Estetika nën pulsin e psikës kombëtare

Anton Çefa

“Shqiptari ka shpirt artisti” – Edith Durham

 

Nga Anton Çefa

Një paraqitje sa më e plotë e shpirtit të një populli, një pasqyrim sa më i saktë i përsonalitetit të tij, kërkon të trajtohen edhe probleme të tilla si sa dhe si e kupton dhe e vlerëson ai të bukuren dhe kategoritë e tjera të estetikës në natyrë, në jetë dhe në art; çka e dallon atë ose çka të veçantë ka ai në këtë hise të psikës së tij në krahasim me popuj e kombe të tjera, cili është individualiteti i tij në lëmijet estetike.

Teorikisht, estetika është teoria e kuptimit të botës dhe e përjetimit të saj nëpërmjet ndjenjave e shqisave, çka është një njohje intuitive, përmes së cilës njeriu kupton dhe vlerëson kategoritë e estetikës: të bukurën, të shëmtuarën, tragjikën, komikën, heroikën, të ultën.

Nevojat, shtysat, synimet e shpirtit të njeriut, përcaktuar nga Platoni janë: e vërteta, e mira, e bukura. Ideali dhe synimi ndaj së vërtetës është i pashmangshëm, i padiskutueshëm. Ka mendimtarë që të mirën e vlerësojnë si imperativ të parë të jetës shpirtërore të njeriut, si mjetin e parë për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë njerëzimin. Duke folur për rëndësinë e etikës në proceset e zhvillimit shoqëror, filozofi francez Paul Ricour, ka thënë:  “ . . . në erën globale ajo kthehet në mjetin e vetëm të orientimit” 1). Edhe në mendimin shqiptar është shtruar ky problem: “Sfida jonë në fillim të shekullit XXI asht krijimi i bashkësisë etike shqiptare, e cila ka si qellim të vetin të mirën e përbashkët dhe jo interesat e përveçme.” , ka shkruar Ardian Ndreca. 2).  

Historia e filozofisë dhe e estetikës ka pasur edhe gjykime, sipas të cilave, bukurisë i është dhënë prioriteti i jetës shpirtërore. Shkrimtari i shquar francez, Anatole France ka thënë: “Unë besoj se ne kurrë nuk do të dimë me saktësi pse një gjë është e bukur. Askush nuk ka qenë i aftë të ma tregojë me përpikëri një gjë të tillë . . .  Sa për mua, unë ndjek ndjenjën time për të bukurën. A mund të gjej njeriu një udhërrëfyes më të mirë? . . . Nëse do të më duhet të zgjedh mes së bukurës dhe së vërtetës, unë nuk do të lëkundem, do të zgjedh të bukurën. Nuk është asgjë e vërtetë në këtë botë, veç së bukurës.” Niçe i ka çmuar në shkallën më të lartën vlerat e estetikës: “Vetëm si dukuri estetike ekzistenca dhe bota janë përjetësisht të përligjura”. 

Po është e domosdoshme të theksojmë këtu se e bukura është një kategori estetike a edhe një koncept i papërkufizueshëm. E themi kështu, sepse pothuajse të gjithë estetët që kanë lavruar në këtë fushë, e kanë përkufizuar atë në mënyrë të ndryshme nga njëri-tjetri. Për estetin italian Benedeto Croce, bukuria është thjesht “shprehje”. Ai shkruan: “ . . . për të ngushtuar domethënien e fjalës “i bukur” kryesisht në vlerën  estetike, na duket e lejueshme dhe me vend që bukurinë ta përkufizojmë si shprehje të realizuar si duhet ose më mirë vetëm shprehje, sepse shprehja kur s’është e realizuar si  duhet, nuk është më shprehje.” 3).  

Në përputhje me idenë platoniane të treshes shpirtërore, në kulturën tonë kemi një përkufizim klasik të bukurisë, dhënë nga Anton Harapi: “Nieri provon në vete të vërtetën e të mirën, dhe ndien nevojën ta shprehë: qartësia e së vërtetës dhe e së mirës objektive, e ndieme në shpirt dhe e shprehun me forma e vepra ma të plotat: kjo asht bukuria.” 4).

  *   *   *

Pavarësisht nga sa thamë, në trajtesën tonë, bëhet përpjekje të zbulohet e të argumentohet psika estetike e shqiptarit. Për çdo aspekt të jetës, të natyrës, të shoqërisë, të artit, populli ynë, si çdo popull tjetër, ka pasur dhe ka mendimet e gjykimet e veta estetike, ka përjetuar dhe përjeton ndjenja dhe shije estetike, të ngjashme a të ndryshme nga popujt e tjerë. Atë e ka karakterizuar një ideal vetjak estetik, dhe në kuadrin e kulturës lëndore e shpirtërore, të krijimtarisë folklorike dhe asaj të kultivuar, ka treguar aftësi të lakmueshme në krijimin e së bukurës, duke shprehur botën e vet shpirtërore, dhe, njëkohësisht,duke dhënë ndihmesën e vet origjinale në kulturën evropiane dhe botërore.

