Esmiana Jani, një balerinë shqiptare, në skenat e kryeqytetit të Amerikës

Është bërë pjesë e “The Washington Ballet”, një nga trupat më të mira të baletit në SHBA, por me modesti thotë se ka ende shumë për të mësuar

 

Nga Jeff Wolfe

Esmiana Jani, gjatë më shumë se 20 vjetëve të jetës së saj, ka jetuar në vende të ndryshme të botës. Ka lindur në Shqipëri, në moshën 5 vjeçare është larguar me prindërit për në Greqi dhe më pas së bashku me ta ka ardhur në Shtetet e Bashkuara, në Broomall, kur ishte 8 vjeç.
Gjithësesi, ka vetëm një vend ku e diplomuara e vitit 2011, e shkollës së mesme “Marple Newtown High School” dhe balerina e “The Washington Ballet”, (trupës së baletit të Washingtonit, ndër më të mirat në të gjithë Amerikën), ndjehet si në shtëpinë e saj.
“Mezi pres të ngjitem në skenë dhe [aty] vërtet nuk ndjehem aspak nervoze,” pohon ajo. “Në fund të fundit të jem në skenë është arsyeja pse kërcej. Nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim se çfarë kam dashur të bëj në jetë. Që kur isha e vogël doja të bëhesha balerinë. Nuk kam patur as më të voglën mëdyshje. Nuk e kam menduar dy herë. E kisha mëse të qartë se çfarë më ishte paracaktuar të bëja në jetë.”
Kjo mund të jetë dukur vërtet e qartë që atëherë kur Esmiana interpretoi në koncertin e saj të parë recital në moshën 4 vjeçare, kur ishte ende në Shqipëri. Dhe është bërë edhe më e dukshme kur në moshën 8 vjeçare, nisi të ndiqte mësimet e baletit në Akademinë Ndërkombëtare të Baletit në Media, Pennsyvania në SHBA. Aty kalonte pjesën më të madhe të orëve pas shkollës si dhe fundjavat, duke punuar çdo ditë për të arritur ëndrrën e saj nën drejtimin e mësueses Anastasia Babayeva-s, e diplomuar në Akademinë e Baletit Bolshoi në Moskë.
“Ajo kishte sjellë kaq shumë përvojë prej atje dhe [Akademia e Baletit Bolshoi] është një nga kompanitë më të mira në botë,” thotë Jani. “Të kishe mundësinë ta admiroje dhe të shihje çfarë kishte mësuar nga ajo kompani ishte diçka që të magjepste”.

Megjithëse ia ka dalë të jetë pjesë e The Washington Ballet, Jani thotë se ka ende shumë për të mësuar.
“Nga çdo balerinë që kam takuar në The Washington Ballet kam mësuar diçka,” thotë Jani kur tregon për përvojën e saj në skenën e kryeqytetit të vendit. “Sa hërë që takoj një kërcimtare të re, shoh mënyrën sesi kërcejnë dhe nëse mund të mësoj dicka prej tyre. [Sepse] jo çdokush ka patur përvojë të njëjtë më timen.”
Jani do të rikthehet këtë muaj për të tretin vit radhazi pranë “The Studio Company” të Baletit të Washington-it për sezonin 2013-2014. Studio Company është vendi ku rreth gjashtë balerina, të grupmoshave 18 deri 20 vjeç, marrin një trajnim shtesë i cili ka për qëllim t’i ndihmojë në fazën e tranzicionit nga studente në balerina profesioniste. Anëtaret e The Studio Company interpretojnë në shfaqje së bashku me balerinat e kompanisë e profesioniste, por pranverën e ardhshme, Studio Company do të japë gjithashtu një shfaqje krejtësisht të sajën. E parë nga shumë pikëvështrime, Jani tashmë është një balerinë profesioniste. Ajo paguhet për shfaqjet ku interpreton dhe pohon se fiton aq sa i mjafton për të mbajtur një apartament dhe për të mbuluar shpenzimet e jetesës në Washington.
“Jam ende në përpjekje e sipër për të dhënë prova që kam forcën dhe pjekurinë e mjaftueshme për të qenë pjesë e kompanisë profesioniste,” thotë Jani. “Dalngadalë ata të japin më shumë role dhe më shumë përgjegjësi. Me kohë arrihet gjithshka. Më duhet të punoj e të tregoj durim.”
Në formulën e arritjes së suksesit, pjesa e ekuacionit që kërkon punë të palodhur, duket se nuk paraqet asnjë problem për Janin. Për t’iu përkushtuar ëndrrës së saj, ajo pranon se me vullnetin e saj të lirë ka hequr dorë nga gjërat me të cilat merren zakonisht adoleshentet.
Që kur isha 5 vjeç, [ëndrra për t’u bërë balerinë] ka qenë në qendër të jetës sime,” thotë Jani. “Gjithshka kisha ishte shkolla, baleti, detyrat e shtëpisë dhe gjumi. Nuk e kam patur asnjëherë problem që nuk kisha kohë të merresha me veprimtaritë që bënin të tjerët. Ata bënin çfarë u pëlqente. Unë vetë isha dhënë e tëra pas diçkaje të cilën e doja me gjithë shpirt.”
Ndërsa për të tjerët këto veprimtari përfshinin sporte të ndryshme, Jani i ishte përkushtuar me mish e shpirt një aktiviteti që kërkonte shumë lëvizje dhe aftësi atletike. Baleti mund të mos quhet sport, por është diçka që jo shumë të ashtuquajtur sportistë do të ishin në gjendje ta bënin.
“Vë në punë çdo muskul të trupit dhe në të njëjtën kohë duhet të dukem sa më elegante që të jetë e mundur,” thotë Jani. “Disa na thërrasin atletë e disa artistë. Unë them se i kemi të dyja. Jemi mjaft atletikë, por njëkohësisht duhet të tregojmë edhe elegancë.”
Si shumë atletë të nivelit të lartë, Janit i duhet të tregojë kujdes për ushqimin. Ajo e ka kaluar verën në shtëpi, por kjo nuk do të thotë se ka ndërprerë regjimin e saj të përditshëm.
“Kam ndjekur mësime baleti çdo ditë dhe kam shkuar në palestër,” tregon ajo. “Duhet të jem e përgatitur fizikisht, sepse kur shkon atje duhet të jesh në formë. Nuk ka kohë për t’u rikthyer në formë. Sigurisht është e rëndësishme të hash ushqime që bëjnë mirë për shëndetin, por gjatë verës je pak më i lirë.”
Jani mezi pret rikthimin në Washington dhe rifillimin e rutinës së përditshme të provave dhe shfaqjeve.
“Kam ecur nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë, por çdo moment i saj ia ka vlejtur,” thotë Jani. “Më është dashur të punoj shumë për të mbërritur këtu ku jam dhe ende me duhet të vazhdoj të punoj shumë. Ka qenë zbavitëse. Në fund të fundit kjo është ëndrra ime”. (VP/Illyria)

One Response to “Esmiana Jani, një balerinë shqiptare, në skenat e kryeqytetit të Amerikës”

Read below or add a comment...

  1. Albert Harja says:

    Na gezon pa mase kjo arritja e juaj .. E pikerisht ne Kryeqytetin e Amerikes .. Ju shkofte mbare e qofshi ma fat e po fat i sjellsh Shqiperise tende

Comment

*

Current ye@r *