Erza Muqolli nënshkruan kontratë me dy shtëpi muzikore në Francë

Erza Muqolli, e cila ka shënuar një sukses shumë të madh me këngët e saj në Francë, tashmë ka nënshkruar kontratë me dy shtëpi muzikore në Francë, dhe brenda vitit do të prezantohet me albumin e saj të parë solo.

Mehmet Muqolli, menaxheri i Erza Muqollit, ka konfirmuar se tashmë kjo kontratë është nënshkruar dhe këngët do të bëhen në bashkëpunim me tekstshkruesin, këngëtarin dhe kompozitorin më të njohur francez Vianney.

“Do të jetë një album shumë i veçantë, është duke u përgatitë një album madhështor, do të jetë një album i mirë jo vetëm për francezët, por edhe për shqiptarët. Ky projekt është një projekt që do të sjellë risi në muzikën franceze, por edhe në atë botërore”, ka thënë Muqolli për KultPlus.

Kurse Erza ka treguar se ky album do të përbehet nga 12 këngë.

“Publikimi i albumit besoj që do të realizohet në fund të këtij viti, kurse videoklipi i parë po nga ky videoklip do të publikohet rreth muajit maj ose qershor”, ka thënë Erza Muqolli.

Ajo ka thënë se ky album do të shënojë edhe rrugëtimin e saj në karrierën muzikore si e rritur.

Kurse Mehmet Muqolli ka treguar se tematika e këngëve do të jetë e ndryshme. Ai ka thënë se ka edhe diçka shumë të rëndësishme rreth këtij albumi, por këtë do ta pubkikojë kur të vijë koha.

Erza Muqolli qysh si e vajzë e vogël është vlerësuar si një ndër fëmijët më të suksesshëm në Francë. Ajo është prezantuar në skenë edhe me artistët më të mëdhenjë shqiptarë, si: Dua Lipa, Inva Mula e të tjerë.

Ky bashkëpunim me kompozitorin e njohur francez konsiderohet si një etapë tjetër e rëndësishme për karrierën e saj. Përgatitjet rreth këtij albumi premtojnë sukses të madh.

(KultPlus.com)

Comment

*