Fatos Nano: Ka ardhur momenti që Shqipëria të dalë nga adoleshenca

Për herë të parë pas 10 vitesh në ekran, ish-Kryeministri Fatos Nano ka folur në emisionin Opinion në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu në një rrëfim ndryshe për jetën dhe karrierën.

Kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i komunizmit dhe Shqipëria është ende në tranzicion. Pikërisht këtë periudhë, Nano e krahason me periudhën e adoleshencës, dhe thotë se tashmë është momenti që Shqipëria ta kalojë këtë adoleshencë të kapitalizmit.

Blendi Fevziu: Kur e sheh nga distanca e sotme, si ju duket ky 30-vjeçar?

Fatos Nano: Po të flasim nga logjika e një brezi, ju studentët dhe ne pedagogët, besoj se mund ta quajmë se kemi kaluar periudhën e adoleshencës së kapitalizmit. Domethënë me gjithçka që karakterizon adoleshencën, me vrullet, me frenimet, me arritjet, me dështimet, me ëndrrat, me zhgënjimet, me rrëzimet, me ringritjet dhe jemi në prag të të sjellurit shpresoj si adult. Pra duhet përfundimisht të maturohemi, të stabilizojmë vetveten, shoqërinë, sistemin, institucionet dhe padyshim ekonominë.

Blendi Fevziu: Pra ju mendoni që ka ardhur momenti të dalim nga adoleshenca 30-vjeçare e kapitalizmit dhe të futemi në një rrjedhë normale apo jo?

Fatos Nano: Është ajo që të gjithë presin, që të marri fund ky tranzicion.

Blendi Fevziu: Megjithatë, shumë njerëz kur në jetën e tyre kthehen mbrapa dhe kujtojnë adoleshencën e kujtojnë gjithmonë me një ndjenjë gëzimi, ju duket gjithmonë e bukur pavarësisht se si mund të ketë qenë. A mendon që dhe kjo adoleshencë…

Fatos Nano: Po edhe sikur dikush të nxisë harresën, ku të lini ju studentët e ’90-s. Dhe ju jeni ata që keni kujtimet më të bukura, natyrisht dhe ne aq sa kemi kontribuuar, por kam frikë se ju keni dhe zhgënjimet më të mëdha gjithashtu.

Blendi Fevziu: Ky është problemi që diskutohet më shpesh. Shoh shpeshherë komentet në rrjetet sociale. Ju e dini që bota ka ndryshuar, me rrjetet sociale gjithkush ka mundësi të shprehë, dhe duket që ka një zhgënjim të madh. Ndërkohë që ka shumë njerëz që kanë qenë dhe këtu në studio që kanë qenë protagonist që thonë jemi pak a shumë aty ku duhet të ishim. Pra nisja ishte thuajse nga zero. A keni një gjykim të kësaj? A kishim realisht kaq mundësi për të ecur?

Fatos Nano: Natyrisht shumë gjëra kanë ndryshuar. Shumë gjëra mund të bëheshin ndryshe. Ndërkohë mos harrojmë që zhvendosja e madhe historike nuk ka precedentë, nuk ka një doktrinë se si duhej të bëhej ndryshe. Ka eksperimente, ka përvoja në varësi të shkallëve të zhvillimit të një vendi apo tjetrit, dhe sot ka nivele të ndryshme zhvillimi apo integrimi, por problemet në thelb janë po ato, në të gjithë shoqëritë e ish-Lindjes. Veçanërisht polariteti i madh social, pasuror dhe ajo që është vuajtja më e madhe e këtyre shoqërive, tek ne është shumë e thellë, mospërgatitja për të përballuar gjithë dinamizmin dhe pasojat e zhvillimit kapitalist.

Blendi Fevziu: Përse ishim të paaftë ne ta përballonim këtë pasojë të kapitalizmit?

Fatos Nano: Ne kemi pasur një ndërprerje të madhe historike jo vetëm me ndalimin e fesë, edhe me ndalimin e zhvillimit të borgjezisë, dhe me ndërprerjen e filizave të para të kapitalizmit në periudhën e Luftës së Parë dhe para Luftës së Dytë Botërore. Për pasojë është një vakum i madh në memorjen tonë shoqërore dhe kombëtare që komunizmi e mbushi me lloj-lloj gjërash, të cilat ishin kaq pjellore si puna e ferrave në një arë me grurë, që dhe sot e kësaj dite është vështirë që njerëzit t’i heqin nga të paktën terminologjia. Të gjitha këto rrënjët i kanë në një formim të deformuar. Padyshim që kjo ka përbërë pengesën kryesore për të qenë pa paragjykime, më të hapur dhe më bashkëpunues, jo vetëm me botën por edhe me njëri-tjetrin.

Blendi Fevziu: A e ke ndjerë këtë paragjykim dhe tek vetja? Edhe pse njerëzit e formuar arrijnë ta kontrollojnë dhe arrijnë ta kuptojnë, por a jeni ndjerë dhe vetë pre e një paragjykimi?

Fatos Nano: Po, edhe kështu mund ta themi por ajo që ndjen më shumë njeriu tek vetja është pasiguria. Pasiguria ndaj asaj që vjen pas, ndaj hapit që duhet hedhur. Ndaj zgjidhjes që ke gjetur. Po flas në nivelet e mia, zgjidhjet që duhet të gjeja unë ishin më gjithëpërfshirëse dhe sa më pak përjashtuese. Pra dyshimi dhe pasiguria nëse efekti do të ishte i duhuri dhe në masën e duhur.

Blendi Fevziu: Dhe si i keni marrë këto vendime shpeshherë, duke pasur këtë pasiguri edhe mungesë eksperience?

Fatos Nano: Të them sinqerisht se si janë marrë, natyrisht nuk janë marrë në boshllëk, janë marrë në një sfond formimi kulturor të mirë. Kam parasysh që njeriu kur është i lexuar, kur është i hapur, kur është minimalisht i shëtitur ose në kontakte me botën që e rrethon, është në gjendje të bëjë përshtatje apo krahasime apo konsultime. Dhe unë kam qenë i parimit që ne nuk na lejohet të shpikim zgjidhje, ne na duhet të adoptojmë në mënyrën më të mirë të mundshme në kushtet tona zgjidhjet që bota i ka vërtetuar si të suksesshme.

Blendi Fevziu: Kur merrje vendime, të cilat ishin inovatore ose që kishin një impakt të fortë dhe vepronit në një terren që nuk ishte i përgatitur për këto zgjidhje që kishte paragjykime, kishte një mendësi të vjetër, gjë që ne e dimë, mendësia e shoqërisë shqiptare ka qenë problemi kryesor i zhvillimit më tej, a kishe shqetësim me veten kur kuptoje që nuk kuptoheshe dot, nuk kuptonin ose që keqkuptonin një zgjidhje që më pas mund të jepte efekte pozitive.

Fatos Nano: Të gjitha këto nuk përjashtohen dot. Por ka disa gjëra që dhe ne duhet t’i bënim sepse ishin standardet e kapitalizmit. Privatizimi për shembull. Kthimi i pronës tek i zoti i ligjshëm. Zhvillimi i ekonomisë së tregut nga përmasat e vogla deri tek ato që kanë mbërritur sot. Të gjitha këto nuk mund të diskutoheshin, duheshin bërë. Ajo që ishte në diskutime midis nesh, bile dhe në diskutime midis palëve mazhorancë apo dhe opozitë, ishte shpejtësia, fazat, shtrirja dhe kosto natyrisht duhet llogaritur. Kështu që të gjitha këto kanë pasur paragjykime brenda, kanë pasur nivele të ndryshme kulturore, nivele të ndryshme formimi, dikush i gëlltiste më shpejt, dikush me vështirësi. Dhe në fund të fundit kjo ka sjellë atë ritëm që ju e cilësoni të ngadalshëm, që na ka lënë të fundit në shumë gjëra.

