Festa dhe frika, si gjimnastikë

Azem Parllaku

Azem Parllaku

Masat shtesë që ka marrë Policia e Shtetit për rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve gjatë ditëve të Pashkëve, duke kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe një njoftim i Policisë së Kosovës për një përgaditje të një akti terrorist në fund të kësaj jave, janë tregues i një situate tepër serioze. Më herët Agjencitë e Intelegjencës së Shqipërisë dhe Kosovës, me përkrahjen e shërbimeve sekrete të shteteve tjera, parandaluan një sulm terrorist të planifikuar në Shqipëri në ditën kur ishte ndeshja e futbollit Shqipëri-Israel. Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, përmes një njoftimi ka këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë pushimeve të ardhshme fetare dhe në festivale apo ngjarje të mëdha. “Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë, rrini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, është sugjerimi që ambasada amerikane u jep qytetarëve të vet në Kosovë. Të enjten u mblodh edhe Këshilli i Sigurisë i Kosovës, në të njejtën ditë, kur në Tiranë gazetari Blendi Fevziu përmes një editoriali komentoi shtimin e masave të sigurisë për kreun e opozitës Lulzim Basha. Një burim i gazetës Shekulli mësoi se, Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror ka zhvilluar një takim me kryeministrin Rama, të cilit i ka vënë në tavolinë informacionin për eliminimin e Bashës. Qëllimi ishte që kjo ngjarje t’i faturohej qeverisë, duke përfituar nga konflikti i ndezur politik, çka do të çonte vendin në kaos. Grupi që është ngarkuar për të kryer atentatin përbëhet nga të paktën tre shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe konsiderohen si tepër të rrezikshëm dhe vrasës me pagesë. Informacioni i dhënë nga burimi ndërkombëtar u është shpërndarë edhe disa agjencive të huaja të inteligjencës që kanë nisur verifikimet e tyre. Dyshimet janë për një skenar rus, të ngjashëm me atë për eliminimin e kryeministrit të Malit të Zi gjatë zgjedhjeve parlamentare, për të cilin Podgorica dhe Perëndimi kanë fajësuar Rusinë. Aspak rozë nuk është edge situata në Maqedoninë me shqiptarët si shtetformues, ku mediat njoftojnë se, qytetarët po mblidhen vullnetarisht dhe po organizojnë brigadat poullore për mbrojtje me të gjitha mjetet, nëse socialdemorkatët i uzurpojnë institucionet. Përveç “brigadave popullore”, që po themelohen, në Maqedoni janë regjistruar dhe veprojnë edhe rreth 20 të ashtuquajtura shoqata patriotike, të cilat kanë për qëllim “mbrojtjen” e Maqedonisë. Këto shoqata janë promovuar pas ftestave të VMRO-DPMNE së Gruevskit, me pretendimin për të ruajtur rendin shtetëror në Maqedoni. Ndërsa priten të zbardhen hetimet dhe të shihet sesi do të jetë situata e ditëve në vijim, me të drejtë lind pyetja;

A janë shënjestruar shqiptarët, si viktima të sulmeve terroriste dhe përse?!

Terrorizmi prek të gjitha shtetet, të mëdha dhe të vogla, të pasura apo të varfra qofshin ato. Ai vepron ndaj personave të çdo moshe, mbi pasurinë, kulturën dhe fenë e vërtetë. Po të kihen parasysh ideologjia dhe synimet e terrorizmit, shqiptarët kudo janë, nuk kërcënohen vetëm në sensin e luftës globale që bëjnë terroristët, por dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shqipëria, ashtu sikurse çdo vend tjetër nuk është e shmangur nga rreziku i goditjes dhe ajo mund të vijë në çdo kohë. Arsyet e goditjes së vendit tonë nga terrorizmi, janë nga më të ndryshmet, më kryesisht ato kanë të bëjnë me disa nga faktet e shtruara si më poshtë;