Veçanërisht në proverbat, urtësia popullore ka sendërtuar dukuritë më të ndryshme estetike, idealet, konceptet, gjykimet, vlerësimet, ndjenjat, shijet. Në qenësinë e tyre, fjalët e urta të këtij lëmi janë një ndërthurje gnoseologjike, estetike, gjithnjë edukative, dhe po aq edhe didaktike.

Në proverbin “E bukur – e përputhur” është shprehur marrëdhënia e natyrshme mes bukurisë dhe harmonisë; ndryshe: për të qenë e bukur diçka, duhet të karakterizohet nga një lidhje e natyrshme dhe e përshtatshme ndërmjet pjesëve që e përbejnë atë. Të njëjtën ide populli e ka dhënë edhe më fjalën e urtë: “Pritet petku sipas shtatit”. 

Edhe në trajtime teorike theksohet harmonia si domosdoshmëri për të bukuren. Fishta ka shkruar: “Bukuria – nji dritë qi buron prej harmonijet”. 2). 

Në një plan ideal, bukuria tek njeriu kërkon harmoninë mes anës fizike dhe asaj shpirtërore. Gjithsesi, koncepti i së bukurës është kompleks, gjë që populli ynë e ka shprehur përmes fjalës së urtë: “Çdo lule ka erën e saj”, pra, në çdo objekt ajo shfaqet në mënyra të ndryshme. Ose “Si dimni si vera e kanë hijeshinë e vet”. Por është në natyrën e kësaj krijese folklorike që në përkufizimet e koncepteve që përbëjnë objektin e proverbit tregohet vetëm një tipar, dhe jo të gjitha tiparet e tij. Tërësia e tipareve, trajtimi i plotë i një objekti, parashtrohet në tërësinë e proverbave që lidhen me ciklin tematik të tij., d. m. th., të objektit. Idenë që e bukura nuk ka kufi, që ajo jetësohet në shkallët më të larta të sublimes, populli e ka dhënë tek fjala e urtë: “Ka lule mbi lule”. Vlerësimin e bukurisë e gjejmë në një mori proverbash, p. sh. “Hatëri i borzilokut, pi poçja ujë”, “Për hatër të vasilikoit, potis baltën njeriu”.

Në një mori proverbash, vihen në plan krahasues bukuria me tipare të tjera të psikës. Kështu, populli çmon më tepër aftësitë intelektuale se bukurinë: “Mendja e zbukuron njeriun”, “E bukur si peri, po mendjen firifi”, “Shtat e hije, mend asnji fije”, thuhet zakonisht për një vajzë të bukur që nuk është e mënçur, por, në nëntekst vlerësohet inteligjenca më shumë se bukuria. 5).  

  *   *   *

Idealet estetike, konceptimin e së bukurës, ndjenjat dhe shijet estetike, populli ynë i ka shprehur, sendërtuar në jetën e përditshme, në natyrë dhe në art. 

Konica, në “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” na ka dhënë përshkrime të qyteteve tona, ku spikasin qartë sidomos shijet dhe aftësitë artistike të popullit tonë, por në nëntekst, lexohen idealet dhe konceptimi estetik. Ndër të tjera, ai tregon vlerësimin që i kanë bërë qytetit të Gjirokastrës një udhëtar anglez dhe gruaja e tij piktore, Jan Gordon dhe Cora Gordon, që e kanë vizituar vendin tonë në vitet ’20 të shekullit të kaluar: “Gjrokastra me një madhështi të habitshme dhe me një veçanti krejt të shquar. Nuk besoj se mund të ketë tjetër qytet në botë krejt të ngjashëm me Gjirokastrën . . . . Tiparet më të magjishme të qytetit janë në lagjet e banimit . . . Katet e sipërme të shumë prej këtyre banesave janë të pikturuara me luanë stemash, me peisazhe dekorative, lule ose zbukurime; shtyllat e shumta e të holla të çardakëve janë të gdhendura, tavanet e hajateve janë të praruara e të pikturuara, e po ashtu janë edhe harqet e parmakët . . . ” 6). 

Po me këtë tonalitet kënaqësie, flet Konica për fshatrat tonë: “Fshatrat, ku shtëpitë janë afër njëra-tjetrës kanë nganjëherë një dukje vërtet tërheqëse.” 7) Hobhouse, i ka vlerësuar këto fshatra si “modele të përsosura për t’u imituar nga vendet e tjera.” 8).

