Feçorr Shehu: Ja dy dramat me përmbajtje armiqësore të Fadil Krajës dhe Naum Priftit

Dashnor Kaloçi

Pak kohë më parë, me iniciativën e Shoqatës së Shkrimtarëve të rrethit të Shkodrës, familjarë, miq, kolegë, shkrimtarë, aktorë, gazetarë, dashamirës të artit etj., u mblodhën për të festuar 85-vjetorin e ditëlindjes të Fadil Krajës, një prej dramaturgëve më të njohur të vendit, i cili prej kohësh është nderuar nga Presidenti i Republikës edhe me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Në karrierën e tij 60-vjeçare, Fadil Kraja numëron një krijimtari letrare me dhjetëra vepra, kryesisht në gjininë e dramës, të vëna në skenë nga teatri “Migjeni” i Shkodrës, dhe gjithashtu trupa teatrore nga gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë. Ndonëse me një karrierë të gjatë artistike, me shumë e shumë drama të vëna në skenat e gjithë qyteteve tona, si dhe me një jetë komode familjare, karriera e pasur artistike tepër e suksesshme, nuk i pati ofruar gjithmonë qetësi. Madje shpeshherë ka pasur edhe probleme, shpesh tepër të ndërlikuara, saqë mund t’ia ndryshonin krejt rrjedhën e jetës…

Duke përfunduar, nga skenat e teatrit, në zgafellet e galerive të Spaçit, apo në rastin më të mirë i internuar në ndonjë fshat të humbur të fushave të Myzeqesë. Dhe gjithçka i ka ardhur nga “kolegë ziliqarë”, që kanë informuar Sigurimin e Shtetit mbi “dramat me kufizime ideore” që kishte shkruar Fadil Karja dhe që po viheshin në skenë nga trupa e teatrit “Andon Zako Çajupi” e Korçës. Kjo gjë, veç të tjerash bëhet e ditur edhe nga dy dokumente arkivore me siglën “sekret”, ku ish-drejtori i Sigurimit të Shtetit dhe njëherazi zv.ministër i Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu, informon Komitetin Qendror të PPSH-së dhe personalisht Ramiz Alinë, lidhur me dramën e tij “Nata e fundit”, që po vihej në skenë nga trupa e Korçës, e gjithashtu edhe për një dramë tjetër, të kolegut të tij (“Me pushkë dhe penë”), Naum Prifti, shkrimtarit të njohur që konsiderohej si mjeshtri më i madh shqiptar në gjininë e tregimit. Dhe atë raport-informacion, siç bën vetë me dije Drejtori i Sigurimit, e ka shkruar duke u mbështetur nga “një burim i specializuar brenda ambienteve të artit”, gjë e cila më pas i solli mjaft telashe e probleme dramaturgut të njohur. Ai edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë dijeni rreth asaj letre të “kolegut”, e cila atë fillim maji të largët të vitit 1978 alarmoi Sigurimin e Shtetit dhe Partinë, duke bërë që të vinin në lëvizje të gjithë mekanizmat e tyre. Këtë dokument e sjellim të plotë, duke përfituar që t’i urojmë z. Kraja edhe 85-vjetorin e lindjes!

INFORMACIONI I DREJTORIT TE SIGURIMIT PER RAMIZ ALINE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE Sekret

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1

DREJTORIA E PARE

Tiranë, më 20.5.1978

Nr. 2356 Prot.

Lënda: Mbi dy drama me të meta ideore

SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH

SHOKUT RAMIZ ALIA, TIRANE

Nga dy burime tonat, që janë nga radhët e ambienteve të artit dhe të specializuara në këtë fushë, del se kohët e fundit, teatri profesionist i Korçës ka vënë në skenë dramën “Nata e fundit” të Fadil Krajës, e cila siç thuhet është me të meta ideore. Në mënyrë të përmbledhur janë shfaqur këto probleme:

Në qendër të dramës është vendosur një malësor patriot, por edhe patriarkal. Meqenëse fshati do përmbytet nga ujët e një liqeni të hidrocentralit, së bashku me fshatin do të shpërngulet edhe familja e tij. Malësori nuk pranoi të ikë nga ajo shtëpi, i shtyrë nga probatini i tij (vëllami), i cili para njëzet vjetëve i ka vrarë vëllanë, por që ky nuk di gjë. Prapa tij është njëkohësisht edhe mblesi që merr përsipër të fejojë djalin qorr të malësorit me një vajzë që dikur ka prishur fejesën e lidhur që në djep, në mes të fshatit. Kur ky i thotë nuses “Përse erdhe?”, ajo i përgjigjet: “Më detyroi babai dhe unë tani nuk mund ta lë edhe burrin e dytë që më jep babai, sepse nuk më merr më njeri”. Dhe nusja ikën sepse këmbëngul dhëndri, ndërsa babai i dhëndrit, bie dakord më së fundi me mendimin e të birit vetëm mbasi merr vesh se shkesi është vrasësi i vëllait të tij.

Sipas pikëpamjes së burimeve tona, në dramë nuk paraqitet realiteti i jetës sonë, ndërkohë që i referohet, forca e opinionit shoqëror paraqitet e zbehtë, personazhet e moshave të reja nuk dalin aktivë, nuk ndërmarrin asnjë aksion konkret ndaj kësaj fejese me shkesë që e dinin. E reja përparimtare, përfaqësohet nga djali i kësaj shtëpie, Gëzimi, i cili është qorr, dhe nga nusja që vjen në këtë shtëpi, e cila ka qenë e fejuar njëherë që në djep dhe e ka prishur këtë fejesë në mes të fshatit si luftëtare e së resë, e frymëzuar nga fjala e shokut Enver e 6 shkurtit, kurse autori e nxjerrë përsëri të fejuar me mblesëri për të dytën herë, të thyer nga ai zakon që ajo e ka shkelmuar më parë. Me këtë lloj trajtimi mendohet se nuk mbrohet personaliteti i gruas shqiptare dhe nuk del fare figura e saj, ashtu siç ka qenë gjatë asaj periudhe luftarake në mbrojtje të zbatimit të mësimeve të partisë dhe të shokut Enver, për të drejtat e grave dhe vajzave.

Në vazhdim, i zoti i shtëpisë bën kthesë vetëm kur e merr vesh se mblesi është gjakësi që i ka vrarë vëllanë. Pra gjaku e vë në lëvizje atë dhe jo e reja që po ecën, puna e partisë dhe mësimet e saj.

Veç sa më sipër, vënia në skenë është gërshetuar edhe me dekorin e shfaqjes, që është i ftohtë dhe jo realist.

Gjithashtu, edhe për dramën e Naum Priftit “Me pushkë dhe penë” nga këto burime del se edhe kjo vepër, ka të meta ideore, gjë për të cilën teatri i Elbasanit nuk e pranoi ta vinte në skenë, kurse teatri i Korçës dhe ai i Fierit po punojnë për vënien e saj në skenë.

Mbi sa sipër, ndoshta ka vend të verifikohet nga një ose grupe specialistësh të Ministrisë së Arsim-Kulturës.

ZV/MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME

FEÇORR SHEHU

…………………………………………………………………………………………………………………

Fadil Kraja (djathtas) dhe Serafin Fanku (majtas)

Fadil Kraja (djathtas) dhe Serafin Fanku (majtas)

KOMITETI QENDROR I PPSH

(SEKTORI I EDUKIMIT)

INFORMACION

Sa morëm këtë informacion, që bën fjalë për të meta ideore të dy dramave, lexuam vetë pjesët dhe biseduam me Komitetet e partisë të Fierit dhe të Korçës, që t’i shikonin edhe njëherë këto pjesë. Njëkohësisht porositëm edhe shokët e Ministrisë së Arsimit që t’i diskutonin dhe të vendosnin për to.

Një kopje e këtij informacioni i është dërguar edhe shoqes Tefta Cami.

