Ermonela Jaho hyn në zemrat e spektatorit të Met Opera, në New York

Julika Prifti

4 mars, 2018 – Ne Metropolitan Opera ne New York, po shfaqet me sukses te madh Madame Butterfly e kompositorit italian G. Puccini. Madame Butterfly eshte nje nga operat me te famshme, me te njohura, me te dashura te publikut botëror. Qe prej 115 vjetesh ajo shfaqet rregullisht ne skenat e operave te Italise, Frances, Gjermanise, Amerikes, Argjentines, Australise, etj.

Sopranot me te njohura te kohës kanë interpretuar rolin e Cio-Cio-San. Në skenën e Metropolitan Opera janë ngjitur Geraldine Farrar, Licia Albanese, Dorothy Kirsten, Antonella Stella, Renata Tebaldi, dhe ne vitet 2006-2007 Cristina Gallardo-Domas.

Këtë sezon rolin kryesor të geishes 15 vjeçare (në aktin e I) e interpreton ( pas Licia Albanese) një shqiptare tjetër, sopranoja Ermonela Jaho.

Ermonela Jaho e bëri përvete publikun e Met Opera që me hyrjen e saj në skenë. Ajo duket se ka lindur për këtë rol. E ndrojtur, fjalëpakë, e turpshme, e respektueshme me lëvizje e gjeste të pakta trupore, ajo të mahnit me zërin e saj të ëmbël që arrin në kulminacion në arien “Amor mio’’. Interpretimi i saj i fortë dhe i bukur e bënte publikun të shpërthente në duartrokitje të gjata e të ngrohta.

Në aktin e II duartrokitjet pas aries “Un bel di” ku spektatorët ndjenë gëzimin, ankthin, vuajtjet e hequra te interpretimit të saj që dukej se buronin nga qenia e saj duartrokitjet ishin me ovacion e për minuta të tëra.

Në aktin e tretë Ermonela Jaho ishte e njohur dhe e dashur për të gjithë shikuesit e kësaj shfaqeje. Zëri i saj hapet gjerësisht dhe gjithkush ndjen në zemër e në qënien e tij qarjen e dhimbshme se jeta e saj ka marrë fund.

I gjithë publiku i sallës së Met Opera u ngrit në këmbë e thërriste “bravo, bravo” kur në skenë doli të përshëndeste sopranoja Ermonela Jaho. Vetëm interpretime të paharrueshme, mbresëlënëse arrijnë të marrin duartdrokitje aq të gjata e aq të ndjera.

Emri i sopranos shqiptare Ermonela Jaho tashmë ka hyrë në historikun e interpretimeve më të mira të Butterfly- it në Metropolitan Opera. Por gëzimi i atdhetarëve është i dyfishtë. Ata jo vetëm shijojnë operën e famshme por shijojnë edhe triumfin e një sopranoje të re nga atdheu emri i të cilës do të shkruhet me gërma të mëdha e do të jetë i paharrueshëm në mendjen e atyre që patën rastin ta shikojnë.

Ermonela Jaho do të luajë përsëri në datën 8, 13, 16 mars në Met Opera. Ky është një rast i rrallë për të parë në skenë yllin operistik shqiptar e për t’u ndjerë krenare për bashkatdhetaren tonë.

Comment

*