Federata Evropiane e Hendbollit e përjashton nga gara Serbinë

Vjenë, 23 mars 2018 – Federate Evropiane e Hendbollit ka vendosur që të përjashtojë nga gara ekipin kombëtar të Serbisë, për shkak se autoritetet serbe anuluan ndeshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në kategorinë e femrave në grupmoshën nën 20-vjeç, të vlefshme për kualifiket për Kampionatin Botëror për këtë kategori.

“Si rezultat i ndërhyrjes së autoriteteve qeveritare në Serbi, ndeshja kualifikuese në kategorinë e femrave në grupmoshën nën 20-vjeç, në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ishte paraparë të mbahej më 23 mars, nuk është mbajtur.

Për shkak të rrethanave, pas anulimit të ndeshjes dhe dështimit të Serbisë që kjo ndeshje të mbahet, Federata ka vendosur që ekipi i Serbisë të përjashtohet nga gara e mëjtejme”, thuhet në njoftimin e Federatës Evropiane të Hendbollit.

Ndeshja e anuluar sot ka qenë e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Botëror për kategorinë juniore, që do të zhvillohet në Hungari. Në grup me Kosovën dhe Serbinë janë edhe Norvegjia dhe Sllovakia.

Ndërkaq, Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se përfaqësuesja e Kosovës nuk do të luajë në Serbi asnjë ndeshje në turneun kualifikues për Kampionatin Botëror.

“Përveç lojës kualifikuese në hendboll në mes të ekipit të Serbisë dhe Kosovës, nuk do të ketë lojë mes Kosovës dhe Norvegjisë, të shtunën, dhe as ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë që ishte planifikuar për të dielën. Vendimi për anulimin e këtyre ndeshjeve është marrë për të parandaluar ndonjë konflikt të mundshëm në mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. (r.m.)

Comment

*