimet greke, njohjen e pakicës etnike shqiptare në vend, etj.
Sa më shumë kalon koha, aq më pak ka arsye Shqipëria që të druhet nga Greqia. Dhe punët mund të shkojnë shumë më keq. Me gjithë sulmet në shtypin shqiptar kundër Kotsias, kjo është qeveria më pak nacionaliste që mund të prodhojë Greqia. Kotsias vetë, një ish-komunist, që duhej t’i kuptonte më mirë ndyrësitë e fashizmit grek dhe spastrimin etnik që njollos Greqinë, është një ministër i Jashtëm që premtonte shumë. Nuk e di se si diplomacia shqiptare edhe njëherë doli e humbur. Sidomos, në një epokë kur Greqia vuan nga një numër problemesh që nuk kanë lidhje me ne, po që po na dëmtojnë edhe ne.
Ka shumë rëndësi që dy vendet tona ashtu si edhe i gjithë rajoni të hyjë në rrugën e paqes dhe zhvillimit. Të bëhemi të zhvilluar e në paqe si Perëndimi e Azia Lindore dhe jo në luftë e shkatërrim si Lindja e Mesme. Po këto “marrëveshje me bisht” nuk sjellin të ardhme të mirë. Ato i nënshtrohen besimit se ky është një konflikt i gjallë e që të vdekurit e luftës duhet të përdoren përsëri për betejat e sotme e të ardhme të një nacionalizmi absurd.

2 Responses to “Erdhën si pushtues, nuk meritojnë varreza zyrtare”

Read below or add a comment...