Duke folur për shtëpitë, Konica shkruan: “Ka gjithnjë diçka që të prekë, shpesh artistikisht në mënyrë të pavetëdijshme, në këto vende” 9). Durham shkruan për një shtëpi në Shkodër: “Kishte një kontrast të madh me shtëpitë malazeze. Këtu çdo gjë shëndriste dhe rrinte për mrekulli në vend të vet, sepse shqiptari ka shpirt artisti, gjë që malaziasit i mungon plotësisht.” 10). 

Autori anglez Paul Edmonds ka shkruar për një banesë shqiptare: “Ndonëse ishte e varfër, e kënaqte anën artistike të natyrës sonë jo thjesht nga pamja piktorike, por nga diçka tjetër. Duke menduar hollë, arrita në përfundimin se më kënaqte fakti që çdo gjë ishte bërë me duart e veta . . . Gjithçka është një punë dore e ndershme, një art i ndershëm, në të vërtetë një art shumë më i mirë se sa i mjaft gjërave, që mbajnë po këtë emër në të ashtuquajturat qarqe artistike të Evropës së qytetëruar.” 11). 

  *   *   *

Shpirtin estetik në krijimin e së bukurës e sheh kudo, në çdo gjë. Të realizuar në mënyrë të mrekullueshme, e hasim tek kostumet krahinore e kombëtare. Një mori e pafund e larmi e mahnitshme, me një bukuri origjinale të papërsëritshme! “Në festivalet kombëtare janë paraqitur rreth 500 tipa e variante veshjesh për gjinitë e moshat e ndryshme”. 12); por krahas larmisë së tyre krahinore, ato karakterizohen edhe nga tipare të përbashkëta mbarëkombëtare, gjë që e kanë vërejtur studiues vendës dhe të huaj. “Të tëra këto kostume kanë ose kanë pasur gjer tani, ca shënja të përbashkëta, për shembull, zi e bardh janë ngjyrat e para . . .”, ka shkruar Konica. 13). Ndërsa Çabej ka vënë pikën mbi i tek e bardha: “E bardha është ngjyra kombëtare e veshjes shqiptare.” 14). 

Këtë fakt, dhe, në përgjithësi, të gjitha tiparet e një veshjeje kombëtare, i ka pasur parasysh dhe i ka jetësuar në një mënyrë tejet origjinale dhe me një bukuri sublime stilistja Suzana Susuri, një bijë artiste e një populli artist, në veshjen e bukuroshes kosovare Sidrita Sadikaj, veshje e cila në “Miss Bikini Universe 2013”, u përzgjodh si një nga tri veshjet më të mira në botë. 15). Na lejohet, besoj, një përshkrim mbase i shkurtër i këtij kostumi, që është një vepër arti që pasqyron me një besnikëri të çuditshme mënyrën si e ka konceptuar dhe realizuar populli ynë të bukurën në veshjet e tij. Një mbizotërim i ngjyrës së bardhë, një alternim me shiritat e zez të tirqve; bluza, edhe ajo e bardhë, po pothuaj e tejdukshme, si degermi; jeleku mbi të, krejt i hapur, me ngjyrat e theksuara kuq e zi, një “jehonë” forme e ngjyre që të kujton krahët e shqiponjës, me pulla të bardha, të vendosura pranë një sheriti të bardhë dhe të lakueshëm. Dhe për t’i vënë vulën e fundit të veshjes kombëtare, qeleshja e bardhë, për të cilën Çabej, ka shkruar: “Veçanërisht kësula e bardhë është ajo që, me gjithë ndryshimet e formës të rrjedhura nga fisi . . . e dallon shqiptarin nëpër gjithë Ballkanin” 16), dhe brezi i kuq me vija të bardha e të zeza. E gjitha, një mrekulli artistike në gjurmët e traditës së gjeniut popullor.

  Pothuajse të gjithë vizitorët e huaj i kanë vërejtur dhe i kanë cilësuar me epitetet më të larta veshjet e popullit tonë. Fustanella, që ka qenë veshje kombëtare burrash në të gjitha trojet shqiptare deri në fillim të shek. XX, dhe dokumentohet  që në lashtësi  me disa gjetje arkeologjike të shek. IV-III p. e. r., është cilësuar prej Bajronit si veshja më madhështore në botë.  I veshur me këtë robe kombëtare, portreti i Bajronit është i afishuar në National Portrait Gallery të Londrës. 17). 

