Filmi “Heshtje” depërton në arenën ndërkombëtare

Filmi i regjisorit Bekim Guri, që trajton largimin e detyruar masiv të civilëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të marrë pjesë në festivalet ndërkombëtare të filmit në Paris, Bazel dhe në Tiranë.

Prishtinë, 14 tetor 2013 – Filmi “Heshtje” (Silence) i regjisorit dhe skenaristit Bekim Guri, është kualifikuar për të marrë pjesë në edicionin e 20-të të festivalit ndërkombëtar hekurudhor të filmit “CineRail” që do të mbahet prej 5 deri më 8 nëntor, në Paris.

“CineRail” është ngjarje unike ndërkombëtare dedikuar filmave që trajtojnë temat që kanë të bëjnë me hekurudhat , stacionet hekurudhore , udhëtarët dhe personelin hekurudhor. Ky festival është themeluar në vitin 1990 dhe ka për qëllim që publikut të gjerë dhe profesionistëve t’ua paraqesë produksionet më të fundit nga gjithë bota.

Regjisori Guri ka bërë të ditur për KultPlus se projekti i tij kinematografik do të shfaqet në kategorinë e filmave fiction në konkurrencë ndërkombëtare. Sipas tij, juria e ka përzgjedhur këtë projekt për faktin e përfshirjes së trenit si element të rrëfimit në skenar.

“Heshtje” trajton ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë. Ngjarja zhvillohet në vitin 1999 dhe ka për temë deportimin e civilëve nga forcat paramilitare serbe. Babai duhet të zgjedh në mes jetës e vdekjes, për ta mbrojtur vajzën e tij nga tmerri.

Në këtë film luajnë aktorët: Bislim Muçaj, Fitore Broqi, Xhevdet Doda, Mevlud Osmanaj, Fisnik Syka, Vedat Haxhislami dhe Kushtrim Qerimi.

“Heshtje“ është film i metrazhit të shkurtër, nuk përmban dialog dhe është xhiruar në teknikë filmike 35 mm.

Ai do të shfaqet në kryeqytetin francez, krahas filmave të tjerë komercialë, dokumentarëve televizivë, reklamave dhe spoteve televizive. Në fund, juria ndërkombëtare do të ndajë çmimet për produksionet më të mira.

Regjisori 30 vjeçar Bekim Guri ka deklaruar se, përveç në Paris, filmi “Heshtje” do të jepet si premierë ballkanike në festivalin ndërkombëtar të filmit në Tiranë që do të fillojë këtë muaj si dhe në festivalin e filmit të shkurtër që mbahet për herë të shtatë në Bazel të Zvicrës, më 15-16 nëntor, që organizohet nga komuniteti shqiptar.

Guri ka bërë të ditur gjithashtu se së shpejti do ta nënshkruajë kontratë me një kompani filmike spanjolle për distribuimin e filmit. (r.m.)Filmi Heshtja 2Filmi Heshtja 4Bekim Guri

Comment

*