Ferr në rrethinat e Athinës, rreth 50 viktima të zjarreve

Athinë, 24 korrik 2018 – Zyrtarët grekë thanë të martën se të paktën 49 veta kanë humbur jetën dhe më shumës e 140 janë plagosur nga zjarret që kanë përfshirë zonat turistike afër kryeqytetit të vendit.

Autoritetet rajonale shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në zonat në lindje dhe perëndim të Athinës dhe dërguan trupa ushtarake për të ndihmuar në fikjen e zjarreve.

Athina i kërkoi ndihmë Bashkimit Evropian për betejën me zjarret. Greqia tha se Qiproja ka ofruar zjarrfikës, ndërsa Spanja një avion kundër zjarreve. BBC raportoi se vende si Italia, Gjermania, Polonia dhe Franca dërguan avionë, makina dhe zjarrfikës.

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, shkurtoi një vizitë në Bosnje të hënën dhe u kthye ne Athinë për shkak të situatës.

“Ne po bëjmë gjithçka që është në dorën e njeriut për të fikur zjarret, tha kryeministri Tsipras. “Ajo që na shqetëson është se ata po shpërthejnë në të njëjtën kohë”.

Zjarri i parë shpërtheu në një pyll pishash afër qytetit të vogël të Kinetës, 50 kilometra në perëndim të Athinës.

Tre komunitete u evakuuan, ndërsa flaka mbylli një pjesë prej rreth 20 kilometrash të një autostrade të madhe.

Temperaturat e larta dhe erërat me shpejtësi deri në 80 kilometra në orë po pengojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

Një zjarr tjetër goditi në verilindje të Athinës, në zonën Penteli, duke përparuar drejt qytetit të Rafinës. Kryebashkiaku i Rafinës tha se të paktën 100 shtëpi janë shkatërruar.

Roja bregdetare greke dërgoi anije në zonë për të evakuuar banorët e bllokuar në plazhe. Ajo është vënë në kërkim të një anijeje që u raportua e zhdukur dhe për të cilën u tha se po bartte turistë danezë që po iknin nga zjarret.

Shefi i zjarrfikësve lokal bëri thirrje përmes televizionit që njerëzit të ikin nga zona, meqë disa kanë bërë përpjekje që të qëndrojë në pronat e tyre.

“Njerëzit duhet të ikin, të mbyllin shtëpitë dhe thjeshtë të ikin. Njerëzit nuk mund të durojnë kaq shumë tym për disa orë”, tha Achilleas Tzouvaras. “kjo është një situatë e jashtëzakonshme”.

/Zëri i Amerikës/

Comment

*