Blendi Fevziu: Po na ka lënë për hir të së vërtetës në raport, por që ka dhe një zhvillim. Mbaj mend që kur ju keni qenë Kryeministër herën e parë, Maqedonia dukej një vend europian, shumë më i zhvilluar se Shqipëria. Sot nuk ka më të njëjtat diferenca kur shkon atje.

Fatos Nano: Maqedonia dukej vend europian sepse ishte i hapur para nesh, por unë në rrugën e parë që kam bërë në Maqedoni kam parë që nuk ishte shumë larg nesh. Takon njerëz, sa të përgatitur janë, sa të shëtitur janë etj. Pra nuk kemi qenë shumë larg nga fqinjët. Kemi qenë më të papërgatitur për të lëvizur më gjerë se sa kufiri.

Blendi Fevziu: Kaq e madhe ishte kosto e mbylljes dhe kaq shumë na peshon akoma?

Fatos Nano: Nuk besoj se mund ta diskutojmë më këtë gjë, është shumë e madhe.

Blendi Fevziu: Një gjë interesante është që në intervistën e para disa javëve me Kryeministrin, ai më tha që me Nanon kam një raport të mirë edhe për një arsye, sepse ai është i vetmi që e di se sa i vetmuar është të jesh në zyrën e Kryeministrit. Ju keni marrë vendime shumë më të rëndësishme se sa Kryeministri i sotëm, shumë më të rëndësishme se shumë Kryeministra në historinë e Shqipërisë, për arsye të momenteve historike në të cilat keni drejtuar qeverinë. Është e vërtetë që kur je në zyrën e Kryeministrit, edhe pse je i rrethuar nga shumë njerëz, vendimet duhet t’i marrësh i vetëm? Pra, sipas një logjike që e thotë dhe Sarkozy, fitoren e ndan me shumë vetë, ndërsa dështimin të ngelet gjithmonë vetmitar. Është e vërtetë?

Fatos Nano: Në thelb është e vërtetë. Sepse Kryeministri ose drejtuesi i një mazhorance qeverisëse ka barrën dhe peshën e sëpatës së fundit. Sado të konsultohesh, sado të jesh i hapur për të dëgjuar mendimet e të tjerëve, goditjen e fundit do ta japësh vetë. Ndërkohë, askush nga të tjerët, veçanërisht në kushtet e një shoqërie tradicionale siç kemi qenë ne, nuk e ka përgjegjësinë për të qenë këmbëngulës që ai e ka gjetur zgjidhjen e vërtetë. Nuk është këmbëngulës sepse nuk e ndjen përgjegjësinë e liderit. Prandaj në momentet e fundit duhet ta ndash vetë thellësinë e veprimit, gjerësinë e shtrirjes dhe impaktin duke përfshirë dhe të pakënaqurit që do krijosh afër teje.

Blendi Fevziu: Ka pasur momente që je detyruar të marrësh vendime shumë të vështira dhe për ty vetë?

Fatos Nano: Padyshim ka pasur.

Blendi Fevziu: Kujton ndonjërin?

Fatos Nano: Po. Janë dy llojesh. Domethënë unë praktikisht kam qenë në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë deri në 2005, pothuajse çdo 4 vjet. Që do të thotë 2-3 herët e para unë nuk kam arritur të shpalos programin. Ishin kohë emergjencash, ishin konflikte të nxitura nga palët politike, opozita ishte shumë pak operuese, ishte agresive, dhe mua më duhej të zhvendosesha nga kontrolli i një përpjekje për të shpërthyer burgun e Tiranës, siç ndodhi në Mars ’98, tek ndjekja e situatës në brigadën ushtarake të Shkodrës ku kishin sulmuar për të rrëmbyer armët, për të vjedhur armët. Dhe do thuash kur ngele vetëm? Në momentin që unë dhe Ndre Legisi, që ishte Sekretar i Shtetit, po komunikonim pandërprerë telefonikisht për evolucionin e situatës dhe masat që duhet të merrnim, ishte e nevojshme të prisnim sepse Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë ishin në Shkodër dhe u duheshin 2 orë që të vinin nga Shkodra në Tiranë dhe midis tyre ishin specialistë që e njihnin planimetrinë e burgut, kishin hyrë nga sipër, dinin ta kontrollonin situatën në revoltë etj. Nga ora 9 e asaj mbrëmje, në një nga telefonatat me Ndrekën, më thotë Neritani iku, ministri. Si iku, i them unë? Më dorëzoi telefonin dhe më tha ika unë se ra shteti. Dhe iku vërtetë! Iku në shtëpi. Dhe unë vazhdova me Ndrekën deri sa me ndihmën e radio Kohës e Arian Çanit, bëmë një fushatë diversioni pozitiv në mesin e të rebeluarëve, dhe i ndamë shapin nga sheqeri. Arritëm ta kontrollonim deri sa u kthyen forcat speciale nga Shkodra. Dhe sa kisha rënë të fle në 5 të mëngjesit, më merr ministri Neritani dhe më thotë e zgjidhëm ne situatën. Në raste të tilla ngelesh vetëm. Sepse niveli i përgjegjësisë që i takon Kryeministrit, nuk e merr askush tjetër.

Blendi Fevziu: Ka dy vese në këtë shoqëri. E para është ekzaltimi kur ke pushtetin dhe e dytë është xhelozia kur të shohin që je duke ecur përpara. Nuk e di nëse i keni ndjerë në karrierën tuaj fort këto dy forca. Nuk flas vetëm si ndjesi, por edhe si veprim.

Fatos Nano: Natyrisht kanë qenë prezentë, por nuk ke shumë kohë të merresh me to. Dhe le ta kalojmë këtë me sportivitet. Ai që ushqen ndjenja të tilla, ai i bën keq vetes. Bën një nga 7 mëkatet kapitale të Biblës. E pengon dhe atë, sjell dhe dëm në komunikim. Por janë gjithmonë prezente në mjedisin politik, edhe pastaj shfaqen në intriga.

Blendi Fevziu: E shoh që disa herë citoni Biblën, e keni cituar dhe më parë. Besoni?

Fatos Nano: Është pjesë e kulturës së njerëzimit të cilën duhet ta njohësh. Ne jemi qenie me tru normal, duhet të gjykosh mbi të. Nuk beson dot dogmën. E kam lexuar Biblën, kam lexuar Kuranin. Kam bërë një krahasim mes të dyjave, kam lexuar dhe literaturë shoqëruese myslimane dhe të krishterë. Ka shumë histori që të mësojnë më shumë se sa vetë ajetet, dhe kështu mund të ruhesh nga dogma dhe mund të dallosh më kollaj ata që janë dogmatik. Për shembull, dikur erdhi një prift amerikan në burgun e Tiranës në kohën që isha i burg, i shoqëruar nga drejtori i cili nuk dinte anglisht. Në një moment prifti m’u afrua dhe më tha unë kam ardhur të shikoj kushtet në të cilat të mbajnë sepse Departamenti i Shtetit kërkon informacion. Tani drejtori, nipi i Qazim Mulletit që ato kohët e para ishte shumë aktiv për ta ngordhur këtë kafshën që kishin sjellë aty, më vonë u bëmë miq, i shqetësuar çfarë po thonë këta në anglisht, i thotë atij: “Dëgjo, se ky kot bën sikur lexon libra fetarë se nuk e beson Zotin”. Ku e di ti, i tha ai. Po s’i beson qeverisë – tha – nuk i beson Zotit.