Dr. Holland, duke folur për veshjen e fshatarëve dhe ushtarëve të Prevezës dhe për ushtarët e Ali Pashë Tepelenës, ka shkruar: “Përgjithësisht burrëror dhe me tipare që tregojnë se ai nuk i është nënshtruar procesit poshtërues të skllavërisë, me atë madhështinë e veçantë në të ecur dhe në qëndrimin e tij, mënyra e të veshurit ia shton këto veçori dhe e bën figurën e tij më të spikatur dhe më piktoreske se çdo figurë tjetër nga sa kam njohur deri më sot.” 18). Veshjen kombëtare me fustanellë, Leake e ka cilësuar si “një prej kostumeve kombëtare më të bukura të Evropës.” 19). Dhe në një rast tjetër, duke dhënë një mendim përgjithësues për veshjet tona, i ka quajtur ato; “veshjet e mrekullueshme të shqiptarëve.” 20).  Urquhart, i mahnitur nga kostumi me fustanellë, e ka çanësuar atë si “kostumi më i mrekullueshëm, i bërë për sunduesit e botës” 21). Uiliams: “Kostumet shqiptare jashtëzakonisht të bukura e të hijshme.” 22).

Me po atë çmim është folur edhe për kostumet e grave. “Kostum më të shkëlqyer nuk mund të gjesh” 23), ka thënë Edmund Lear për kostumin e grave shkodrane, dhe e ka përshkruar atë me hollësi. Ndërsa Urquhart: “Veshja për gra e stilit çam ose e Shqipërisë së Jugut, e rregulluar prej artistëve të Janinës, për nga kompozicioni është gjëja më e përkryer në formën e kostumit, që unë kam parë ndonjëherë.” 24). 

Vizitorë anglezë kanë vlerësuar edhe anën funksionale të veshjeve shqiptare. Po përmendim vetëm Best-in, i cili në një mendim përgjithësues për veshjen shqiptare në këtë prizëm, ka shkruar: “ajo është pak ta quash e jashtëzakonshme” dhe më poshtë “në të vërtetë, veshja shqiptare i përshtatet shumë vendit ku ata jetojnë” 25).

Nuk duhet lënë në harresë që fshatarët e qytetarët shqiptarë i prodhonin vetë lëndët e para të nevojshme për veshjet e tyre dhe i qepnin e i zbukuronin vetë ato me mundin, djersën dhe me aftësitë e tyre krijuese, pra, ata dhe vetëm ata ishin artistët.

Bukuria e kostumeve tona kombëtare ka ndikuar në veshjet e popujve të tjerë ballkanikë. Dihet që grekët veshjen me fustanellë e kopjuan dhe e bënë veshje kombëtare të tyren.

*   *   *

Folklori është një burim i pashtershëm dëshmie e argumentimi i idealeve estetike, i aftësive artistike, i shijeve dhe i ndjenjave estetike, sendërtuar në krijimtarinë gojore, muzikore dhe koreografike, në të gjitha gjinitë dhe llojet e tij. Populli ynë ka krijuar një rezervuar të mahnitshëm e të madhërishëm, ku ka depozituar këngët, përrallat, proverbat, gjëzat, etj. të gjitha fryt i aftësive të tij krijuese. 

Dora d’Istria, në veprën e saj “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, duke folur për vlerat e larta të folklorit tonë, ka shkruar: “Forcën e shpirtit kombëtar të shqiptarëve nuk kanë mundur ta zhdukin as pushtimi i gjatë e as mërgimi, se vlerat e folklorit shqiptar nga qëndrueshmëria e thelbit jëtësor e estetik, nga origjinaliteti e shija e hollë rrijnë denjësisht edhe përballë vlerave më të shquara të poezisë popullore të gjermanëve, spanjolëve, etj.” 26).

Çabej ka vënë në dukje fantazinë trajtuese të popullit, fuqinë plastike në të krijuar të fjalëve, çka duket më fort në përshëndetjet, bekimet, në formula mallkimi e ngushëllimi, në të thëna të pirjes, në të yshtura e në shumë të tjera. Ka folur për vlerën estetike të shumë enigmave, e cila qëndron në bukurinë e në plastikën e krahasimeve dhe na dëshmon fuqinë e fantazisë dhe dhuntinë poetike të popullit. 27). 

Në sofrën e pasur të krijimtarisë gojore, një nga vendet e nderit i takon këngës popullore, që sendërgjohet si epikë legjendare dhe historike, si lirikë, në ylberin e ngjyrave të së cilës feksin ninullat, këngët e dashurisë e të dasmës, këngët e mërgimit e vajet, këngët me motive sociale, etj.

