Erozioni i aftësisë për shkrim-lexim të thellë: pasoja për demokracinë

(Përmbledhje e shkurtër e një shkrimi të gjatë nga Adam Garfinkle, më poshtë, me titull “The Erosion of Deep Literacy”, për rreziqet nga njerëzit e arsimuar pak dhe keq, nga njerëzit që, për arsye se nuk e kanë aftësinë për shkrim-lexim të thellë, nuk kanë kapacitet për mendim kritik, origjinal, apo abstrakt. Këta njerëz bien pre e sharlatanëve dhe demagogëve politikë, thotë autori. Atyre që u mungon zakoni i leximit ngujohen në adoleshencë intelektuale, por megjithatë mund të mblidhen në rrugë, të bërtasin dhe madje të shtijnë me armë, përfundon Adam Garfinkle).

 

Teknologjitë e reja digjitale po e demokratizojnë gjuhën e shkruar dhe po e zgjerojnë rrethin njerëzve që i përdorin dhe mësojnë prej tyre.

Mirëpo, siç venerojnë studiuesit, këto teknologji e kanë cunguar aftësinë për lexim në kohë të zgjatur.

Në librin e saj “Reader, Come Home” (2018) Marianne Wolf konstaton se ne po e humbim “shkrim leximin e thellë (“deep literacy”) apo “leximin e thellë” (“deep reading”).

Leximi i thellë ndodh kur lexuesi rroket me shkrim të gjatë në atë mënyrë që i mundëson atij të parashikojë linjën që e ndjek autori dhe kuptimin e tij, dhe e shtyn (lexuesin) të angazhohet me atë që e di tashmë vetë në një proces dialektik me tekstin. Rezultati është një fuzionim i shkrimtarit me lexuesin që ka potencialin të nxisë venerime origjinale.

Shkrim-leximi i thellë ka efekte çudibërëse, e ushqen kapacitetin për mendim abstrakt, na mundëson të shtrojmë dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të vështira, na e forcon keativitetin dhe imagjinatën, por edhe na e kultivon aftësinë për të bashkëndjerë me tjetrin. Po ashtu e mundëson krijimin e mendimeve të reja.

Thënë shkurt, e nxit një “revolucion” të trurit!

Të kuptuarit e shkrim-leximit të thellë ndihmon për të kuptuar aspekte të historisë dhe të politikës bashkëkohore.

Njerëzit që e kanë humbur aftësinë për lexim të hellë e humbin aftësinë për kuptim të argumentit abstrakt.

Është vështirë ta mbajmë vëmendjen për lexim të thellë kur këtë vëmendje na e zhvendosin aktivitete që kërkojnë angazhim të përhershëm të pjesërishëm.

Nëse nuk lexon thellë, nuk e kultivon aftësinë për të menduar, për të imagjinuar dhe për të krijuar. Kjo ndodh sidomos në ndërveprime elektronike që krijojnë njëfarë autizmi social.

Në fantashkencë (science fiction) ekziston brenga se makinat do të bëhen si njerëzit. Tash problem më i madh është se njerëzit po bëhen si makina.

Shkrim-leximi është arritje kulturore relativisht e re në rrjedhën evolucionare të qenieve njerëzore.

Leximi i librave kërkon prej teje si lexues që të formosh koncepte, ta stërvisësh mendjen për ndërlidhje, ka thanë Henry Kissinger. “Duhet të mundohesh mendërisht për ta internalizuar [librin]”, thotë ai, duke konstatuar se ata që lundrojnë në internet nuk janë lexues, por hulumtues që lundrojnë në sipërfaqe. Mendimi strategjik për botën nuk mbërrihet kështu, thotë ai.

Truri që angazhohet në lexim të thellë shkëlqen në aftësinë për të parë ndërlidhje ndërmjet mënyrave të arysetimit: analogjike, nënkuptimore dhe empatike (bashkëndjenjore). Ky konstelacion i burimeve dhe i ndërlidhjeve e mundëson mendimin strategjik, mendimin origjinal.

Aftësia jonë për lexim të thellë është pjesërisht ajo që na na ka bërë njerëzorë.

Shkrimi-leximi si arritje kulturore e ka ndryshuar shoqërinë, sepse u ka mundësuar njerëzve të mësojnë nga paraardhësit e tyre që kanë vdekur moti dhe t’i mësojnë ata që vijnë shumë më vonë në jetë, duke krijuar togje të bashkëbisedimit ndërmjet brezave që kafshët nuk i kanë.

Të mirat nga leximi i thellë akumulohen me kohë, te individi dhe në shoqëri. Vetëm leximi i thellë e krijon mundësinë e dialogut të brendshëm me një autor që nuk është i pranishëm fizikisht.

Kur nuk kemi kapacitet për mendim kritik, për përsiatje personale, imagjinative dhe bashkëndjenjë, biem pre e e sharlatanëve dhe e demagogëve.

Kapaciteti për arsyetime/shpjegime abstrakte është pjesë integrale e politikës liberaldemokratike. Konceptet e përfaqësimit, virytet e dyshimit, mospajtimit dhe modestitë, sikur edhe koncepti i rendit kushtetues të depersonalizuar janë ide abstrakte.

Forma më pak abstrake, e ripersonalizuar e autoritetit shoqëror e politik shpie te lideri i ‘madh’ autoritar.

Tash kemi shkallë më të larta të pjesëmarrjes, së paku sipërfaqësore, në diskursin politik, nëse jo në politikë, falë teknologjive të mediave sociale. Shumë njerëz japin mendime për gjëra që s’i kuptojnë në të vëretë.

Rënia e shkallës së shkrim-leximit të thellë, krahas rritjes së statusit të të arsimuarve sipërfaqësorë, është ushqim për format joliberale nacionaliste në Amerikë dhe gjetiu.

Populizmi i sojit të nacionalistit joliberal ndodh kur demokracia masive elektorale e votuesve të mobilizuar bie nën standardin e shkrim-leximit të thellë.

Njerëzit e rritur që s’e kanë lexuar asnjë libër që prej kohës kur kanë qenë nxënës të shkollës së mesme priren të votojnë, për arsye të ndryshme, ndryshe prej atyre që janë votues më të dijshëm.

“Horizonte të kufizuara”, “perspektiva të ngushta”, “mendimi konkret” janë karakteristika të spikatura të botës së ideve të njerëzve të arsimuar pak e keq.

Lexuesit e thellë të paktën e dijnë se çka nuk dijnë dhe prandaj krijojnë mburoja skepticizmi kundrejt formave të reklamave, të propagandës që magjeps turmat populiste.

Atyre që u mungon zakoni i leximit ngujohen në adoleshencë intelektuale, por, megjithatë, mund të mblidhen në rrugë, të bërtasin dhe madje të shtijnë me armë.

 

(Zgjodhi dhe përgatiti MH)

Home | National Affairs

Comment

*