“Filluan ta tundnin para gocave të shkollës”, Fatos Nano tregon historinë kur u përjashtua nga gjimnazi

Blendi Fevziu: Ne kemi pasur një intervistë 11 vjet më parë në të cilën ju keni folur për fëmijërinë, jetën, është publikuar dhe në librin që unë kam pasur disa nga personazhet që kanë ndikuar më shumë në historinë e këtij vendi gjatë gjithë viteve. Shqipëria është një vend i vogël, Tirana është një vend i vogël. Njerëzit takohen me njëri-tjetrin jo vetëm kur bëhen të famshë, por që në fëmijëri, që në rini. Si ka qenë jeta e Tiranës në atë kohë. Pra, raporti me njerëzit që më pas do të ishin disa bashkëpunëtorë, disa kundërshtarë tuajt.

Fatos Nano: Ka qenë më i mbledhur në hapësirë, më intensiv në kohë dhe do zgjidhje se me kë do t’i zhvilloje më shumë marrëdhëniet. Kështu që natyrshëm krijoheshin grupet e një brezi, me shokët e një shkolle. Jo çdo rreth shoqëror përbëhet nga elita. Bile kam përshtypjen rrethet elitare janë të destinuara të mos jetojnë gjatë. Kështu që e gjitha kjo të krijonte mundësi të flisje dhe gjëra të ndaluara, si për shembull duke filluar nga filmat, nga librat, nga romanet e famshme që qarkullonin dorë më dorë dhe pastaj muzika e kohës.

Blendi Fevziu: Ju jetonit në një familje e cila kishte raporte të mira me regjimin komunist. Kur keni filluar ta ndjeni ju atë që quhet mungesa e lirisë?

Fatos Nano: Njeriu duke u rritur mund të ketë shumë raste për t’u bërë i pakënaqur. Për shembull, mua më kanë përjashtuar nga gjimnazi në vitin e dytë. Më kanë përjashtuar deri në fund të vitit të dytë të gjimnazit. Këtu fillon histori e bukur. Po bënim orën e fiskulturës. Profesor fiskulture ka qenë profesori i famshëm i atletikës Besim Qyqja dhe mbrapa Sami Frashërit ishte gropa e rërës, e kërcimit së gjati. Dhe po kërcenim vetëm djemtë. Gocat ishin në palestër. Merrnim vrull, kërcenim në gropë edhe bënim xhiro mbrapsht. Në një nga këto xhiro aty në cepin e murit, unë dhe një shoku im vemi bëjmë ujtë. Profesori pezullon orën, na merr siç ishim dhe na çon direkt në zyrën e nëndrejtoreshës. I thotë, këta hoqën të mbathurat, nxorrën ato që s’duhet nxjerrë dhe filluan ta tundin para gocave të shkollës. Njeriu atë gjë e bën fshehurazi apo jo. Unë kam pasur një lloj dinjiteti edhe në gjimnaz. Pra nuk i nënshtrohesha urdhrave pa kuptim. Ai tjetri mesa duket e hëngri prej meje. Ndërkohë, në atë periudhë ishin kapur duke përgjuar banjat e vajzave 4 çuna të tjerë nga klasa të tjera. Kishin shpuar vrima dhe u kapën, u përjashtuan. I bashkuan dy grupet armiqësore, pra dhe ne u shitëm në opinion sikur kishim bërë këtë gjë të pamoralshme dhe na çojnë deri në fund të mësimit në Uzinën Partizani. 16 vjeç në Uzinën Partizani. Mua më futën në repartin mekanik, kujdestar ishte Sekretari i Partisë i Repartit, i cili më priti me këmbët e para. Dhe fillova të mësoja si mësohen rondelet, si punon…

Blendi Fevziu: Punoje realisht? 8 orë në ditë?

Fatos Nano: Po, po. 8 orë në ditë. Na dhanë të drejtën që të ktheheshim të jepnim provimet për gjithë semestrin e dytë. Kishte një dajë ky shoku im që ishte mësues matematike dhe fizike, bëmë mësime jashtë klase me të dhe unë i mora të gjitha provimet 10-ta. Dhe kur u ktheva në Qershor, mësueset që natyrisht më vlerësonin se isha nxënës i mirë, u thoshin nxënësve të tjera ja duhet të shkoni të punoni në uzinë, shikoni si kanë ardhur këta. Tani të gjitha këto krijonin pakënaqësi.

Blendi Fevziu: Po e formuar kur erdhi pakënaqësia tek ju?

Fatos Nano: Kur fillova të kuptoj më shumë. Kur fillova të shikoj që pakënaqësia ime nuk ishte kaq e ngushtë. Kur shikoja që njerëzit mbanin radhën për qumësht në orën 02:00 të mëngjesit. Unë isha më i shkathëti aty se me ndihmonte biçikleta. Kur fillova të kuptoj që tolloni ishte i pamjaftueshëm dhe nuk ishte për të gjithë. Kur fillova të shoh padrejtësia majtas apo djathtas për njerëz të ndershëm  që shikonin punën e tyre. Dhe kur fillova të gërrmoj me mendjen time që kush i bën, pse i bën, dhe kam guxuar në vitin 1985 kur jam kthyer nga koperative bujqësore në Surrel, në Surrel ishte sektori i dytë i koperativës dhe unë isha hartuesi i normave të fshatarëve, iu numëroja ditët e punës dhe nxirrja pagën. Dy vjet të bukura, nja 200 metra nga ku e ka shtëpinë Rama tani. Mua më jepnin 40 ditë pune në muaj. Po dita e punës lëvizte nga 90 lekë të vjetra, në vitin më të mirë ajo koperative kishte shkuar në 120-125. I bie maksimumi 4 mijë lekë të vjetra në muaj. Me ato mund të ushqeheshe, por pastaj duhej të filloje të shikoje kalendarin se për sa kohë mund të bleje një veshje, një palë këpucë. Mbledhja e parë e organizatës në të cilën rikthehet Nexhmije Hoxha pas vdekjes së të shoqit, pas zisë. Dhe aty vendosa të them ca gjëra. Sapo kishte dalë një fjalim i Ramiz Alisë në një nga pleniumet ku ai filloi të ngacmojë idenë e ndryshimet dhe organizatat diskutonin mbi fjalimet e udhëheqjes. Dhe unë në thelb them: “Shokë dhe shoqe, shoqja Nexhmije, unë vij nga koperativa, nga baza, ku konstatova që ka një rrjet lidhjesh, interesash të fortë midis kuadrove të nivelit të mesëm dhe të lartë, duke filluar nga kryetar koperative, drejtor ndërmarrjesh, komiteti i partisë deri nëpër Ministrira, i cili nuk lë asnjë direktivë të shkojë sagllam poshtë dhe nuk le asnjë problem që ka që të vijë lart”. Ishte e gjitha klanore, ishte korruptive. Dhe ishte realisht kështu siç e lexova unë. Dhe ishte shumë e vështirë të depërtoje mbi të sepse këta kishin në dorë dhe rrogën tënde, dhe gradimin tënd, kishin në dorë të të zhvendosnin nga këtu atje, të merrnin në qafë. Siç morën në qafë motrën time, e cila ra në dashuri dhe u martua me një djalë i cili vinte nga një familje të persekutuarish dhe sapo mbaroi shkollën e marrin dhe e çojnë në Laç. Ajo ishte nga nxënëset më të mira të fizikës bërthamore dhe e çuan në gjimnazin e Laçit ku ka ndejtur 15 vjet të tëra si mësuese fizike. Të gjitha këto krijonin një arsyetim që këtu diçka nuk shkon. Këtu nuk njihet merita. Babai mund të mbërrinte deri tek veprimi apo karakteri i mbrapsht i dikujt në udhëheqje, por jo tek vija ideologjike.

Blendi Fevziu: Besonte realisht tek vija?

Fatos Nano: Po besonte. Sepse doli malit për çlirim dhe pastaj u rrit me të.