Kënga popullore, kjo dëshmi e fuqishme e psikolologjisë së popullit, kumt shpirtëror dhe komunikim artistik, e ka shoqëruar shqiptarin në të gjitha etapat e jetës deri në vdekje dhe edhe në vdekje. Ajo u ngrit në kult pikërisht sepse nëpërmjet saj populli shpreh botën e vet shpirtërore, idealet dhe ndjenjat, virtytet, zakonet, psikologjinë e tij. Veçori e rëndësishme e këngës sonë qëndron në faktin se ajo “zëvendësoi shekuj me radhë komunikimin dhe krijimtarinë e shkruar artistike, pra traditën e shkrimit, e cila te shqiptarët (të nënshtruar me shekuj nga pushtues të ndryshëm) është shumë e vonshme në krahasim me krijimtarinë e tyre letrare gojore.” 28). Popullin tonë e karakterizon një lidhje shumë e ngushtë shpirtërore me këngën. E. Lear, nuk e kuptonte këngën labe, por megjithatë, kur i pau shqiptarët ta këndojnë, tha: “Kurrë s’kam parë rast vendosmërie më të madhe të një vlerësimi entuziast të këngës” 29). 

Ninullat, ato improvizime të shkurtra, që shprehin tërë dashurinë e kujdesin e nënave për foshnjet e tyre, duke dëshmuar shije dhe ndjenja estetike, shpesh ndryjnë në vetvete vlera të larta artistike. Të shoqëruara me një vijë melodioze të thjeshtë, me ritme të brendshme, rima të zgjedhura, dhe mjete të tjera të teknikës artistike, vlerat e bukurisë së tyre kapin kulme artistike dhe bëhen dëshmi e aftësive artitike.

“Flej, mori cucë, e mshili sytë,

  Kur t’m’i çilsh, i çilsh si hyjt!”

Letërsia jonë gojore ka dhënë perla artistike që, duke shpalosur veçoritë më të spikatura të shpirtit shqiptar, ka zënë vend të merituar në krijimtarinë gojore evropiane dhe botërore. Një monument i madhërishëm dhe sublim është Eposi ynë i kreshnikëve. “Epika jonë heroike ka lindur si një këngë e vetëdijshme, si një mesazh dhe alarm i pavdekshëm i historisë heroike të popullit, mesazh që sjell psikologjinë e botëpërjetimin e tij original.” 30), ka shkruar Alfred Uçi.

Në veprën “Epika popullore shqiptare” (1958), Lambertz shkruan: “Edhe sot burrat e Malsis së Shqipërisë rrijnë bashkë dhe këndojnë këngë, sikur në kohët më të lashta, me instrumentin e tyre nacional, lahutën. Pranë këtyre këngëve dhe të ushqyera prej tyre, ende jeton në epet e shkurtëra thesari i lashtë gojdhanor dhe nga forca e pashuar nacionale krijohen përherë dhe sërish epe të këtilla të shkurtra. Këto krijime artistike lindin nga natyrshmëria dhe ashpërsia popullore e forcës së qëndresës dhe nga veçantia e forcës së fantazisë popullore shqiptare të një madhështie që përndryshe askund më nuk mund të gjendet.” 31).  

Brenda asaj perle madhore ka xhevahire që të verbojnë me shkëlqimin e tyre. Po përmend vetëm përshkrimin e bukurisë së vashës, të cilën Fishta e ka komentuar mjeshtërisht: “Posë të damit të Hektorit prej Andromaket, përshkrue prej Homerit n’ Iliadë, nuk më bjen ndër mend se kam lexue kund ndonji përshkrim ma të frymzuem me fisniki e me burrni, e ku titanizmi e njomsija e shembelltyrave të përkojn ma t’ambel me naltsin e idevet, se ket përshkrimin e rapsodit malsuer mbi bukurinë e Tanushës, së bijes së krajlit. Prandej mund të jetë ndoshta se Laura e Petrarkës asht nji Venus, mbru me shkumë t’detit, por sigurisht se Tanusha e rapsodit të Dukagjinit asht e bardha, ajo Athenaja, shperthye e armatisme prej rrashtet të Zeusit rrufeflakrues.” 32).  

“Në cikël bie në sy idealizimi i së bukurës. – ka shruar Natasha Pano – Bukuria kuptohet si një përsosmëri fizike, morale e shpirtërore, si më e mira në llojin e vet. Në këto këngë, rapsodi priret më fort nga bukuria sublime. Për këtë dëshmon edhe fakti se  në epos përdorën gjerësisht nocionet estetike në trajtën sipërore ‘gja ma t’ mirë s’shef njeri nen kët diell”, thuhet për Tanushën e Krajlit. ‘Kurrkund shoqen nen kët diell s’e ka’, thuhet për Rushën e Krajlit . . .” 33).

