F-35, avioni luftarak më i avancuar deri sot

Uashington, 1 shtatoir 2018 – Ky është avioni luftarak më i avancuar ndonjëherë, thonë projektuesit e tij.

Bëhet fjalë për modelin F-35, projektin trilion dollarësh të debatuar të Pentagonit.

Avioni luftarak i gjeneratës tjetër tani e ka rastin të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë.

Marina amerikane u dha një rast të rrallë gazetarëve që të shikojnë nga afër modelin F-35 se si testohet për betejë.

Këto lloj provash të quajtura “integrim i flotës” kanë për qëllim të tregojnë se modeli F-35, me kosto prej 120 milion dollarësh secili, funksionon mjaft mirë në bashkërendim me avionët e tjerë në misione luftarake.

Admirali Dale E. Horan drejton projektin për integrimin e modelit të ri në flotën luftarake.

“Është hera e parë që testojmë modelin F-35C në det, të integruar në rrjetin Marinës dhe duke kryer misione të caktuara që nga trajnimi i pilotit për ngritjen dhe uljen nga luftanija.”

Kompania “Lockheed Martin” fitoi tenderin në fillim të viteve 2000 për të prodhuar këtë avion, që njihet edhe si “Joint Strike Fighter”, duke patur në mendje një mjet ajror të pazbulueshëm nga radari me fuqi zjarri të pashembullt, me aftësi elektronike të avancuara për t’u përballur me kërcënimet në rritje nga Kina dhe Rusia.

“Mund të them se, që nga integrimi i ekipeve sëbashku me luftanijet dhe ardhja e tyre këtu, gjithçka po shkon sipas parashikimeve. Po ta shikosh nga posti i vëzhgimit, modeli i ri duket njëlloj si avionët e tjerë në fluturim dhe nga nisja”, thotë zoti admirali.

Por projekti u përball me pengesa që nga fillimi. Një raport i fundit gjeti pothuajse 1 mijë probleme teknike që duheshin rregulluar.

Këtu përfshiheshin që nga helmeta e avancuar e pilotit që mund të pengonte pamjen e deri tek mbulesa speciale që e bën të padukshëm avionin tek radarët, e cila mund të shkrihej nga nxehtësia kur avioni tejkalon shpejtësinë e zërit.

“Duam të shohim se sa përshtatet me aeroplan-mbajtësen, si mund të mirëmbahet, si mund të sigurohen pjesët e këmbimit dhe riparimi. Sa i mirë është për misione apo cilat janë përfitimet. Këto do të përfshihen në raportet e ekipit të provave”, thotë admirali Horan.

Marina luftarake shpreson që vitet e shpenzuara për rregullimin e këtyre problemeve, do të tregojnë rezultate. Vitin që vjen, qeveria do të vëndosë nëse do të fillojë prodhimin në seri të modelit F-35. Kjo nënkupton një investim prej 400 miliardë dollarësh gjatë 10 vjetëve të ardhshëm duke ofruar avionë luftarakë edhe për aleatët në mbarë botën. Nëse modeli F-35 e kalon provën finale, dislokimi i tij do të bëhet në vitin 2021.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*