Blendi Fevziu: A kishte shanse Shqipëria në atë kohë, në vitet ’85-’86, të hapej drejt Perëndimit përpara vendeve të tjera të Lindjes? Dhe a pati tratativa për të në atë kohë?

Fatos Nano: Kam një përvojë personale për këtë gjë. Në mes të vitit 1988, u bëra pjesëtar i një grupi pune të kryesuar nga Abdyl Baca. Detyra ishte të prisnim në Tiranë në 5 dite pune drejtorin e Europës në Ministrinë Federale të Ekonomisë Gjermane, i cili do të na fliste për politikat e BE-së, institucionet e BE-së, politikat ndaj Mesdheut. Nuk kaloi shumë, por pas 6 muajsh, vjen ftesa nga Ministria Gjermane e Ekonomisë për të parë në vend dhe për t’u takuar me më shumë personalitete. Vizita ime në ’89 në Gjermani ka qenë e rrallë, e organizuar kaq mirë. Më çuan me Luan Çaullarin, zv/kryetari i komisionit të planit. Filluam nga Mynih për të dalë në Hamburg, vizituam 5 lande, u takuam me zyrtarët e Ministrive përkatëse, u takuam me botën akademike, u takuam me CEO të kompanive kryesore gjermane. E gjitha kjo përfundoi në një raport rreth 20 faqe që e kam shtypur vetë, i cili përfundoi me mesazhin që na dha Gjermani, që ishte: “Ju mjafton të merrni një vendim politik, që jeni të gatshëm të hapeni ndaj BE-së. Ne do t’ju marrim për dore, do t’ju çojmë në Bruksel, do ju tregojmë ku të trokisni, nuk do jemi ne brenda, por do gjeni atmosferë shumë miqësore. Merreni vendimin politik dhe do t’ju shoqërojmë për të krijuar të parët marrëdhënie preferenciale me BE-në”.

Blendi Fevziu: Ju e përcollët këtë mesazh?

Fatos Nano: Ky material i shkoi Ramiz Alisë. Dhe nuk u dha asnjë përgjigje për 1 vit e ca. Kur kam takuar Ramizin për herë të parë në ’90, i them: “Po ç’u bë ai materiali i gjermanëve”. Po se ku ma zhduku Hekurani – tha – nëpër sirtarë.

Blendi Fevziu: Kur e gjykoni sot me intuitën tuaj, mund të shkonte deri me pranimin e Shqipërisë në BE si një projekt pilot?

Fatos Nano: Jo, ishte fillimi i rrugës për të krijuar marrëdhënie preferenciale tregtare dhe pastaj bashkëpunimi më të gjerë ekonomik.

Blendi Fevziu: Pra, ishte vetëm vendimi ynë?

Fatos Nano: Ishte vendimi ynë.

Blendi Fevziu: Që nuk e morëm…

Fatos Nano: E humbi Hekurani pra. Që do të thotë… Prandaj kam thënë që Ramiz Alia ngeli takticien, nuk u bë kurrë strateg. Ky ishte një nga vendimet strategjike që duhet të merrte.

Blendi Fevziu: Që nuk e mori kurrë.

Fatos Nano: Nuk e mori kurrë!

Blendi Fevziu: Jemi në fund të vitit 1990, kur ju i takonit grupit liberal. Edhe në Tiranën e kohës konsideroheshit si një nga ekonomistët liberalë por edhe personat liberalë. Përse nuk u anëtarësuat në PD por mbetët në Partinë e Punës? Dhe si e kujton lëvizjen e studentëve?

Fatos Nano: Lëvizja e studentëve ishte e vërtetë. Ishte e virgjër, ishte jo shumë e koklavitur. Ishte pasqyrë e ndjenjave të moshës, e vrullit të moshës dhe kërkesave të atij brezi. Sapo filluan të afrohen intelektualë apo interesa të tjera, ajo pushoi së qeni kaq e pastër. Dhe veçanërisht qysh në tribunën e fjalimeve të para të ditës së shpalljes së Partisë Demokratike, u pa që do kishte shumë ujë për rrjedhur. U pa që uji filloi të trazohet. Vendimi im për të mos kaluar me PD-në erdhi në mënyrë racionale dhe graduale sepse në një kohë që të gjithë po turreshin për të kaluar me PD-në, atëherë unë mendova këtu do bëhet një monizëm i ri. Dhe vendosa në mënyrë të ndërgjegjshme të qëndroj majtas për të balancuar situatën. Natyrisht nuk do të qëndroja vetëm, do të bashkohesha me të tjerë intelektualë të majtë, dhe këtë bëmë, balancuam situatën aq sa 4 muaj pas zgjedhjeve të ’92 fituam zgjedhjet vendore.

Blendi Fevziu: Në kohën që ju mbetet në Partinë e Punës dhe filluat të evidentoheshit si një nga të rinjtë me perspektivë dhe natyrisht me formim krejt ndryshe, si ishte raporti juaj me klasën drejtuese që kishte qenë 40 vjet në pushtet? Pra me ata që quheshin komunistët e vjetër? Funksiononte? Kuptonin gjë çfarë po ndodhte?

Fatos Nano: Pjesa mbushje topi që ishin shumica e Byrosë Politike, që kishin ardhur vitet e fundit nga arat, nga kantieret, nuk është se kishin shumë pretendime. Pra nuk shikonin rreth e rrotull, ishin të mbyllur me njëri-tjetrin, nuk i përfillnin studiuesit apo shkencëtarët dhe nuk ta varnin shumë. Ky ishte një avantazh. Në kohën që ata nuk vinin fare në bibliotekë, ti mund të shkoje dhe kishe gjithë kohën për vete dhe të gërrmoje në ca libra që s’i prekte njeri me dorë. Dhe kishte atëherë në biblioteka ca gjëra të tilla. Pra, nuk ta uzurponin kohën e vlefshme të studimit. Ndërkaq, kur ne filluam të shfaqemi, sepse unë 3 vitet e fundit para pluralizimit, nisa një tur bisedash nëpër gjithë Shqipërinë me intelektualë, me kuadro. Doli nami dhe pastaj filluan të më thërrisnin mua. Shkoja pothuajse çdo dy javë dhe flisja siç kam folur me studentët e mi. Shtroja pyetje provokuese, kërkoja përgjigje nga salla, shikoja që salla ishte gati për përgjigjen që doja unë dhe e jepja atë përgjigje. Opinioni po mbartesh. Opinioni priste, opinioni ishte kurioz se kush po thotë ndonjë gjë dhe ç’janë këta të rinj që po thonë ca gjëra. Dhe kjo më çoi mua në dënimin që u bëra kryetar i Partisë Socialiste.

Blendi Fevziu: Ishte presioni nga poshtë që e solli?

Fatos Nano: Ishte presioni nga poshtë. Pra unë u bëra i njohur me këto ture.

Blendi Fevziu: Kur e keni njohur për herë të parë Sali Berishën? Para apo pas Dhjetorit të ’90?

Fatos Nano: Sali Berishën e kam takuar për herë të parë në redaksinë e Zërit të Popullit, ku ishim thirrur për një bisedë nga kryeredaktori i kohës, Përparim Xhixho, bisedë rreth temave sociale, ekonomike, politike. Ishte një bisedë gjysmë e hapur. Përparimi që ka qenë çik qerrata, nuk mori kot personazhe të tilla, Saliun, mua, Spiro Deden, ka qenë dhe një jurist, Aleks Luarasi. Dhe na shtroi disa pyetje nga këto që ziente opinioni. Dhe pasdite na ftoi në redaksi dhe ishim ulur në të njëjtën dhomë. Saliu ulur, unë përballë tij. Secili shikonte bocat e veta. Aty e pashë për herë të parë. Nuk e njihja, dukej njeri energjik, dukej nga flokët pak malësor, i gjatë, atletik. Në një moment më pyet: “Fatos si thua ti, a është mirë kjo gjë ta them kështu”. Unë i jap një mendim alternativ. E pashë që u step dhe u tërhoq, nuk më pyeti më. Pra në qoftë se do më pyesje siç më pyet sot, cili është impresioni i parë për Saliun, është që nuk e pranonte mendimin ndryshe.