  Po këngët e dashurisë dhe të dasmës! “A je brymë, moj, a je borë? ”, pyet poeti i dashuruar dhe i hutuar nga bukuria e brishtë, bardhësia vezulluese, delikatesa fine, thuajse ka frikë se po e preku i tretet ndër duar. Dhe, më poshtë:

“E bukura synë si yll,

Kur ma çilë e kur ma mbyllë

Porsi hana qi ndrit n’ pyllë.”

Me epitete të zgjedhura që burojnë nga intimiteti i një zemre të dashuruar, i   drejtohet ai vashës: “Moj e hollë e moj e gjatë, / Moj shtatrrituna me mjaltë”, ose “Nën nji mal e ndër dy ara, / Mbjedh e korr nji vashë e bardha.”

Jo veç përshkrime bukurie, po edhe një thellësi psikologjike, bile me nuanca filozofike, ka plazmuar në vargje poeti i dashuruar. Në një rast, kur vasha përfytyrohet si një pëllumbeshë, poeti e thërret dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet një pytjeje me nuanca të tejdukshme filozofike, shtron dilemën: a vjen thjesht si mish apo si shpirt; sepse dashuria mbi çdo gjë kërkon çiltërinë shpirtërore:

“Unë e thirra vidi-vidi

A vjen mishi, a vjen shpirti?”

   Po, si duket, kur i janë dukur të pafuqishme përshkrimet, ai u ka ikur atyre, dhe me një art të përsosur e ka dhënë bukurinë e femrës, bile në shkallën më të lartë të sajën, një bukuri sublime që ngjall të vdekurit dhe vdes të gjallët.

“Hanko mos shko ndër varre

Se të vdekurit i ngjalle

Të gjallët i vdiqe fare.”

Ky anonim shqiptar i pashkollë me madhështinë artistike që e cilëson ia ka dalë të përdorë të njëjtën mënyrë shprehjeje që ka përdorur Homeri, i cili i është shamngur përshkrimit të bukurisë së Helenës, duke treguar hutimin e mahnitjen e pleqve trojanë para bukurisë së saj. “Është po ajo gjetje e Homerit, ka shkruar Kadare, vetëm se ajo shkon më larg. Nuk janë pleqtë e lodhur nga jeta që mahniten prej gruas, por akoma më tej, janë ata që kanë pushuar së jetuari fare” 34).

Dhe të mendosh se çmenduria serbe e mishëruar në emrin e njëfarë Vladan Gjeorgjeviçi, në paloveprën e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, botuar në Paris në vitin 1913, për të provuar se kombi ynë nuk meriton të jetë i lirë e i pavarur, na pati akuzuar se jemi popull i egër, i paqytetëruar, bile me bisht, dhe se nuk paskemi askurrfarë shpirti artistik të vlerësojmë bukurinë e brishtësinë, humanitetin e femrës, dhe se nuk ditkemi t’i thurim vargje asaj. 

Duke dëshmuar shpirtin artistik të poetit popullor në këtë lëmë tamatik, dhe për t’iu përgjigjur Gjeorgjeviçit, Fishta ka shkruar: “rrëmueka nëpër plehnat e folklores sonë kombtare e bashkueka vjersha e kangë, ku kishin kenë ma të palame e të përdhosuna, tue shtue se jo veç shqyptarët s’po kishin as s’po kndojshin kangë tjera dashtnije ma të njerzishme; por se as të zott s’po ishin me këndue gruen, per pa u zhytë ndër palavi e fjalë të shnjerzueme” 35). Këto fjalë, gjenialiteti poetik i Fishtës i vë në parathënien e veprës së tij melodramatike “Jerina ase Mbretnesha e luleve”, ku me brumë e me tharm folklorik, dhe duke vjelur nga lirika popullore pasazhe nga më të realizuarat, ka treguar konceptin e fisëm human të shqiptarit ndaj gruas, ndjenjat e pastra, shijet estetike dhe aftësitë e rralla artistike të popullit tonë në përshkrimin dhe vlerësimin e bukurisë e të brishtësisë së femrës shqiptare.

  Thamë më lart që kënga e ka shoqëruar shqiptarin deri në vdekje, po edhe në vdekje. Është më se e vërtetë. Ndër male tona, ka qenë zakon që një malësor i dënuar me vdekje, në vend të fjalës së fundit ka kërkuar të këndojë një këngë, në të cilën, në përgjithësi, ka treguar hallallet dhe ka lënë amanetet. Këtë fakt sa të dhimbshëm, aq krenar, na e ka dëshmuar edhe rilindasi i njohur, Zef Jubani: “Deri edhe para vdekjes, malësori shqiptar kthehet në poet i çastit dhe improvizon tragjedinë e tij me temën e arsyeve që e sollën në atë situatë dhe duke kënduar heroikisht dorëzohet i patrembur në duart e xhelatit.” 36). 

