Familjarët e të vrarëve pas luftës kërkojnë zbradhjen e vrasjeve politike

Prishtinë, 12 janar 2018 – Deklaratat e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, tronditën opinionin me disa fakte për vrasjet e pandriçuara të pasluftës, për të cilat ai përmendi edhe emra që fillojnë nga dhënësit e urdhrave e deri te ekzekutuesit.

Familjarë të peronaliteteve të vrarë gjatë luftës dhe pas përfundimit të luftës kanë kërkuar nga organet e hetuesisë dhe të drejtësisë që sa më shpejt të fillojnë hetimet për zbardhjen e rasteve dhe vënien e fajtorëve para drejtësisë.

Lidhur me këtë temë Express ka kontaktuar familjarë të të vrarëve, emrat e të cilëve u lakuan në emision.

Familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, në të cilën  shprehin tronditjen e tyre nga pretendimet e dëshmitarit.

“Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherësh i dënuar për krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë, Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj”, thuhet në deklaratë.

Ata gjithashtu shprehen të shqetësuar nga neglizhenca e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të Mehmetit dhe kanë bërë thirrje për prokurorinë që të merren seriozisht me këto dëshmi.

Për Gazetën Express ka folur djali i Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj, që ka bërë të ditur se ka parë mbrëmë emisionin. Ai ka thënë se emrat e mbiemrat e hetuesve dhe prokurorëve për të cilët u fol specifikisht mbrëmë janë tërhequr, sepse u ka munguar guximi për të hetuar vrasjet me motive politike.

Hajdaraj e ka kritikuar edhe prokurorinë, duke thënë se në përvjetorin e 16 të vrasjes të ish-deputetit të Kosovës, nga prokuroria nuk ka ende asnjë detaj që sjell dritë mbi këtë vrasje.

Ai ka folur edhe për emrat që janë përmendur nga dëshmitari, duke kritikuar edhe emrat që u fshehën nga realizuesit e emisionit.

“I njoh vetëm Ibrahim e Qerim Kelmendin, të cilët pretendojnë që janë themelues të LPK-së (Lëvizja Popullore e Kosovës) dhe më vonë të UÇK-së. Disa emra u fshehën nga realizuesit e emisionit, jam shumë kurioz me ditë kush janë ata. Le të vlejë parimi i njejtë. Ndërsa, për dëshmitarin kam dëgjuar edhe me herët , sepse e ka pasë nje intervistë publike ( më duket në vitin 2012?) në një gazetë ditore” tha ai.

Shpresa e fundit për familjen Hajdaraj mbetet Gjykata Speciale,  së cilës i kanë bërë edhe thirrje publike për ndriçim të këtyre rasteve.

Dje (e enjte), në 19 vjetorin e vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Enver Malokut, ka folur për Express edhe vajza e tij, deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku.

Maloku ka kërkuar që të zbardhen vrasjet politike dhe ka shfaqur shpresën se Gjykata Speciale do ta trajtojë këtë rast, meqenëse hyn në juridiksionin e saj. Ajo nuk i ka komentuar hipotezat se kush mund të jetë vrasësi i babait të saj, pasi, sipas saj, kjo është çështje e organeve shtetërore.

Express ka tentuar të kontaktojë edhe familjarë të Xhemail Mustafës, por ata nuk kanë pranuar të prononcohen lidhur me këtë temë.

Ndryshe, mbrëmë në Klan Kosova është transmetuar rrëfimi i dëshmitarit të Prokurorisë Speciale të kosovës, Shkumbin Mehmeti, për veprimtarinë e një grupi të njerëzve që sipas tij kanë kryer disa nga krimet më të rënda në Kosovën e pasluftës, përfshirë edhe vrasjet e disa personaliteve politike e publike.

Dëshmitari Mehmeti i ka akuzuar vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi për organizim të vrasjeve të pasluftës në Kosovë. Krahas shumë emrave të përmendur, Mehmeti e ka akuzuar edhe policin Fadil Syleviçi si të përfshirë në shumë vrasje.

Ai ka thënë gjithashtu se Ibrahim dhe Qerim Kelmendi kanë dhënë urdhër për vrasjen e deputetit të LDK-së Smail Hajdaraj dhe të Tahir Zemajt.

Sipas tij, vëllezërit Kelmendi e kanë ngarkuar Florim Ejupin me detyrë për vrasje të deputetit të PDK-së, Xhavit Halitit, mirëpo plani për vrasjen e tij ka ngecur.

Ndër të tjera, sipas tij, vrasja e veprimtarit të LDK-së, Xhemail Mustafës, është kryer nga Agron Sylejmani.

Dëshmitari e ka përmendur si të përfshirë në vrasjet e pasluftës edhe vëllain e Lahi Brahimajt, ish-deputetit të Kuvendit, nga radhët e AAK-së.

Mehmeti është i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasjen e policëve të UNMIK-ut dhe për pengmarrje. (r.m.)

Comment

*