  1. THANE G. GJOKA (pasardhës i të masakruarve nga andartët grekë) says:

    Zoti Ruben mendoj se mund të arrihet dhe një marrëvreshje më e vlefshme për popullin shqiptar.
    Kërkesat e vijueshme të qeverive greke pas vitit 1992 për krijim vorrezash në tokën shqiptare për ushtarët grekë që ranë gjatë Luftës Italo-Greke të vitit 1940 mund të konsiderohen të drejta, por pa reciprocitet nuk mund të ketë qetërsi shpitrash…
    Qeveritë shqiptare, si ajo e viteve 2010-2012 dhe kjo e sotmja, kanë pranuar ndërtimin e këtyre vorrezave, për respekt të ushtarëve grekë që ranë gjatë asaj lufte. Ky gjest tregon respekt dhe dashuri të qeverive shqiptare dhe të popullit shqiptar ndaj popullit fqinj grek. Mirëpo nuk duhen lënë në harresë dhe nevoja e vlerësimit të disa ngjarjeve më të dhimbshme, që do të tregonin respektin e dashurinë e qeverive greke dhe të popullit grek ndaj popullit shqiptar.
    Për këtë arsye është mirë të ngrihen edhe memoriale për shqiptarët e masakruar prej ushtërive greke. Masakrat e ushtrive greke ndaj popullsisë shqiptare në trojet shqiptare nuk kanë të numëruar. Ato filluan dhe vijuan me një strategji të dukshme shoviniste për pastrimin e territoreve shqiptare prej popullsisë shqiptare. Në vitin 1878 andartët grekë dogjën qytetin Lekurës mbi Sarandë. Pastaj vijuan gjatë viteve 1914-1916 në fshatra të Gjirokastrës, Përmetit, Kolonjës, Korçës dhe Devollit, ku dogjën qindra shtëpi dhe vranë me mijëra banorë, për të vetmin shkak se ata nuk pranonin të thoshin se ishin “grekë”, po thoshin “jemi orthodoksë shqiptarë”.
    Po ashtu, mijëra shqiptarë vrau dhe qindra e mijëra shtëpi dogji ushtria greke në krahinën shqiptare të Çamërisë. Në vitet 1923-1926 qeveria greke vrau, masakroi dhe dëboi nga vatrat e tyre mbi 20 mijë shqiptarë myslimanë, të cilët i dërgoi në Turqi si turq. Kurse gjatë viteve 1944-1945 dëboi 25-30 mijë shqiptarë myslimanë drejt Shqipërisë gjoja se kishin qenë bashkëpunëtorë të Nazizmit. Po si mund të ishin bashkëpunëtorë të Nazizmit fëmijët, pleqtë dhe nuset me barrë, që vriteshin e dëboheshin nga shtëpitë e tyre?
    Qeveria e sotme greke, si anëtare e Europës së Bashkuar duhet të kërkojë falje për gjithë këto masakra dhe të ndërtojë memoriale dhe monumente në qytetet Bilisht, Korçë, Ersekë, Përmet, Gjirokastër dhe brenda territorit të shtetit grek në qytetet Filat, Igumenicë, Margëlliç, Pargë e Prevezë. Në këto memoriale duhet të ketë monumente ose basoreleve me nuse me barrë që u nxirret me bajonetë foshnja nga barku prej andartëve grekë. Në pjedestalin e këtyre monumenteve duhet të gdhenden në greqisht e shqip fjalë për kërkimin e të falurit. Priftërinj dhe peshkopë të Kishës Shqiptare Orthodokse dhe priftërinj e peshkopë të Kishës Orthodokse Greke shoqëruar me bijtë e pasardhësve të viktimave dhuhet të shkojnë në sejcilin prej këtyre momorialeve dhe të mbajnë meshë një herë në vit. Të tilla veprime forcojnë miqësinë e dashurinë midis dy popujve fqinjë.
    Qeveria shqiptare, krahas pranimit të kërkesave të qeverisë greke, duhet të kërkojë reciprocitet me dinjitet. Vetëm kështu rikrijohen urrat e vllazërisë midi dy popujve tanë, urra të cilat ishin ngritur prej stërgjyshërve të të dy popujve dhe kishin funksionuar për bukuri që nga Antikiteti e deri te krijimi i shtetit të pavarrur grek. Këto urra disa qarqe shoviniste në qeveritë greke të pasvitit 1827 kanë punuar për t’i prishur dhe kanë arritur me propagandën e tyre djallëzore të ngjallin midis disa pjesëtarëve të të dy popujve tanë mosmarreveshje e urrejtje.
    Jemi fqinjë të vjetër prej 3 mijë vetësh dhe kemi nevojë për respekt e dashuri të dyanshme.
    Ashtu si nuk ka paqe shpirtërore midis pasardhësve të grekëve të rënë në Luftën Italo-Greke, pa vendosur lule mbi memorialin e ushtarëve grekë të rënë në tokën shqiptare gjatë luftimeve heroike të djemve grekë që ndoqën ushtrinë pushtuese italiane përtej kufirit të shtetit grek. Po ashtu dhe pa krijuar memoriale për shqiptarët e masakruar nga andartët grekë, ku të vendosim lule nuk mund të vijë paqja shpirtërore midis ne pasardhësve të shqiptarëve të masakruar…

  2. Zgalem says:

    Greket nuk ishin pushtus , ne ato vite , por ne 14 -en , ne 20 -en e gjat gjithe historise shekullore . Politika greke nuk ka per t’u korigjuar kurre . Eshte politike hegjemoniste dhe kishtare . Merre me mend si mund te jete normale nje politike kishtare . Kjo nuk ndryshon . Problemi eshte te njifen pronat e cameve dhe te Shqipetareve ne Greqi . Po qe se finalozohen keto probleme , Shqiperia mbetet balle lart Vangjel Zhapa , ka themeluar Athinen modern . . Kini parasysh , qe jeta eshte e shkurer . Nuk do te preisn camet , sa te zgjohet nga gjumi letargjik Shpetim Idrizi .Diplomacia , kerkon tjeter vision . Hiqni dore nga “dora ne kobure ” . Kohet kane ndryshuar . mjere ai , qe i kupton me vonese dhe me imponim . . Zgalem

Comment

*