Kam lexuar ndër kujtime të ish-të burgosurve të diktaturës, që një i dënuar me vdekje, duke pritur në qeli për ta marrë për ekzekutim, mbasi i ka marrë leje policit të rojes, ka kompozuar dhe kënduar një këngë, duke e përcjellur me çifeli. 

Kënga popullore, kur përveç tekstit poetik, shoqërohet me muzikë dhe valle, pasqyron një hise të gjerë të shpirtit estetik të popullit, idealin për të bukurën, dëshirat për t’i shprehur gëzimet dhe hallet e veta, dëshmon ndjenjat dhe shijet ndaj së bukurës në jetë dhe në art. “Gjatë ekzistimit dhe funksionimit të saj, . . . kënga sintetizoi dhe shprehu në mënyrë të veçantë përvojën estetike kolektive; bëri objekt trajtimi artistik ngjarje e ndodhi, sakrifica e ngadhënjime individuale e kolektive, që lidheshin ngusht me veprimin, me botëkuptimin dhe me shpirtin e popullit, me mirëqenien dhe dhe me lirinë e tij.” 37).

Është dëshmi e fuqishme e një talenti të shquar artistik dhe e një origjinaliteti të pashoq, krijimi e kultivimi që në kohët më të hershme dhe deri në ditët tona i këngës polifonike. “Vetë të kënduarit polifonik nga populli, ka shkruar Prof. Dr. Agron Fico, konsiderohet misterioz e instinktiv, si një dukuri që mbart brenda reflekset e natyrës, zërat e tokës së Labërisë” 38). Një monument krejt i veçantë në fushën e krijimtarisë artistike muzikore është muzika iso-polifonike, të cilën UNESCO e ka vlerësuar si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”. 

Një pasqyrë e tejkohshme e psikës sonë, e ndjenjave dhe shijeve estetike, e aftësive artistike rrezatohet në përrallat tona. “Për mbas kangve, ka shkruar folkloristi ynë i madh dhe mbledhësi e komentuesi i përrallave tona kombëtare, Donat Kurti, – janë pjesa ma me randsi e folklores së nji populli, pse . . . mund të njifen neper to ndiesit e ligshtit ma të hershmet . . .  andet e dishiret, qysh prej kohve fort të vjetra e deri nder ne.” 39). Me një bukuri të rrallë, ushqyer prej një fantazie që të mahnitë, përshkuar me nota herë aventure dhe herë dramaticiteti, me ngjyrime herë komike e herë tragjike, dhe me sa e sa elemente të tjera artsitike, ato na bindin që populli ynë e ka kuptuar, vlerësuar dhe krijuar që heret bukurinë në artin e këtij lloji folklorik, po edhe bukurinë në përgjithësi, e ka ndjerë thellë dhe e ka shprehur me mjeshtëri.

Në një fjalë të fundit, mund të themi që në kulturën tonë popullore shpirtërore dhe lëndore është mishëruar një arsenal i madhërishëm artistik, të cilin vetëm një popull, që ka në gen të lindur e të trashëguar brezni mbas breznie idealin e së bukurës, dhe që ushqen në psikën e tij ndjenja sa delikate aq tronditëse dhe shije aq të holla, mund ta realizojë.

Referenca

1). Ndriçim Kulla & Dritan Thomollari, “Etika dhe Iluminimi-Skicë për një manifest të jetës intelektuale”, “Plejad”, Tiranë, 1995, f. 24.
2). Ardian Ndreca, “Idea dhe realizimi i bashkësisë qytetare shqiptare”, në “Hylli i Dritës”, nr. 2, v. 2007, f.30.

3). Benedeto Kroçe, “Estetika si shkencë e shprehjes dhe e gjuhësisë së përgjithshme”, “Apollonia”, Tiranë, 1998, f. 107-108.

4). Anton Harapi, “Kulla e Babelit”, Përgatitur nga Dr. Aurel Plasari. “Phoenix–Shtëpia e librit”, Tiranë, 1999, f. 259.

5). – “Fjalë të urta të popullit shqiptar”,etj.

6). Jan Gordon dhe Cora Gordon, “Two Vagabonds in Albania”, Londër, 1927, f. 152;  cituar sipas Faik Konicës, “Vepra”, Mbledhur dhe përgatitur nga N. Jorgaqi  dhe Xh. Lloshi, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993, f. 396-397.

7). “Albania – The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essaays”, by Faik Konitza.

