Familja shqiptare humbet djalin në aksident, pesë ditë pas vendosjes në SHBA

Një djalë 12-vjeçar që kishte ardhur, vetëm pesë ditë më parë, me familjen nga Shqipëria, ka mbetur i vdekur kur biçikletën e tij e përplasi një kamion në rrugë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Garfield, Nju Xhersi (New Jersey), ku jeton një komunitet i njohur shqiptaro-amerikan.
Policia nuk e ka botuar emrin për shkak të moshës, po një i afërm i viktimës, i cili ka nisur një nismë për mbledhje ndihmash në GoFundMe për shpenzimet e varrimit, ka thënë se emri i tij është Elios Xhemollari.
“Ndërsa familja e tij sapo po mundohej të përshtatej dhe të fillonte një jetë të re këtu, ndodhi tragjedia. Ai u godit nga një kamion, ndërsa po i jepte biçikletës në Lanza Avenue, në Garfield”, shkruhej në shënimin përkatës. “Jemi të gjithë të shokuar dhe zemërthyer”.
Shoferi 43-vjeçar i kamionit ndaloi dhe u përpoq të ndihmonte. I ndodhet nën hetim por nuk është paditur nga policia për aksidentin. Djaloshi shqiptar vdiq në vend.
Reagimi nga komuniteti shqiptar ka qenë i jashtëzakonshëm. Gati 70,000 dollarë janë mbledhur në pak orë nga 20,000 që ka qenë synimi i organizatorëve. (Ruben Avxhiu)

Comment

*