Festë Bashkimi Gjerman në vend të bashkimit tonë

Denion Ndrenika

Përvjetori 27-të i Bashkimit Gjerman (3 Tetor 1990) rikthen kujtesën madhore të së drejtës së shkelur të një kombi për të jetuar nën të njejtin qiell që u ka falur Perëndia.

Vendimet ndërkombëtare për ta mbajtur Gjermaninë të ndarë, ishin të kohëpaskohëshme, jo vetëm të atij vitit 1949 kur u themelua e para Republika Federale Gjermane e mandej Republika Demokratike Gjermane.

Natyrisht, historitë e zeza të politikave agresive gjermane, kuptueshëm për më shumë hapësirë jete, e shndërruan pikërisht këtë frazë në moto të kriminelit më të madh të njerëzisë, Adolf Hitlerit.

Edhe më parë me Kaizerin, apo Frederik Barbarozën, edhe shtyrë ndër shekuj me barbarët shkatërrues të Romës, gjermanikët mbaheshin larg dhe me luftëra nga fuqitë e kohërave, anglezë, francezë dhe rusë.

Megjithatë, zhvillimet ua mundësonin gjermanëve shpërblimin për të qenë të bashkuar, ndonëse shpesh të dhunshëm me fqinjët.

Për ata arsyetohet se ishin komb në ngritje, me dëshirë e vullnet, plot fuqi që synonin bashkimin.

Fare mirë e fare qartë. Shumë normale dhe e drejtë. Oto fon Bismarku ia doli në krye të bashkonte principatat gjermane në një shtet.

E vazhduan këtë dhe veçmas morën rol thuajse parësor pas rënies së Perandorisë Austro-Hungareze. U ndanë pasi humbën në Luftën e Parë Botërore, ndonëse nuk ishin ata që e hapën dhe i lanë territore të rëndësishme të tjerëve, sidomos Landin e Zarës (Saarland) Francës fituese.

Gjermania u fajësua në Versajë për humbjen e Luftës së Madhe (Lufta e parë Botërore), iu morën trojet etnike, iu ndalua të kishte më shumë se 100 mijë ushtarë, as të prodhonte tanke, nëndetëse…

Marrëveshja e Mynihut 1938 shënoi ngjarjen ndoshta të dytë pas Bismarkut të historisë për bashkim pasi aleatë dhe armiq ua njohën dhe pranuan zgjerimin e Gjermanisë Naziste me territoret e humbura më parë (Zarlandi me referendum të lejuar nga Franca), Oder Najsi dhe Silezia e Dancingu në Poloni, Bëme (Böhme, Bohemia) në Çekosllovaki me arsyetimet se pakica gjermane diskriminohej.

Natyrisht, armatosja pa fre e Hitlerit, ishte një farë arsyeje që gjermanëve t’u bëheshin lëshime me ndoshta besimin se do të ndaleshin.

Domosdo që u gabuan. Ish-kryeministri britanik Nevil Çambërlejn (ai bisedoi me Hitlerin për territoret) iu përgjigj pyetjes në Dhomën e Lordëve se përse armatosej Hitleri dhe jo Britania, se se ata, pra deputetët, opozita dhe demokracia nuk ia lejonin (armatosjen), përkundër Adolf Hitlerit që e bënte duke shkelur ligjet ndërkombëtarë e jo më vendorë.

Lufta e Dytë Botërore shënoi të fundit gjëmë të gjermanëve ndaj qytetarimit.

Traktatet në Jaltë dhe Potsdam i dhanë gjermanëve një grusht që ende dhemb, pasi ua ndanë atdheun që ndonëse e kishin të merituar si shtrirje dhe popullsi, nuk meritonin ta gëzonin për shkak të genocidit ndaj hebrejve dhe krimeve në ato vite të zeza.

Pas Konrad Adenaurit nisi jeta e re e RFGJ-së, sidomos e çnazistifikimit të shoqërisë gjermane dhe ecja paqësisht me Francën, fqinjët dhe jofqinjët perëndimorë.

Vili Brand më tej ishte ideatori i mundësive në hapje për bashkimin RDGJ-RFGJ dhe i dorëzoi udhëheqësit Leonid Brezhnjev të ish-Bashkimit diktatorial komunist Sovjetik, një plan për këtë. Natyrisht që në fund të viteve ‘60 kjo ishte e pamundur, por shtysa e kancelarit Brand forcoi “Ostpolitik”, apo Politikën e Lindjes.

U shënuan hapa madhorë marrëdhëniesh ndërkombëtare me një RFGJ të nënshtruar për fajin e kryer më shumë se një herë.

Kancelari Helmut Kol hyri në histori kur mundi jo të bindë, por t’i marrë “Po”-në Margaret Theçerit të Britanisë dhe Fransua Miteranit të Francës për bashkimin gjerman, madje duke garantuar përjetësisht se nuk do të këkroheshin territore të tjera etnike gjermane.

Domosdo që vendimtare ishte SHBA dhe ish-BS që po kalbej, pra ky jo nga dëshira, përkundër frikës së anglo-francezëve se një bashkim mund të risillte dikur të njejtat politika agresive gjermane.

U zgjata për Gjermaninë për ta mbyllur shkurt me ne shqiptarët. Sepse, gjermanët me gjithë krimet e përsëritura u bashkuan dhe ju lumtë sepse riktheun atdheun dhe kombin e vetëm që kanë dhe janë.

Ne shqiptarët nuk e bëmë dot këtë, natyrisht marrë parasysh edhe qenien faktor i vogël, por jo më pak se kaq paaftësinë e skajshme të politikanëve të Shqipërisë për një ngjashmëri idesh të Vili Brandit e le më pastaj të veprimit të Helmut Kolit dhe as të këmbënguljes së fqinjëve gjermanë të frikësuar Poloni dhe ish-Çekosllovaki që mundësuan praninë në formulën e bisedimeve “2+4”.

Ne mund ta bënim këtë bashkë me ndërkombëtarët, sidomos SHBA-në dhe me fqinjët tanë gjaksorë sllavë dhe grekë, vërtetëtuar në histori, pasi kurrë nuk i vramë, ndryshe ç’na bënë ata.

Rënia e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare nga luftërarët e ushtrisë Çlrimitare të Kosovës nuk u shoqërua me veprime politike dhe diplomatike bindëse për të bashkuar Shqipërinë me sado pak nga territoret e saj të sakatuara pa qenë asnjëherë komb apo entitet sulmues, jo e jo kriminal apo genocidial.

Ne mbetëm në rrugën e krijimit të dy shteteve shqiptarë, arritje e jashtëzakonshme marrë parasysh gjendjen dhe vendimet ndërkombëtare, duke i shtuar arsyetimin se ndarazi bashkohemi në Europë se bashkim pa u ndarë, nuk na lënë ata, ndërkombëtarët.

Tash, pas këtij shtjellimi shumëreshtësh për gjermanët dhe përmbyllës për shqiptarët, keqardhja është e madhe që mbetëm në vend numëro dhe të ndarë, duke festuar në vend të bashkimit tonë, bashkimin e gjermanëve.

Comment

*