EUROPOL: Mafia përbën kërcënimin kryesor për sigurinë evropiane

Romë, 17 prill 2019 – Grupet më të dhunshme të krimit të organizuar përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë evropiane, duke tejkaluar terrorizmin dhe migrimin, tha të martën EUROPOL.

Grupet mafioze italiane, shqiptarët e evropianët lindorë si dhe bandat motorike “të jashtëligjshme” janë “lojtarët” kryesorë të krimit në kontinent, thanë zyrtarët në një konferencë të udhëhequr nga agjencia anti-mafia e Italisë dhe agjencia e policisë e BE-së, EUROPOL.

Por, grupet aziatike, afrikane dhe amerikano-jugore janë duke u futur në biznesin e krimit të organizuar prej 110 miliardë euro në vit, ku shumë njerëz punojnë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.

“Aktualisht krimi i organizuar përbën rrezikun më të lartë për sigurinë e brendshme të BE-së”, tha Jari Liukku, kreu i Qendrës Evropiane të Krimit të Organizuar dhe të Krimit të EUROPOL-it.

Zyrtarët thanë se krimi i organizuar ishte “në hije” vitet e fundit, kur Evropa u përball me një valë sulmesh terroriste dhe me një krizë të madhe migracioni.

“Për të parandaluar krimin e organizuar ne duhet të veprojmë ndërkombëtarisht, sepse grupet e krimit të organizuar tashmë po e bëjnë këtë (bashkëpunimin ndër-kontinental)”, shtoi Liukku, shkruan “France 24”.

Giuseppe Governale, kreu i Drejtorisë së Hetimeve Anti-Mafia në Itali, tha se “Cosa Nostra” siciliane, “Ndrangheta” e Kalabrisë dhe “Kamorra” napolitane janë ende “kampionë” të mafies, por shtoi se problemi është bërë më i përhapur.

“Ky është një problem evropian”, tha ai.

Autoritetet evropiane po shikojnë që të godasin pastrimin e parave.

“Pesha e pastrimit të parave ka një ndikim të madh në shoqëri. Të gjithë sektorët janë destabilizuar dhe mund të rrezikojnë ekonominë dhe sigurinë kombëtare”, shtoi ai.

Zyrtarët thanë se një shenjë dalluese e grupeve të reja të krimit të organizuar ishte një nivel në rritje i dhunës.

Suedia në veçanti, ka parë një rritje të pashembullt të dhunës, e ngjashme me një “forcë të ulët lufte”, tha zyrtari i lartë i policisë suedeze, Jale Poljarevius.

Të shtënat fatale janë rritur nga 15 në vitin 2011, në mbi 40 në vitin 2018, ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2019 kanë ndodhur 12 raste vrasjesh me armë në 67 raste shkëmbim zjarri, si dhe një të vdekur në 47 shpërthime me granata.

“Suedia kurrë nuk ka parë këso shifshash, tha Poljarevius, transmeton Express.

Në dhjetor, autoritetet e BE-së njoftuan për arrestimin e rreth 90 të dyshuarve mafiozë të grupit “Ndrangheta” në gjashtë vende të Evropës dhe në Amerikën e Jugut. (r.m.)

Comment

*