Familja lejon zhvarrosjen e Astrit Deharit, në kërkim të së vërtetës

Prishtinë, 9 shkurt 2018 – Familja e aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili kishte vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, do të lejojë edhe zhvarrosjen e trupit të Astritit, me qëllim që të kryhen të gjitha ekspertizat aqë konsiderohen të nevojshme nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës së Zvicrës.

Ministria e Drejtësisë e ka miratuar kërkesën e familjes Dehari që ekspertiza të kryhet në këtë institut, ndërsa Qeveria e Kosovës i ka ndarë 50 mijë euro për këtë qëllim.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se me qëllim të gjetjes së të vërtetës do të lejohet çfarëdo lloj ekspertize që kjo qendër konsiderohen se është e nevojshme.

“Prindërit e Astrit Deharit kanë njoftuar se nëse Instituti i Mjekësisë Ligjore kërkon eventualisht zhvarrosjen e trupit të pajetë të Deharit, këta do ta pranojnë në interes të drejtësisë, pa marrë parasysh se sa është e rëndë kjo për familjen”,  ka deklaruar ai për gazetën “Express”.

Gashi ka deklaruar se Prokuroria Themelore në Prizren ka nxjerrë tashmë vendimin me të cilin autorizohet kjo qendër për hetime të pavarura.

Sipas tij, fillimisht, rasti do të shkojë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, i cili është preferuar nga familja e të ndjerit, e pastaj prokurori i rastit, Ministria e Drejtësisë dhe familja do të njoftohen për llojin e hetimeve.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar një rezolutë e cila mundëson që familja e Astrit Deharit të kërkojë ekspertizë në cilindo vend të BE-së ose në SHBA-së, ndërsa për të gjitha shpenzimet të kujdeset Qeveria.

Prindërit e Astrit Deharit ishin përcaktuar që ekspertiza të kryhej nga ekspertë zviceranë të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Zvicër. Fillimisht, kjo kërkesë ishte refuzuar nga Qeveria, me arsyetimin se Zvicra nuk është vend i BE-së.

Raporti i autopsisë kosovare, i bërë menjëherë pas vdekjes së Deharit, rezultoi se vdekja e tij kishte ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga dëmtimet e vetëshkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme.

Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit të kaluar, ku po mbahej në lidhje me sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. (r.m.)

Comment

*