Blendi Fevziu: Raporti juaj ka pasur shumë ulje-ngritje. Keni qenë përplasur shumë, por njëkohësisht edhe keni bashkëpunuar. Si do ta përkufizonit sot, jashtë këtyre impresioneve ose ndjesive personale, si politikan Sali Berishën?

Fatos Nano: Do përpiqem të jem i drejtë dhe i sinqertë. Sali Berisha hyri në politikë si intelektual. Pra, intelektual humanist, mjek kardiolog. Në momentin që mori drejtimin e PD, ai u bë politikan. E them këtë gjë sepse intelektuali dhe politikani me kalimin e kohës i lënë vendin njëri-tjetrit. Janë të rralla rastet kur politikani mbetet aq intelektual sa duhet. Më pas ai ka mbikëqyrur që nga idea e parë që hodhi vetë deri në realizim, deri në atëherë kur ra shteti në ’97, burgosjen dhe mbajtjen time në burg. Është marrë ‘in persona’ me këtë gjë.

Blendi Fevziu: Berisha thotë që nuk jam marrë unë me këtë gjë.

Fatos Nano: Berisha thotë shumë gjëra për shumë gjëra, përfshirë dhe 21 Janarin, por unë kam të dhënat e kohës, të dhëna nga njerëzit që kanë qenë dëshmitar në zyrën e tij kur ai është marrë ‘in persona’ me mbajtjen time në burg. Dhe me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike. Politikanët janë kafshë politike. Dhe kur marrin vendime të tilla nuk mund të mos u thuash kafshë politike. Në 21 Janar, ai mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm përballë një proteste masive popullore. Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti pjesa tjetër…. që po e dëshmon tani me qytetarin dixhital.

Blendi Fevziu: Po roli i tij (Sali Berishës) në politikën shqiptare në përgjithësi, ky është përkufizimi që mund të japësh?

Fatos Nano: Roli i Berishës në politikën shqiptare ka qenë në vlerësimin tim konfliktual. Pra, në periudhën e parë ai pati, krijoi dhe ushtroi autoritetin e marrjes së vendimeve të mëdha, si në drejtim të krijimit të institucioneve të reja demokratike, ashtu dhe në ekonomi. Ndërkohë, po ta ndjekësh me këtë synim, ai ka qenë gjithmonë i përfshirë personalisht në vendime të mëdha. Që do të thotë, i gatuante vendimet e mëdha sipas kuptimit të tij. Më kujtohet një intervistë me BBC që atëherë shfaqej vetëm në TVSH, ku duke folur për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, e shoqëron me gjestin, që e trajtoi atë si një lodër të vetën. Ky ishte koncepti i tij dhe gjithçka mesa duket në kuptimin e tij duhet të kalonte nëpërmjet tij përfshi edhe lënien mënjanë të atyre që e kundërshtonin. Ndërkohë, ai erdhi duke e thelluar sjelljen dhe kuptimin apo veprimet e njeriut të konfliktit, dhe njeriu që ka ngulur konfliktin që edhe sot e kësaj dite nuk po largohet dot nga politika shqiptare, është Sali Berisha. Dhe di vetëm mënyra konfliktuale për të realizuar ambiciet e veta. Është e pamundur të kesh një proces paqësor të shtrirë në kohë për të arritur synime më të mëdha me kosto më të ulëta me Sali Berishën.

Blendi Fevziu: Por ju keni bashkëpunuar me të në momente të caktuara të zgjedhjeve.

Fatos Nano: Ja po të tregoj 2002-shin. Arritëm të bëjmë një marrëveshje që nisi me zgjedhjen e Moisiut president. Ne kishim gjithë mundësinë për të zgjedhur presidentin. Zhurma që u krijua ishte një zhurmë e tipit Doris Pack, jo më shumë se kaq. Ndërkohë pala që drejtoja unë kishte dhënë prova se ishte e prirur për zgjidhje të konflikteve me marrëveshje. Duhet t’i kujtoj një ngjarje që nuk citohet shumë: Marrëveshja e politikanëve shqiptarë në komunitetin e San Legidios. Unë kam propozuar dhe shkruar në dokument në atë takim, nuk ishte Saliu, që të ngelet normë e sjelljes politike në Shqipëri që Komisionin e Kontrollit të Shtetit do ta marri opozita në çdo rast, që opozita do ketë më shumë se ç’i takon nga vende në Parlament, komisione parlamentare për të drejtuar deri në 1/3 në rast se ka më pak. Të gjitha këto i kam futur unë. I vetmi që nuk e ka zbatuar ka qenë Berisha. Sa herë që ka ardhur Berisha në pushtet ka mbajtur edhe Komisionin e Kontrollit të Shtetit. Dhe me marrëveshjen për zgjedhjen e Presidentit konsensual filloi një periudhë jo më e gjatë se 5 muaj bashkëpunimi aq e çuditshme saqë Berisha më merrte mua në telefon dhe unë e merrja Berishën në telefon. Komunikonim direkt pa sekretare për të arsyetuar. Mbi këtë bazë janë krijuar komisionet hetimore parlamentare. Ishte bashkëpunim shumë i mirë. Situata politike në vend u qetësua mjaft saqë pas intervistës së famshme që bëmë në Opinion, kemi bërë një të dytë në Nëntor te Tv Arbëria.

Blendi Fevziu: Përse vendosët ta thërrisnit Edi Ramën në qeverinë e 1998 kur nuk kishte ndonjë karrierë politike kur njihej si një njeri problematik, polemist dhe a jeni penduar më pas për këtë?

Fatos Nano: Shumica e pjesëmarrësve të rinj në politike nuk kishin përvojë politike.

Blendi Fevziu: Por në vitin 1998 kishin krijuar një eksperiencë gjithsesi.

Fatos Nano: Nëse mund të quajmë një vit e pak. Kështu nga kjo pikëpamje Rama nuk mund të stononte. E dyta unë kisha arritur të flas me Edin kur kisha qenë në Paris. U takuam natyrshëm.

Blendi Feviu: Në atë kohë nuk kishit idenë për ta ftuar ..

Fatos Nano: Një minutë. Atëherë e ftova, kaluam një natë të gjatë duke bredhur rrugëve të Parisit, se u mbyllën lokalet. Ai ishte i shoqëruar me partneren e tij, dhe njëlloj siç thamë për Pashkon, ajo i thoshte “dëgjoje ka të drejtë”. Unë e ftoja dhe ai hezitonte. Arsyeja ishte njerëzore. Unë kisha nevojë për një rebel në rrethin politik të socialisteve. Një njeri me ide novatore dhe të provokonte mendimin e ndenjur të trashëguar. Isha i sinqertë në këtë ftesë.

Blendi Fevziu: Po ai pse hezitonte?

Fatos Nano: Ai hezitonte se nuk ishte shkëputur nga jeta e emigracionit, nga projektet artistike, nga shoqëria që kishte krijuar. Nuk ishte gati që shkëputej dhe kishte frikë nga politika pasi ishte zhgënjyer njëherë që nga themelimi i PD. Pra nuk formulonte argumente kundër, por dukej nuk kishte dëshirë që të merrej me politikë. Si duket vdekja e Kristaqit bëri një kapërcim në arsyetimin e tij.

Blendi Fevziu: Ju ia përsëritët sërish ftesën?