Shqipëria nëpërmjet politikës së Jashtme dhe nëpërmjet Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, është e angazhuar drejtpërdrejtë në luftën kundër terrorizmit global. Vendi ynë ka përkrahur politikat e Kombeve të Bashkuara për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Lindjen e Mesme, e në këtë kuadër kontribon me trupa ushtarake në mbështjtjen e paqes në Irak dhe Afganistan. Synimet e terrorizmit fondamentalist si ai i luftës për krijimin e shtetit të përbotshëm fetar, lufta kundër amerikanëve, izrealitëve dhe përkrahësve të tyre, e shënjestrojnë Shqipërinë si vend të goditjes. Në këtë pikëshikim çdo, celulë terroriste në rajon, çdo vrasës me pagesë, apo cilido nga “patriotët” e armatosur një akt të tillë mund t’a ndërmerrte, si një hakmarrje e terroristëve islamikë, ashtu sikurse si flijim për qëllime me sfond politik e patriotik. Të gjitha besimet më të mëdha të botës, induizmi, krishtërimi, judaizmi dhe islamizmi, kanë lindur në të njëjtin rajon të Lindjes së Mesme e të Afërt. Qëllimi i këtyre besimeve nuk ka pse të jetë, ai i burgosjes së mendjes dhe i shtypjes së emocioneve nëpërmjet frikës dhe ndjenjës së fajit. Në mënyrë të pabesueshme në harkun e dhjetvjeçarëve të fundit, miliona njerëz kanë rënë e po bien në grackën e shtypjes emocionale dhe burgut mendor. Në këtë kontekst, fatkeqësisht, krahas misionarëve të paqes, në Lindje të Mesme, ka plot shqiptarë që janë rreshtuar në falangat terroriste, kryesisht në Siri. Në Shqipëri janë miratuar akte ligjore dhe nënligjore e në vazhdimësi promovohen masa, të cilat kanë si qëllim të ndalojnë veprimtarinë e elementëve radikalë dhe strukturave që mbështesin terrorizmin. Bashkëjetesa fetare ndërmjet shqiptarëve, zhvillimi i besimeve fetare në mënyre paqësore, duke respektuar traditën dhe kulturën e tyre shekullore, janë një fakt i papranueshëm për radikalët islamikë dhe mbështetësit e tyre. A nuk ishte Shkodra një prej qendrave tipike ku kjo bashkëjetesë nuk është vënë asnjëherë në dyshim, përkundër e ka rrezatuar këtë harmoni për t’u marrë si shembull në të gjithë hapsirën shqipfolëse, kur u tha se kishte të dhëna për një sulm terrorist në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Israel. Lidhjet ndërkombëtare të grupeve të ndryshme terroriste, u japin atyre mundësinë e bashkëveprimit në rajone e shtete të ndryshme, e në këtë kontekst pavarësisht se të akuzuarit që u arrestuan në prag të asaj ndeshje, janë të gjithë shqiptarë, hetimet për ata zhvillohen në tre shtete të cilat, nuk i kanë të sintonuara qasjet e luftës ndaj terrorizmit. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po punon për të plotësuar detyrimet për t’u anëtarësuar në BE dhe ky është një fakt tjetër i papëlqyeshëm për terroristët. Zhvillimi i ulët ekonomik, korrupsioni, mungesa e kontrollit të plotë të kufijve, mund të shfrytëzohen nga terroristët kryesisht ato ndërkombëtarë, të cilët e çmojnë bashkëpunimin me rrjetet e brendshme kriminale, me qëllimin e krijimit të bazave të strehimit për veprimet e tyre. Shkaqet e terrorizmit janë politike, për destabilizimin e një shoqërie por edhe për hakmarrje. Këto qëllime kanë çuar në themelimin e organizatave të ndryshme të cilat më pas nëpërmjet mesazheve të tyre me karakter politik ose fetar ngjallin frikë dhe panik në radhët e popullsisë. Shumë nga idetë politike të instrumentalizuara nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre, e bëjnë këtë të keqe bashkëshoqëruese të çdo ideologjie, e fatkeqësisht të pranishme tashmë dhe në hapsirën shqiptare.

Comment

*