Edited and Amplified by G. M. Panariti, Boston, 1957, p. 21. (Ky botim nuk tregon shtëpinë botuese dhe vitin e botimit. Në fund të Fjalës hyrëse: “Faik Konitza: One Man Crusader”, Panariti shënon: Boston, Mass, September, 1957).

8). J. C. Hobhouse, “A Journey through Albania”, Lonndër, 1813, vëll. I, f.138; cituar sipas Faik Konicës, vepër e cituar, f. 393.

9). “Albania – The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essaays”, by Faik Konitza.

Edited and Amplified by G. M. Panariti, Boston, 1957, p. 19

10). M. Edith Durham, “Twenty Years of Balkan Tangle” Londër, 1920, f. 124. Cituar nga Faik Konica, “Vepra”, f. 392.

11). Paul Edmonds, “To the Land of the Eagle”, Londër, 1927, f. 78. Cituar sipas Faik Konica, “Vepra”, f. 392.

12). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f 1054.

13). Faik Konica, “Vepra”, f. 161.

14). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 26.

15. Simbas ballinës së gazetës “Illyria”, nr.November 28 – December 5.

16). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 26.

17). Faik Konica, “Vepra”, f. 169.

18). Holland, H. “Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia, etc. during the years 1812-1813, London, 1815, p. 68. Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 96.

19). Leake, W. M. “Travels in Northern Greece. V. I, London, 1835, v. 4, f. 45. Cituar sipas Sh. Memës, vepër e cituar, f. 100.

20). Leake, W. M., po aty, v. III, F. 45. Cituar sipas Sh. Memës, vepër e cituar, f. 100.

21). Urquhart. D.,“The Spirit of the East”, v.1, Second edition, London, 1839, p. 189. Cituar sipas Sh. Memës, vepër e cituar, f. 100.

22).Williams, H. W., “Travels in Italy, Greece and Ionian Islands”, Edinburgh, 1820, v. 2, p. 134. Cituar sipas Sh. Memës, vepër e cituar, f. 100.

23). Lear E., “Journals of a landscape painter in Albania”, London, 1851, p. 188. Cituar sipas Sh. Memës, vepër e cituar, f. 99.

24). Urquhart D. vepër e cituar, v 1, p. 191. Cituar sipas Sh. Memës, vepër e cituar, f. 99.

25). Best, J. J. “Excursions in Albania. Comprising a description of the wild boar, deer and woodcock shooting in the contry, London, 1842, p. 25. Cituar sipas Shpëtim Memës, vepër e cituar, f. 102.

26). Dora d’Istria, “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, Cituar sipas Nasho Jorgaqit, “Antologjia e mendimit estetik shqiptar 1504-1944”, shtëpia botuese “Naim  Frashëri”, Tiranë, 1979, f.19.

27). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 32-33.

28). Anton Nikë Berisha, “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, Ndërmarrja botuese “Rilindja”, Prishtinë, 1998, f. 134.

29). Lear E., vepër e cituar, f. 59.  f. 59, Cituar sipas Shpëtim Memës, vepër e cituar, f. 136.

30). Alfred Uçi, “Epika heroike dhe roli i saj në folklorin shqiptar”, në “Çështje të folklorit shqiptar – 2”, botuar nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore”, Tiranë, 1986, f. 24. 

31). Cituar sipas Anton Nikë Berishës, vepër e përmendur më lart, f. 246.

32). P. Gjergj Fishta, OFM, “Parathane” në “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Shtëpia botuese “KUVENDI”, shtypur në Entin Botues Poligafik “Gjergj Fishta”, Lezhë, f. XXII.

33). Natasha Pano, “Femra shqiptare në epikën heroike legjendare”, në “Çështje të folklorit shqiptar – 2”, botuar nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore, Kombinati Poligrafik – Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1987, f. 370.

34). Shih tek Ismail Kadare, “Vepra letrare 12”, “Autobiogrfia e popullit në vargje”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1981, f. 89-90.

35). Gegë Toska (pseudonim i At Gjergj Fishtës, A. Ç.), “Jerina ase mbretnesha e luleve”, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1941, f. 5.

36). Cituar sipas Nasho Jorgaqit, “Antologjia e mendimit estetik shqiptar 1504-1944”, shtëpia botuese “Naim  Frashëri”, Tiranë, 1979, f.20.

37). Anton Nikë Berisha, vepër e cituar më lart, f. 133.

38). Prof. Dr. Agron Fico, “Iso-polifonia shqiptare – Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, gazeta “Illyria”, # 1723, 19-21 Shkurt, 2008, f. 32.

39). P. Donat Kurti, “Prralla Kombtare – Mbledhë prej gojës së popullit”, Bleni I, Botim i dytë, Shkoder, Shtyp. “At Gjergj Fishta”, 1942.

Comment

*