Fatos Nano: Jo erdhi direkt në zyrën time. Erdhi pasi ishte varrosur Kristaqi, atë ditë apo të nesërmen. Dhe erdhi për koincidencë kur unë po mbyllja ndryshimet në qeveri, në Prill të vitit 1998. Për koincidencë sapo kisha nxjerrë nga zyra Luan Ramën që do e emëroja ministër Kulture.

Blendi Feviu: Pra kishit larguar Arta Daden dhe kishit emëruar Luan Ramën ministër të Kulturës?

Fatos Nano: Ekzakt.

Blendi Fevziu: Dhe në këtë kohë hyri Edi Rama.

Fatos Nano: Doli një Ram dhe hyri një Ram. Rama që doli dhe unë që isha brenda nuk e dinim çfarë interesi kishte Rama që hyri, por ai thotë që jam gati të bëhem ministër Kulture.

Blendi Fevziu: Ju kthyet dhe njëherë Ramën e parë dhe i thatë që…

Fatos Nano: Lajmërova sekretaren kape Luanin mos e lë të ikë. E takova në paradhomë dhe i them më lerë të zbatoj një projekt më ambicioz se ky që kishim. U ktheva brenda dhe i thash dakord, je ministër Kulture. Dhe këtu filloi rrugëtim i gjatë dhe ende i pandërprerë i Ramës në politikë.

Blendi Fevziu: Jeni penduar për këtë?

Fatos Nano: Nuk jam penduar sepse në tërësinë e vet, Rama ka dhënë një produkt shumë të vlefshëm në politikë. Pra nuk mund ta gjykojmë periudhën si ministër kulture apo si kryetar bashkie. Do qa gjykojmë si kryetar opozite dikur dhe si Kryeministër me dy mandate.

Blendi Fevziu: Si e gjykoni si Kryeministër.

Fatos Nano: Edi Rama është matuar dukshëm në zyrën e Kryeministrit dhe në detyrën e Kryeministrit. Detyra e Kryeministrit është e tillë që kur e bën me seriozitet të maturon. Të bën të ndjesh deri në pore përgjegjësinë e vendimmarrjes së shumicës së njerëzve.

Blendi Feviu: Ka shumë akuza që thonë nuk respekton ligjin, ka shumë akuza për korrupsion, për lidhje me oligarkët..

Fatos Nano: Rama ka një ekip që filtron përputhjen me ligjin të vendimeve që merr, që nuk mund të bëhet më i mirë sot. Edhe sikur Rama të japë urdhra sot si ato të fillimit, që nuk e njihte legjislacionin etj, nuk e lejon ekipi ta bëjë këtë gjë.

Blendi Fevziu: Por për akuzat për korrupsion dhe lidhje me oligarkët?

Fatos Nano: E kush nuk ka zhurmë akuza, baltë, për raporte të bujshme me korrupsionin në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Dhe ju keni pasur shumë akuza.

Fatos Nano: Pa fund. Mua më kujtohet viti 1998, kur misioni i Bankës Botërore për Shqipërinë, në vizitën e radhës. Ka qenë një gjermane dhe unë e Gramozi i thonim ‘infermierja Inge”, ishte si një gjipërë me kokë, pedante. Erdhi dhe më propozoi në zyrën e Kryeministrit që të përfshihnin Shqipërinë në skedimin e perceptimit të korrupsionit.

Blendi Fevziut: Dhe ju vendosët ta bënit.

Fatos Nano: Dhe unë i them po patjetër. Je koshient për këtë vendim që po merr më tha mua. Pse më pyet i thash, sepse do jesh një nga kryeministrat më të sulmuar më tha. Ka nevojë vendi do ta bëjmë i thash. Këtë grope le të themi ia kam hapur unë vetes i pari dhe është bërë shumë mirë që është përfshirë Shqipëria në këtë proces, pavarësisht se kush i keqpërdor më pas. Transparency Internacional ka krijuar në data baze dhe raportet janë aty.

Blendi Fevziu: Po për raportet me oligarkët për të cilat është akuzuar vazhdimisht?

Fatos Nano: Raporti me oligarkët është një koncept mediatik. Është një sulm i kollajshëm. Natyrisht dhe mua nuk më pëlqejnë pabarazite midis sipërmarrësve që janë krijuar në treg dhe unë nuk jam dakord me aksesin e kollajshëm që kanë disa sipërmarrësish në zyrat e shtetit. Disa syresh thonë që paguajnë rroga të dyta në nivele të administratës që t’u shërbejnë atyre.

Blendi Fevziu: Kjo është më se normale besoj.

Fatos Nano: Veçanërisht në Hipoteka. Këto janë fenomene që duhen luftuar me tolerancë zero.

Blendi Fevziu: Luftohen dot?

Fatos Nano: Unë po flas për vullnetin politik për t’i luftuar. Tani a zhduken dot, a i vret të gjithë armiqtë përnjëherësh në luftë? Këtë nuk di ta them. Nuk besoj se e gjithë kjo zallamahi mund të krijojë një klasifikim se kush është kryeministri më i korruptuar në Shqipëri. Është Rama, ka pasur ndonjë më të korruptuar se ai. Është Berisha kur ishte kryeministër dhe tani e këndon pa fund me mjete dixhitale këngën e korrupsionit. Kryeministrat dhe qeveritë që ta drejtojnë duhet gjykuar dhe filtruar nëpërmjet institucioneve që ata përdorin dhe rezultateve që skedohen. Nuk mund të lëshosh fjalë pa peshë, si restoranti i Nustretit bie fjala.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?

Fatos Nano: Që s’kanë ku i bëjnë pazaret dhe ngeli për t’i bërë në restorant. Është e gjitha një sheqerkë e helmatisur për njerëzit që kanë probleme të përditshme..

Blendi Fevziu: Që s’paguajnë dot qiranë, që nuk ushqehen dot tamam dhe të tillë ka sa të duash.

Fatos  Nano: Të revoltohen ndaj oligarkëve në pushtet.

Blendi Fevziu: Një nga personazhet e tjerë që ka dalë, është një nga produktet tuaja, edhe pse ai ka pasur një karrierë të vetën, është Ilir Meta. Kur e pyet ai thotë se ka një raport normal me Fatos Nanon, në  fakt çfarë raporti keni dhe si e gjykoni atë tani?

Fatos Nano: Ta nis nga fundi, nuk kam asnjë raport sot. As fizik asgjë.

Blendi Fevziu: As kontakte, as jepni dhe merrni mesazhe.

Fatos Nano: FareDhe nuk më mungon.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim nuk iu mungon?

Fatos Nano: Sepse Ilir Meta është një nga përfituesit e mëdhenj të mbështetjes time.

Blendi Fevziu: Edhe të kontributit të tij se ka pasur një peshë jo të vogël në PS.

Fatos Nano: Unë thashë nga ata që kam mbështetur, nuk është thash se është bërë vetëm nga mbështetja ime. Është një nga përfituesit më të mëdhenj. Qysh nga FRESSHI, nga qeveria e parë, Komiteti i Partisë të Tiranës, i dhashë degën e partisë së Tiranës të tregojë. Të gjithë thonin se është rivali i Nanos, por filozofia ime ishte të integroja dhe ata që mendonin ndryshe. E deri tek qeveria e fundit. Ilir Meta u bë kryeministër në 1999, pas një marrëveshje me mua. Dhe mbeti i tillë deri kur dha dorëheqjen 2002, sepse kemi Pandin që nuk të lë të gabosh se ai vjen mbrapa. Ai mendoi se bashkë me krizën energjetike do hante dhe kokën e Fatos Nanos. Pra sapo ishte marrë vesh që do të vazhdonte drejtimin e qeverisë, kur papritur më thotë ‘e deshe merre mbaje me gjithë krizë’. Kaloi sa kaloi dhe erdhi prapë tek zgjedhja e Moisiut. Në një mënyrë apo në një tjetër më afroi me Berishën dhe më afroi me Metën. Dhe bëmë marrëveshje për të hyrë bashkë në qeveri.