Për dramën “Nata e fundit” të Fadil Krajës, në qershorin e vitit të kaluar biseduam në Komitetin e Partisë dhe i thamë vërejtjet. Ata e kishin pezulluar pjesën dhe po e ripunonin dramën. Më vonë pjesën e përmirësuar na e dërguan për ta lexuare dhe ne. Edhe pas korrigjimeve, vumë re se drama kishte të meta të rëndësishme ideore. Mendimi ynë ishte se s’duhej të luhej në skenë, mbasi disa probleme nuk shtroheshin qartë dhe, aq më tepër, nuk zgjidheshin drejt. Në mënyrë artificiale dhe pllakateske bëheshin përpjekje që të zgjidheshin të gjitha çështjet në fund, brenda një nate. Shumë ngjarje s’janë bindëse. Disa herë ka nota të theksuara sentimentalizmi.

Mendimet që kishim për variantin e ripunuar, ia thamë Komitetit të Partisë dhe njëkohësisht porositëm shokët e Ministrisë së Arsimit të shohin pjesën në një provë, ku të diskutohej dhe të vendosej. Shokët e këtij dikasteri që e panë në provë këtë pjesë, kanë vënë në dukje se drama ka të meta ideore, prandaj, pa i bërë korrigjimet e rëndësishme, ajo s’duhet vënë në skenë.

Disa nga vërejtjet që ka bërë Komisioni i Ministrisë janë:

image-0-02-01-bbd40df8bf6db1c2652300d092be621347bd9b916a1b8f3b425561e8c50a179a-VVata, një nga heronjtë kryesorë, të ketë disa momente kthese graduale, dhe të ndeshet me Kërrnin; djali me vajzën e fejuar me mblesëri ta sqarojnë shumë kohë më parë problemin, jo natën e martesës. Të dalë interesimi dhe roli i komunistëve, të evitohet fryma sentimentale, të evitohet më mirë atmosferë e përgjithshme e gëzuar.

Gjatë diskutimeve janë bërë edhe vërejtje të tjera për interpretimin me të bërtitura dhe e skenografisë, e cila nuk paraqet si duhet ndryshimet që janë bërë në fshatin tonë.

Qysh nga koha që janë bërë vërejtjet (nga qershori i vitit të kaluar), me përjashtim të provës, drama nuk është luajtur në skenë. Ajo do të shfaqet po të realizohen ndryshimet nga vërejtjet që janë bërë.

Dramën tjetër “Me pushkë e penë” të Naum Priftit, në fillim e mori teatri i Elbasanit, por për të meta ideore nuk e vuri në skenë. Ne e lexuam dhe konstatuam se këto të meta qëndronin. Meqenëse po këtë dramë e kishte marrë edhe Fieri, biseduam me Komitetin e Partisë dhe me shokët e Ministrisë që të shikohej, se ashtu siç ishte ajo s’mund të vihej në skenë. Por teatri i Fierit, bashkë me autorin e dramës i kanë bërë disa përmirësime e ndryshime të rëndësishme, që i evitonin në tërësi vërejtjet që i janë bërë, sidomos për finalen. Ne shkuam në Fier dhe e pamë shfaqjen. Na duket se në tërësi janë evituar shqetësimet ideore, por një çështje, ajo e kapjes së mësuesit patriot nga çeta e hajdutëve, është ende tepër e gjatë, dhe kjo gjithashtu përbën një kufizim të pjesës. Këto vërejtje jua thamë edhe shokëve të rrethit dhe ministrisë.

Shokët e Ministrisë dhe të tjerët që e kanë parë këtë shfaqje në tërësi e kanë pëlqyer, por edhe ata kanë vënë detyra që skena e komitëve të shkurtohet.

Megjithëse problemet i kemi ndjekur sistematikisht dhe fill pasi morëm informacionin, praktikën e mbyllëm tani që përfundoi në tërësi gjithë procesi me këto pjesë.

22.3.1979

JAKUP MATO

Faximile-Naum-Prifti Fadil-Kraja-2 Fadil-Kraja-2-1

Comment

*