Blendi Fevziu: Pse u prishët sërish?

Fatos Nano: Meta ka pasur gjithmonë planin B në mendje. Ka qenë inaktiv, sikur nuk ekzistone në qeverinë e 2002-2005. Iku në 2003, nuk merrte pjesë në diskutime, ka folur vetëm njëherë kur blemë ambasadën tonë në Athinë.

Blendi Fevziu: Cili ishte plani B i Metës?

Fatos Nano: Plani B ishte ai paralajmërova që në fillim Ilirin, “Ti e ke zakon që të lë në mes të rrugës dhe të fut stërkembëshat”. Jo e kam seriozisht këtë herë më tha. Ky ka qenë plani B, që të ndërpriste punët e qeverisë në mes.

Blendi Fevziu: Po si President si e gjykoni.

Fatos Nano: Më lerë ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm.

Blendi Fevziu: Është Presidenti i sotëm?

Fatos Nano: Të shtatë mëkateve të biblës, ligësia, grykësia…

Blendi Fevziu: E thoni këtë se ai ju largoi përfundimisht nga politika?

Fatos Nano: Jo. E them se e shoh përditë, u jep prova të gjithëve përditë.

Blendi Fevziu: Përse vendosët të largoheshin në vitin 2005? Ishit 53 vjeç, shumë i ri për t’u larguar.

Fatos Nano: Me thënë të drejtën e fundit që m’u kujtua në atë moment ishte mosha. Vendimi ishte parimor sepse, dreqi e mori politikani nëse nuk respekton disa parime që janë shtylla e punës së tij nuk ka të drejtë të bëj asgjë tjetër. Parimor sepse e shkruam me vullnet në statutin e partisë, në imitim dhe të partive të tjera simotra që kur humbet zgjedhjet largohesh. Nuk ishte ndonjë largim dënim, apo pa kthim. Unë kur dhashë dorëheqjen thashë se do jem në mbështetje të bashkëpunëtorëve të mi.

Blendi Fevziu: Do ta bënin sot po të ishit?

Fatos Nano: Tani më duhet të kujtoj moshën të parën.

Blendi Fevziu: E ndiqni politikën sot?

Fatos Nano: Natyrisht që e ndjek, E ndjek jo në detaje që ta largojnë, duke qenë jo shumë aktiv, e ndjerë në prirje në zhvillime thelbësore, natyrisht po ta shohësh në këtë mënyrë, janë shumë zhvillime pozitive që po ndodhin, që duhet mbështetur që të ndodhin. Në besimin tim nuk duhet të prerë me këmbët e para, por duhet të krijohen mekanizma të tilla, pavarësisht nga drejtimi politik që ku janë njerëzit më të aftë të bashkohen rreth këtyre ideve dhe projekteve. Specialistët, profesionistët duhet të punojnë bashkë në Shqipëri se nuk janë shumë. Kujtoj me nostalgji se si bëmë konferencën e parë shkencore me Gramoz Pashkon e ndjerë, si model dhe nuk u bë asnjë pengesë se kur ka bindje të ndryshme politike kur do të përfaqësosh vendin.

Blendi Fevziu: A jepni këshilla sot, ua kërkon dikush lidhur dhe me eksperiencën shumë të gjatë që keni në politikë.

Fatos Nano: I pari dhe i fundit që ma kërkon me dëshirë dhe me pahir është kryeministri i sotëm. Kemi krijuar një raport funksional, politik dhe njerëzor me të cilin shkëmbejmë mendime për gjëra thelbësore. Atij i pëlqen të thotë se ka një avantazh shumë të madh, që ai ka kë të pyes e unë s’kam pasur asnjë.

Blendi Fevziu: Kanë qenë të vështira rikthimet?

Fatos Nano: Rikthimet kanë qenë të arsyetuara. Pra ishin të kalkuluara në kohën që kanë ndodhur dorëheqjet, me përjashtim të atij të fundit. Kur unë dhashë dorëheqjen nga kryetar partie dhe thirrja Kongresin në ’98, unë llogarita që do t’i jepja kohë vetes të dilja nga zinxhirët e kryetarit ku duhet t’ju shërbesh të gjithëve dhe të merrja një tur në bazën e partisë për të përgatitur Kongresin dhe për t’i tronditur mbështetësit e panumërt të Nanos që ore mos na iki me gjithë mend ky. Dhe funksionoi pra, rikthimi ishte i kalkuluar. Fitova Kongresin. Ose rikthimi në qeveri. Unë u largova në fund të ’98 për një arsye thelbësore, ballafaqimi dhe konflikti Nano-Berisha për shkak të Berishës kishte arritur kulmin dhe nuk dihet se si do përfundonte. Atëherë arsyetova që po nxjerr dy fytyra të reja, Majko-Meta, dhe realisht konflikti u zbut për një kohë që i shërbeu dhe administrimit të krizës së Kosovës. Pra në këto raste kanë qenë të kalkuluara rikthimet. Dhe nuk mund t’i dorëzohesh kaq kollaj në një karrierë si e imja kësaj ndasjes qarkullimi i elitave, po pse rrini pse s’ikni. Në politikë të mban vota.

Blendi Fevziu: Një pyetje dhe pse nuk është thelbi? Ju thatë që shumë gjëra kanë ecur pozitivisht, por ndërkohë kur ju keni hyrë në parlament në vitin 1991, i mirë apo i keq ka qenë një parlament që përbëhej nga elita e asaj kohe., ndërsa sot unë sa herë që më qëllon të shoh ndonjë seancë më vjen të kap kokën me dorë dhe këtë nuk e them figurativisht.

Fatos Nano: Kjo do të thotë se t’i mund të ishe bërë deputetet dhe nuk je aty.

Blendi Fevziu: Çfarë ka ndodhur në fakt, unë s’do isha bërë se mund të isha bërë që në 1991.

Fatos Nano: Natyrshëm ka ndodhur ky evolucion, sepse në fillim s’kishte asgjë tjetër. Intelektualët i vunë shpatullat politikës dhe ndenjën aty deri sa mundën. Pastaj turbinën e rrotullonin disa marifetçinj dhe i nxorrën jashtë

Blendi Fevziu: Ka kosto për vendin kjo.

Fatos Nano: Ka sigurisht. Të marrim një shembull tipik. Një intelektual i pashoq si Moikom Zeqo, a e dini sa vite ka ndenjur pa punë, dhe i vetmi që e ka kthyer në punë aty ku e meriton kam qenë unë sa herë kam ardhur në qeveri. Sot Moikomi na ka lënë, por këto gjëra nuk korrigjohen më të vdekur, por me të gjallët.

Blendi Fevziu: Po ju vetë çfarë do të korrigjonit?

Fatos Nano: Natyrshëm u dyndën politikanët tek politikanët tek politika, i zboi politika. Janë qenie që nuk ngelen pa bukë, krijuan median e lirë, krijuan shoqërinë civile. Sot numri i atyre që mund t’i ofrohen politikës është më i vogël. Kështu që natyrisht nuk jam i kënaqur me parlamentin sot.

Blendi Fevziu: E ndiqni ndonjëherë?

Fatos Nano: E ndjek për të parë rendin e ditës, çfarë nismash të reja ka. Sepse ato të hynë do votohen. Por shqetësimi është niveli i opozitës sepse maxhoranca është e disiplinuar. Maxhoranca ka shumë individualitete  brenda.

Blendi Fevziu: Opozita parlamentare është..

Fatos Nano: Jo po flas dhe për ata që ikën dhe për këta që janë. Por për punimi i akteve i nismave që vijnë nga maxhoranca nëpërmjet komisioneve është shumë i kualifikuar, reagimi që ndeshet në atë sallë nuk ishte fare profesional. Ishte krimi, korrupsioni, droga dhe asgjë më përmbajtjen. Nga kjo pikëpamje dështimi më i madh në tre dekada e këtij vendi është paaftësia për të krijuar një opozitë të denjë.

Blendi Fevziu: Përfshirë dhe kohën kur ju keni qenë në opozitë?

Fatos Nano: Përfshirë dhe kohën kur unë kam qenë Kryeministër. Opozita natyrisht nuk krijohet me akt administrativ, opozita reflekton nivelin mesatar të qeverisë., Opozita sa do e dobët të jetë duhet të ndihmohet nga maxhoranca për t’u ngritur në këmbë e për të ardhur në nivelet e një jete politike e parlamentare apo të respektit të institucioneve siç e ka bota e zhvilluar. Pra është dështim i të dyja palëve edhe i opozitës dhe i maxhoranca të sotme, që nuk kemi mund të krijojmë një opozitë të denjë në këto 30 vite.

Blendi Fevziu: Pra ju këtë quani dështimin më të madh të këtyre 30 viteve?

Fatos Nano: Absolutisht që po.

Blendi Fevziu: Nëse ktheheshin mbrapa çfarë do korrigjonit te vetja?

Fatos Nano: Në mënyrë paradoksale sot jam më i sinqertë se çdo herë tjetër. Do korrigjoja atë me të cilën mburrem.

Blendi Fevziu: Cila është?

 Fatos Nano: Kam deleguar shumë pushtet.

Blendi Fevziu: Sidomos në vitin 1997.

Fatos Nano: Tipari im dallues në politikë ka qenë delegimi i pushtetit.

Blendi Fevziu: Këtë e quani gabim?

Fatos Nano: Sot do delegoja më pak.

Blendi Fevziu: Kjo tregon që shoqëria e donte kështu apo…

Fatos Nano: Kjo tregon se  shoqëria nuk ka qenë kaq e përgatitur për delegim pushteti pa kontrolle rigoroze, sot Rama i bën në mënyrë teknologjike. Dhe Rama delegon pushtet, por i ka në kontroll të rreptë.

Blendi Fevziu: Pra kjo që quhej si arritja më e madhe…

Fatos Nano: Këtë e quaj si arritjen më të madhe timen, por njëkohësisht dhe si defektin më të madh që mund ta kisha korrigjuar në rrugë e sipër.

Blendi Fevziu: Si ka ndikuar burgu në jetën tuaj?

Fatos Nano: Ka ndikuar në mënyrë kontradiktore.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?

Fatos Nano: Në planin njerëzor më ka sjell tek ky që jam. Më ka bërë më tolerant, më ka bërë më të frenuar për të marrë hak.

Blendi Fevziu: Më të frenuar për të marrë hak?

Fatos Nano: E kam thënë nga përvoja e burgut, që njeriu qëndron pak në burg, del më shumë revanshist seç ka hyrë.

Blendi Fevziu: Se mendon se ka hyrë pa të drejtë.

Fatos Nano: Kur qëndron shumë gjatë në burg, kam frikë se nuk je për gjë.

Blendi Fevziu: Të vret në kuptimin figurativ.

Fatos Nano: Kur qëndron për një kohë më të moderuar, në rastin tim ishte rreth katër vite. Është mjaftueshëm për të arsyetuar pse ndodhin gjëra të tilla. Cilat janë arsyet, çfarë duhet bërë që t’i evitojmë, ky është ndikimi më i madh që ka marrë nga burg, nga burgosja gati 1500 ditore. Të mos harrojmë që ishte në moshën më të mirë në moshën më aktive. Tani vijmë tek ato negativet, Sali Berisha më ka vjedhur 4 vitet më të bukura të pjekurisë time. 39-44 vjeç. Sali Berisha e kam të regjistruar, këtu dominon… Prandaj të thashë që janë kontradikte, Sali Berisha mund të thuhet natyrshëm se më ka vdekur nënën. Sepse nëna ima ditën që u nisa në Prokurori dhe i thashë që mund të vonohem ca më tha ‘të kuptoj bir dhe do të pres’.

Blendi Fevziu: Çfarë raporti keni pasur me nënën?

Fatos Nano: Si çdo djalë me nënën, kam qenë djalë i vetëm. Do të pres më tha dhe nuk arriti të presi dhe u dorëzua në 1995 kur pati disa incidente kur pritej të lirohej Nano, të cilat i bllokoi Saliu. Por një njeri me zemër siç ishte ajo, ngrohje e ftohje të tilla dhe ajo dha shpirt.

Blendi Fevziu: Dhe ju morët pjesë në varrim, i kemi disa pamje.

Fatos Nano: Tani leja që unë mund të marr pjesë në varrim u dha atë ditë në mëngjes. Një natë më para kisha djalin, Sokolin në Bençë dhe i them unë mesa duket nuk vij. Kështu do regjistrojmë një mesazh timin në minikasetë që t’i do ta vësh tek mikrofoni në varrim dhe regjistrimi ka qenë “Sali Berisha pse më vrave nënën?”. Dhe djali iku në mbrëmje mori kasetën dhe nuk e dinte që do merrja pjesë dhe tek varri se unë isha pjesë dhe mund të thoja çfarë kisha për të thënë kam thënë:  Falënderoj autoritetet që më dhanë mundësinë që të përcjellë nënën për në banesën e fundit, por do u bëja thirrje që të mos ulni armët vetëm për të vdekurit por dhe për të gjallët. Ja ku përplasen dy efektet e burgut, e para që humba nënën dhe e dyta që u bëra më tolerant. Të mos marrë hak.

Blendi Fevziu: Nëse patë pamjet e makinës suaj në varrimin e nënës jeni rrethuar nga 10-15 djem, besoj se janë vullnetarë, nëse unë iu tregoj një moment tjetër të shkuarjes tuaj në PS keni qenë sërish i rrethuar, Të njëjtën gjë ka bërë dhe Berisha, pasi ka qenë i rrethuar nga njerëz, por sot politika është  zhveshur nga ky lloj pasioni. Çfarë ka ndodhur?

Fatos Nano: Ndoshta është një zhvillim normal, pas kaq shumë vitesh. Ndoshta është zhgënjimi i këtyre djemve dhe vajzave që kush e di se çfarë prisnin. Jam i prirur të besoj që është një hapje e natyrshme e shoqërisë, por në Tetor 1998, disa ditë përpara sulmi mbi Kryeministri, më falni në Shtator ku prej ditësh me radhë rezidenca e Kryeministrit, vila 30, rrethohej dhe sulmohej nga përbishta të organizuar nga PD-ja, vetëm më këta lloj djemsh është mbajtur turma, sepse policia nuk rezistonte. Ndesheshin dy palë djem dhe asnjë nuk guxonte ta agravonte situatën. Disa ditë para 14  Shtatorit kur unë sipas rregullave të sigurisë më nxorën urgjentë nga godina sepse qëllohej nga jashtë dhe Perikli Teta raportonte nga brenda dhe plumbat kanë hyrë në sallën e qeverisë dhe natyrisht eskorta ime më mori dhe më largoi në drejtim të Durrësit. Ndërkohë nuk kemi arritur dot që të merrnin babanë nga vila 30, pasi ai tha unë nuk dal sepse jam partizan dhe partizanët  rrinë në llogore dhe nuk do vi. Atë ditë vila 30 është sulmuar me granata dhe është sot Kujtimi, ushtari i Gardës që humbi syrin nga një prej granatave që shpërthyen, deri këtu është vështirë të jesh tolerant.

/tvklan.al

Comment

*